E premte, 19.04.2024, 03:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Një vepër me vlera kapitale etnokulturore

E enjte, 23.02.2012, 08:58 PM


NJË VEPËR ME  VLERA KAPITALE ETNOKULTURORE

 

Nexhat Çoçaj “Hasi enciklopedi etnokulturore, vëllimi V”, botoi Shtëpia Botuese “Pavarësia”, Durrës 2012

 

Nga Dr. Besim Muhadri

 

Nexhat Çoçaj, padyshim se është njëri nga emrat që nuk mund të kalojnë në heshtje dhe pa u vërejtur nga qarqet shqiptare të etnokulturës. Që i ri ai dhe me shumë pasion zgjodhi rrugën e vjeljes së thesarit të etnosit tonë. Dhe nuk kishte nevojë të shkonte shumë larg dhe të gjurmonte, për të shkruar dhe për të përjetësuar evenimente të papara të kulturës sonë kombëtare, ngase shumicën prej tyre i kishte, siç i thonë një fjale “mu te pragu i derës”. I lindur dhe i rritur në krahinën e Hasit, krahinë kjo ndër më të pasurat në aspektin e kulturës shpirtërore, përkatësisht të etnokulturës, studuesi i zellshëm Nexhat Çoçaj, këto evinimente i gjeti në amën e pashterrshme të këtij mjedisi etno-kulturor, apo siç e quan ai, në këtë “enciklopedi etnoklutuorore”, siç është me të vërtetë krahina e Hasit.

Duke gjurmuar me vite të tëra, tamam si ajo bleta e palodhshme punëtore, studiuesi Çoçaj arriti që brenda kësaj periudhe të gjatë të gjitha këto evinimente të papërsëristhme, t’i grumullojë dhe t’i sitstemojë në gjashtë vëllime, secili më  voluminoz se tjetri, që pas kaq shumë pritjesh, filluan të shohin dritën e botimit.

Në këtë parashtesë të shkurtër për këtë vëllim, më duhet të them se vepra e autorit Nexhat Çoçaj “Hasi enciklopedi etnokulturore” është projekti i parë serioz në gjithë hapësirën shqiptare, dedikuar një krahine të caktuar shqiptare. Është hera e parë dhe unike e një ndërmarrje të tillë, kaq e rëndësishme dhe kaq e guximshme, që bëhet nga një studiues. Është hera të parë dhe në këtë formë që po botohet një enciklopedi në fushën e etnoklulturës në gjashtë vëllime. Kjo do të thotë se studiuesi në fjalë, me një pasion të veçantë, ka mbledhur burime gojore nga e gjithë krahina e Hasit, të cilat me saktësi e besnikëri, ashtu siç i ka pasur të njohura, por edhe siç i ka dëgjuar nga rrëfimet e “dëshmitarëve”, të cilat janë përcjellur dhe janë ruajtur, pothuajse në mënyrë origjinale brez pas brezi edhe i sistemon dhe i boton në ketë projekt te vetin. Kjo në fakt paraqet edhe autoktoninë e kësaj krahine, qoftë në kultivimin, por edhe në ruajtjen e dokeve dhe të zakoneve të moçme shqiptare, që janë mjaft karakteristike jo vetëm për ata që i kultivuan dhe i kultivojnë, por edhe për studiuesit dhe gjurmuesit e tjerë, qoftë shiptarë, qoftë edhe të huaj, të etnosit kulturor të një vendi dhe të një populli.

Këto evenimente të rëndësishme të etnosit tonë, Çoçaj, jo vetëm që i ka dëgjuar të rrëfyera nga “dëshmitarë” apo nga ata që i kultivojnë, por edhe i ka “prekur” dhe i ka përjetuar vetë. Duke qenë i lindur dhe i rritur në këtë mjedis, ai, në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferent ndaj atyre që ka parë, sepse syri dhe mendja e tij gjithmonë kanë qenë të fokusuara në përjetësimin e tyre në libra, për të realizuar kështu një ëndërr të kahmotshme të veten, por edhe të ndonjë studiuesi, i cili, apo të cilët, për shkak të rrethanave të ndryshme kohore dhe historike e jetësore, nuk arritën të realizojnë një projekt të tillë. Pra, në masë të madhe shumë nga këto dukuri, shumë nga këto që i fokuson në libër autori i ka përcjellë nga afër, duke qenë përherë në mesin e popullit, përkatësisht pranë “aktorit” të këtyre që thuhen dhe që janë të evientuara në libër. Së këndejmi, mund të themi se një punë kaq voluminoze dhe kaq  serioze, në të njëjtën kohë, nuk mund të bëhet pa qenë aktiv dhe pa qenë pranë bartësve dhe zbatuesve besnikë të  traditatve popullore. Prandaj, e them më mjaft kompetencë se studiuesi Nexhat Çoçaj, për pjesën më të madhe të këtyre shënimeve ka qenë dhe është dëshmitar okular dhe gjërat i ka shikuar dhe pranuar vetëm në këtë formë, gjë që ia rrit më shumë vlerën këtyre materialeve, të sistemuara me kujdes dhe saktësi në këtë libër.

Duke e njohur nga afër punën e autorit, si atë gjatë mbledhjes së materialit në terren, ashtu edhe gjatë përgatitjes së librave, mendoj se ai ka bërë një punë të mrekullueshme, në radhë të parë duke ruajtur gjuhën e folur të rrëfimtarëve, pa i cunguar në asnjë rast ngjyrimet emocionale të botës së atyre të cilët me xhelozi i kanë ruajtur traditat, por edhe me xhelozi i kanë treguar, me shpresë se do ta shohin një ditë dritën e botimit.

Vëllimi i pestë, që në këtë rast po i shfaqet lexuesit, por edhe studiuesve të interesuar, jo vetëm për krahinën e Hasit, përfshirë këtu historianët, gjuhëtarët, gjeografët, etnografët, është i sitemuar në pesë kapituj, që në mënyrë simbolike nënkupton dhe paraqesin grushtin e fortë të malësorëve hasjanë, për faktin se në të gjithë kapitujt e këtij vëllimi nuk mungon asnjë pjesë e Hasit të ndarë padrejtësisht në dy shtete. Në këtë vëllim autori, në kuptimin e plotë të fjalës, Hasin e lidh emocionalisht si një grusht të fuqishëm, që i ka qëndruar kohës me të gjitha të mirat dhe të ligat që e kanë përcjellur.

Në kapitullin e parë, që autori e ka titulluar Mjekësia popullore në Has, sjell përvojën shekullore të malësoreve në shërimin e sëmundjeve të shumta, me të cilat ata kanë luftuar dhe që në mungesë të mjekëve, ata kanë përdorur ilaçet popullore të bëra vet e të cilat janë edhe një përvojë e mirë dhe mjaft të rëndësishme edhe për mjekësinë bashkëkohore. Paraqitja ose prezantimi i kësaj përvoje, nuk është i rëndësishëm vetëm për mënyrën e prodhimit dhe të përdorimit në shërmin apo përpkjekjen për të shëruar sëmundje të ndryshme të kohës, por edhe për vet mençurinë e popullir për t’u gjetur në situata dhe kohë të ndryshme, mjaft të vështira. Rrëfimet për mënyrën e shërimit tradicional që autori i sjell në këtë vëllim janë mjaftë specifike. Ato janë shumë origjinale dhe janë të njohura dhe janë përdorur në mënyrë të njejtë pothuajse në të gjitha fshatrat e Hasit, qoftë të atyre që i takojnë territorit politik të Kosovës, qoftë të Shqipërisë. Qoftë të banorëve të konfesionit musliman, qoftë të atyre katolikë. Dhe kjo për studiuesin paraqet një kompaktësi shumë të rëndësishme të banorëve të kësaj krahine, që tregon se Hasi si një territor i ndarë në dy shtete dhe në dy konfesione, është mjaft kompakt në fushën e përdorimit dhe të kultivimit të traditave popullopre. Kjo paraqet një aspekt të rëndësishem kulturor, gjeografik dhe historik. Duke lexuar materialet e prezantuara në këtë kapitull shohim se autori para lexuesit sjell edhe njohuri për disa bimë mjekuese të përdorura nga hasjanët për shërimin e shumë sëmundjeve. Mirëpo ajo që është shumë më rëndësi, siç e pohon edhe autori disa nga këto mënyra të shërimit edhe në kohë të sotme janë të përdorshme dhe gjejnë zbatimin e tyre. E rëndësishme dhe e veçantë  është edhe ilustrimi nga ana e autorit në mënyrë praktike i mënyrës së mjekimit, qoftë përmes rrëfimit, qoftë edhe përmes syrit të fotoaparatit dhe të kamerës. Kjo tregon për përkushtimin e autorit, që punën e tij në këtë fushë e bën më të çueshme dhe më të admirueshme, qoftë nga lexuesi, qoftë nga studiuesit e kësaj fushe.

Duhet veçuar me këtë rast edhe atë se autori arrin që me saktësi të sigurojë dhe t’i prezantojë edhe emrat e mjekëve popullorë hasjanë të cilat në periudha të ndryshme janë marrë me shërimin e shumë sëmundjeve. Ai sjell edhe fakte historike, sepse historia tregon se ata që e bënë historinë, që luftuan me pushkë në dorë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, shpesh u përballën me shumë sëmundje, me shumë plagë andaj, në mungesë të mjekëve të shkolluar nëpër universitete dhe akademi, ata u detyruan që të përdornin mjekësinë popullore, ndërsa në ndonjë rast ishin edhe vet mjekë popullorë. Në këtë rast duhet përmendur legjendën hasjane të tetëmbëdhjetë plagëve luftëtarin e lirisë Bajram Sylë Kurpali, i cili përveç shërimit të plagëve të veta, u mundua t’i shëronte edhe plagët e bashkëluftëtarëve të tij, si të Hasan Prishtinës etj.

Materialet e paraqitura në kapitullin e dytë, që autori e ka titulluar Ushqimet tradicionale të Hasit janë një paraqitje tërësore që lidhen me traditën e zejes së bukëpjekësit. Janë me mjaft interes të dhënat që autori i sjell për mënyrën e zënies së brumit, përkatësisht të farës së bukës, por edhe ushqimeve tradicionale në Has.

Vendet e kultit, festat dhe bestytnitë në Has është kaptulli i tretë i këtij vëllimi. Shkrimet dhe të dhënat që sjell autori në këtë pjesë janë me interes për të gjithë lexuesit, ngase për herë të parë, në mënyrë përmbledhëse autori na i paraqet të gjitha vendet e kultit në territorin e Hasit, qofshin ato të besimit të krishterë, apo të atij mysliman, si të kishave, tyrbeve dhe xhamive. Kjo tregon edhe për ekzistimin e vazhdueshëm të dy konfesioneve fetare në këtë krahinë, që është edhe një paqyrë e realitetit gjithshqiptar. Në këtë pjesë, autori, përveç dëshmive mbi ekzistimin e këtyre vendeve të kultit, ai tregon edhe për kohën e themelimit të tyre dhe rolin dhe rëndësinë e tyre historike. Po në këtë kapitull flitet edhe për figurat mitologjike, me ç’rast autori para nesh sjell disa nga legjendat e ruajtura dhe të bartura brez pas brezi nga populli hasjan. Me interes dhe shumë interesante janë disa të dhëna për ekzistimin e besimeve dhe bestytnive, siç janë ta zëmë besimi në dru, në gurë, në kafshë e që rrallë se hasen në studimet e deritanishme.

Në kapitullin e katërt, ku autori sjell njësitë matëse dhe lojërat popullore, gjithashtu është një kapitull me mjaftë interes për ata që duan ta njohin botën emocionale të Hasit. Përmes materialeve të paraqitura në këtë kapitull, që autori e ka titulluar Njesitë matëse dhe lojërat popullore, në mënyrë të logjikshme e kuptojmë se banorët e krahinës së Hasit edhe pse kanë jetuar të izoluar, ata mënyrën e jetesës e kanë orientuar përmes masave të veçanta të matjes së gjatësisë, gjerësisë dhe të fenomeneve tjera. “Me anë të këtyre masave janë matur e peshuar prodhimet bujqësore, blegtorale dhe prodhimet e zanatlinjve hasjanë brenda ekonomisë familjare. Por, përmes masave popullore është përcaktuar edhe orientimi në kohë e hapësirë, pra me një fjalë është mbajtur nën kontroll e gjithë veprimtaria jetësore e banorëve”, thotë Nexhat Çoçaj, i cili më pas flet për njësitë matëse të gjatësisë, njësitë matëse të peshës dhe sasisë dhë për njësitë matëse orientuese dhe të fenomeneve natyrore. Në njësitë matëse të gjatësisë në punim shohim se ishin gishti, grushti, shuplaka, puçiku, pëllëmba, këmba, kuti, hapi, pashi etj. Paraqitja e këtyre njësive matëse të kohës, që ishin prezente edhe në vende të tjera e jo vetëm në Has, është mjaftë karakteristike, ngase në këtë krahinë ato karakterizohoeshin edhe me elemente të tjera që i bënin më të veçanta e ndoshta edhe më karakteristike. Këto janë me interes për lexuesit e rinj dhe për brezat që do të vinë, por edhe për studiuesit që merren dhe do të merren me këtë problematikë. Po ashtu e mjaftë me interes është edhe paraqitja e lojërave popullore, përmes të cilave vihet në spikamë shkathtësia dhe gjeturia e popullit të kësaj krahine. Sa i përket gjetjes së përdorimit në kohën e sotme, siç e thamë më lartë është mjaft e kufizuar, por në përgjithësi tek banorët e moshuar të Hasit, nuk janë të pakta njohuritë për këto masa popullore, ku më shumë e ku më pak.

Edhe në kapitullin e pestë Krijimtaria gojore autori na sjell një lëndë të panjohur, përkatësisht të palëruar deri më tash. Në këtë aspekt do të veçoja betimet, sharjet që përdoren nga banorët e Hasit e që gjithsesi autori i ka shënuar me një saktësi dhe përkushtim. Në këtë kapitull mungojnë fjalët e urta, jo pse autori nuk i ka mbledhur, por pse deri më tash shumë autorë janë marrë me fjalë të urta dhe kanë publikuar nga kjo sferë disa fjalë të tilla, të cilat kanë gjetur përdorim edhe në krahinën e Hasit. Meqë ato janë prezantuar edhe nga të tjerët dhe si të tilla janë mjaft të ngjashme, siç duket autori nuk e ka parë të arsyeshme që t’i prezantojë këtu, duke pasur parasysh faktin se ato edhe mund të përsëriteshin dhe si të tilla edhe mund të mos ishin atraktive për lexuesin. Mirëpo me shumë interes në këtë rast janë anekdotat, të cilat autori i ka përzgjedhur nga ato më të bukurat, duke na paralajmëruar se pas përfundimit të këtij cikli prej gjashtë vëllimesh do ta botojë edhe vëllimin e shtatë me anekdota origjinale nga krahina e Hasit, për çka edhe ka filluar të mbledhë me kujdes edhe këtë lëndë të bollshme.

Ndonëse për këtë vëllim dhe materialet e prezantuara këtu mund të flitet shumë më gjatë, unë mendoj se do ishte e rëndësishme që fjalën e vet ta thotë lexuesi, por edhe studiuesit që do të merren me këtë lëmi, por në të ardhmen edhe me studimin e veprës kapitale të Nexhat Çoçës, që ashtu sikurse që materialet e përfshira këtu, paraqesin një visar të paçmuar për kulturën dhe traditën tonë në përgjithësi, prandaj të asaj hasjane në veçanti. Nexhat Çoçaj, me anë të këtij projekti voluminoz, po realizon një ëndërr dhe jo vetëm një ëndërr, por edhe një dëshirë dhe një detyrë që i kishte dhënë vetit qëkur ishte fëmijë dhe qëkur atij kishte filluar t’i interesonte studimi i etnokulturës së popullit të tij. Puna e bërë në këtë projket e Nexhat Çoçës është e parasvlershme me punën e një ekipi të tërë espertësh të kësaj lëmie, por edhe të një akademie. Nëse ne sot që jemi bashkëkohës dhe bashkëpunëtorë të Nexhatit nuk do të dimë, apo nuk do të duam të vlerësojmë  punën e palodhshme të tij ( të prirë nga arsye të ndryshme), do të jenë brezat e ardhshmëm ata që do ta vlererësojnë dhe do të mburren me tërë këtë opus gjurmues, hulumtues dhe studiues të këtij punëtori të palodhshëm, që unë do ta quaja edhe vigan të fushës së studimit të etnosit tonë.

Vepra – projekt “Hasi enciklopedi etnokulturore” e Nexhat Çoçës, padyshim që është dhe do të mbetetet një nga veprat kapitale dhe monumentale të etnokulturës, jo vetëm të trevës së Hasit, por  edhe të asaj kombëtare në përgjithësi.

 

Në Has, 28 janar 2012



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora