E premte, 29.03.2024, 12:33 AM (GMT)

Kulturë

Olta Boka, 3 x 16

E shtune, 08.03.2008, 07:11 PM


Fillesat e para i pati në “Korin e engjëjve” me Suzana Turkun, përgjatë viteve 2000-2003 dhe në qershor 2004 tek spektakli “Gjeniu i vogël”. Përgatitet tashmë për në Eurosong, që do të zhvillohet në Beograd. Kush është Olta Boka, vajza 16-vjeçare që mori ogurin e mirë nga Pirro Çako natën e dytë të Festivalit të Këngës së fundvitit dhe çmimin e parë më datë 16 dhjetor?! Mos ndoshta 3 herë radhazi fati ka qenë përkrah saj?!Si do të jetë përfaqësimi i saj në gjuhën shqipe në skenën e Eurosong-ut?! Si ka qenë për të kjo botë e intrigave dhe çudirave...
 
Nga Edmond PRIFTI

 

Olta Boka
Elsa Lila dhe Pirro Çako ishin fatsjellësit e kësaj vajze me fytyrë fëmije, çizme të bardha deri te gjunjët, këmishë të bardhë dhe jelek sipër – dhe e tillë është – teksa i shkëlqejnë sytë kur kujton puthjen në faqe të Pirros para se të interpretonte “Zemrën lamë peng” në Pallatin e Kongreseve. Është 16 vjeç, numri i shortit të këngëtarit në festivalin e fundvitit ka qenë numri 16 dhe ka pasur fatin të fitojë çmimin e parë më datë 16 dhjetor. Rikujton mbresat e para të festivalit, çmimin e parë; flet dhe lëviz sipas ritmit të një kolazhi muzikor të Këngëve të Shekullit, - spektakël i cili përgatitej për natën e Vitit të Ri në studion e TV Klan-it. Tashmë ka harruar ato lot dhe emocione që derdhi në skenën e Festivalit të Këngës së 46-të. A duhet të kalojë edhe ajo shumë kohë midis intrigave të artit dhe skenës derisa të arrijë si ata që kanë hipur në atë skenë, Anjeza Shahini, Vëllezërit Prifti e shumë të tjerë. Apo siç tha autori i tekstit dhe njëkohësisht prezantuesi i Këngëve të Shekullit, Pandi Laço “...që ajo ndoshta ishte e vetmja që nuk iu gëzua çmimit”?! Nuk është mësuar ende me mediat kur e fillon fjalinë me “Atëherë... është intervista ime e parë që po jap për mediat. Ju jeni të revistës ONE - ajo që është për meshkuj apo jo?! Besoj dhe ndjeva rreziqet e para të botës së artit që pas dhënies së çmimit. Normale që në art, por edhe jashtë tij, ka njerëz që jo të gjithë të pëlqejnë, por edhe këta, si krejt padashur më japin kurajë. Natyra më dha një talent dhe e respektoj dhuntinë si të tillë. Megjithatë, kam përshtypjen se, si në çdo festival, janë bërë edhe komentet post-festival. Ndoshta iu duk e papritur që një 16-vjeçare të merrte çmimin e parë, ashtu siç ndodhi dikur me Elsa Lilën. Ka gjithashtu edhe artistë që janë ngjitur vite të tëra në skenë, pa mundur ta marrin këtë trofe”. Eksperienca e mëparshme, në qershor 2004 tek “Gjeniu i vogël”, ku u cilësua si interpretuesja më e mirë, e ndihmoi atë në tekstin në anglisht. “Do përpiqem të transmetoj të njëjtat emocione që pata në gjuhën shqipe, edhe në Festivalin Evropian të Këngës (Eurosong)”.

Prindi

Shumë shpejt pranë saj ulet edhe Reshit Boka, i ati i saj këngëtar i muzikës popullore, i cili thotë për Oltën se “...e kam pas ndjekur Oltën që të vogël. I kam dhënë kurajë asaj, këshilla për intonacionin, zërin sa më melodioz dhe interpretimet që në daljet e para, kur mori pjesë në Festivalin e Interpretuesve, por edhe gjatë Festivalit Europian të Fëmijëve në 2004, ku Olta rrëmbeu çmimin e dytë. Në Festivalin e fundvitit nuk e kam pasur mendjen më shumë tek çmimi që mori sesa te emocionet që na transmetoi dhe tek gjendja e saj në të cilën ndodhej”. Për boom-in post-festival i ati është shprehur se “çdokush që këndon, autori, tekst-shkruesi apo këngëtari, përballen me një juri të caktuar nga vetë ata dhe janë pikërisht ata që i kontestojnë. Mendova që, në qoftë se do t’ia jepnin dhe do t’ia hiqnin prapë çmimin e parë pas aq shumë debatesh, do të ishte zhgënjimi më i madh për Oltën dhe për karrierën e saj artistike. Qoftë edhe në pjesëmarrjen në Eurosong nuk jam dakord me një koreografi. Mjafton të kesh një këngë të bukur dhe të mos bëhemi kopjacë. Ç´rëndësi ka çmimi?!”, shprehet Reshit Boka, i ati i këngëtares 16-vjeçare, Olta Boka. Ai nuk harron të përmendë, duke qeshur, edhe gruan e tij Dhuratën, me një shprehje: “Mami është mamí dhe nxjerr në jetë bebet e reja, këngëtarë dhe këngëtare që do vijnë...”.    

Olta jashtë skenës

Është nxënëse e shkollës Sami Frashëri në vitin e dytë. Olta ka një vëlla të quajtur Stivi, 13 vjeç. Po mendoni Stivi, si Stevie Wonder?! Keni të drejtë! Emrin ia ka vënë vetë Olta dhe ëndrra e tij është të bëhet pianist që nga pjesëmarrja e parë me Gjeniun e Vogël. “Olta jashtë skene?! -  Jam shumë e lidhur me shoqet e mia (A mund t’i përmend ato?!): Adela, Helena dhe Eni”, shprehet Olta Boka. “Nuk jam shumë e lidhur, për shembull, me daljet sa andej këtej. Nuk më pëlqen zona e ish-bllokut ose njerëzit që dalin për kafe orar pa orar. Kur ndodhem përkrah mikeve të mia në shtëpitë tona, e ndiej veten shumë mirë, pasi, ndonëse më mungon motra ime biologjike, nga ana emocionale i kam ato...” Reshiti shton se: “Nuk jam patriarkal, vetëm se nganjëherë, si prindër që jemi, merakosemi, pasi fëmijët ende nuk i dinë rreziqet që ka jeta, ndërsa kështu uroj që të ketë fat siç e pati në muzikë, ashtu edhe në jetën e përditshme”. 

Supersticion, bashkëpunim, arte

“Babi, kur të mbarosh së lexuari Dashin (shenjën e horoskopit) ma jep pak gazetën të lexoj virgjëreshën. – i drejtohet Olta babait. – Kur nuk kemi marrë gazeta, shohim horoskopin në kanalet italiane. Pak a shumë çdo ditë përpiqem ta jetoj këtë jetë për moshën që kam, pavarësisht se ajo duket shpesh monotone, por ka shumë mënyra për të dalë nga kjo situatë”, shprehet Olta. Ajo dëgjon gati çdo lloj muzike, por më shumë e gjen veten tek baladat, “siç po më vjen ndërmend një tani shumë e këndshme “Nothing else matters” e Metallica-ve. Pastaj lexoj kryesisht romane - i fundit i Dante Aligerit “Komedia Hyjnore” - por edhe ndonjë film, që po s´më tërhoqi që në fillim, e lë fare...”, vijon Olta. “Eurosong që vjen së shpejti është më i rëndësishëm sesa një CD me këngë. Do të doja që të vijonte bashkëpunimi me ne të tre: Pandi Laço, Adrian Hila dhe unë. Pasi nuk ka qenë rastësor edhe 5 vite më parë me ta, kur konkurroja tek Gjeniu i Vogël. Dy muaj më parë, në emisionin “Vonë në TVA”, Olta Boka u prezantua me dy këngë, ndërsa në vijim të tyre prezantuesi Genci Fuga i tha: ...po sikur të fitosh Festivalin dhe të shkosh në Eurovizion?! Reshiti i entuziazmuar rikujton atë natë: “I kam një kafe borxh për ogurin e parë të mirë që i dha dhe supersticionin që ndodhi”, ndërsa në degjohet “Kënga rinore”.     

Post-Festival, debat dhe Eurosong

Pas festivalit, ishin të shumtë skeptikë që do të kujtonin moshën e saj 16-vjeçare, por të shumtë ishin edhe ata që e konsideruan një “Elsa Lila të re shqiptare”. Më datë 17 dhjetor do të hidhej si lajmi i parë në faqen zyrtare të Eurovizionit, e shoqëruar me një sinopsis të shkurtër të përfaqësimeve shqiptare, ku përmendet vendi i 7-të në vitin 2004 dhe më tej në vendin e 16-të në vitin 2005, pamundësisë për futjen në finale në 2006 dhe 2007. “Zemrën lamë peng, është kënga që do të hynte në listën e këngëve konkurruese për Eurovizion, duke fituar 67 pikë, ndaj konkurrenteve të vendit të dytë Flaka Krelani dhe Doruntina Disha (Jeta kërkon dashuri) me 57 pikë. Kënga është kompozuar nga Adrian Hila dhe teksti nga Pandi Laço, të cilët patën bashkëpunuar me Ledina Çelon në vitin 2005 me “Nesër do të shkoj” dhe me Frederik Ndocin në “Balada e gurit” vitin e shkuar. Një ditë më pas, më datë 18 dhjetor, përpos debateve të nxehta në Shqipëri, faqja zyrtare e Eurosong bën të ditur skandalin: Juria do të investigohet nga Këshilli Drejtues i RTSH-së. “Investigimi u fokusua më shumë mbi mosvotimin e dy pjesëtarëve të jurisë, Alban Skënderaj dhe Gjergj Xhuvani, që ndryshuan rezultatin final të garës”. Eurovizioni ka botuar edhe njoftimin për shtyp, - referues të faqes zyrtare të RTSH-së në seksionin Diskutime - i cili hasi shumë debate në publik dhe median shqiptare. Dhe diskutimet në internet gati janë të pafundme. Disa e konsiderojnë këngën “se nuk është kjo mënyra e gjetur se si t’i shtijmë europianët të qajnë me kësi lloj këngësh-balada” apo “duket këngëtari, ka shpirt dhe zë”. Gati të gjithë kanë diskutuar nëse ishte e drejtë nga ana e jurisë dhënia e çmimit të parë Olta Bokës apo duhej t’i jepej dy kosovareve, që fituan vendin e dytë. Ndoshta fat apo supersticion, oguri i mirë i moshës së vogël dhe 3 herë 16 - Olta Boka do të marrë pjesë në Eurovision dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Beograd! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora