Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjiganti i madh i mirë

| E shtune, 08.03.2008, 07:18 PM |


Te “Këngët e Shekullit” arriti të shënonte ca pikë të mira, veçse kësaj here nuk po e bënte në fushat e basketbollit ku bashkë me ekipin e tij, SK Tirana, kryesojnë renditjen e kampionatit shqiptar. Megjithatë, në ato pesë minuta që i kushtuan, diti ta përdorë më së miri dhe një nga ato shprehjet klishe “Edhe sporti është art”, që tingëlluan më të vërteta se kurrë. Sepse në të dyja rastet ai e di që bën pothuajse të njëjtën detyrë: luan me seriozitet e krijimtari për të kënaqur publikun

Suadela Balliu

Orion Garo
Nuk kishte edhe aq kohë që Orion Garo kish zbuluar më të riun e pasioneve të tij. Edhe pse fundjavave, kur nuk i duhej të ndeshej me ekipet kundërshtare e as nuk duhej të ndiqte seancat stërvitore, gjendet në shoqërinë e miqve në klubet karaoke të Tiranës, rrallë i ndodhte të këndonte. Miqtë e shtynin si me shaka, ndërsa publiku nuk kishte si të mos habitej kur zërit të intonuar i shtohej një njeri 2.07 metra i gjatë. Në një prej atyre të paktave herë që i rastiste të këndonte, ndodhi të ishte i ftuar special në një skenë prej vërteti, ku edhe muzika del nga një orkestër e vërtetë e jo nga kompjuteri me karaoke. Nuk kishte si të mos ndodhte, ku në një nga ato tavolinat e klubit karaoke, çuditej nga këngëtari gjigant një prej organizatorëve të spektaklit muzikor. Familja do i përsëriste pafundësisht “Hë, mos u tall!”, kur u komunikoi me telefon se kishte kënduar në skenën e spektaklit “Këngët e Shekullit”, derisa u dërgoi filmimet ku këndonte në krah të këngëtares Evis Mula. Edhe pse vetëm 27 vjeç, është i dashuruar pas muzikës që këndohej kur ishte në vitet e para të jetës. “E dua atë muzikë që është krijuar në vitet më të vështira. Ajo është muzikë e mirëfilltë dhe mund të quhet e vërtetë”, thotë ai që, po të mos kishte atë pasionin për t’i dëgjuar e ridëgjuar, do e kishte pothuajse të pamundur t’i kujtonte.

Photoshop dhe basketboll

Por nuk është muzika e vetmja nga pasionet që e mbush Orionin përtej basketbollit. Është i dhënë pas thirrjeve të fundit të teknologjisë kompjuterike e kënaqet me orë të tëra duke punuar fotografi në Photoshop, ku, përveçse i bën qejfin ndonjë mikeje, të cilën e bën të duket më të bukur dhe elegante në ditën e martesës, i pëlqen të satirizojë me montazhe të ndryshme figurat politike. Fantazia e tij shkon nga “Zotëria i unazës”, ku, i montuar si një nga personazhet e filmit, është një nga figurat shqiptare të politikës dhe titulli i ri, i vënë nga Orioni, është: “Zotëria i unazës me gur të zi”, deri te super-heronjtë me sloganin “Koha për pushtet”. Fotografitë e manovruara me magjinë e fundit të kompjuterit tingëllojnë edhe më satirike kur i bën dikush që me politikën nuk i ka marrëdhëniet dhe aq indiferente, pasi dy vjet të jetës së tij i ka shpenzuar për studimin universitar në degën e Shkencave Politike. Një tjetër pasion i Orionit është edhe poezia, edhe pse asaj i përkushtohet më rrallë. Duket sikur frymëzohet me atë shpeshtësi intervalesh me të cilën ndërron ekipet dhe shtetet. Shkruan një poezi në shtatë muaj, vetëm se kur ulet e merr një fletë të bardhë, e mbush ashtu siç duhet, me një merak të veçantë për vargjet që rimojnë. “Dua që vargjet të bëjnë rimë me njëri-tjetrin, ndryshe nuk do quhej poezi, veçse një krijim letrar”.

Rikthimi “klandestin”

Ka pothuajse një vit që është vendosur në Tiranë dhe nuk i duhet më të kalojë sa nga një shtet në tjetrin, të bëjë kapërcime të herëpashershme midis dy kontinentesh e të hidhet sa nga një breg në tjetrin në gadishujt e Evropës. Luan me ekipin SK Tirana dhe është i kënaqur. Kryesojnë renditjen e kampionatit dhe tashmë ka arritur të ambientohet. Është edhe pjesë e ekipit kombëtar të basketbollit, i cili e thirri në vitin 2004. E kishin mbledhur në radhët e kombëtares që kur ishte 17 vjeç, por mungesa e Shqipërisë në kompeticione bëri që ai t’i bashkohej ekipit vetëm para tre vjetësh. Nuk është se kombëtarja ka rezultate të shkëlqyera, por për Orionin vlen më shumë motoja “Më mirë të marrësh pjesë e të humbësh, se sa të mos marrësh pjesë fare”, duke e shoqëruar gjithmonë me ato notat pozitive të nacionalizmit, e duke marrë mbi shpinë edhe përgjegjësinë kombëtare. Edhe pse tashmë jeton në Tiranë, i duhet sërish të jetojë vetëm, sepse familja e tij ndodhet në Amerikë. Megjithëse ai ka ditur ta përballojë më së miri jetesën vetëm. Në moshën 16-vjeçare iu desh të linte pas vendlindjen e tij, Durrësin, e të vendosej në Tiranë. Një provë e lehtë në atë kohë, sepse fundjavave mundej të kthehej në Durrës, por që do t’i shërbente për më vonë, kur duhej të qëndronte larg familjes e të luante në ekipe të tjera që nuk ishin më Teuta apo Partizani. Në gadishullin Apenin iu desh të shkonte kur ishte vetëm 18 vjeç ku, përveçse të rreshtohej në radhët e ekipit “Petritoli Basket”, iu desh të regjistrohej edhe në Universitet, në degën e Shkencave Politike, ndërsa më vonë fati, talenti dhe trajneri Pirro Leka, e katapultuan Orion Garon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Universiteti i Saint Buonaventure, pasi kishte parë një kasetë të një ndeshjeje ku luante Orioni, ftesa e tyre ishte që ai jo vetëm të luante për ekipin universitar të basketbollit, por edhe të studionte në universitetin e tyre, në degën që dëshironte dhe me një bursë të plotë, që kapte shifrat e 15.000 dollarëve. Orioni e pranoi ofertën dhe shumë shpejt u gjend në një tjetër kontinent, në një tjetër ekip dhe u regjistrua në një degë të ndryshme nga ajo e shkencave politike. Iu desh t’ia niste edhe njëherë nga e para, përveç krediteve të disa lëndëve, që iu njohën edhe në Universitetin Amerikan. Atje studioi menaxhim biznesi, dy vjet në universitetin e Saint Buonaventure dhe dy të tjerë në Universitetin e Minnesota-s. Në të dyja, përveçse duhej të mbante një rendiment të mirë të lojës dhe formës fizike, për të dhe kolegët e ekipit ishte e detyrueshme të mbanin një mesatare notash jo më pak se shtatë. Këtë të fundit e arriti më së miri, ndërsa për kondicionet fizike, një dëmtim i rëndë në kavilje e tronditi pak besimin e Orionit. “Pësova një dëmtim të rëndë në kavilje, sa më vuri në pikëpyetje të gjithë karrierën. Disa më këshillonin të operohesha, të tjerë më thoshin se ishte më mirë të mos e kryeja ndërhyrjen kirurgjikale. Falë një fizioterapie të mirë, arrita të rikuperohesha”. Pas gjithë kësaj eksperiencë në Shtetet e Bashkuara, të cilën Orioni e kujton edhe si më të mirën e vet, iu desh të kthehej në Shqipëri e të linte pas edhe një semestër nga diplomimi. “U ktheva në Shqipëri për arsye familjare dhe mu desh të qëndroja më shumë se sa e kisha parashikuar. Kur doja të rikthehesha në SHBA, kisha dalë nga statusi i studentit dhe nuk munda më të shkoja”. Iu rikthye edhe njëherë ekipit të Partizanit, por nuk zgjati shumë dhe udhëtoi drejt ishullit euro-aziatik të Qipros, ku do të luante me ekipin Enadh të Qipros greke. Ende pa u ambientuar mirë me ekipin, me vendin dhe me paragjykimet raciste mbi shqiptarët, menaxheri i tij kishte mbyllur një kontratë në gadishullin skandinav. Në Danimarkë kaloi një tjetër sezon me ekipin e AAB Aalborg. “Kjo është jeta e sportistit. Të udhëtojë sa në një vend në tjetrin. Shumë prej sportistëve përshtaten dhe kjo mënyrë jetese u bëhet normale, ndërsa mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë”, rrëfen ai, sepse i është dashur të shëtisë shumë.

Mes pasioneve dhe profesionit...

Ka kaluar kohë që kur Orioni ishte nëntë vjeç dhe e shihte basketbollin si pasionin e jetës së tij. Tashmë ai është kthyer në profesion dhe nuk duket më aq i dashuruar me të. Vetëm një gjë ka mbetur e pandryshuar te Orioni që kur ishte një nga nxënësit e klasave sportive dhe pjesë e ekipeve zinxhir të basketbollit: asokohe ai ishte një kokë më i gjatë se shokët e tij të klasës, ndërsa tani hendeku mes tij dhe moshatarëve nuk ka mbetur aq pak. Megjithatë, po të kishte mundësi t’i jepte dikujt 7 centimetra që i rrinë mbi shtatin prej 2 metrash, do ta bënte pa u menduar dy herë. Sepse sërish do të quhej i gjatë e dikujt me deficite në lartësi do i bënin mjaft punë. Veçse thotë se do t’i shiste mjaft shtrenjtë. Përderisa ende nuk është shpikur ndonjë metodë për të blerë ca centimetra gjatësi dhe atij i mbetet ende lartësia prej 2.07 metra, edhe pse në pozicionin e qendrës që mbulon ai, më i gjati prej basketbollistëve është 2.30 metra.

Të tjera pasione ka Orioni në këtë moshë dhe të tjera shqetësime i kalojnë mbi kokë, ndërsa për basketbollin është shndërruar në mënyrë të jetuari. Kur u kthye nga Amerika, nuk pati mundësinë t’i çonte deri në fund studimet për Menaxhim Biznesi. Ky ishte pengu më i madh që i mbeti Orionit deri pak kohë më parë, kur Universiteti i tij bëri të mundur një kurs studimi dhe dhënien e provimeve online me anë të internetit. Tashmë ka bërë një kurs veror të përshpejtuar dhe i kanë mbetur edhe gjashtë provime nga përfundimi i semestrit dhe së shpejti do të ketë në xhep diplomën si menaxher biznesi. Nuk dëshiron më të jetojë vetëm dhe familja e tij po kryen të gjitha procedurat që Orioni të bashkohet me ta. Duket se po përgatitet të udhëtojë edhe njëherë drejt kontinentit amerikan, duke konsideruar edhe mundësinë e mbylljes së karrierës si basketbollist. “Unë mund të luaj edhe deri 40 vjeç, por në atë kohë do të jem shumë vonë për t’ju kushtuar profesionit si menaxher biznesi. Për të arritur në pozitën më të lartë, më duhet të kaloj disa shkallë dhe, nëse do t’i përkushtohem basketbollit deri në atë moshë, nuk do të më mbetet më kohë ta bëj më së miri edhe profesionin që i kam kushtuar 4 vjet studim”. Mes pasioneve dhe profesionit, mes stërvitjeve dy herë në ditë dhe fundjavave në karaoke, mes fjalorit sportiv të fushave të basketbollit dhe poezive, ai e di se ka edhe shumë fusha të tjera për të dhënë kontributin e tij dhe ndoshta për basketbollin tashmë ka dhënë mjaft.

Orion Garo

Lindur më : 30.03.1980
Vendlindja: Durrës
Gjatësia : 2.07
Pozicioni: Qendër

Skuadrat me të cilat ka luajtur: Teuta, Partizani, Petritoli Basket, Saint Buonaventure University, University of Minnesota, Enadh, AAB Aalborg Danimarkë, Tirana, Ekipi kombëtar i Shqipërisë

Hobe: muzika, piktura, fotografia, poezia

Arsimi: Po diplomohet për Menaxhim Biznesi në Universitetin e Minnesota-s, SHBA. 

Revista ONE