E marte, 16.04.2024, 12:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Agim Vinca: Freskë poetike e dhembjes dhe kujtimit

E hene, 05.03.2012, 08:15 PM


FRESKË POETIKE E DHEMBJES DHE KUJTIMIT

(Mendime  për Miradije Ramiqin, Impact cultural, Tërgovishte, 2011)

 

Nga Agim Vinca

 

Miradije Ramiqi (Pozharan, Viti, 1953), poete dhe piktore, është krijuese tashmë e afirmuar. Më se dy dekada ajo merret aktivisht me krijimtari letrare e artistike dhe, pos pjesëmarrjes në ekspozita të shumta të arteve figurative, kolektive e individuale, ka botuar edhe këto vepra poetike: Drithërimë ngjyrash (1981),  Shi në pasqyrë (1990) dhe Pëshpërimë mbretërie (2000). Poezinë e Miradijes e karakterizon përpjekja e autores që me një gjuhë të figurshme poetike të shprehë preokupimet e saj jetësore. Krijuese që u falet hireve të fjalës, të ngjyrave dhe të perspektivës, Miradije Ramiqi është në kërkim të identitetit krijues. Ecejaket e saj imagjinative në botën antike shqiptare (në Antikën tonë - timen), po aq sa edhe në përditshmërinë tonë jetësore, me imazhet dhe topografinë e saj autentike; rurale e urbane, përfundojnë në studion e poetes-piktore dhe të piktores-poete, ku ajo rikrijon botën e saj artistike.

Ndër figurat qendrore të mitologjisë së saj poetike është mbretëresha ilire, Teuta. Miradija mëton ta ribëjë në vargje figurën e kësaj gruaje të shquar shqiptare, të sertë e tragjike, që në një cikël të pikturave të saj e ka emëruar me togfjalëshin “arketipet ilire”. Antika është për poeten një lloj muze. Muzë tjetër e saj është vetë arti, piktura, poezia. Mjediset që frekuenton imagjinata e poetes janë fisnike, elitore ose, siç i pëlqen të shprehet asaj, mbretërore. Poetja dëgjon pëshpërimat e asaj bote të largët dhe i pëshpërit asaj fjalë moderne. Bota e fjalëve dhe e ngjyrave është për të bota e vërtetë. Një ndër fjalët e preferuara të fjalorit poetik të kësaj poeteshe është fjala e bukur shqipe: drithërimë. Libri i saj i parë me poezi, i botuar në vitin 1981, titullohej: Drithërimë ngjyrash, sintagmë kjo që shpreh esencën e aktit krijues, por edhe interferencën e pikturës dhe të poezisë, që janë dy prirje jetësore të kësaj krijueseje.

Nuk ka art pa drithërimë, dhembje, mall, dashuri, pikëllim. Në studio frymon dhembja, kurse subjekti lirik, pas grindjes me vetveten dhe të tjerët, mbyllet në kornizë, duke bërë “vetëvrasje artistike”. Drithërima është përherë e pranishme aty, si zjarmia në trupin e të sëmurit. Fjalët dritë, ngjyrë, pëlhurë gjithashtu. Aty janë edhe shiu, pasqyra, bardhësia. Si Niobet e mitologjisë antike atë pritja e shndërron në skulpturë; në gur. Gratë e Hasit të Thatë, këto krijesa që jetën e kalojnë në pritje; që gatuajnë bukë e lindin fëmijë dhe që “ditën e lidhin bystek”, janë një alter ego e vetë poetes: “Sa shumë u gjasoj atyre/ në një portret të pikëlluar oval”. Gjeografia e kurbetit, këtij lajtmotivi të poezisë shqipe, ka gjetur te kjo poezi, njëra nga poezitë më të bukura të kësaj poeteje, gjuhën e vet adekuate poetike.

Gjendja shpirtërore e subjektit lirik ta kujton dehjen e atij që ka shijuar ambrozin magjik, nektar ky, që, sipas legjendës, ishte privilegj i perëndive të Olimpit. Ka një lloj ekstaze në vargjet e kësaj poeteje. Emri i këngëtarit mitologjik, Orfeut, të parit poet të botës, që kërkon përjetësisht Euridikën e tij, është në funksion të këtij eksitimi, ku më shumë se kujtesa është prezent harrimi (po ti diku i tretur/ Orfeu im i harruar). Në vjershën Arti ynë, kushtuar artistëve figurativë shqiptarë, artikulohet ideja se arti ynë i lashtë është i mbyllur jetësisht në rrudhat e tokës.

Nuk duhet kërkuar sistem të fortë logjik në vargjet e Miradije Ramiqit; aty fjalët janë të hedhura si ngjyrat në pëlhurë në një kombinim spontan, që ka logjikën dhe bukurinë e vet. Derisa Orfeu i mitologjisë antike është simbol i bukurisë dhe i dashurisë së humbur, të tretur; figura biblike e Satanait është e kundërta e tij: e keqja dhe shëmtia. Ky i fundit, madje, nuk shfaqet si qenie e gjallë, por si statujë. Statujë prej balte. Poetja kërkon të krijojë raporte harmonike me botën, por harmoninë e prish e keqja ataviste në shpirtin e njeriut dhe Satanai që bën plojë në teatrin tragjik të Prishtinës.

Një vend të veçantë në opusin krijues të poeteshës Miradije Ramiqi zënë vargjet kushtuar miqve të saj poetë: Beqir Musliut, Mirko Gashit, Rexhep Elmazit, tre krijues të veçantë e autentikë, secili në mënyrën e vet; që të tre nga treva e Anamoravës, nga është edhe ajo vetë. Poezitë kushtuar këtyre poetëve, sikurse edhe Nënë Terezës dhe figurave të tjera emblematike, që tashmë kanë kaluar në amshim, nuk janë thjesht in memoriam-e poetike. Poezia e Miradije Ramiqit është poezi për aktin e krijimit, të cilin ajo e mitizon plotësisht. Sepse, créer, c’est tuer la mort! (të krijosh do të thotë ta mundësh vdekjen!) - thoshte shkrimtari i njohur frëng, Romen Rolan.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora