E enjte, 28.03.2024, 06:14 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Përgjigje zotit Rama

E shtune, 03.03.2012, 05:04 PM


Përgjigje zotit Rama

 

Nga Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

Dëgjuam ligjëratën tuaj bufonike në prani të një grupi “të përndjekurish politikë”, ligjëratë që përmbante programin e partisë tuaj për të përndjekurit politikë, në rast se “ktheheni në pushtet”. Në atë deklaratë ju premtuat zgjidhjen e shumë problemeve që shqetësojnë këtë shtresë. Mbi të gjitha, midis tyre, theksuat se do të rishikonit problemin e dëmshpërblimit të tyre, se të gjithë atyre që kanë mbushur moshën 75 vjeç do t’ua kthenit shumën njëherësh si dhe shumë pallavra të tjera që e djathta i paska lënë pasdore.

Do të doja t’ju pyesja, i nderuar kryetar:

- Po neve, përfaqësuesit e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë  përse nuk na ftuat në atë takim? Përse mungonin edhe përfaqësuesit e shoqatave të tjera të kësaj shtrese? A nuk do të kishte qënë më mirë që në atë takim të merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e të përndjekurve politikë?

Atëhere edhe debati  do të zhvillohej  më konstruktiv dhe më bindës. Por ju zgjodhët rrugën e fshehtësisë, rrugën e “hajnave” siç thotë populli.

Në fjalën tuaj ju përmendët se paskeni qënë juve një nga të paktët nënshkrues të  peticionit për lirimin e të burgosurve politikë në vitin 1991. Personalisht e besoj një gjë të tillë, madje di se keni qënë nga të paktët që thërrisnit:

- Të varen të gjithë komunistët.

Siç duket kishit haruar se jo shumë, por dy vjet më parë, babai juaj kishte firmosur dënimin me varje për poetin Havzi Nela. Kjo gjë më sjell ndër mend diktatorin fashist Benito Musolini. Edhe ai fillimet e karrierës politike i pati si socialist, por ishte pikërisht karrierizmi i tij i theksuar që e shpuri në krijimin e partisë fashiste, armike e betuar e socialistëve. Siç duket edhe ju paskeni vendosur të ndiqni rrugën e tij.

Shumë vonë jeni kujtuar të mendoni për të përndjekurit politikë. A i keni pyetur ata që ju rrethojnë për këtë çështje? Çfarë ju këshillojnë pinjollët dhe ministrat e bllokut, Ruçët, Gjinushajt, Gjonët, Bushatët, Milot e të tjerë, e të tjerë që nuk po i përmend se do të bëhej një listë mjaft e gjatë që nuk do ta zinte vendi. Me siguri do ta kenë miratuar se edhe ata janë, si ju, janë karrieristë anarshistë.

Tani le të kthehemi tek problemi që përmendët. Unë mendoj se fillimisht duhej t’u kishit kërkuar falje të përndjekurve politikë për veprimet dhe shprehjet e përdorura nga deputetet tuaj gjatë periudhës 2005-2011. T’u kishit kërkuar falje kur miratuat një ligj për dëmshpërblimin e tyre me vetëm një kafe në ditë, në kohën kur ishit në pushtet dhe Ministri juaj i Financave, Arben Malaj, deklaronte se kjo ishte mundësia e qeverisë. T’u kishit kërkuar falje për daljen nga parlamenti të deputetëve tuaj në kohën kur votohej rezoluta “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të rezolutës nr. 1481 (1996) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”  të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës më 25 janar 2006.  T’u kishit kërkuar falje kur deputetët tuaj dolën nga parlamenti kur miratohej ligji nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. T’u kishit kërkuar falje edhe kur deputeti , “njeriu që qesh” Pandeli Majko, ish kryeministri juaj, deklaronte se kryengritësit shqiptarë dhe të arratisurit jashtë shtetit ishin “plehra”. Kush ishin plehra  zotërinj Rama dhe Majko? Mos vallë kryengritësit e Malsisë së Madhe, Postribës, Zhabokikës apo Mirditës? Kush ishin plehra zotërinj? Mos vallë ushtarët e NATO-s që vinin me mision për të çliruar vendin nga zgjedha komuniste? Mos vallë dy fëmijtë mirditorë që mbyllën sytë në një ditë në kampin e tmerrshëm të Tepelenës pasi e ëma nuk kishte qumësht me se t’i ushqente? Ju nuk jeni në gjendje t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve. E pra, në atë kohë ju zoti Rama ishit kryetar i asaj partie dhe çdo gjë zhvillohej sipas udhëzimeve që lëshonit ju. Sa shpejt u kthyet nga  Qabeja?

Mjaft më me deklararta hipokrite tuajat dhe të zëdhënëseve tuaja bukuroshe. Mos kujtoni se do të na gënjeni. Kur ju dëgjojmë të flisni kështu, para syve tanë na shfaqen krimet e kryera nga paraardhësit tuaj. Ne nuk mund t’i harrojme ato. Ne nuk mund të harrojmë mbi 6.000 të vrarët tanë, mbi 17.000 të burgosurit, mbi 300 të sëmurët mendorë, mbi 22.000 të internuarit nëpër kampet gjakatare vetëm për periudhën 1945-1954, mbi 100.000 të përndjekurit politikë nga regjimi juaj i përmbysur. Ndaj ne nuk mund të na përfaqësojnë një grusht personash të grumbulluar rreth jush nga “jashtëqitja e së djathtës”. Këtë mos e harroni. Ndaj heshtni! Nuk ju ka mbetur gjë tjetër veçse të heshtni.

Mos i qani hallin kalorësit se si do t’i varen këmbët. Ne i zgjidhim vetë çështjet tona. E dimë që kemi shumë probleme për të zgjidhur. E dimë edhe që burokracia shtetërore shpesh herë na është bërë pengesë. Por kjo nuk do të thotë që të hidhemi në prehrin tuaj. Me ju jemi ndarë qysh në kohën e luftës për liri. Ne jemi gjithmonë përkrah forcave të djathta demokratike dhe me to do t’i zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet që mund të na dalin.

Do të kishim dashur që në vend të kishte një parti të vërtetë socialiste, me tipare perëndimore por, për fat të keq, tani për tani kjo parti nuk ekziston dhe ne na vjen keq seriozisht për këtë. Ndaj ju themi edhe njeherë:

- Mjaft më me hipokrizinë tuaj të pështirë!



(Vota: 8 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora