E marte, 19.03.2024, 07:07 AM (GMT)

Kulturë

Rexhep Qosja: Prirjet e poezisë së Irena Gjonit dhe prirjet në poezinë e ardhshme shqipe

E enjte, 23.02.2012, 07:58 PM


 

“PRIRJET E POEZISË SË IRENA GJONIT DHE PRIRJET NË POEZINË E ARDHSHME SHQIPE”

 

(Për  librin me poezi “Maja malesh e magmë jonike” të Irena Gjonit)

 

NGA AKADEMIK REXHEP QOSJA

 

Poezitë e poeteshës Irena Gjoni, të përmbledhura nën titullin e përbashkët Maja malesh e magmë jonike, që të krijon përshtypjen e një titulli programatik të tyre, më nxitën t’i bëj vetes këto pyetje: Si duket poezia shqipe sot? Çka e karakterizon? Çfarë përmbajtjesh, çfarë idesh, çfarë pamjesh përmban për jetën dhe botën, për vendin e vet dhe për veten? Çfarë prirjesh poetike janë mbizotëruese në të? Dhe, në fund, si do të duket kjo poezi pas një kohe, të themi, pas njëzet a tridhjetë vjetësh?

Nuk ka dyshim se poezia shqipe, natyrisht e shikuar si poezi e shkruar jo vetëm në Shqipërinë  shtetërore, por  edhe    Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Luginë të  Preshevës, edhe në Greqi, edhe kudo janë e shkruajnë shqiptarët sot, domethënë e shikuar si një tërësi poetike kombëtare, sot është më e shumëllojshme se kurrë më parë në historinë e saj. Poetët shqiptarë, ata që kanë filluar të shkruajnë shpejt pas rënies së komunizmit dhe ata më të rinjtë, që kanë filluar të shkruajnë në këto vitet e fundit, vazhdojnë të kërkojnë ide të reja, pamje të reja, shprehje të reja, figurshmëri të re – vazhdojnë të hulumtojnë mundësitë e krijimit sipas poetikave moderne e postmoderne. Do të mund të thuhej: poezinë shqipe sot e karakterizon kërkimi i një identiteti pak a shumë të ri të saj.

Kjo gjendje e poezisë shqipe, e karakterizuar prej kërkimesh të një identiteti pak a shumë të ri të saj, i vështirëson përgjigjet sidomos në disa nga pyetjet e sipërthëna.

Në qoftë se nuk mund të thuhet me ndonjë siguri si më të  plotë se çfarë prirjesh do të mbizotërojnë në poezinë shqipe në njëzet a tridhjetë vitet e ardhshme, atëherë do të mund të thuhet se çka do të mungojë, në të vërtetë çka do të rrëgjohet dukshëm në të.

E besoj, natyrisht, pa ndonjë siguri të plotë se nuk do të jem fare i përgënjeshtruar me asnjë poezi, me asnjë përmbledhje poezish a nga asnjë krijues poezie, se do të mungojë kryesisht ose do të pakësohet shumë poezia për totalitarizmin e diktaturën komuniste dhe për despotizmin mbretëror para komunizmit. Gjatë këtyre njëzet vjetëve pas rënies së komunizmit poetët shqiptarë kanë shkruar mjaft poezi për totalitarizmin dhe për diktaturën, por disa prej kritikëve në Kosovë dhe në Shqipëri nuk ngurrojnë të theksojnë: kanë  shkruar shumë më pak vjersha kundër seç kanë shkruar paraardhësit e tyre apo, madje, edhe disa prej atyre poetëve që vazhdojnë të shkruajnë edhe tani, për diktaturën, ideologjinë e saj, politikën e saj dhe figurat e saj historike. Kjo poezi e ideologjizuar dhe e politizuar deri në fund për botën e djeshme shqiptare është e  shpoetizuar sot plotësisht. Poezia shqipe, për të qenë çka poezia është gjithnjë e gjithkund – pamje dhe përjetim vetjak i botës, që njëkohësisht synon të bëhet pamje dhe përjetim i përgjithshëm, simbolik, ngadalë, por në fund pashmangshëm do të lirohet prej ligjërimit ideologjik dhe politik në vargje.

Në këtë të ardhme jo aq të largët, që e shënova si e ardhme pas njëzet a tridhjetë vjetësh, mund të shpresohet se në poezinë shqipe, për të qenë çka poezia edhe është a duhet të jetë, do të pakësohet dukshëm, në qoftë se jo edhe të mos shkruhet më, edhe poezia publicistike patriotike. Kur them poezia publicistike patriotike, nuk mendoj për poezinë e vërtetë atdhetare, që gjithmonë dhe gjithkund është shkruar dhe, mund të besohet, gjithmonë e gjithkund do të shkruhet edhe më tej, natyrisht, në qoftë se procesi historik i globalizmit, i cili ka të mirat e tij të pakta, por edhe të këqijat e tij të shumta, nuk i zhduk kombet e vogla, kurse poezinë atdhetare nuk e bën vajtim për to!  Do të krijohet bindja se për shumë çështje, që sot trajtohen në vargje me gjuhë të ideologjizuar e të politizuar, është  shumë më mirë, shumë më lehtë dhe shumë më pranueshëm prej lexuesve të shkruhen artikuj në gazeta a të bëhen biseda në gazeta, në radio e në televizione sesa të harxhohen vargje - rima, epitete, krahasime, metafora, simbole. Do të bëhet e qartë njëherë e përgjithmonë se tradita teorike europiane për poezinë  ka përcaktuar se për çka duhet të përdoren vargu e gjuha e figurshme, kurse për çka artikulli dhe gjuha e drejtpërdrejtë, konceptuale.

Mund të besohet se në këtë të ardhme, jo aq të largët, që e shënova si e ardhme pas njëzet a tridhjetë vjetësh, në poezinë shqipe do të shkruhet dukshëm më pak se sot edhe poezia didaktike, përplot emërvendesh dhe emërnjerëzish, prej së cilës, siç kemi mundur të  bindemi deri tani, edhe gjeografia, edhe historia, në mënyrë  të veçantë historia, shpesh mësohen gabimisht: në mënyrë të glorifikuar e të folklorizuar. Do të shkruhen poezi që iu kushtohen  edhe vendlindjeve e emërvendeve të ndryshme, edhe poezi që iu kushtohen njerëzve të dashur, por ato do të jenë poezi, thjesht poezi, por jo gjeografi, por jo histori, por jo publicistikë në vargje, por jo pedagogji në vargje – por jo folklor i vargëzuar.

Poezia dhe publicistika, poezia dhe didaktika, poezia dhe gjeografia si shkencë, poezia dhe historiografia gjithnjë e më rrallë do të takohen në poezinë e ardhme shqipe.

Derisa do të ketë atdhe e komb, derisa ky atdhe do të jetë i munguar a i pushtuar, i shfrytëzuar, i cenuar a i fyer, do të ketë edhe poezi atdhetare, por kjo do të jetë poezi moderne atdhetare e jo publicistikë në vargje.

Poezia shqipe gjithnjë e më dukshëm do të bëhet poezi për kuptimin e saj – jetën dhe për mjetin e saj e mendimin e saj – gjuhën shqipe.

Pse do të ndodhë kjo?

Do të ndodhë kjo, përpos të tjerash, sepse ideali i lirisë dhe i pavarësisë, të cilit tani e rreth 150 vjet i është kushtuar pjesa më e madhe e poezisë shqipe, pjesërisht është realizuar. Për përbërësit e tjerë të këtij ideali kryesor –të lirisë e të pavarësisë do të bëhen beteja me partitë politike, të cilat dikur nuk i kishim dhe me gazetarinë e publicistikën, që dikur mund të shkruheshin, por nuk kishin mjaft hapësirë  të bëheshin me kohë botore. Për liritë që do të na cenohen prej të tjerëve apo prej vetvetes, prej miqve të jashtëm dhe prej sundimtarëve të brendshëm do të mësohemi të bëjmë beteja politike, me gjuhë politike, me publicistikë politike, me sjellje, me veprime dhe me mjete politike e jo me vargje si deri tani.

Do të ndodhë kështu, ndoshta, edhe sepse në Europën e Bashkuar do të hyjmë jo vetëm me gjeografi, por edhe me krijimtari mendore, artistike e shkencore, që do të jetë europiane edhe me mënyrën e krijimit të ri, edhe me vlera të reja.

Të gjitha këto mendime, që besoj se do të jenë të pranuara prej një numri të lexuesve, por të papranuara prej një numri tjetër të lexuesve, ndoshta prej një numri më të madh të lexuesve se i atyre që i pranojnë, më nxiti t’i them në këtë parathënie përmbledhja e poezive të Irena Gjonit, Maja malesh e magmë jonike. Në tetëdhjetë faqet, në të vërtetë në 58 poezitë e kësaj përmbledhjeje, nuk hasa në asnjë poezi për totalitarizmin komunist, në asnjë poezi për despotizmin mbretëror, në asnjë poezi për pushtetin e sotëm autoritar, në asnjë poezi publicistike, në asnjë poezi didaktike, në asnjë poezi patriotike. Në të vërtetë, gjeta në këtë përmbledhje vetëm një poezi me titullin, që të bënte përshtypjen e titullit të një poezie patriotike, Çast profetik i vendit tim, por ajo nuk ishte poezi patriotike në kuptimin që ky togfjalësh ka në poezinë tonë të djeshme e të sotme.  Megjithatë, e gjithë përmbledhja Maja malesh e magmë jonike mund të quhet përmbledhje atdhetare, por atdhetare në një kuptim më thelbësor, më të figurshëm, më simbolik, më të përgjithshëm, më të gjithëkohshëm.

Nuk them se kjo do të jetë prirje mbizotëruese në poezinë e ardhshme shqipe, por them se edhe me këtë prirje, edhe me këtë drejtim do të shkruhet poezia shqipe në të ardhmen.

Të gjitha këto mendime më nxiti t’i them kjo përmbledhje, e cila nuk mund të quhet përmbledhje në kuptimin që të shpeshtën e herëve vazhdojnë të kenë përmbledhjet e vjershave në poezinë tonë. Maja malesh e magmë jonike nuk është përmbledhje, në të cilën janë përmbledhur poezi të ndryshme, që përfaqësojnë koncepte të ndryshme; jo, ajo në të vërtetë është më pak përmbledhje poezish a më shumë tërësi konceptuale dhe programore poezish.

Nuk them se kjo do të jetë prirje mbizotëruese në poezinë e ardhshme shqipe, por them se edhe me këtë prirje, edhe me këtë drejtim, do të shkruhet poezia e ardhshme shqipe.

Të gjitha këto mendime më nxiti t’i them kjo përmbledhje e Irena Gjonit, edhe për një arsye: edhe për arsye se në të mbizotëron një ligjërim origjinal, një figurshmëri e re, një ndjeshmëri e re, e shtrirë në trekëndëshin miti – natyra – përditësia.

Nuk them se kjo do të jetë prirje mbizotëruese në poezinë e ardhshme shqipe, por them se edhe me këtë prirje, edhe me këtë drejtim do të shkruhet poezia e ardhshme shqipe.

Poeteshës Irena Gjoni, për të gjitha këto arsye, i uroj ta hulumtojë më tutje e ta çojë më tej prirjen e poezisë së saj të treguar në librin Maja malesh e magmë jonike.

 

SKEDA E LIBRIT

Titulli: MAJA MALESH E MAGMË JONIKE

Autori

IRENA GJONI

Recensues

Akademik REXHEP QOSJA

Redaktor

LAZËR STANI

Korrektor letrar

MINELLA GJONI

Art desinger & Kopertina

TELNIS SKUQI

Shtëpia Botuese

“SKANDERBEG BOOKS”

Vendi i botimit: TIRANË

Viti i botimit: DHJETOR 2011

ISBN: 978-99943-51-81-7

 

LIBRAT E BOTUAR TË IRENA GJONIT

“Tatuazh në shpirt të detit” poezi 2003

“Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të  Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare”  studimor  2008

“Gjysma dashurish” vëllim me fiksione  2010

“Maja malesh e magmë jonike”  poezi 2011



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora