E premte, 19.04.2024, 04:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Janis Ricos: Marshi i oqeanit

E marte, 06.03.2012, 08:41 PM


JANIS RICOS

 

MARSHI I OQEANIT

 

Përktheu:

Andrea Zarballa

Agim Mato

 

Limani natën,

drita të mbytura në ujra,

fytyra pa kujtesë dhe pa vazhdimësi

të ndriçuara nga prozhektorët kalimtarë të anijeve

të largëta

dhe pastaj të zhytura në hijen e udhëtimit

ashtu si direkët e vaisur me llamba ëndërrash të

varura.

 

Si krahët e thyer të engjujve mëkatarë

ushtarët me helmeta midis natës dhe qymyrit.

 

Ikën ngjyra nga fytyra e ditës

dhe drita nuk gjen një statujë

të futet në të, të fitojë lavdi,

të qetësohet.

 

Kishim një kopësht në anë të detit.

Nga dritaret rrëshqiste qielli

dhe nëna e ulur në fron qëndiste arat e pranverës

me pragjet e hapura të shtëpive  të bardha,

me ëndërrat e pulëbardhave në çatinë prej kashte.

 

Ti s’kishe ardhur akoma.

Shikoje perëndimin dhe të shihja –

një shkëlqim i trëndafiltë në flokët e tu,

një buzëqeshje hieje thellë në det.

 

Nëna më mbante duart,

por unë prapa supit të saj të butë,

prapa flokëve të saj të zbehta,

të shtruara, me një erë durimi dhe fisnikërie,

shikoja serioz detin.

 

Një pulëbardhë më thërriste

në thellësinë e mbrëmjes

atje në vijën e përthyer, të kaltër të maleve.

 

Pardje varrosëm dallëndyshen e parë

të shoqëruar me flautet e trishtuara të luleve.

 

Pastaj fëmijtë ndenjën vetëm

Prapa dritares së mbrëmjes

Dhe shikonin diellin që vdiste.

Prapa murit të bardhë të oborrit

Zgjohej rruga

Dhe, gjersa shkrihej drita e artë atje larg

ngjitej hieja e madhe e maleve

me hapin e heshtur të vdekjes

deri në duart tona të bardha,

deri në zemrën tonë,

deri në fytyrat tona të përulura.

 

Nënë,

Kush i bie

Këmbanës së kaltër të horizontit?

 

Reja e argjentë pranë hënës

 

Detarë të plakur,

që s’kanë barka, që s’kanë më rrjeta

janë ulur në shkëmbinj

dhe tymosin në llullat e tyre

udhëtime, hije dhe pendim.

 

Por ne

nuk dimë asgjë

nga hiri në kënaqësinë e udhëtimit.

Njohim udhëtimin

dhe gjysmërrethin  e bardhë të horizontit

që është si vetulla e egër e perëndisë së detit.

 

Hidhemi në varka.

Zgjidhim litarët dhe i këndojmë detit

duke shikuar renë e argjëntë

pranë hënës pranverore.

 

Cili qytet i diamantë

fle prapa maleve?

Cilat drita dridhen në natë tutje

dhe na thërrasin?

 

Dëgjuam këngën e detit

dhe nuk mundemi më të flemë.

Nënë,

mos ma mbaj dorën.

 

Ngjyra mëngjezi të shkrira në ujë.

Zjarre perëndimesh në krahët e pulëbardhave.

Pragje të hapura për hapin e natës.

Dhe sipër gjumit të gurit

kënga e detit

futet nga dritaret e vogla

dhe skicon kopështe, shkëlqime dhe ëndërra

në xhamet e heshtura, në ballet e fjetur.

 

Zemër e respektueshme;

zemër fëminore që s’dyshon,

që kurrë nuk mohon.

 

Të xhveshur u ndeshëm sipër rërës në mesditë,

më shumë për t’u përqafuar se sa për t’u ndeshur,

më shumë për t’u ndeshur se sa për të fituar,

vetëm për të fituar.

 

Flokë të krypur,

këmbë të djegura nga dielli,

mërmëritja midis të puthurës,

deti tej ankthit tonë.

 

Mesditët zbresin duke gumëzhitur

të mbulojnë me flakët e tyre të bardha

shtëpitë e peshkatarëve,

të djegin zemrat që nuk kundërshtijnë.

 

Dëgjo këngën tonë, nënë,

këngën e udhëtimit të ri.

 

Ti që qan vdekjen nuk na njeh.

Deti nuk qan –

këndon.

 

Mbarimi i meshës së të dielës.

Oborr i lyer me gëlqere;

përballë detit këmbanorja e heshtur,

që kumbonte në kujtim të marinarëve të vdekur,

tani qesh nën diell.

 

Në buzë kemi cigarishten e babait,

nën xhaketë, në kraharor,

i qëndisur kryqi i jugut

dhe gorgona e lashtë.

 

Fanellë e kaltër marinari

e mbyllur deri në grykë

dhe kur na shikon vajzëria

hapin tonë e bëjmë të gjerë e të matur

si të kapitenëve që kanë bredhur botën.

 

Por, ndërsa na përshëndesin butësisht shtëpitë e qeta

me kulprën e përdredhur nëpër murin e bardhë,

do të futet prapë midis nesh

të na mundë edhe një herë akoma

shkëlqimi i detit të madh.

 

Ej, kapidan!

Haje shpejt e shpejt bukën tënde të thatë

me ullinj

të zhytur në kripë e në diell

mbi shkëmb.

Erdhi koha të hapim velat.

 

Kur marrim frymë

fryhet vela e bardhë e zefirit

dhe rrudhat e tij të ndriçuara valëzojnë

deri prapa kraharorëve të lumtur

të maleve të largët.

Nuk ka kufi zemra jonë

që dashuroi detin.

 

Një flamur shëndeti

i gozhduar në gur

përshëndet qiellin, duke lëkundur sipër njerëzve

hije të mëdha freskie

prej detit mëngjezor,

me vela të bardha dhe ishuj

të lulëzuar në mes të majit.

 

... Jashtë, në viset diellore, pranë detit,

tryeza jonë e mbrëmjes

në të cilën njomte bukën e drunjtë pranvera

dhe hëna pikturonte fshehurazi

në këto enë greke prej balte

skena nga Troja.

 

E dije që do të iknim, nënë,

dhe  kripje darkën tonë me lotë,

kokëulur dhe e trishtuar nën yjet

dhe në prevazet e ishujve psherrëtinin vajzat

që ishin fejuar me Odisenë.

 

Ktheheshim në darkë

me duart e përgjakura dhe me gjunjët  e thyer

duke sjellë prenë e lodhjes –

figura uji që mohojnë trajtën,

tinguj të trëndafiltë të buzëmbrëmjes.

 

Atje poshtë, në hijen e varreve bregdetarë,

sytë tanë fëminorë nuhasnin heshtjen,

dëgjonin flautin e bukurisë

që ngushëllon ballin e trishtuar

dhe justifikon të përjetëshmen.

 

Fluturimi i zogjëve të detit

në shpellat e heshtura  të shkëmbinjëve,

trajtat e ëngjëjve

të qëndisura me yje në thyerjen e ujit

pranë rezistencës së guriçkave,

në hijen e gjelbërt të malit,

në sytë e zmadhuar të djemëve të menduar.

 

Kishin ardhur në mëngjez anijet

të ngarkuara me grurë, qymyr dhe verë.

Ti hodhe bukën, verën dhe qymyrin

dhe ngele i xhveshur në mes të detit.

 

Çasti kishte ngjyrën e një margaritari të fshehtë

të zhytur në mendimin e agimit,

në zërat e largët të mbushur me rrezik e premtim.

 

Pe trupin tënd në ujra

dhe dashurove ujrat duke harruar trupin tënd.

 

Gjithë natën kemi qarë

përkulur mbi arkivolin e bardhë të një pulëbardhe.

 

Gjumi i rëndë në të gdhirë

në historinë e guackave;

të tretur qirinjtë në kishën e detit.

 

Dhe ishte anija që na priste

me bashin drejt dritës së mëngjezit.

 

Fli sonte me zemrën e hidhur

si buka e peshkatarëve në furtunë.

 

Nesër do të çrrënjosim kryqet e varreve bregdetare

të gdhendim sanalle fëminore,

të gdhendim statuja të detit,

për të mbushur shtëpinë që shkretohet.

Direkë të humbur, tymra të zhytur

pas pjerrësisë  së heshtur të horizontit

që ngjan si gjuri i nënës që dremit.

 

Një faltore e vogël vetmie

në shiun e mbrëmjes

iknostasi i shën Nikollës në breg të detit

ku qëndron vjeshta të lëshojë një gjeth të verdhë

ndërsa zhurma e furtunës largohet

në rërën e zbehtë,

në dritën e përlotur të yjeve

të shtatorit të heshur.

 

Në shtëpizën e gjelbër të bregut

na gjeti të vetmuar dimri.

 

Nga dritarja pash të largohen

nga plazhi njerëzit e fundit

dhe sanallaja e vogël

me ndënjset e boshatisura.

 

Për pak do të vijë

shiu i trishtuar

të lajë emrat lirikë

dhe skicat fëminore

nga sanallet e verës.

 

Pemët e limanit dridhen

të përkulura dhe të vetmuara

në muzgun e plaçkitur

si statuja të drunjta të verës.

 

Ku shkoi orkestra e vajzave të vogla

në kopështin pranë detit,

ku mbrëmjeve pinin marinarët

midis pemëve

dhe kërcisnin këmbët në ajër

për një flori hëne?

 

O zot, të falenderojmë

që ngelëm kështu të trishtuar,

që të mund  të shikojmë pa frikë

qiellin, të qetë e të pafund

si hapësira,

të harruar e të panjohur si e  panjohura.

Fëmijë të  heshtur e të menduar

me qerpikë të kripur,

me sy të mëdhenj e të kaltër

kalojnë të ndrojtur në qytete të mëdha

nën spitale që bien erë gjumi e djerse,

nën pallate që tymosin gjak, natë dhe rrëmbim.

 

Nënë,

ku është dora jote

të dëgjojmë agimin dhe detin,

të ngrohim vetminë?

 

Prapa mureve na përgjojnë dyert

me gojë të hapura netëve.

Heshta që shkëlqejnë – një hënë me kokë të prerë.

 

Zot, o zot,

dhe ne këtu

në mes të rrugëve të mëdha

të trishtuar dhe të pamundur

me trastën e zbrazur në duar

me një kafaz bilbilash në shpinë,

me kujtimin e gjerë për detin.

 

Djalë zeshkan me sy të kaltër,

me flokë të dëndur

që i ka krehur deti,

djalë me hapin tënd papërgjegjësi,

që kurrë nuk pyesje tokën,

djalë krenar që mohoje

kishën e së dielës,

që ndërtoje balona dhe anije

me fletoret e aritmetikës,

e mban mend kapedanin plak

që harroi limanin duke shikuar yjet,

që të fitojnë prapë rininë

duke i kënduar detit?

 

Kështu,

në kohën që na linte

buzëqeshja e fundit e natës

dhe s’kishim anije tjetër që të largoheshim

dhe ishin limanet pa fenerë

dhe pa pasagjerë

takuam hijen tonë, o djalë i detit,

të takuam ty

me një hënë pranverore në duar,

duke ecur i vetmuar anës detit,

midis shkëmbinjëve

që sodisin qetësisht gaforret dhe fokat.

 

Kështu, të vetmuar e të vetmuar

si një zog paqësor oqeanik

i ngopur me shkëlqime dhe heshtje,

i shkretuar nga nata dhe dashuria.

 

Zot, o zot,

më sill prapë robën e kaltër të të falurit,

më sill prapë zemrën që të mund të qaj

për plagën e një xixëllonje,

kur këmbanat e ishullit tonë

do të lajmërojnë sipër detit

naivitetin e bardhë të së dielës,

paditurinë tonë të humbur,

shëndetin tonë të humbur.

 

Në dritaret e vogla të anëdetit

do të lulëzojnë prapë dashuritë

dhe lulekumbonat

dhe do të vijë një Krisht i vogël

të na marrë prej dore

të luajmë gjithë pasditen nën kulprat

bashkë me pulëbardhat, me erën e detit

dhe me diellin.

 

Kumbimi i qetë i ujit të lehtësuar,

ecja e ndrojtuar në kumin e peshkatarëve –

fëmijët flenë në varkat

dhe ëngjëjt lahen në gjumin e tyre.

 

Erë e barit dhe e yjeve.

 

Duart tona të lodhura

të spërkatura me vesën e re

dhe flokët tanë që kundërmojnë

me hijen e dhimbjes së djeshme.

 

Nuk ka kufi bota, nënë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora