E marte, 19.03.2024, 10:21 AM (GMT)

Kulturë

Fitim Çaushi: Bukuria e një ligjërimi artistik

E enjte, 23.02.2012, 07:31 PM


Bukuria  e një ligjërimi artistik.

 

Nga Fitim Çaushi

 

Në esenë "Autobiografia e popullit në vargje" Ismail Kadare i bën këtë koment këngës së Hankos:

"Megjithëse për përshkrimin trupor të bukurisë femërore poeti anonim ka të gjitha mjetet, ai rrallë përdor laboratorin e vet, duke parapëlqyer rrugën e tërthortë. Përshkrimi i bukurisë së Helenës së Trojës është quajtur një nga gjetjet gjeniale të Homerit... Ja tani bukuria e një vajze me emrin Hanko:

 

Hanko mos shko nëpër varre

Se të vdekurit i ngjalle

Të gjallët i vdiqe fare

 

Është po ajo gjetje e Homerit veçse ajo shkon më larg. Nuk janë pleqtë e lajthitur nga jeta që mahniten prej gruas, por shumë më tej, janë ata që kanë pushuar së jetuari fare".[1]

Duke e lexuar me kujdes këtë koment  mendojmë se, mund të mos jetë ky kuptimi i vërtetë i këngës për Hankon, e cila në gjenezën e saj duhet të ketë qenë një ligjërim i lindur para katër shekujsh, sikundër e thekson vetë kënga:

 

Ç'kërkon ti në Kamenicë,

Hanko korb’ e Hanko qyqe,

Hanko pelivaneja? [2]

 

Së pari, shprehim mendimin se emri Hanko në këtë këngë nuk është emër personi, por titull i hierarkisë shoqërore, me të cilin emërtoheshin vajzat dhe gratë e shtresave të pasura:

 

Hankua në sarajet-o

Them t’i vete Hankos-o

T’i kërkojë ballët-o

-Tyt mor qen mor lozonjar

-Ballët e mija kullon ar![3]

 

 

 

Portretizime të tilla janë me shumicë në krijimtarinë  popullore të kësaj treve.:

 

Sheg’ e kuqe bojë gjaku,

Dukesh që je bij oxhaku[4]

 

Elementi më i dukshëm i këtyre Hankove është veshja. Në çastin e përgatitjes së nuses, një këngëtare i kujton asaj porosinë të vërë kësulën me fije ari:

Ke kësulën me takje,

Vure, moj nuse lule,

Vure, se të ka hije

Të njihesh e kuja je[5]

 

Pra, kësula ishte një mjet tregues i gjendjes shoqërore, i përkatësisë së fisit të asaj që e mbante. Një rast të kundërt kënga e prezanton me emocione shumë prekëse :

-Moj nuse, pse s’luan valle?

-Ç’më duhetë valleja,

Mua kësulskameja.![6]

 

Vlera e kësaj ‘kësule’ është prezantuar në kushedi sa botime letrare. Arkeologu anglez Doduell, shkruan për një kësulë të tillë edhe tek arbëreshët e Greqisë: “Veshja e grave ishte shumë e bukur… me një brez të gjerë në mes, plot stoli të bronzta ose argjendi, me dy tokëza të mëdha në mesin e përparmë...vajzat hidhnin në kokë një kësulë të mbuluar me monedha sipas gjendjes ekonomike të familjes”[7]

Vargu “të njihesh e kuja je”,  ka domethënie zakonore, të bënte të njohur nga cila shtresë shoqërore vjen.  Kështu e kërkon edhe kënga kardhiqote këtë ‘njohje’ të  nuses, por në tjetër sens: përmes, tipareve dhe cilësive të saj:

Sa lezet ke në qoshé,

Faqebardhë dalç më ne.

Të dëftoç e kuja je

Për babë e nënë që ke[8]

 

Kjo ishte e barasvlershme edhe për Rinën:

 

O Rino, lastar i ftoit,

Duket që je vajzë soi[9]t

 

Dhe vajzat e “fisit” shkonin në familje “fisi”:

 

o nuse qelqi me ris

do të vish ku e ke fis[10]

 

Por ka ndodhur edhe e kundërta:

 

unë të quaj bijë fisi

ti qënke kopaçe lisi

unë të quaj bijë soji

ti qenke baltë përroi[11]

 

Ka në këngën e Hankos një antitezë të fuqishme që sipas nesh regjistron dy kohë të ndryshme, "pelivane" dhe  "korba-qyqe",  pjesë e bestytnive shumë të vjetra, të cilat  kanë shoqëruar tërë popullin tonë. Populli ynë ka shprehje të tilla : “Ka mbetur qyqe”,  ”Ç’e gjeti qyqen!”, “Të këndoftë qyqja!”! Edhe studiuesja angleze Edit Durham, në librin “Brenga e Ballkanit” ka regjistruar një këngë vaji nga veriu i Shqipërisë, ku përmend qyqen:

 

 

Me dhe të zi të martoi.

Nëna, motra të vajtojnë

Dhe këndojnë këngën e qyqes[12]

 

Edhe Hankua, prandaj krahasohet me qyqen, sepse e tillë ka mbetur. Ajo endet e vetme nëpër gërmadhat e Kamenicës, pasi në këtë fshat ka vetëm varre, ku prehen të vdekurit, paraardhësit e Hankos. Kamenica  është konsideruar qytet gjatë Mesjetës së vonë  dhe qendra   më e zhvilluar. Ajo ka qenë pika strategjike që kontrollonte rrugën Bregdet – Delvinë – Janinë, nëpërmjet qafës së Lavanit, dhe Kardhiq - Delvinë - Janinë, nëpërmjet  Qafës së Skërficës. Në regjistrimin osman të vitit 1431 del se Kamenica ka pasur 267 banesa, me 208 familje. Arkitektura e banesave tip kulle trekatëshe tregon për diferencim shoqëror. Aty janë gjetur shtatë kisha të shek XIII-XIV, të cilat janë ndërtuar brenda në lagjen e banuar, veçori kjo vetëm për Kamenicën, e cila në atë kohë i jepte Perandorisë 19.740 akçe në vit, çka tregon për një potencial ekonomik dhe zhvillim shoqëror për kohën. Është shumë domethënës fakti përse udhëtari turk Evlija Çelebiu, kur ka kaluar në këto anë, në vitin 1672, nuk e përmend Kamenicën, ndërkohë që përmend lagjet pranë saj. Në atë vit Kamenica nuk ka ekzistuar më. Në vend të saj kishte vetëm rrënoja, të cilat kanë të njëjtën shkallë dëmtimi, prandaj studiuesit e monumenteve të kulturës kanë arritur në konkluzionin se aty ka ndodhur një braktisje kolektive e fshatit prej fillimit të shek. XVII.

Më parë Hankua vinte në Kamenicë tërë ngazëllim, kurse tani ajo përballet me një Kamenicë të shkretuar, çka i shkakton vetëm trishtim, pasi s'kishte kë të takonte më,  s'kishte kush ta priste më si më parë, përveç të vdekurve të braktisur,  të vetmit që kishin mbetur në atë fshat. Në një këngë elegjiake të Senicës thuhet :

 

O moj e mira  Senicë

Bujare nën Skërficë

Ne s’të lëmë Kamenicë

 

Ky apostrofizëm, me një përmbajtje krahasuese, vërteton për përjetime tronditëse të banorëve të krahinës për fatin e Kamenicës. e cila në të katër shekujt pasues është  përdorur si simbol i shkretisë dhe braktisjes, që e la fillikat edhe Hankon. Duhet thënë se, kjo Hanko, martuar diku në ndonjë krahinë përreth vinte herë pas here me kalë me shalë dhe endej si qyqe për të vajtuar këtë pamje të zymtë dhe të pajetë të Kamenicës.   Ligjërimet e saj duhet të kënë qenë mjeshtërore dhe artistike, qoftë në aspekin poetik, por edhe në atë interpretativ.  Ato duhet të kenë qenë sa sfilitëse, aq edhe tronditëse, jo vetëm për të gjallët, por edhe për të vdekurit e lënë vetëm, të cilët papritur “mësonin” prej ligjërimeve të Hankos se ishin braktisur, ishin lënë nën dhunimin e të huajve, pikërisht ata, të cilët ishin sakrifikuar për mbrojtjen dhe lulëzimin e këtyre trojeve.

Kemi dëgjuar shpesh, nëpër ceremoniale vajtimi, vlerësime  për gra që qanin me ligje: "me këtë të qarë, ajo na vdiq fare". "Pushojeni atë, se vdiqtim", - thonë edhe sot në fshatrat rreth Kamenicës gjatë ceremonialeve të vajtimit, për gra dhe të moshuara, që krijojnë emocione dhembjeje përmes ligjërimit. Këtë mision dhe  efekt emocional përcjell  edhe ligjërimi i vajtojcës Qirane Gjoni – Mertiko, Lukovë - Sarandë, lindur më 1825 dhe vdekur më 1921:

 

Ndihmëni, zoti ju ndiftë,

Se ju kam këput e çitë,

Do të qaj vëllezëritë..[13].

 

Në krijimtarinë e saj poetike ajo ka qenë e ndërgjegjësuar se vajtime të tilla me ligje, të këputin, të dërrmojnë shpirtërisht, të drithërojnë, të çitin (të grisin) shpirtin, të “vdesin fare”, para tyre nuk mund të rezistosh dot pa u përlotur,  prandaj ajo u kërkon ndihmë të pranishmëve që ta durojnë pak, sa për të derdhur dufin që i ka plasur shpirtin, se i janë vrarë 5 vëllezër. I tillë ishte arti i saj dhe i të tëra nënave e grave të Labërisë, që qanin me ligje.

Kështu, mund të themi se vargu “të gjallët i vdiqe fare”, te kënga për Hankon, duhet të ketë forcën dhe kuptimin figurativ që ka edhe vargu “ju kam këput - ju kam çitë”, “ju kam vdekur”, gati të njëjtë për nga ngarkesa emocionale, semantika  dhe përvetësimi estetik i një realiteti të përngjashëm.

Nga analiza e këngës arrijmë në mendimin  se shoqëruesja, që ndoshta mund të ketë qenë e afërmja e burrit të Hankos, në një situatë tepër të rëndë, kur Hankua në varreza duhet të ketë arritur një pikë kulmore të ligjërimit e të interpretimit të saj artistik, e kupton që s’mund t’ia ndërpriste vajin dhe as t’i lutej asaj të pushonte, sikundër mund t’i jetë lutur edhe më parë, e t’i thoshte: “Të lutem, zonja Hanko, mos eja më në varret e Kamenicës, se shkatërrove veten,  më shkatërrove edhe mua me këto ligjërime therëse, që janë më ngjethëse se të miat, prandaj ngreu të ikim”. Në këto rrethana shoqëruesja me mençuri ka  vazhduar ligjërimin së bashku me Hankon, duke parashtruar pyetjen befasusese:

Ç’kërkon ti në Kamenicë

Hanko korbë e Hanko qyqe?

 

dhe  ka vazhduar me konstatimin :

 

Sos u poqen rrushtë a fiqtë!

Hanko korb e Hanko qyqe...

 

Pra nuk jemi në stinën e begatë, për të ardhur në të parë! Pas këtij kontrsati tronditës ajo e udhëzon duke nxjerrë nga thellësitë e shpirtit brilantin poetik, i cili sintetizon vlerat interpretative të Hankos, vlera që ringrihen deri tek e madhërishmja :

 

Hanko mos shko nëpër varre

Me fustanet bran e brane,

Se të vdekurit i ngjalle,

Të gjallët i vdiqe fare.[14]

 

Në vargun e katërt, ligjërimi merr një peshë edhe më të madhe, sepse aty shprehet ajo gjendje ku shoqëruesja, i vetmi njeri i gjallë që i dëgjonte ligjërimet e Hankos nëpër varre, e ndien veten mjaft të ligshtuar, aq sa, në një moment të caktuar edhe ajo nuk mundi t’i duronte më, pasi ” e vdiqën fare” prandaj, mund të themi fare mirë se dy vargjet e fundit fillimisht duhet të jenë thënë në prozë nga goja e popullit, shumë më përpara se të futeshin në këngë. Për ta përforcuar idenë e ekzistencës së kësaj bukurie interpretative gjatë vajtimeve, po sjellim për ilustrim vlerësimin e arkeologut anglez Hamond, në Qeparo të Himarës, në vitin 1930:

“Kur biseda u shua me rënien e muzgut, nga fshati dëgjova  të vinin zërat e lartë të një kënge dhe kuje, “Sa këngë e mrekullueshme“ – thashë - “më të bukur kurrë s’kam dëgjuar“ …op ,op,op,op,op, dilte prej tridhjetë grykave të burrave të mbledhur solemisht në rreth... ndërkohë unë shtova në shenjë simpatie “Ata po vajtojnë vdekjen e një të riu…”.[15]

Këtë kujë arkeologu e quan “këngë”, nisur vetëm nga melodia, Ai është emocionuar kryesisht prej interpretimit muzikor, ndaj edhe shprehet se “këngë më të bukur s’kam dëgjuar”.

Janë pikërisht bukuria melodike, poetika letrare dhe interpretimi artistik që e ka bërë elegjinë për Hankon  (falë sinkretizmit artistik) sa origjinale aq edhe mjeshtërore, me një jetëgjatësi katër shekullore. Kemi të bjëmë me një krijim me karakter bifunksional – elegji dhe këngë. Themi kështu, pasi nga kërkimet dhe krahasimet që kemi bërë, në krijimtarinë gojore të popullit tonë në zonën e jugut, ka edhe shumë këngë të përafërta e të ngjashme për nga ndërtimi poetik dhe tingëllimi emocional me këngën për Hankon. Ndër to, po sjellim vargjet e një kënge tepër  të dëgjuar:

 

Se nesër do vemi krushqë,

Ti në kal’ e un’ në mushkë.

Pa do shkojmë nëpër varre,

Do na hapen plagët fare.[16]

 

I  njëjti udhëtim, sikundër edhe te elegjia e Hankos,  dy personazhe, që   udhëtojnë nëpër varre, e që “Do tu hapen plagët fare”! Mund të themi se ky varg është identik me vargun e këngës për Hankon “të gjallët i vdiqe fare”, por  nëpër shekuj, ligjërueset e mëvonëshme e kanë ndryshuar sipas shijeve estetike të tyre, gjë që është mjaft e justifikueshme dhe e pranishme në zhvillimin dhe evoluimin e krijimtarisë orale.

Në kushtet e reja, të një Kamenice të shkretuar, të kthyer në gërmadhë, nuk mund të ngjalleshin frymëzime poetike  për t'i ngritur himne bukurisë trupore të Hankos, por bëhet fjalë për një Hanko, që ligjëron me ligje nëpër Kamenicë. Për të ardhur në këtë përfundim na ndihmon edhe analiza e melodisë dhe interpretimi i  këngës, e cila vazhdon  edhe në ditët tona të ketë interpretues mjeshtëror të saj. Me vibrimet e theksuara zanore, me paraqitjen e vijës melodike plot kadencime elegjiake,  këngëtari popullor përcjell  bukur trasformimin e ligjërimeve të krijuara gjatë ceremonialit mortor. Parë në këtë aspekt, mendojmë se kënga e Hanko Pelivanes nuk është këngë për bukuritë trupore të femrës, por një  ligjërim, që i kushtohet bukurisë së interpretimit artistik të elegjive nga ligjërueset shqiptare, që me mjeshtrinë e të kënduarit dhe me fuqinë e improvizimit poetik “ngjallin të vdekurit” dhe “vdesin të gjallët”.

Fillimisht ky  ligjërim është përsëritur në ceremonialet e përkujtimit të Hankos, më vonë, sipas zakonit të lashtë, ku këngët për të vdekurit këndoheshin edhe pas 100 vjetësh, është ligjëruar edhe nëpër ceremoniale të tjera mortore. Gjatë kësaj periudhe disa qindravjeçare, kur historia e Hankos kishte filluar të harrohej, sepse kishin ndodhur mënxyra të tjera po aq të mëdha, siç ishte ajo e Kardhqit e Sulit etj, ligjërimi, tani i kthyer në elegji, është përcjellë për katër shekuj përmes trasmetimit gojor edhe nga burrat.  Gjatë shekujve forca e dhimbjes,  ka filluar gradualisht të zbutej dhe kënga duhet të ketë fituar një ndjesi lirike duke marrë trajtën e këngës për bukuritë trupore të Hankos, dhe shumë më vonë ajo me ndrojtjen e mysafires së re që s’di si do ta presin, ka hyrë në dasmën e parë. Po të kujtojmë se në dasmat shqiptare qanin nuset kur i mernin krushqit, qanin edhe të afërmit e shtëpisë, jo me ligje sikundër në një ceremonial mortor, por  gjithsesi kishte këngë  me të qarë, është e mundshme që të ketë ndodhur kështu.

 

Në mes të këtij universi këngësh, që këndoheshin në dasmë,   ndonjë këngëtare shumë e talentuar, me një vokal brilant, e njohur për interpretime mjeshtërore që e ka njohur këngën e Hankos, duke parë këtë nuse të përlotur  nëpër ato këngë  rëzëllitëse, e ndoshta edhe me emrin Hanko, ja ka zbutur tonet elegjiake Hankos së parë dhe i ka kënduar Hankos së re, pasi poetika letrare brënda strukturës së këngës është tepër e përshtatshme për të dyja polet, vdekjen dhe jetën. Veçanërisht interpretimi duhet të ketë qenë shumë i bukur, madje vendimtar për transmetimin e mëtejshëm të këngës deri tek ne. Kemi mendimin se kënga e Hankos duhet të jetë pritur mirë dhe  ashtu natyrshëm ajo ka zënë vëndin e saj të merituar në mes të gjithë atyre xhehvaireve  artistike që kanë kënduar gratë në ngjarjen më kryesore të jetës së fshatit dasmën. Elegjia e Hankos i shërbeu ceremonialeve mortore boll, këtej e tutje do t’i shërbente polit të kundërt, dasmës-jetës. Hankua  e parë  u harrua, befas para dasmorëve këndohet për një Hanko me bukuri rrëzëllitëse, por me  lëndën poetike të Hankos së parë:

 

Hanko mos shko nëpër varre

Se të vdekurit i ngjalle

Të gjallët i vdiqe fare

Mesholl e vathë manxhare

Se s’më del na mëntë kurrë

Qafëgjat leshëra drudhë

Kur del te porta në udhë

Vete në çezm e mbushë ujë

Pse s’na flet o mori ftujë [17]

 

Kadare në këtë kontekst ka të drejtë, kënga, e transformuar nga bartësit nëpër shekuj, i këndon tani bukurisë mahnitëse të kësaj vajze, me ndryshimin se kuptimi fillestar i saj është elegjiak, ndërsa tani lirik. Të tilla krijime folklorike janë frymëzuar nga ideali estetik i së bukurës.

 

Sarandë 20.02.20112



[1] I.Kadare-Autobiografia e popullit në vargje, f. 101

[2] Këngë pop. Kardhiq, f.192

[3] Këngë popu. të Labërisë, f.271

[4] Këngë lunxhote, Argjiro 2006, f. 227

[5] Mbledhur nga Leno Xharahu , Nokovë 1987

[6] Po aty 145

[7] Doduell-Vizitorë të huaj në Greqi, f.159

[8] Këngë popu. Kardhiq, f.365

[9] Këngë lunxhote, f. 294

[10] Po aty f. 369

[11].Këngë pop. të Labërisë, f.491

[12] E.Dyrham –Brenga e Ballkanit- f.503

[13] Marë nga Sotir Jani, Shënvasi, v. 2005

[14] Kangë popu. Kardhiq  f.316

[15] Hamond-Epiri  f.89

[16] Marrë nga Kico Kapetani, Nivic Bubar v. 2006

[17] Këngë pop. Kardhiq, f.482



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora