E premte, 29.03.2024, 03:21 PM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Faik fisnik Konica, Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar

E hene, 05.03.2012, 08:05 PM


Faik fisnik Konica,

Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar

 

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe 70 vjetorit të vdekjes së Faik Konicës

 

Ekskluzive nga Fotaq Andrea

 

Viti 2012 përkon me tri data të shënuara në Historinë e kombit shqiptar: u çel me 130 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, këtij titani të mendimit dhe të veprimit; do vijojë me 100 vjetorin e ndritur të ditës së flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, si ngjarja më madhore që e lartoi popullin shqiptar në piedestalin historik të lirisë, mëvetësisë dhe të dinjitetit kombëtar; do përfundojë me 70 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, gjeniu shqiptar i të gjitha kohërave, që lëvroi me erudicion të thellë dhe veprimtari të gjithanshme patriotike në krejt fushat e botës dhe të jetës shqiptare, për një komb e qytetari përherë e më moderne, përherë e më dinjitoze.

 

Vetëm djalosh 20-21 vjeçar dhe i vetëm, më 1896-1897, Faik Konica çel në Bruksel, në kërthizë të kontinentit të lashtë, revistën e ndritur “Albania”, në rrugën “Albania”, me identitetin e tij nga “Albania”. Krenar që përfaqësonte një nga kombet më të lashtë në Evropë, Konica djaloshar tërhoqi me sukses vëmendjen e botës së qytetëruar se populli i tij, që kishte dhënë aq shumë historikisht për tërë atë qytetërim, meritonte më në fund drejtësi, liri, pavarësi, meritonte të mirëpritej denjësisht në bashkësinë e kombeve të zhvilluara.

Tri herë, siç thotë Apolineri, i dënuar me vdekje nga sulltani që në moshë të re, në polemikë të ashpër parimore e atdhetare me tërë forcat, qarqet dhe rrymat shoviniste e regresive të kohës, të brendshme e të jashtme, Faik Konica – poligloti, eruditi, enciklopedia lëvizëse, fisniku me prejardhje nga dera e lartë e Tepelenit dhe e Delvinës, zbuluesi i flamurit të Skënderbeut, diplomati emblematik, politikani i zhdërvjelltë e largpamës –, hodhi bazat e mendimit modern, estetik e filozofik shqiptar, në krejt fushat shoqërore, për një shndërrim rrënjësor të botës shpirtërore dhe konceptuale kombëtare, si dhe për një emancipim të lartë shoqëror. Në vargun e përndritur të Rilindësve tanë të Mëdhenj, ai shfaqet si një meteor gjigand në qiellin e zi të pushtimit osman të vendit dhe mbetet përherë e përjetësisht aktual, sepse vetë mendimi dhe veprimi i tij qëndrojnë në themel të botës shqiptare, si rrezatim i përhershëm i ardhshmërisë së saj.

Shquhet për gjithçka e në gjithçka, dhe albanologë e historianë janë në unison për të thënë që është Ai Ati dhe themeluesi i gjuhës letrare dhe të njëjësuar të shqipes, kësaj dekorate të artë të identitetit kombëtar, është Ai krijuesi i kritikës, estetikës, stilistikës e publicistikës shqipe, pa lënë mënjanë rolin e tij të shquar si bibliograf, sociolog, përkthyes, etnograf, novelist, poet e deri muzikant dhe estet. Është kësisoj portreti i gjeniut shqiptar të plotë e të përplotë, si krejt vepra e tij e shkruar dhe e pashkruar, e në radhë të parë si vetë kryevepra e tij “Albania” (1896-1909) me 121 numrat e saj, që përbëjnë 121 libra më vete, me tematikë gjithpërfshirëse, bashkëkohore e atdhetare.

E kush nga Rilindësit tanë të djeshëm dhe penat e mprehta të sotme nuk ka dhënë për të një përkufizim të saktë e origjinal? Ai është “gjeniu letrar” dhe “i vetmi njeri gjenial tek Shqiptarët” (Gj. Muzaka e G. Petrota); ai është “shkrimtar e udhëheqës kombëtar” dhe “kryelëronjës i shqipes”, “dekan i veteranëve të çështjes shqiptare” (F. Noli); ai “ngjalli kulturën kombëtare” dhe “çoji më lart çështjen shqiptare” (S. Hamiti); ai “përuroi një vetëdije të re të jetës qytetare, ideologjike e kombëtare” (A. Karjakdiu); ai është “Figura qendrore e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (I. Sheme); ai është “intelektuali dhe krijuesi i parë shqiptar i afiniteteve dhe dimensioneve evropiane” (N. Jorgaqi); ai është “një nga princat e letrave shqipe dhe një nga Shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave” (I.Kadare), teksa Apolineri e cilëson si “Shqiptari më erudit i Evropës” dhe Rémy de Gourmand “Mjeshtër i frëngjishtes, frankofon dhe frankofil i tërbuar”. Fishta e shenjtëroi “arbitër të elegancës së letrave shqipe”, ndërkohë që Zogu e cilësoi “luan të letërsisë e të diplomacisë” dhe A. Pipa e vendos “në fronin ma të naltin të mendjes shqiptare”. Namik Resuli e quan “Volteri shqiptar” për rreptësinë dhe mprehtësinë e ironisë e të sarkazmës, ndërkohë që Jup Kastrati ndërton figurën e tij madhështore komplekse, që “nuk pati shok t’i afrohet në dimensionet e tij”. Sakaq, Ernest Koliqi e quan “Zejtar të shkrimit, që i shndërron fjalët në diamanta”, Kristo Frashëri e larton si ideolog rilindas e pasrilindas, që “zbatoi me zjarr dhe me erudicion programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, dhe Moikom Zeqo e karakterizon si “emblemë e kombit, me ekuacionet e tij konceptuale afatgjata”.

Ja portreti i tij i skalitur nga mjeshtër të mëdhenj të penës shqipe, dhe mund të vijohet kësisoj edhe me autorë të tjerë e me tërë epitetet e merituara dhe të meritueshme për këtë gjeni të shkallës së epërme, Atin e Kombit modern shqiptar. Ai u shfaq si një pararendës Ataturk për ardhmërinë e Shqipërisë, me ide pjellore e frymë ndërtuese, me punë dhe jetë të vrullshme e të ngjeshur, përmes një polemistike nga më të ashprat e më të fuqishmet.

 

E megjithatë, përtej gjithë këtij diapazoni të pakrahasueshëm vlerësimi, që shkon gjer në fushat eliziane ku prehet Heroi, ç’nuk u tha për të, e ç’nuk u bë kundër tij, duke anatemuar, sharë e nxirë figurën e tij poliedrike, jo vetëm gjatë kohës kur jetoi e lëvroi, por edhe në 50 vjet komunizëm, kur donin të shuanin nga kujtesa kombëtare gjer edhe emrin e tij; po a mund të shuheshin vallë dy rruzujt diellorë të syve të tij të zgjuar, largpamës e rrezatues përjetë? U quajt “beu dembel a ëndërrues”, kur vepra e tij vetëm e shkruar, në shqip e në gjuhë të huaj, numëron mbi tremijë faqe të njohura gjer më sot, pa u shterur ende arkivat dhe bibliotekat e Evropës dhe të përtej Evropës, dhe pa u zbuluar ende fondi i plotë i epistolarit të tij; u cilësua nga një opinion miop si “sherrxhi” a “ngatërrestar” pikërisht ai polemist i talentuar që vërviste në majë të gishtave ironinë, sarkazmën, shpotinë, indinjatën ndaj injorancës, “levantinëve” dhe “mendjeve të klasit të katërt;” u urrye si shkrimtar, pa u kuptuar thelbi i shkrimeve të tij gjithë kombëtarizëm modern, në luftë kundër dukurive negative, intrigave, korrupsionit, paditurisë, fanatizmit konservator, mediokritetit e antivlerës, luftë që përbën një nga pikat kulmore të veprës së tij me aktualitet të gjithfuqishëm, pikërisht edhe sot, kur më shumë se kurrë kërkohet evropianizimi i shpejtë i Shqipërisë dhe futja e saj në BE; u pa gjithë frikë si karakter i rrëmbyer, gjaknxehtë, me gjuhë pa fre, me temperament egocentrik, që fshikullonte fort e me sharje të rënda, dhe u harrua se ai e shihte botëkuptimin e prapambetur shekullor të bashkëkohësve e bashkëkombësve të tij nga këndvështrimi i përparuar evropian, armatosur me kamzhikun rablejan e volterian, me forcën e fjalës shigjetare të Paskalit e Rusoit, të krejt protagonistëve kryesorë të revolucionit francez, armatosur me pretencën e famshme “J’accuse” të Zolasë –, dhe tërë këtë, vetëm e vetëm për të troshitur e tronditur fort apatinë, përgjumjen, plogështinë, pa lulka retorike e fjalë ditirambike; e shau ashpër “Naim beun, si poet bejtexhi, i tototove e tatatave”, po kur vdiq Naimi ama, e quajti “burrë me fletë”, engjëll të vërtetë, “yll i ndritshëm e i rrallë në qiell të Shqipërisë,” duke e ngritur në piedestal nderimi siç i takonte. Thonë se u sha, u gri, me këtë e atë, u prish, u ndreq, e sërish u prish me Zog e Nol, po u harrua se kur revoltohet gjeniu, në realitete të caktuara, me spontaneitetin e vet të fuqishëm (si të zemëroheshin vetë Perënditë!) shfaq ndjenja të tilla që i shpëtojnë edhe vetë arsyes thjeshtake e të thjeshtëzuar, shfaq një shpirt me origjinalitet të pashembullt, si tipar i forcës shpërthyese, që shkon gjer në harbim. Dhe shi këtu hedhin rrënjë e ngacmohen ndjenja dhe mendime të thella, gati të pakapshme në cilësinë e tyre përtej së zakonshmes, së rëndomtës, mesatares.

Mendja e tij e ndritur, kultura e gjerë dhe e shëndoshë, pena e mprehtë dhe e fuqishme, zhdërvjelltësia në veprim e në nismë, ndjenja dhe shija e hollë artistike dhe estetike, tipare këto të gjeniut me ndjeshmëri të skajshme, me intensitet veprimi e jete, me interesa të larmishme dhe lehtësi të kollajshme për të kaluar plot kompetencë nga një fushë në tjetrën, me aftësi të veçantë vëzhgimi gjer në hollësitë më të imëta, e mbi të gjitha, përkujdesi i tij në përkorë, përsosuri, qartësi, bënin që Faik fisnik Konica të linte ku e ku pas, pakrahasueshmërisht, botëkuptimin e ngushtë e të prapambetur të bashkëkombësve të tij, dhe të arrinte në kuotat e larta të mendimit e të estetikës evropiane.

 

Ai fare mirë mund të rreshtohej në radhët e simbolistëve të shquar francezë, belgë, etj. tek i njihte dhe i kishte përpirë veprat e tyre – nga Mallarmé e Moréa me gjak shqiptari, deri tek Bodelaire, Verlaine, Rimbaud, Schwob, Bruant, Barrès, Mendès, O. Mirabeau, Gide, Allan Poe, Willde, A. Billy, Apollinaire, miku i tij, e sa e sa emra të tjerë, të njohur nga afër prej tij –, kur dinte aq mjeshtërisht e spontanisht të zhonglonte jo thjesht me gjuhën frënge që e zotëronte përsosurisht, por edhe me forcën e gjuhës shqipe që vetë ai po e themelonte letrarisht: Loz "Avropa", me "Evropin" / Njëra-tjetrës i hedh topin,/ Edhe Evropa bën sehir. / Një të shtën' Avropa topit: /Nëpër dor'i shkoi" Evropit". / Dhe Evropa bën sehir... Bam"Avropa",/ bam"Evropi"!/ Ulërijnë: Ku ishte topi? etj. etj. Apo vargje të tilla në frëngjishte, kaq bukur, në gojën e një Afrikani “të egër” alegorik mes xhunglës: Adède, t’es belle, / J’aime tes gros nichons,/ Folichons,/ T’es ronde, / T’es blonde, vargje që për fat të keq edhe në “Veprat” e botuara të tij nuk janë përkthyer ende në shqip dhe që do mund t’i përshtatnim në gojën e Konicës sot: Adedë, e bukur je, / Cicat e mëdha m’i ke,/ Cicat e tua dua/ Pendë të lehta për mua/ Topolake ç’më je,/ Leshrat e verdhë ç’m’i ke.

 

Le të kujtojmë “lojën e morrave” nëpër thonjtë e palarë të policëve të doganës së Durrësit, me simbolikë kaq të fuqishme, le të kujtojmë se si përpara Apolinerit, ai e shndërroi pulën e zezë gati në mi, le të sjellim ndër mend Ali Bibiun tij të famshëm që endej lakuriq fushave të Tiranës më 1852, një “Adam” në parajsën koniciane, duke jetuar si natyristët e sotëm, karkacul dimër e beharë. Tek kemi parasysh episode dhe hollësi të tilla nga më fantastiket dhe po aq origjinale nën penën e tij, nuk ka si të mos mendojmë për talentin e tij të padiskutueshëm për të qenë edhe mjeshtri i parë simbolist shqiptar. Gjithçka tek ai, nga Dr. Gjilpëra (ai vetë!), e deri te SalemBoza, Abd’el Katl (Katili), Ib-el-Kelbin (Qelbin), etj. etj.,  janë simbolikë e fuqishme, e jo thjesht ironi e sarkazmë!

 

Po se mos veç kaq! Ai fare mirë mund të jepte mësim në Sorbonë a gjetkë, siç e këshilloi “ati” i tij shpirtëror i rinisë, orientalisti i famshëm Leon Cahun, Zv. Konservator i bibliotekës “Mazarine”, autor i romanit historik e simbolik “Hasan Jeniçeri”, apo “Historia e një Shqiptari më 1516”, përkthyer tashmë në shqip nga hartuesi i këtyre radhëve. E,  në nderim të L. Cahun-it, ai që në shkrimin e parë të “Albanias” do firmoste me pseudonimin tashmë të mirënjohur Trank Spirobeg, Thrank Spiro, T.S.B. etj. sipas vetë emrit të krishterë të Hasan Jeniçer shqiptarit, 19-20 vjeçarit (çuditërisht po aq sa vetë Konica në atë kohë) që arriti majat e karrierës ushtarake në atë fillim të shekullit XVI, kur Shqipëria në udhëkryq, midis Lindjes dhe Perëndimit, do të tradhtohej egër, brutalisht e tragjikisht nga Venediku.

 

Po edhe më! Ai, Konica ynë djaloshar – me bukuri mendjeje e bukuri fizike, “i vjetër qysh i ri”, siç e cilëson në mënyrë aq të goditur Aurel Plasari, tek mësonte hebraishten në Paris nga ish dekani i Universitetit të Dizhonit 78 vjeçari Louis Benloew (miku i Dora d’Istrias e i Jeronim de Radës), dhe tek e çudiste këtë me talentin e tij të pakrahasueshëm në gramatikën krahasuese –, fare mirë mund të jepte mësim në “Langues O”, të punonte në institucionet kërkimore franceze, fare mirë mund të bënte ciceronin në çdo muze të Parisit, apo të bashkëpunonte me çdo shtypshkronjë e gazetë të përditshme në rolin e redaktorit dhe të korrektorit, ngaqë s’të falte për gabimin më të vogël në boca; fare mirë mund të shkonte gjer në Nantë, ku botohej e përditshmja franceze “Le Phare de la Loire” nga  familja e famshme Schwob, e lidhur në aleancë martesore me Cahun-ët, miqtë e tij parisianë e alzasianë.

 

Jo, ai zgjodhi që 19-20 vjeç, njëherë e përgjithnjë, rrugën e ndritur të shqiptarizmës, të atdhedashurisë, të zgjimit kombëtar, qëkurse botoi më 26 dhjetor 1895 artikullin e parë “Shqipëria dhe Turqit” në organin e mirënjohur parisian të kohës “La libre Parole”, zgjodhi  rrugën e vështirë dhe të mundimshme të “Albanias”, që edhe vetë emri të oshtinte fuqishëm jo vetëm në sallonet e kryeqyteteve të Evropës, por edhe në pallaveshët e politikanëve moskokëçarës e kumarxhinj me fatet e popujve. Asgjë në jetën e tij nuk ishte rastësi, por ishte rezultat i një qëndrimi të prerë, i një betimi në vetvete, tek e dinte, para së gjithash e mbi të gjitha, se do përplasej fort egër me vetë mentalitetet retrograde dhe paragjykimet, të cilat do shkonin aq larg sa, veç sharjeve e fyerjeve lumë për të, nuk do ta kursenin as në jetën personale e familjare. Këtu qëndron madhështia e tij, që kombin e tij ta shihte e ta trajtonte në përmasën reale evropiane që kishte pasur dhe kishte historikisht, që popullin dhe vendin e tij nuk do t’i ngatërronte kurrë me soj e sorrë-llapë turkoshanë, me individë zagarë e “zulu”. Andaj dhe ngriti lart imazhin e Shqipërisë historike, virtytet fisnike të Shqiptarit, nuk tha një fjalë të keqe për ta në gjuhë të huaj, kur në antitezë, në gjuhën e mëmës, s’e kurseu fshikullën dhe dajakun e vet, siç dinte ai, më mirë se kushdo ta bënte.

 

Gjithë jetën ia kushtoi një qëllimi fisnik, për të ringjallur “një popull shqiptar të shëndoshë, të shkafët, të buzëqeshur”, siç e thotë edhe vetë te “Dr. Gjëlpëra”, duke punuar për “stërvitjen e popullit” në rrugën e botëkuptimit dhe emancipimit modern shoqëror dhe duke “hapur udhë të ra si pionier fisnik, si apostull”, ashtu sikurse krejt “Albanian” e tij do ta shndërronte në terren stërvitjeje të emrave të mëdhenj të Rilindjes Shqiptare, në “palestrën e parë të shkrimtarëve shqiptarë”, sikurse thekson për të Enciklopedia Treccani.

 

Po botojmë këtu për herë të parë në shqip artikullin e tij të parë me pseudonimin Tepeleni, “Shqipëria dhe Turqit”, që i parapriu daljes së “Albanias” dhe që do paralajmëronte artikujt e tij mbushulli me gjëmime zeusiane. Tërheqim vëmendjen e lexuesit se artikulli ka qenë më i gjatë, por është shkurtuar nga redaksia e gazetës për efekt vendi, ashtu sikurse ndodh më se një herë me shkrimet e tij botuar në organe të ndryshme të kohës, gjë për të cilën ai protestonte, qoftë edhe pranë mikut të vet, madhështorit të simbolizmit dhe të letrave frënge Guillaume Apollinaire. Dhe Apoliner, që flet për të: “Nëse Shqipëria do ishte shtet, pamëdyshje ai do të ishte kryeministër i saj. Albanolog, sans kristist (lojë fjalësh për sanskritist dhe i pa krisht ), madje më duket edhe jamatolog, begu Konitza është i njohur nga dijetarët e mbarë Evropës. Për t’u eglendisur, shkruan në frëngjisht ese të mrekullueshme që i firmos me pseudonime të ndryshme. Sulltani e ka dënuar tri herë me vdekje”.

 

Në përfundim, ma ka ënda të japë këtë anekdotë për mbretin e gjuhës shqipe Faik Konicën, që miku im i mirë Prof. Sherif Delvina, nipi i tij i denjë, nuk ngopet duke ma përsëritur, dhe unë, që nuk ngopem duke e dëgjuar: “Konica merr letër nga vëllai i tij Hyseni në Turqi, shkruar në shqip plot gabime. Konica që i përgjigjet: Mos më shkruaj me gabime, nuk të lexoj më, ose pastaj, më shkruaj në gjuhën që di ti më mirë”.

 

Shqipëria dhe Turqit

 

Nga Faik Konica

 

Përktheu dhe botoi në shqip për herë të parë Fotaq Andrea

 

Artikull i botuar në organin parisian “La libre Parole”, 25 dhjetor 1895.

 

Ngjarjet e Armenisë, nxitur nga intrigat angleze, e kanë shmangur disi vëmendjen nga çështja shqiptare, po aq interesante për Francën, duke qenë se Shqipëria është vendi ku luhen intrigat italiane.

Kemi marrë letrën e mëposhtme, autori i së cilës dëshiron të mbetet i panjohur, por që është Shqiptar dhe mban një emër të njohur në histori.

Po riprodhojmë këtu paragrafët thelbësorë, duke shprehur keqardhjen që mungesa e vendit nuk na lejon ta japim letrën të plotë. (Hyrje redaksionale, ashtu sikurse edhe nëntitujt).

 

Politika e Sulltanit. Agjentët provokatorë.

 

Zgjimi i ndjenjës kombëtare që prej disa vitesh tek popujt e Perandorisë osmane, në Armeni, Kretë, Maqedoni, Shqipëri, nuk ka si të mos shqetësojë hordhitë mongolike që shtypin këta popuj. Por këto hordhi e hedhin vështrimin e tyre gjithë ankth në radhë të parë në drejtim të dy popujve të fundit. Qëkurse ne kemi ngritur kryet dhe po mjekojmë plagë pesë herë shekullore, qëkurse disa prej vëllezërve tanë kanë dhënë shenjë jete, Turqve iu futën të dridhurat, ndjenë se po afron ora kur ne – për të huazuar një shprehje origjinalisht të fortë – “do t’u fusim zjarrin në bythë” dhe do t’i bëjmë t’i turren ngushticës për t’u kthyer nga kanë ardhë.

 

Sulltani ka gjithnjë në dispozicion të tij disa qindra agjentë provokatorë, të gatshëm për gjithçka, qoftë edhe për të dhënë jetën. Dërgoi kështu një numër prej tyre në Armeni e u dha urdhër nga ana tjetër guvernatorëve t’u venin në ndihmë me tërë mjetet. Shumë shpejt filluan hekatombet e Armenëve. Ndërkohë, masakronte edhe disa Turq, me qëllim që t’ua hidhte fajin Armenëve. Dhe ndërkohë që njoftime të shkurtra, të thata e të rralla të Agjencisë Havas flisnin përciptazi për çka kish ndodhur në Maqedoni, një dorë e padukshme u krijonte çështjeve të Armenisë jehonën më të madhe. Vëmendja e mbarë Evropës natyrisht u kthye nga ajo anë, dhe komiteti maqedonas, duke parë që fuqitë nuk interesoheshin hëpërhë për Maqedoninë e qetësoi stuhinë revolucionare.

 

Bëhej fjalë për gjetjen e mjetit për të shtypur në mënyrë të përgjakshme dhe të efektshme revoltën më të vogël, pa pasur Evropa të drejtën për të ndërhyrë, dhe pa mundur vetë populli të ankohet. Me një fjalë, kërkohej të fshiheshin prapa ligjshmërisë të gjitha barbaritë dhe të gjitha mizoritë turaniane. Çështja ishte e vështirë, por u gjet një përfundim: u mendua se regjimi parlamentar i jepte përgjigje si jo më mirë. Kjo zgjidhje do duket e çuditshme për ata që nuk kanë studiuar nga afër strukturën e Perandorisë osmane; por mjaft të ndiqem në arsyetimin tim dhe do krijohet bindja se krijimi i një parlamenti nuk ka qëllim tjetër dhe nuk do të ketë efekt tjetër veçse të ushtrojë një tirani më të madhe mbi popujt jo turq të Turqisë, për t’i dërrmuar përfundimisht.

 

Parlamenti turk : një mashtrim

 

Një nga kushtet për të vënë kandidaturën për deputet do të ishte sigurisht njohja e turqishtes si gjuhë e Parlamentit. Mirëpo, llogaritet jo më shumë se pesëmbëdhjetë mijë vetë numri i përgjithshëm i Kretasve, Maqedonasve dhe Shqiptarëve që flasin gjuhën turke. Dhe ata që e flasin, natyrisht që janë përfshirë në partinë turaniane. Për rrjedhojë – me përjashtim të Armenëve që e kuptojnë shumë mirë gjuhën osmane – gjithë popujt, duke përfshirë edhe Arabët do detyrohen ta shohin veten të përfaqësuar nga “turqizuesit”, të cilët përherë do votojnë për qeverinë.

- Po sikur, në çdo vend patriotë të mirë të jenë arsimuar në gjuhën turke?

- Dale, prisni pak; Turqit janë më hileqarë nga sa duken. Kanë parashikuar mundësinë e një rreziku të tillë; prandaj kanë vendosur që deputetët të mos zgjidhen me votim të përgjithshëm. Ata do “emërohen nga administratat e ngritura në Perandori”. (Po përmend një nga krerët e kësaj partie, Shkëlq. e T. Murad-bej). Por për të qetësuar Grekët, thuhet se këshillat e patriarkatit do të përfshihen brenda administratave të ngritura e rrjedhimisht, do të marrin pjesë në votim.

Nisur nga kjo, duhet nënvizuar se: 1° as që kanë për t’u përfillur ndonjëherë këshillat e patriarkatit, edhe sikur të duan të bëjnë opozitë, meqenëqë zërat e tyre do jenë vazhdimisht në minoritet; 2° katolikët, duke mos pasur këshilla patriarkati, nuk do jenë të përfaqësuar; 3° deputetët e popullsisë muhamedane vetëm për nga emri, si për shembull popullsia shqiptare – e cila, sikur të ishte e lirë, do ta hidhte në gjiriz çallmën e Muhametit – do të emërohen nga administratat me përbërje muhamedane, duke u përzgjedhur mes radhëve të pakicës së papërfillshme të fanatikëve, e rrjedhimisht, nuk do të përfaqësojnë ndjenjat e vërteta të bashkëpatriotëve të tyre.

Dhe me t’u krijuar ky parlament bukurosh, Turqve nuk u mbetet veç të fërkojnë duart. Do votojnë ligjet që u përshtaten dhe jo ato që u nevojiten kombeve të ndryshme. Ca nga ca, krejt liritë komunale që ende ekzistojnë do zhduken; dhe për rebelimin më të vogël, qeveria do dënojë me vdekje qindra të pafajshëm. Atëherë, nëse populli proteston, do t’i thonë: Ne zbatojmë ligjet e votuara nga përfaqësuesit tuaj; dhe nëse Evropa ndërhyn, do t’i përgjigjen nëpërmjet zërit të deputetëve: “S’ka ç’ju duhet, jemi të autorizuar prej atyre që përfaqësojmë  t’ju vëmë në dijeni se ndërhyrja juaj është e tepërt!”..... (në origjinal rresht me pika, si edhe në vijim).

 

Toleranca (!) e Turqve

 

Murat-bej mburr “butësinë”, “tolerancën” e Turqve. Por unë do kënaqesha për t’iu përgjigjur duke i përmendur një fakt: pavarësisht nga një artikull i Tanzimatit për të lejuar lirinë fetare, por që Turqit nuk e pranojnë, çdo Muhamedan, që kthehet në të krishter dënohet me vdekje. Po e nënvizoj dy herë me qëllim që kjo veçori, e panjohur nga shumica e Francezëve, të shërbejë për të rifreskuar më së miri përshpirtshmërinë shumë të zjarrtë të atyre që kremtojnë çdo ditë – priftërinj të një lloji tjetër – meshën për nder të Tolerancës mongolike. Nuk po e zgjas në këtë drejtim, por do shkruaj për një revistë një artikull me titullin: “Toleranca në Turqi”, ku këta priftërinj me të vërtetë të veçantë do gjejnë në të hollësi nga më të larmishmet për të kënaqur devotshmërinë e tyre. Theksoj vetëm se do duhej njëfarë guximi nëse do zihej në gojë “butësia” e Turqve në një vend që nuk e ka fshirë ende kujtimin e butësive të përgjakshme të Sirisë, ku shumë nga bijtë e saj u therën me një poshtërsi pa emër.......

 

Lidhja shqiptare

 

Një hokatar, emri i të cilit nuk më kujtohet, pohonte para disa vitesh në një libër që pati njëfarë jehone se “Lidhja shqiptare” nuk ekzistonte, – sikur ne të qenkëshim të detyruar t’i hapeshim këtij në mirëbesim për t’ia shtuar vlerën librit të vet! Tipi i tij është shndërruar në legjendar në Orient, si njeri i shkathët që s’e ka për gjë të ikë nga Evropa për pesëmbëdhjetë ditë, të shkojë të vizitojë Shën Sofinë dhe të intervistojë një gjysmë duzinë “kaikexhinjsh”  e shitësish “salepi” dhe që, me t’u kthyer në vendin e tij, ia jep britmës majë tërë çative për kompetencën e vet në njohjen e zakoneve, letërsisë, karakterit, prirjeve dhe gjendjes së mbarë popujve që përbëjnë perandorinë osmane dhe, kështu, revistat, “të mirinformuara”, ia paguajnë artikujt me çmim të shtrenjtë.

As që e shkoj ndër mend të tërheqë me anë të kësaj letre ndonjë sukses të bujshëm, për t’u nxitur sadopak drejt të dhënash të dëmshme për interesat e vendit tim. Veçse do desha të pohoj me forcë se ka tashmë në Shqipëri një Lidhje, që është e shquar, dhe që është e organizuar në mënyrë të admirueshme. Ajo ka për moto përkthimin në shqip të këtyre dy vargjeve të Lamartinit:

 

Nëse shpata ju qëllon t’ju dridhet në dorë,

Të djeshmen kujtoni, të nesërmen ëndërroni!

 

Është e përbërë nga patriotë të zjarrtë e të çiltër dhe për të parashikuar çdo tradhti, asnjë Shqiptar funksionar i qeverisë nuk pranohet në të. Numëron shtatëdhjetë e dy mijë anëtarë, nga të cilët pesëdhjetë mijë janë në gjendje të mbajnë armët. Hierarkia është vendosur në  mënyrë kishtare të themi, dhe organizimi është i tillë saqë hipopotamët e Anadollit nuk do arrijnë kurrë të zbulojnë fijen më të vogël.

Shtoni këtu që Maqedonasit kanë edhe ata Lidhjen e tyre, dhe ç’është e vërteta, më pak në numër dhe më pak e fshehtë, dhe rrjedhimisht më e ekspozuar, por prapë, e fortë dhe plot zell. Sikur të mos ishim treguar më të kujdesshëm nga Armenët, do kishim ngritur krye që tani. Do t’i kishim hequr kollaj qafe një grusht Mongolësh që janë tek ne. Nuk do kishim madje as nevojën për të bezdisë kordhat tona. Do t’ua kishim shkulur veshët dhe do t’ua kishim përdredhë qafën thjesht duke vënë në përdorim muskujt tanë. Por ne e dimë që Mongolët janë kokëshkretë dhe se të mbijetuarit e tyre do vinin pareshtur për të mos na lënë të qetë. Synimi ynë është pra t’i bëjmë të përshkojnë edhe një herë ngushticën, për t’u kthyer nga kanë ardhur.

Prandaj presim për të shtuar radhët tona. Atëherë, një shkrirje është e mundshme me Maqedonasit me pikësynimin e një veprimi të përbashkët; dhe kur njëqind e pesëdhjetë mijë Sllavë, të cilëve ndoshta do t’u shtohen disa mijëra Grekë, do vihen në lëvizje, sulltanit s’i mbetet veç të marrë gratë e thesaret që ka dhe, pasuar nga hordhitë e veta t’ia mbathë nga sytë këmbët në Azi të Vogël. Me një numër kaq të madh njerëzish aq të guximshëm Stamboll-i- keqmbrojturi do bëhet hi dhe mbi çallmat e shqyera dhe rrënojat e xhamive do ngulet krenarisht flamuri i adhuruar i lirisë.

 

Tepeleni.



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Ekskursion në Shqipëri në vitin 1880 Fotaq Andrea: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit Fotaq Andrea: “Orientalet” e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës Fotaq Andrea - Një thirrje nga zemra e Faik Konicës: “Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!” Fotaq Andrea: Zoja e Këshillit të Mirë - Pajtore e Shqipërisë Fotaq Andrea: Shqiptari, ky sizif - Fat tragjik në mbijetesë shekullore Fotaq Andrea: Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë Fotaq Andrea: Festa e luleve për Skënderbeun Fotaq Andrea: Jeta e Klementit XI, sovranit Papë Fotaq Andrea: Skënderbeu i ri dhe origjina e kalorësisë së lehtë franceze - Letër Z. Ylli Polovina Fotaq Andrea: ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu'' i Rembrandit Fotaq Andrea: Engjëllorët në Francë dhe figura emblematike e Pal Engjëllit - Gjaku shqiptar në Evropë Fotaq Andrea: Figura e Nënë Terezës nën penën e autorëve francezë Fotaq Andrea: Moj shqiptarka këmbëlehtë Fotaq Andrea: Dy artikuj të priftit shqiptar në mërgim Françesk Karma, më 1933 dhe 1934 Fotaq Andrea: Moda “Dora d’Istria” në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës Fotaq Andrea: Dora d’Istria - Princeshë e kulturës evropiane Fotaq Andrea: Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: “Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë” Fotaq Andrea: Letër e priftit shqiptar Françesk Karma më 1933 Fotaq Andrea: A është Napoleon Bonaparti me gjak shqiptari?

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora