Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Turqit (Osmanët) dhe Ne

| E premte, 02.03.2012, 08:05 PM |


Turqit (Osmanët) dhe NE

Nga Elvi Sidheri

Ku Sulltani përkatës po shpërthente në maraz rrëzë mureve të  kështjellës së pamposhtshme të qytetit Arbëror me kroje uji të kulluar, pakkush i binte të mendonte për më tej.

Asokohe Perandoria e re gjysëmhënase, ndodhej në turravrapin e historisë së saj dhe vrullshëm i sulej Europës me shumë dëshirë për t’iu larguar sa më tepër Azisë mëmë.

Fundja ç’të kërkonin më tepër të ngratët nga ato fusha e stepa aspak mikpritëse?

Qingjin e zjerë mëngjes-drekë-darkë (kur gjindej edhe ai) ashtu siç bëjnë kushurinjtë e largët të atyre anëve sot e kësaj dite?

Apo të ngatërroheshin me mizërinë murngritëse kineze, me të cilët punë s’mbarohet kurrë?

Lëre pastaj që në shekuj koha do demostronte që zgjedhja e tyre pati qenë e saktë dhe mizëria në fjalë, kontinentin e moshuar do e mësynte dikur me forma të tjera!

Një pasojëz e këtyre mësymjeve do ish shumë kohë më vonë edhe një epokë miqësie ku lideri i një vendi të ish-mësyrë nga mëkëmbësit e sulltanit, i mbiemruar Profesori (Hoxha në turqisht)...do quhej Luan Europe, përballë homologut të tij Luan Timonier i Madh kinez!

Por duke u kthyer tek osmanët tanë, sidoqoftë ata patën qenë të parët që patën eksploruar suksesshëm këto udhë!

E ç’Atilë lumëmadhi, paraardhësi po mongol që ishte tretur në heshtje si kripa në ujë, pas frikës e tmerrit që mbolli kudo ndër të gjallë!

Timurleng vëllait i rrofshin piramidat me koka në Azi të Vogël, se po aq sa edhe Xhengiz Khani i tmerrshëm, veç emrin na lanë pas!

Ja pra, koha tregoi që inteligjenca dhe mongoli njihen dhe bashkëjetojnë, kur dikush i vë të funksionojnë.

Kështu Azia u depërtua, Uralet u shmangën e Krimea ju la Tartarëve të afërm gjaku e gjuhe.

Por ndërsa ata kushurinj të pagdhendur bënin njohjen formale me qytetrimin në oborrin e Carit të rradhës, Selxhukët e Osmanët gëlltisnin një nga një copëzat Aziatike të Bizantit të perënduar.

Aty gjenin kulturë, dije e nëpunës të zellshëm bizantinë që i përdornin me finesë për t’u zgjeruar më tej.

Dhe kur përtej ishte vetëm i panjohuri Det, ca anije mikpritëse po aq Bizantine sa edhe vetvrasëse për këtë gjigand të vyshkur, u kujdesën t’i përcjellin në bregun përballë.

Që do të thotë edhe në krahun tonë rrjedhimisht.

Sepse në cepin tjetër të atij gadishulli, të cilin formalisht këta osmanët apo Bullgaro-Turqit, s’hezituan t’a pagëzojnë Ballkan, aty ishim NE!

Stërgjyshërit tanë Ilirë si dhe kushurinjtë e tyre Dako-Thrakë, por edhe fqinjët dredharakë Helenë, asaj toke i patën thënë Europa!

Term që Romakë të civilizuar, Galë e Gjermanikë barbarë e adoptuan me ëndje për gjithë kontinentin tonë të moçëm.

Por këta osmanët kishin mendjen e tyre dhe iu tipos fort kokë që Mongolinë e origjinës t’a linin sa më larg e Europën t’a shihnin sa më afër.

Sigurisht pa u interesuar për mendimin modest të kujt mund t’u dilte përpara!

Dhe ashtu siç rezultoi, rruga e tyre nëpër gadishull kaloi pothuajse fare fjollë, me ndonjë palo betejë si ajo në Fushë-Kosovë ku fisnikët e bashkuar vendas Serbë-Arbër-Rumunë s’qenë problem, por ku sidoqoftë na firoi edhe një Sulltan.

Humbje e kompensuar mirë me përparime territoriale, vasalitet e bij princërish vendas tashmë pengje të osmanëve.

Ky idil ishte vërtet ngadhënjimtar derisa si rrufe në qiell të hapur u shfaqën 3 pengesa të fundit.

1).Ca Hungarezë Huniadas mjaft të irrituar, që refuzonin me kokfortësi të hapnin rrugë.

2).Muret shumë të larta dhe të forta ende të Kostandinopojës dhe të Perandorit të saj vetmitar, të cilit ai qytet i pati mbetur nën urdhëra, nga një Perandori e tërë dikur.

3).Dhe në fund qershia mbi tortë, ata Arbërit e pabindur, ata qafirët që patën luftuar , shërbyer e komanduar me Pretorianë e Perandorë Romën e Madhe, por që nuk i ishin asimiluar.

Ata që patën parë e nuk u ishin asimiluar as zjarrit e hekurit Sllav.

Ata që tani i komandonte ai Gjergji që vetë osmanët e patën quajtur Skënderbej.

Si për t’i kujtuar se rridhte nga Aleksandri i Madh Maqedono-Ilir dhe se atë emër e kishte trashëgimi gjaku dhe jo titull nga pushtuesi!

E ky njeri ishte Gjergji nga Kastriotët, i biri i pararendësit të Shqipërisë moderne, xhonglerit politik, Gjon Kastriotit, njeriut që hapi modën e tre feve mes popullit të tij, pasi jetoi si Ortodoks, Mysliman e Katolik!

Ky djalë plangprishës studioi vëmendshëm artin osman të luftës, dredhisë, paranojës, tradhëtisë, përçarjes dhe nënshtrimit.

Më pas ato leksione të vyera ia bashkoi shpirtit luftarak Arbëror, kryeneçësisë kolektive të tijën dhe të popullit të tij dhe më pas iu përvesh me zell punës.

Refuzoi me përçmim që pushtuesi t’a emëronte Zot të asaj që ishte sidoqoftë e tija dhe nën frymën e vërtetë osmane, me ndërgjegje të lehtë pupël, braktisi bashkëluftëtarët turkomanë në fushën e betejës dhe u sul furishëm drejt vendit të tij.

Mëmëdhe të cilin e mikloi me idenë se të lirë e gjeti dhe nuk ishte ai që e bëri, tokë për të cilën luftoi e ngadhënjeu gjatë 25 viteve pasues.

Kohë përgjatë së cilës bashkoi fisnikërinë vendase për të parën herë në histori.

Duke treguar kështu që përveç meritave të qarta personale, osmanët tak ky popull i vogël, patën patur si rrallëherë edhe këtë efekt unifikues.

Shekujt më pas faktuan se osmanët në fjalë, i vunë mirë gishtin kokës dhe patën nxjerrë leksionet e duhura nga ngjarjet e mësipërme dhe prandaj bënë të pamundurën për të penguar një unifikim të ngjashëm në të ardhmen, por ai pashmangshmërisht rindodhi!

Në ato 25 vjet Qyteti i Krojeve, Qyteti i Bardhë me emër sllav në jug dhe ai Qyteti i Kodrës në veri, u bënë skena përleshjesh të përgjakshme.

Osmanët me raste edhe fituan, por ujët e kulluar të krojeve në kështjellën kryesore, kurrë sa Gjergji ishte gjallë nuk i provuan.

Buzë atyre mureve u vranë, dogjën e turpëruan dhe as topat e rëndë që kishin çarë tejpërtej Kostandinopojën nuk i ndihmuan.

Por osmanët dinin të duronin dhe ndaj pritën që ky Gjergji të mos ishte më.

Më pas 10 vjet këtu e ca të tjerë atje dhe Krojet e pamposhtura të Kështjellës së urryer i lanë me gjak ndërsa më në fund hynë edhe në Rozafën e lashtë e cila i luftoi me po aq trimëri.

Tokat e këtyre kokëfortëve u pushtuan më në fund, lirisë së tyre iu pre filli dhe nisi proçesi i gjatë i zhbërjes së farës së tyre të urryer.

Por as rreth 500 vite të gjata për këtë vepër nuk mjaftuan dhe në hyrje të shekullit të Njëzetë, ky qerrata popull akoma ekzistonte dhe nuk quhej as turk, as osman por  ShQIPTAR!

As vija Katoliko-Ortodokse e ndarjes së lashtë ndër të krishtere nuk pati funksionuar mes tyre.

As feja e re e sjellë me plot zell nga pushtuesi, as tentativa për asgjësimin e çdo shënje të kulturës, trashëgimisë e identitetit vendas.

Ajo gjuha e tyre e nëmur ende flitej.

Nga osmanishtja patën mbetur tek-tuk vetëm ca fjalëza pa rëndësi dhe këta mosmirënjohësit po mëtonin t’a mësonin gjuhën e tyre edhe në shkollë pale!

Të shkruajtur me alfabet Latin, Ruajna o Zot!

Gjë që po të njëjtët osmanë-turq, ca vite më pas bënë edhe vetë me shkrimin e gjuhës së tyre, Ruajna o Zot!

Ky popull i pabese jo vetëm që nuk u zhbë, nuk u zhduk njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut, por pasi eksploroi hapsirat e perandorisë dhe zuri postet qeverisëse të saj, si shkëmbim dha aftësitë e tij drejtuese dhe gjakun e tij të pastër Europian, por nuk pranoi të lerë apo harrojë identitetin e tij.

Këta na kërkuan edhe Pavarësi dhe osmanët si shpërblim menduan mirë që t’i shtrëngonin fort deri në momentin e fundit, ndërsa fqinjët gëzonin plotësisht lirinë e shkëputjes, armatosjes dhe sulmit.

Kur nuk na deshën ne, le t’i shqyejnë ujqit fqinjë atëherë!

Për ndonjë surprizë të këndshme lemë edhe ca DumBabistë-HaxhiQamilë dhe në këtë mënyrë iu kujtojmë qafirëve ku kanë qenë, se mos iu shkon mendja të na harrojnë.

Por nuk do na harrojnë se tashmë ne kemi një Histori të Përbashkët!

Kemi tradita, doke, deri diku edhe ndonjë fe që na bashkon.

Me këtë rast biem dakort e i hapim dyert deportimit të qindra-mijërave qafirëve të po këtij populli nga trevat jashtë shtetit të tyre etnik për në largësitë e Azisë së Vogël.

Fundja Anadolli e humbëtirat duhen populluar, por mbi të gjitha, dhe kjo dëshmon edhe njëherë po qe nevoja, vëllazërinë e dy popujve tanë (se një popull megjithë përpjekjet nuk ia dolëm t’i  bëjmë dot).

Ja pra, të gjitha këto zhvillime ai sulltani i pezmatuar apo ushtari  i dështuar osman poshtë mureve të Krujës, nuk mund t’i dinin.

Por secili prej tyre dhe çdo jeniçer a bimbash osman dha kontributin e tij që ato të ndodhnin.

Perandoria e dikurshme e shtyrë me krahët e gjenisë    Vezirëve shqiptarë, arriti në portat e Vienës.

Aty frenoi dhe reshti përfundimisht së rinovuari vetveten dhe mentalitetin e saj të stepave mongole.

Oreksi për konkuista dhe fuqia e kalorësve osmanë, tashmë të zëvendësuar me rajatë e konvertuar ballkanas dhe perandoria ngadalë, përtacisht nisi rikthimin drejt Anadollit.

Në vite etnikisht u quajt Turqi dhe Europianizoi gjakun me miliona ballkanas të asimiluar në shekuj.

Por në dhjetëvjeçarët e jetës post-perandori, në kryqëzimin Europë-Orient, kujtimi i asaj që pati qenë dikur, s’doli të ishte shuar!

Sepse tashmë nëpër zyrat e kryeqytetit të ri të vendit, larg Stambollit perandorak, kishin nisur të mendonin rikthimin!

E kujt lind natyrshëm pyetja?

Se perandoria vate e nuk bëhet dot më!

Po ca gjurmë i kemi lënë, le t’i shfrytëzojmë!

Kështu quajmë gjithçka histori të përbashkët, të mira???...e të këqija.

Gjithë ç’ka ndodhur mbulohet me të njëjtën blozë të miqësisë moderne!

Ndryshojmë kështu botëkuptimin e secilit për atë çfarë ka ndodhur dhe historinë në emër të një bashkëjetese të pakërkuar e të detyruar që kemi pasur.

Fundja ky apo ai sulltan zemërmirë kanë kontribuar për lidhjet mes popujve tanë.

Mënjanë që për të realizuar këtë vepër të lakmueshme bamirëse, jo vetëm erdhën pa ftesë në toka të huaja.

Ishin që ishin edhe dogjën, vranë e shkatërruan ç’mundën e ç’gjetën.

Pastaj çfarë janë 5 shekuj vonese të errët për një popull, në historinë e madhe të botës?

Atëherë mund të thuhet po ashtu pa hezitim se ato 25 vjet dështimesh nën muret e Qytetit me Kroje ende shërbejnë.

Në po këtë frymë revizioni dashuror të historisë, mund të pohohet pa frikë se lufta dhe triumfet e atij Gjergji dhe Beslidhjes Arbërore ndër të tjera shërbyen edhe për këtë, që të kuptohet se po qe se nuk mjaftuan 450 vitet e mëpasshëm për të ndryshuar gjakun dhe historinë e këtij populli vështirë se ka më shpresë të tillë sot a kurdoqoftë!

Jazëk a lanet-do thoshte dikush...