E premte, 19.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Editorial

Xhafer Leci: Në përkujtim të demonstratave studentore të vitit 1981

E marte, 11.03.2008, 01:52 AM


NË PËRKUJTIM TË DEMONSTRATAVE STUDENTORE TË VITIT 1981

MOSUNITETI KA BËRË QË ENDE NUK I KEMI ÇLIRUAR TË GJITHA TOKAT TONA

Demobstratat e vitit 1981 ishin shumë më masive se ato të vitit 1968. Pati shumë të vrarë dhe të plagosur, shumë të burgosur, të malltretuar fizikisht dhe psikikisht.

Nga: Xhafer Leci

Xhafer Leci
 Sot, më 11 mars 2008 bëhen 27 vite që kur në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë u bën-filluan demonstratat më të mëdha studentore të vitit 1981.

Cilat ishin shkaqet dhe qëllimi i organizimit të demonstratave studentore me 1981?

Siç dihet nga historia, menjëherë pas çlirimit të popujve të Ballkanit nga Perandoria Osmane me 1912, për shqiptarët filluan të zezat dhe tragjeditë e shumta të cilat zgjatën deri me 12 qershor 1999; siç ishte pushtimi dhe copëtimi i tokave tona stërgjyshore nga grekët, serbët dhe aleatet e tyre sllav. Shqipëria u pavarësua disi dhe u njoh ndërkombëtarisht, por mbeti e cunguar dhe e pa fuqishme për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj, që u imponuan nga fuqitë e mëdha të asaj kohe. Kështu që shqiptarëve iu deshën plotë 95 vjet që të luftojnë pa ndërpre, deri në çlirim me 1999. Masakrat ndaj shqiptarëve jo vetëm gjatë luftërave ballkanike, por edhe gjatë LDB-së dhe deri në vitet 1998-1999, nuk kishin të ndalur. Gjatë LDB-së pësuan shumë shqiptarë, sidomos antikomunistët, dhe pushkatimi i tyre zgjati deri me 1951. Programi shfarosës dhe planet e Garashaninit, Çubriloviçit, Pashiçit, Andriçit etj kundër shqiptarëve, vazhduan përmes metodave të dhunës edhe në Jugosllavinë titoiste, për spastrimin e trojeve shqiptare dhe kolonizimin e tyre me sllav. LDB-re ua mori jetën mbi 70 milion njerëzve dhe u plagosen mbi 100 milion nga e gjithë bota e cila përjetoi tmerre të mëdha. Për ne shqiptarët më 1939, kur filloi i LDB-re pati një fat, sepse u ndërpre plani i kriminelit Vaso Çubrilloviç i cili kishte përgatitur nënshkrimin e marrëveshjes në mes Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërnguljen kolektive dhe pranimin e te gjithë shqiptarëve në Turqi. Spastrime etnike ka pasur edhe ndaj popujve tjerë; si p.sh. mbi 500.000 gjermanë dhe mbi 200.000 hungarez u dëbuan nga Vojvodina dhe tokat e tyre u kolonizuan me serbë dhe sllavë tjerë. Po ashtu edhe shumë boshnjakë mysliman u shpërngulën me dhunë nga Bosnja dhe viset tjera të Jugosllavisë për në Turqi. Shqiptarët e shpërndarë nëpër republikat jugosllave nuk e pranuan robërinë, ata luftuan për lirinë e popullit dhe vendit  të vetë deri në ditët e sotme. Koha e Rankoviçit për shqiptarët ishte periudha më e zezë në shekullin 20-të, e njohur si koha e mbledhjes së armëve e vitit 1956-1966, kur vetëm brenda 10 viteve u masakruan dhe u likuiduan pa gjurmë shume shqiptarë, kurse me dhunë u shpërngulën për Turqi mbi 250.000 shqiptarë. Pas largimit të Rankoviçit me 1966,shqiptarëve sikur iu çlirua pak laku rreth qafe dhe për herë të parë ata, në mënyrë të organizuar në vitin 1968 nisën demonstratën disa ditëshe në Prishtinë si dhe në qytete tjera të Kosovës, meqë rast kërkuan liri, drejtësi, barazi, flamurin kombëtar, Universitetin dhe Republikën e tyre të barabartë me republikat tjera. Protestuesit ishin të moshave të ndryshme; nxënës, student, punëtore. Përpos gjakosjes, maltretimeve fizike dhe psikike nga policia serbe, kishte rënë dëshmorë Murat Mehmeti, për të cilin shtypi i atëhershëm shkruante se vrasësi e qëlloi atë nga ballkoni i një ndërtese.

Pas këtyre ngjarjeve, më 1974 në Brione të Kroacisë, ndryshoj kushtetuta jugosllave, dhe Kosovës iu njoh autonomia territoriale, kuptohet si rezultat i këtyre demonstratave,por edhe i punës së strukturave të shendosha intelektuale që vepronin brenda sistemit politik te KSAK, pa kontributin e të cilëve, duhet pranuar,se nuk do arrihej as Kushtetuta e vitit 1974.

Autonomia teritoriale e Kosovës, me të drejta përafërsisht si të një republikë jugosllave,por atributet dhe fjala republikë mungonte. Ndërsa demonstratat e vitit 1981 ishin shumë më masive se ato të vitit 1968. Pati shumë të vrarë dhe të plagosur, shumë të burgosur, të maltretuar fizikisht dhe psiqikisht. Mirëpo, mjerisht as këto demonstrata nuk sollën rezultat politik-juridik për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme. Pozitive ishte se shqiptarët e kuptuan se bashkëjetesa dhe vëllazërim-bashkimi me sllavët ishte i pa mundur. Pra, demonstratat bashkuan popullin shqiptar më shumë se kurrënjëherë tjetër, dhe kjo ishte fitorja më e madhe që u arrit pas këtyre demonstratave, dhe ky mobilizim vazhdoi, deri në çlirimin e plotë të Kosovës me 12 qershor 1999. Drejtuesit e celulave dhe grupacioneve ilegale, mendoj se nuk kishin një qendër për bashkëveprim. Unë si dhe shumë të tjerë nuk ishim as enverist dhe as titoist, kemi qenë vetëm pjesëmarrës të këtyre demonstratave, por që nuk i kemi takuar asnjë grupi ilegal, dhe për këtë duhet të flasin ata që i kanë organizuar demostratat e jo ne që ishim pjesëmarrës.

Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha që te dytë ishin komunistë që kishin luftuar bashkë me ruso-serbët me të njëjtën uniformë dhe për të njëjtat ideale. Fadil  Hoxha pas mbarimit të luftës më 1945, shkon fshehurazi për ta takuar Enver Hoxhen në Tiranë, për problemin e Kosovës, që mbeti pa u bashkuar me Shqipërinë dhe që nuk u njoh as si Republikë në kuadër të Jugosllavië, për çka kishte qenë marrëveshje gjatë LDB-së.

Ende pa u larguar Fadili nga Shqipëria, Beogradi merr vesh për vizitën e tij dhe nuk e kishte pasur aq lehtë ta arsyetoj vizitën në Tiranë. Enver Hoxha vizitoi disa herë Jugosllavinë deri më 1948, por asnjëherë Kosovën, edhe pse ishte takuar tinëzisht me nënën e Milladin Popoviqit, ai nuk e takoi asnjëherë Fadil Hoxhën, për ta diskutuar problemin e Kosovës.

Ndërsa në mes enveristëve nga viset shqiptare në Jugosllavi dhe “titoistëve” shqiptarë kishte dallime të cilat ne i dimë të gjithë. Pyetja shtrohet, çka bëri Enver Hoxha më shumë se Fadili  për çështjen e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare? Kurse antikomunistët shqiptarë si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë me vise tjera shqiptare, ishin për bashkimin e trojeve dhe popullit shqiptar në Shqipërinë etnike dhe demokratike. Populli shqiptar gjithherë ka qenë i bashkuar, edhe sot është, por ideologët, karrieristët dhe bajraktarët e ndryshëm e kanë penguar të jetë unik dhe i fortë. Pikërisht, mos uniteti ka bërë që ende nuk i kemi çliruar të gjitha tokat tona.

Demonstratat e shqiptarëve u zhvilluan edhe në Perëndim, me të njëjtat kërkesa, liri, pavarësi, Kosova Republike etj. Vrasjet e shqiptarëve nga UDB-ja jugosllave vazhduan në

Frankfurt të Gjermanisë me 14 maj u plagos rënd Rasim Zeneli, i cili sot e asaj dite është i pa lëvizshëm, vrasesja me porosinë e UDB-së jugosllave (Zorica Aleksiq) u kap nga policia gjermane dhe u dënua me 7 vjet burg, i mbajti 5. Në Bruksel u vra dëshmori i lirisë për bashkimin e Shqipërisë etnike Vehbi Ibrahimi me 10 tetor 1981.

Gjithashtu në Heilbronn-Untergruppenbach të Gjermanisë me 17 janar u vranë tre dëshmorët e lirisë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët punonin për lirinë dhe krijimin e  Republikës së Kosovës. Edhe pas rënies së murit të Berlinit më 25 janar 1990 në Bruksel të Belgjikës u vra atdhetari i madh i çështjes shqiptare Enver Hadri. Enveri ishte shqiptari i parë që arriti të hyj në Parlamentin Evropian dhe t’i shtroj kërkesat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve, duke ofruar fakte dhe dëshmi për dhunën dhe gjenocidin që ushtronte regjimi i Beogradit. Policia sekrete jugosllave kishte në plan edhe vrasjen e shumë shqiptarëve tjerë patriot në Evropë si p.sh. Emin Fazlin alias (Emil Kastriotin), Xhafer Shatrin, në Amerikë  Josef Diogardin etj. Për fatin tonë të mirë, sigurimi sekret serb nuk arriti t’i realizoj planet e veta. Shqiptarët kurrë nuk pushuan duke luftuar edhe të pa armatosur, por pa frikë para tankeve, ushtrisë dhe policisë serbo-sllave, me gjakun e tyre të derdhur kanë mbuluar çdo skaj të tokave të tyre, kështu që meritojmë më shumë se Pavarësinë.
 Dhe këtë luftë ata e vazhduan edhe pas përzënies së ushtrisë dhe policisë serbe më 12 qershor 1999, që dashti Zoti, me ndihmen e miqve tanë amerikan dhe europerendimor me 17 shkurt 2008, Pavarësia e Republkës së Kosovës u njoh edhe ndëkombëtarisht,për të cilën meritat kryesore u takojnë dëshmorëve tanë, të cilët u flijuan dhe dhanë jetën e tyre për Kosovë, që nga fillimi i shekullit të kaluar dhe deri në ditët e sotme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora