E merkure, 24.04.2024, 09:52 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Reagim nga ana e familjarëve të të dënuarit me burgim të përjetshëm Rexhail Qerimi

E enjte, 01.03.2012, 09:03 PM


REAGIM PËR MEDIA NGA ANA E FAMILJARËVE TË TË DËNUARIT ME BURGIM TË PËRJETSHËM REXHAIL QERIMI NGA FSHATI OPAJË, KOMUNA E LIKOVËS, NË LIDHJE ME DEKLARATËN E MINISTRESHËS SË PUNËVE TË BRENDSHME, ZONJËS GORDANA JANKULLOVSKËS NË PARLAMENTIN E MAQEDONISË

 

I nderuar auditor. Shprehim indinjatën më të thellë, si familje shqiptare, si pjesëtarë të botës së demokratizuar, po fatkeqësisht duke jetuar në një shtet i cili as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për të qenë demokratik, me deklaratën më të fundit të ministreshës së punëve të brendshme, znj Gordana Jankullovska, e cila gjatë interpelancës së javës së kaluar, u shpreh se Rexhail Qerimi dhe dy të tjerët, të dënuar për vrasjen e policit të njësisë së forcave speciale, janë dënuar pak, se gjoja dënimi për ta është i vogël, kur dihet që dënimi për këta përsona është maksimali i mundshëm, burgim të përjetshëm. Ky shqiptim dënimi, i cili është bërë dhe vërtetuar nga të tri gjykatat në Maqedoni, duke mos marrë parasysh aspak faktin kryesor për një gjykim të shëndoshë dhe objektiv, e ajo është duke anashkaluar faktet, duke mos iu vërë veshin aspak thirrjeve dhe deklaratave të dëshmitarëve, të cilët dëshmuan se gjatë momentit kur ka ndodhur vrasja e policit, Rexhaili ka qenë në fshatin e tij, duke i kryer punët normale, respektivisht duke punuar në çajtoren e fshatit.

Është me rëndësi të thuhet se ministresha e cila i është e njohur opinionit shqiptar dhe atij më gjerë për qëndrimet e saja ksenofobike dhe antishqiptare, duke filluar që me Brodecin, e duke vazhduar me një sërë veprimesh antinjerëzore, e fundja këtë e dëshmoi kur nga goja e saj nxorri këtë klishe shumë të tmerrshme dhe të vrazhdë, gjoja për dënimin shumë të butë, dëshmon se ku është niveli profesional i një ministreshe si kjo, po edhe niveli njerëzor i cili është fundamenti kryesor dhe tejet i rëndësishëm për çdo individ.

Deklarata e saj e dhënë para deputetëve në Parlament, vërtetoi se në shqiptimin e dënimit ndaj vëllaut tonë, birit dhe më të dashurit, Rexhail Qerimit me shokë, ka gisht direkt politika aktuale, e cila është e përcjellur me një eksponim shumë të qartë antishqiptar, e posaçërisht ndaj atyre që kanë kontribuuar për kauzën nacionale shqiptare dhe që kanë qenë pjesëmarrës në luftërat e fundit çlirimtare. Kësisoj Rexhaili, u dënua si zakonisht, siç dënoheshin shqiptarët në kohën e ish Jugosllavisë, ku 90 % e burgjeve ishin me shqiptarë, e i njëjti rast është duke na ndodhur edhe tash, me ç`rast nuk thonë kot që historia përsëritet, për ata që nuk kanë marrë leksionin e duhur.

Kësisoj gjatë gjykimit të Rexhailit dhe dy personave të tjerë, është me rëndësi të theksohet se nuk janë marrë parasysh elementet shumë kyçe që do të shpienin drejt një gjykimi të shëndoshë, racional dhe objektiv, e ajo është, se e para nuk është marrë parasysh se Rexhaili dhe dy personat tjerë të dënuar, për të njëjtin rast as që janë parë dhe takuar ndonjëherë, e dyta nuk është marrë parasysh deklarata e dëshmitarëve që kanë dëshmuar se Rexhaili në momentet e vrasjes së policit ka qenë në punë në fshatin e tij Opajë, e treta nuk janë shqyrtuar dhe analizuar aspak kamerat e sigurisë të cilat kanë inçizuar gjithçka kur ka ndodhur vrasja, e ajo do të sqaronte shumë qartë pafajësinë e tij, ngase Rexhaili nuk ka qenë vrasësi, e katërta është shpërfillur deklarata e prindit të viktimës, respektivisht të policit të ndjerë, i cili është shprehur i habitur me dënimin e ketyre personave, si dhe ka bërë thirrje për gjetjen e fajtorëve, duke cekur se të dënuarit, duke përfshirë edhe Rexhailin, nuk kanë aspak gisht në këtë punë, e pesta është shpërfillur aspekti shumë i rëndësishëm, e ajo është se për të njëjtin rast janë malltretuar me dhjetëra familje, gjë që na detyron të besojmë në atë, se gjykatat janë të politizuara, si dhe se procesi gjyqësor ndaj Rexhailit është kryekëput i montuar dhe me ngjyra politike. Ndryshe nuk mund të jetë, kur arrestohet Rexhaili dhe lirohet pas pak orësh, për tu arrestuar për së dyti herë, nën përcjellje të rreptë policore, duke bastisur dhe maltretuar familjarët e pafajshëm, dhe duke shqiptuar dënim drakonik pa kurfarë fakti. Ja, kjo është pasqyra e këtij shtetit kuazidemokratik, i cili aspiron aderim në strukturat dhe organizatat euroatlantike, që gjenerojnë demokraci. Nuk ka liri të plotë pa drejtësi, e drejtësia e plotë, është sigurues i lirisë së plotë. Andaj konstatojmë se me këtë deklaratë, ministresha ka mbushur kupën dhe duhet që në shenjë morali dhe etike të japë dorëheqje, kjo është minimalja që mund të bëjë. Kur t`ia shtojmë kësaj edhe faktin që 13 shqiptarë janë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe mbi 100 të tjerë janë të dënuar nëpër kazamatet e këtij shteti të brishtë, të gjithë shqiptarë dhe ish luftëtarë, kjo na detyron që të shtrojmë pyetjen, se ku mbeti zotimi për një bashkëjetesë të mirë në këtë shtet dhe për një drejtësi të mirëfilltë. Fundja, në këtë lojë politike ka gisht, edhe partia politike shqiptare në pushtet, e cila duhet të rivendikojë me çdo kusht rigjykimin e duhur të birit tonë dhe vëllaut tonë Rexhailit, si dhe të tjerëve, për të dëshmuar se është në krah të kauzës kombëtare, drejtësisë dhe se mbron qytetarët e vet.

Ministresha e punëve të brendshme e mbushi kupën me këtë deklaratë të turpshme. Të shohim se si do të reagojë tani, pasi që pjesëtari i policisë që drejton ajo, vrau dy shqiptarë të pafajshëm, dhe kur deklaratat e zëdhënësit të saj, janë në diskordancë me realitetin, me ç`rast dëshmohen dubël standardet e kësaj ministrie dhe këtij shteti kur është puna të shqiptarët. Pra, dënohen shqiptarët të pafajshëm fare, me burgim të përjetshëm, pa kurrfarë argumenti, me procese të montuara politike, e në tjetrën anë polici maqedonas vret pa pikë faji, dy shqiptarë, ndërsa deklaratat e mediave maqedonase dhe ato të lëshuara nga kjo minisri ku ministreshë është po kjo e nderuara zonjë, lëshojnë deklarata se gjoja polici paska vepruar në vetmbrojtje. Çfarë turpi dhe padrejtësie.

Andaj, minimalja që mund të bëni, është të lëshoni postin, në mënyrë që aty të vijë një njeri meritor, i cili do të vërë drejtësinë në vend, edhe pse është shumë vështirë që të gjendet një i tillë, kur shihet se vet qeveria është e padrejtë ndaj qytetarëve të saj, e më konkretisht ndaj shqiptarëve.

Kërkojmë nga faktori politik shqiptar të marrë në mbrojtje bijtë e vet, ngase do `ti mallkojë historia.

Le të bëhen përpjekje për ndriçimin e plotë të kësaj vrasjeje, në mënyrë që fajtorët e vërtetë të dalin para drejtësisë, ndërsa ata që vuajnë kot dënimin në burg, të dëmshpërblehen dhe të lirohen.

 

Me respekte, familja Qerimi nga fshati Opajë,

Përfaqësuesi i familjes: Jetulla Qerimi

 

REXHAIL QERIMI, ISH PJESEMARRES NE LUFTEN E 2001, I DENUAR ME BURGIM TE PERJETSHEM, NGA GJYKATAT E POLITIZUARA MAQEDONASE



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora