E shtune, 20.04.2024, 09:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë - Po shumë më paske braktisur

E enjte, 23.02.2012, 08:55 PM


Sabit RRUSTEMI

 

ZJARRMI  E  KTHJELLTË

 

Zbrazja e të pathënave

 

P o  s h u m ë   m ë  p a s k e   b r a k t i s u r

 

 

AI FRON I BOSHATISUR

 

Është gëlltitur heshtas

Prushi i mbetur

 

Pamja e përhitur

Prej erëra kujtimesh

Sillet rrotull

 

Zjarri nuk ndezet më

Me një të shkrepur

 

Buzëve të etura

Mungesa e puthjeve

Avullohet

 

Ai fron i boshatisur zemrash

Ai oxhak shtëpie

Vetullave të mia

Nxihet prej zjarrmie

 

Rruga e kthimit

Pambarim

Zgjatet stinëve

 

Froni

I vetëm pret

 

Heshtjen kush i a vret

 

(31 dhjetor 2010)

 

 

(V)ETJA IME

 

Shterre atë heshtje
Atë vapë që vyshkë
Atë akull që mërdhinë

Pije me fund
E mos u kënaq nga d(j)ergj(i)a ime
Në pritje

Hape atë gojë
Të eturat buzë
Që po shkrumohen rrëzë teje

Larg ajo hije
Ajo vetull jotja
Ajo palë  e flokut tënd
Që flladit

Më larg se shikimi im
Më e thellë se heshtja jote
Që vret

Më e zjarrtë
Se vapa që nuk pëlcet

Vetja ime
Po shumë më paske braktisur

(Gjilan, 17 Qershor 2010)

 

 

GOZHDA

 

 

Një jetë me shpresën pas krahësh

Mbi shpinë

 

Barrë e madhe

Për udhët tona prej balte

E këmbët prej lëkure

 

Nuk u ndala

Eca e eca

Ende po eci

 

Relieveve të asfaltuara

Shtyllave prej betoni

M’u zu fryma

 

Shpresa në dorë më mbeti

 

E kund një tra

Një shtyllë

Një dyrek sh’pie

 

Është lodhur shpresa

Prej jetës

Bartur nëpër duar

 

Kërkon të varet diku

Të çlodhet një çikëz

Prej kotësie

 

Po kund

Një gozhdë të lirë

S’e sheh syri

 

Janë zënë

Siç zihen rëndom

Nga bërrylaxhinj

E të tjerë që s’presin në radhë

 

Shpresa ime edhe kësaj here

Në veten time varet

 

Të ngulë një gozhdë të re

Diku

Të hap një plagë

Kjo zemër s’e thot

 

Gozhdë e shpresës sime

Mbeta sërish

 

(4 Dhjetor 2010)

 

 

PORTRETI I NJERIUT ME XHEPA BOSH

 

Si mund ta njihni

Kur ai xhepat mbrapshtë s’i kthen

As rrëfehet

 

As ajo rrudhë n’atë fytyrë majemali

Nuk i vizatohet

 

Trotuareve ecë fikall i vetëm

Në për(shend)etje rasti

Nuk ndalet

 

Café- baret i injoron

As nga jashtë i shikon

 

Sytë i kursen nga të njohur e të panjohur

 

Atë dëgjuese telefoni

Nuk e ngrehë vetë

Nga droja se mund ta ftojnë

 

E si të shkojë

Xhepat i ka bosh

Një cent s’i gjendet për be

 

Shmanget prej skuqjes

Të dashurës i lajmërohet rrallë

Një vullkan i pashpërthyer

Zihet e përzihet

Në të tijën brendësi

 

Se si nuk e shfrynë jashtë

Vetëm ai e di dhe ata dhëmbë

Që grimcohen pa pra

 

Për një gotë verë

A vikend jashtë shtëpie

Nuk ka pikë mërzie

 

Veç ata zogj dashurie

T’mos e braktisin prej lakmie

 

Përditë me hapa matë rrugët

Nuk ndalet

Me ag e terr parqeve

 

Për një fjalë goje përmallet

Del tutje thundrave të hallit

Të flladitet malit

 

Fytyrës së tij lëshon rrënjë

Ajo Lule e Ballit

 

(22 janar 2010)

 

 

PRITJA MË TEPRON

 

E shtunë është

Ditë tregu në Gjilan

 

Midis qendrës

Nga dritarja vështroj

Atë rrugë të djeshme

Plot mall

Nënën time që ish në hall

 

Ç'kmishë t'i jepte babës

Kur të vetmen që kish

Nata e kish bërë qull

 

Dhe ajo erë

Në derë

Me poterë

Papandehur

Shi kish sjellë

 

Im at doli pa k'mishë

Mbështjellur me gunë e një shall

Doli se fjalë kish lënë

Borxh kish për të larë

 

A unë

Ç'të lajë sot

Ç'të nxjerr në treg

Përpos pritjes

 

E jap gratis

E nuk e blenë askush

 

Secili ka pritjen e vet

Po mua më tepron

 

(Gjilan, 30 kallnor 2010)

 

 

RRËNJË E THELLË

 

Çepuri pa zë flet

Përmes shenjave

 

E nuk lëvizë

As vend tjetër kërkon

Qoftë kur e zhveshë vjeshta

Kur dimri e ngrinë

A kur pranvera

Në jetë e rikthen

 

Dhe vera e djeg në palcë

 

Ka një pikë Çepuri

Një prehje ka

Një vend që askush

Nuk e prekë pos teje

 

Rrënjë të thella ka Çepuri

Rron  gjallon e ripërtërihet

Për ty imja dashuri

 

Edhe në heshtjen më të thellë

Çepuri brafullon

Një botë trandë

Universit të kaltër

Deri n’atë kupë qielli shpërthen

Për Ty moj Peh’rri

 

(17 mars 2010)

 

 

E FSHEHUR N’THELLËSI

 

Rrëzë Çepurit

Ëndrrat struken

Nën kaçuba

Vetullave të mia

Thellë diku në gji

Hirin e kujtesës shprushin

Për zjarr të ri

 

Janë tharë çufurraket

Pritjeve nën diell

Nën erë

Nën shi e stuhi

 

Dora ime s'është aty

As buzët tua

E mëngjesit puhi

 

Se si ndizen të shkretat

Si ëndrrat marrin flakë

E më kthejnë aty

Ku tash jam dhe unë

Je dhe ti

Një ëndërr Çepuri

E fshehur n'thellësi

 

(10 dhjetor 2010)

 

 

ÇEPURI NË VJESHTË

 

Këtu jam

Në të njëjtat rrënjë

I shtrirë e i ngritur

Si përherë

 

Sall ngjyra po më ndërrohet

Syve t'u plot mall

Po shkrihet e blerta

Në pritje të argjentë

 

E ngapak po shkundem

Prej erës

Po qullem prej shiut

E po thahem prej ikjeve

 

Në thellësi

Dhimbjet e ëmbla s'gjejnë qetësi

 

S'flladitë ky shi

Kur tek unë

Mungon Ti

 

(1 tetor 2010)

 

 

PËR DRITË HËNE

E vetme pret nëpër zjarr
Atë zemër që s'humb

As kur fshihet pas bjeshkësh

A kur zhytet në të detit thellësi

 

Skajeve të paprekshme

Në sfondin tjetër i shfaqet

Me një ditë të re
 
Ajo i sillet rrotull
Me një aurorë buzëqeshjesh
Nga mëngjesi në mëngjes

Pika e ditës i pikëpjekë

Në majen e kupës së zjarrtë

Për djegie mëkatesh

E uratë

 

Në emër të dashurisë

Nata i kthen

Për dritë të hënës

 

Sipërfaqja e zemrës
Shndërrohet në korzo

 

 

SHETISIN SIPËRFAQES SË ZEMRËS


Përditë avullohen detërat

Nga zjarri i syve të tij

Malet ndizen e përtërihen

Me erë e shi 

Ajo sa herë zgjohet trembë ëndrrat

Dhe niset pas tij


Me dahin e flakës  Ai zjarr
Gëlltitë retë

Shtullungat që i varen sysh

 

Sipër faqes së kaltër

E dashura  shkundë flokët
Ato drithma lëkure

E shtrihet në prush kujtimesh

Me fytyrë kah ai
Si një grishë e lagur shiu

Kupa e zjarrtë

Afshin e zemrës shkrinë

E ia kthen ngrohtësinë


Ëndrrat e paepura

Hapin portat

Nën dritë hëne shetisin

Sipërfaqes së zemrës 
 
(2 Korrik 2010)

 

 

DIELL VJESHTE

 

Varet anash lindjes

Kah jugu

Për ta shkurtuar rrugën

Kah anët e paprekura të Zemrës

Tokës

 

Çepurin e zë në profil

Dhe vetullën time të zgjatur

Në pritje

 

Hija e ditës

Zbehet në hapësirë

Ai gjeth  bishtkëputur

Rend pa adresë

 

Cepave të ndonjë shtegu

A pas ndonjë muri

Pret hapin e saj

 

Stina e dashurisë

Zbrazet shportave të vjeshtës

Për kohë tjetër

 

Mali mbi timen shtëpi

Rrallohet

 

Në pritje të stinës së bardhë

I qetë rri

Përballë erës

Kush rikthehet

Për ta jetuar pjesën e mbetur

Kush prek zenitin

E kush sapo merr udhë

 

Përditshmërisë

Nëpër stinë

Kjo tokë

Si ëndrra vetë

Në rendje pas diellit ëndërr

Mbet

 

Ajo Zemër e zjarrtë

Sa ngrohë njërin

Tjetrin ngrinë

Diku përhinë

 

Diell vjeshte

Dhe anëve të mia prekë

Si ëndërr e përnatshme

E

Pritje e përditshme

 

(18 Shtator 2010)

 

 

S'PO I A PRISHË SHIUT

 

Pluhur harrese reshë ngado

Aty ku shihet

Ma shumë ku fshihet

Memorieve tona

 

Neve na ranë duart

Na u mpinë këmbët

Duke pastruar dyshemetë

Vitrinat dritaret

Tryezat ku parreshtur përditshmërinë hamë

Dhe atë pak dashuri të mbetur

 

Rrallë kush

Pastron të brendshmet

Organet që s'shihen

Aty ku vlojnë ndjenjat

Dhe një botë e padukshme përzihet

 

Të mos flas tash për natyrën

Të cilën m'sa veten kursejmë

Me pështyma

E jashtëqitje e mbulojmë

 

As për faqen e blertë të pyllit

Apo të barit

Të asaj luleje ku pushon syri e ndalet zemra

Që e tymojmë a grimcojmë

 

S'po i a prishë shiut

 

Simfoninë e tij le ta ekzekutojë

Ku të dojë

Dhe palca ime falë i qoftë

Skenë të hapur le ta bëjë

 

E dua atë ritëm rigash

Që vie si puhizë

 

Dhe me erë të fortë

Kur vie

Rrebesheve me bubullimë

Nuk e urrej

 

Ai vjen kur duhet

Edhe pa e thirrë

Herë qetas

Herë vërshimë

 

Oh sa e presim

Sa e dëshirojmë kur vonohet

Kur na digjen mushkëritë

 

Ai paralajmëron

Kah vjen

Si vjen

 

E di kur duhet me ba shkundullimë

Kur duhet me trandë vetminë

Që pahetueshëm

Jetët po i nxinë

 

S'po i a prishë shiut

Jo

Sall këtë pluhur harrese

Le ta përlajë

Këtë qetësi të frigshme

Le ta shkundë

 

Dhe t'lumen tokë

Si do vetë

Le ta lajë

Le ta gëzojë

 

(25 maj 2011)

 

 

MONOLOG SHIU

 

Male resh krijova

Male resh shpraza

Nëpër fërkime të ngjeshura

Të papritura

 

Zjarrminë tënde s'e shova

Që s'e shova

 

As mallin tim

 

Etja jote

Më shtrydhë parreshtur

Dhe mua më le të etur

 

E

Nuk ka tretur

 

...

 

Rimbledh avujt

Mllefet e zjarrta

Nëpër detërat e pambarim

Të trupit tënd

Stinëve të zemrës përmallim

 

E vi tek ty

Kështu si jam

I freskët e plot shend

 

Shkrumin e trashur buzëve

Pluhurin e strukur

Nëpër të çarat e shpirtit

Dëboj

 

(Qershor 2011)

 

 

 

TË FALEM PËRJETËSISHT

Ty
Letër e bardhë
Hapësirë e paqtë
Natyrë e pazhurshme
E shpirtit tim
Të falem çdo çast
Të falem përjetësisht
  më pranon hapur
Qetësisht
Të tërin
Ashtu si jam
Me krejt këtë dashuri
Këtë zjarr që vlon në gji
E derdhet shkronjash
Vargjesh
Në Ty

Ti nuk rudhesh
As nga unë ikën

Para meje shtrihesh
Me krejt atë bardhësi
Për timen dashuri
Që është vetën një


Dhe ajo e di
Si Zoti vetë

Të falem
Letër e bardhë 
Për këtë hapësirë
Ku shprehem lirisht
Për Lulen e Shpirtit tim
Sot e përjetësisht

Letër e bardhë
Hapësirë e paqtë
E shpirtit tim

(11 Dhjetor 2009)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora