E shtune, 20.04.2024, 08:43 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Koncert i muzikës klasike në Manhattan për 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqiperisë

E diele, 26.02.2012, 05:57 PM


Koncert i muzikës klasike në Manhattan për 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqiperisë

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës TV Alba Life dhe një grup artistësh organizuan një koncert klasik madhështor ne Victor Borge Hall, Scandinavian House, në Manhattan.

Të jetosh vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë është një fat për cilindo shqiptar.  Eshtë privilegj të ndodhesh në këtë vit të shenjtë të Kombit tënd.  Eshtë nga ato lloj privilegjesh që të shton detyrat për të bërë diçka të bukur, për ta pritur atë madhërisht.  Brenda këtij viti kemi një ditë tjetër të shenjtë, ditën e Pavarësisë së Kosoves, dhe kur ato festohen në këtë kuadër duket sikur Shqipëria dhe gjithë trojet e saj janë bashkuar në një…

Këtë përjetuan artdashësit e shumtë që kishin mbushur sallën plot e përplot për të dëgjuar tingujt e muzikes klasike interpretuar mjeshtërisht nga artistët profesionistë dhe talentet e reja.

Koncerti u prezantua nga dy talente të reja që premtojnë shumë për të ardhmen në botën e artit, nga zonjusha plot sharm Ina Çami dhe z.Bledar Maqellara i cili është jo vetëm një prezantues, por dhe këngëtar dhe aktor.  Është e çuditshme ndonjëherë se si takohesh me këto talente të reja, e kam fjalen për djaloshin simpatik Maqellara.  Edhe pse me familjen e tij jemi miq, një familje me artistë të mirënjohur të këngës popullore Haxhi dhe Agron Maqellara, ne nuk njiheshim me Bledarin.  Këtë e bëri të mundur drejtorja e teatrit të shkollës së mesme ku unë punoj amerikanja fisnike znj.Diana Zerega, e cila në të gjitha teatrot qe ka vënë në skenë që nga “Te mjeret” e me radhë e ka vendosur shqiptarin prej Dibre në rolet kryesore dhe janë transmetuar në shumë kanale televizive për këto suksese të merituara.

Koncerti u hap me këngën: “Daughter’s song” e cila u këndua nga vajza 7 vjeçare, nxënëse e shkollës Shqipe në Staten Island, Kristina Melo.  Zëri i saj u përhap si valë Shqipërie në gjithë sallën dhe rrëmbeu zemrat e spektatorëve, veçanërisht kur z.Petrika Melo interpretonte mjeshtërisht në piano.  Eshtë emocionuese të shikosh në skenë babë e bijë si artistë.

Me duartrokitje u mirëprit Silva Lleshi e cila dukej si një petale e roztë, një talente që interpretoi në violinë “Concerto in G minor- Vivaldi”.  Ndërsa Hana Belegu me një butësi fëmije si një talente tjetër interpretoi në piano “Spanish Dance”.  Ajo është nxënësja e profesoreshës së njohur të pianos znj.Hermira Gjonit

Motrat binjake Ina dhe Dea Stefanllari kishin ardhur me seriozitetin e artisteve për të interpretuar në violinë “Duet for violin”.  Krahët e tyre si krah ëngjëjsh lëviznin harmonishëm mbi telat e violinës dhe puthnin shpirtrat e njerëzve në këto ditë të shenjta.

Djaloshi i talentuar David Duka solli hare dhe gëzim në sallë duke intepretuar në piano: “Tarantella”.  Lëvizjet e gishtrinjve në tastierën e pianos ishin të një artisti të ri që premton shumë.  Po kaq bukur interpretoi dhe vëllai i tij Steven Duka në piano: “Solfeggio in C minor- Ph.Bach.  Ata ndrinin si yje në skenë.

Teddy Çobo luajti në violinë i shoqëruar nga pianistja Pranvera Çobo “The jungler- E.Severene.  Lorivert Çobo luajti “Prelude Nr.2-Rachmaninov.  Të dy talentet e rinj  mirëpritën me duartrokitje të merituara.  Dukej premtuese dhe tejet prekëse kur të dy vëllezërit të shoqeruar në piano nga nëna e tyre Pranvera luajtën në tastierë së bashku “Canon in D.major-Pachelbel.

Flautistja Makbela Ademovi me tingujt nga flauti i saj pushtoi sallën.  Eleganca dhe paraqitja e saj ishin në harmoni të plotë me deliktasën në interpretim.  Duartë e bardha me gishtrinjtë e hollë të krijonin imazhin e një fluture që ka qëndruar lehtë-lehtë mbi një lule gjithë aromë.

Pas Makbeles së brishtë në skenë u ngjit Bledar Maqellara duke kënduar “Stars from-Les Miserables” dhe “Some Enchanted” evening from South Pacific.  Duke dëgjuar zërin e tij prej një tenori të vërtetë shikoja nga afër sytë e lagur të të atit të tij Agronit që dukej aq krenar për birin e tij, ngazellimin e Mrs.Zeregës që e kishte përgatitur aq mjeshtërisht për të pasur rolin e rëndësishëm në skenë, apo Mrs.Eder profesoreshë në shkollen Susan E.Wagner e cila ndjehej shumë krenare për studentin e shkollës së saj…

Me duartrokitje të forta u mirëprit dhe interpretimi i artistes 7 vjeçare Kristina Melo e cila ishte veshur me kostum shqiptar prej Peje.  Ajo recitoi poezinë “Edhe unë si Margoja”, një poezi që përcjell mesazhin e Bashkimit të Kombit dhe ja se si: “Dhe shqiponjën Marigoja/ E qëndisi mbi Flamur/ Eshtë perjetë në dhomën time/ Ndaj shtëpia më merr nur/... Edhe unë si Marigoja/ Do qëndis përmbi shqiponjë/ Në 100 vjetor të saj/ Gjithë Kombin ta bashkojmë”...

Pjesa e parë u mbyll me poezinë e  poetit dhe poltikanit të shquar Ali Asllanit: “Vlora, Vlora!  Duartrokitjet nuk kishin të rreshtur pasi ai recitoi këto vargje: Vlora trime shqipëtare/ Si rob jetën s'e do fare/ A do mbetet Shqipëri/ A do bëhet tym e hi! Sa t'jetë jeta, rroft Shqipëria!  Vlora, Vlora, Vlora, Vlora/ rroki armët, bëja forra”!

Në pjesën e dytë skena e koncertit u pushtua nga artistët profesionistë nga ata që tingullin dhe muzikën e kanë një me shpirtin e tyre. Violinistja e shquar Entela Barçi e cila ka dhënë koncerte në shumë skena të Amerikës dhe të botës interpretoi së bashku me Iris quartet, Yibin Lin violin, Muneyoshi Takahashi- violin, pjesët: “Dvorak-string, quartet No-12op 96 in F-major.  1st movement-Allegro ma non tropo, 4th movement –finale: vivace ma non troppo”.   Pas interpretimit më shumë mjeshtëri nga Barci dhe Iris quartet salla buçiti nga duartrokitjet dhe njerëzit të çuar në këmbë thërrisnin bravo-bravo!

Në mes duartrokitjesh jehuan në skenë vargjet nga Epika e Bardit të poezisë së Kosovës Ali Podrimja.  Ato i interpretoi fuqishëm Bledar Maqellara duke ngritur sallën peshë ku midis të tjerash recitoi: “Me shekuj kam shitur gjakun/  e rritur jam me gjakun e shitur/ Me shekuj kam hëngër me veten/ e ditur s'kam të qesh me veten e tepruar.../ Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet”!

Artdashësit nëpërmjet këtyre vargjeve me nota rrënqethëse dhe betim për Kosovën nuk pushonin së duatrokituri, ishin dashuri dhe zjarr shpirti për Kosovën martire, ishin dashuri dhe krenari për 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Pas poezisë një tjetër vajze simpatike, mjeshtre në violincelë zonjusha Gjilberta Lucaj, do të interpretonte së bashku me Monticelli Trio –cello: “Opera Carmen Medley-G.Bizet.  Luajtja në violinçelë aq profesionalisht vazhdonte të mbushte sallën me tinguj të bukur dhe t’i rrëmbente pjesëmarrësit brenda lojës së tyre.  Më vonë zonjusha Lucaj së bashku me Margin Bajrami një interpretues i shkëlqyer në piano sollen “Sonata for cello” ku të dy të rinjtë u mirëpritën me dashuri nga publiku.

Z.Adriatik Stefa një mjeshtër tjetër i violinës interpretoi Meditation “Opera Thai by J.Massenet.  Z.Stefa u shoqërua në piano nga z.Melo.  Z.Stefa është drejtor i muzikës në një shkollë në Brooklyn dhe ka dhënë një sërë koncertesh në botë.  Nëpërmjet mjeshtërisë së interpretimit ai shfaqi dhe njëherë vlerat e një talenti të shquar profesionist, çka e treguan më së miri duartrokitjet frenetike të publikut.

Sopranoja ndërkombëtare znj.Lindita Lole Mezini interpretoi “An Chloe nga Moxart, Brindisi nga Verdi dhe O Mio Bambino Caro-Puccini nën shoqërimin e pianistes mjeshtres së mirënjohur Ida T.Trebicka e cila ka dhënë koncerte tepër të suksesshme në skena botërore.  Pianistja plot kulturë profesoresha Trebicka kishte udhëtuar nga larg për të debutuar në këtë koncert të muzikës klasike. Mezini ngriti peshë zemrat e publikut duke u ndërprerë vazhdimisht me duartrokitje të stuhishme.  Veshja elegante në ngjyrë blu që ishin në harmoni me ngjyrën e syve të saj dhe mënyra e interpretimit plot delikatesë tërhiqnin si me magji njerëzit që kishin ardhur për të kremtuar këto festa të shenjta.

Prof.Petrika Melo luajti në piano Etyde Revolutionary-Chopin, My way-Frank Sinatra arrangement dhe Albanian songs arrangement nga z. P.Melo.  Z.Melo është drejtori i muzikës në një shkollë italiane në Manhattan dhe ka debutuar si në Amerikë dhe në skena botërore.  Me profesionalizëm ai udhëhoqi dhe drejtoi koncertin e muzikës klasike.  Ajo që vlerësoj dhe çmoj shumë ne personalitetin e tij përveç profesionit të tij është dhe kontributi dhe pjesëmarrja aktive në shkollat shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.

Koncerti u mbyll me këngën aq të dashur dhe aq popullore për publikun shqiptar “Lulebore” kompozuar nga Simon Gjoni dhe kënduar nga sopranoja e bukur Lindita Tole Mezini shoqeruar nga z.Petrika Melo.  Publiku dhe sopranoja Mezini kishin hyrë në rezonancë të plotë dhe dukej sikur qielli prej Shkodre hidhte lule të bukura për artistët e Diasporës.

Në mbyllje të koncertit z.Maqellara ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, median si H.Suka, A.Suka, A.Belliu, TV Kultura Shqiptare, D.Halilovic, T.Watkins, N.Bejleri, O.Salillari, A.Mehmeti, S.Hasa, shkrimtarin dhe ushtarin e UCK-s z.Uk Lushi, z.Naser Cobo, kryetarin e shoqates “Ana e Malit”, z.Sali Bollati sekretarin e shoqatës “Camëria”, z.Ibrahim Kolari ish kryetarin e shoqatës “Dibra” dhe ka thirrur në skenë z.Dritan Mishto Konsullin e Përgjithshëm në New York.  Z.Mishto ka falënderuar gjithë artistët, pjesëmarrësit dhe iu ka uruar atyre 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Ai ndihej krenar për këtë koncert të rrallë për nga lloji dhe qëllimi i tij patriotik.

Një falënderim i veçantë i ka shkuar z.Qemal Zylo dhe familjes së tij si organizator së bashku me artistët, dhe si themelues dhe producent i TV Alba, për kontributin që po japin për Kombin.  Z.Mishto tha se TV Alba Life është një pasuri e Diasporës dhe ne jemi të gjithë krenarë për punën e tyre të  jashtëzakonshme.  Njerëzit u shpërndanë të lumtur nga një natë artistike dhe janë në pritje të koncerteve të tjera po kaq mbresëlënëse.

 

18 shkurt, 2012

Manhattan, New York

 



(Vota: 18 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora