E marte, 19.03.2024, 10:14 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: ''Çertifikata e shkrimtarit'' merret në Shkodër

E enjte, 23.02.2012, 08:03 PM


“ÇERTIFIKATA E SHKRIMTARIT”

MERRET NË SHKODËR

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Shqiptarët, vërtet nuk kanë ende Shqipëri Etnike, ama si e gjithë bota përparimtare i kanë edhe Don Kishotët e tyre dhe Sanço Pançot shqiptar. Historikisht, kanë pasur dhe kanë kuaj Troje, edhe gomarë me samarë. Patjetër, nga një Don Kishot dhe Sanço Panço duhet të ketë Tirana, Prishtina dhe Shkupi. Burrat e botës, pasi lanë name në politikë anë e mbanë Atdheut në rrëshqitje akrobatike në akull duke e thyer kokën, kohën e fundit e provojnë veten edhe në letërsi, përurimin e librave të tyre teknefesë Rrugës Kombit që ua ndërtoi Sali Berisha nëpër “Shqipëri Etnike”. Thesin me libra në shpinë dhe turr me të katra në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Kumanovë, Preshevë e Shkodër. I harruan vendet e punës, postet politike me të cilat për “flijime artistike” i shpërbleu Partia. Kopeisht, kush më i pari i sulmojnë universitetet shqiptare në plaçkitjen e studentëve si kusarët mes detit të hapur turren pas thesarit. Universiteti i Tiranës dhe i Prishtinës moti ua ka mbyllur dyert. Lëmë për të fshirë egjrën e tyre kanë gjetur në Universitetin e Tetovës.

Guximshëm me ndihmën e “salep-intelektualëve” i nxjerrin librat e tyre teknefesë mbi tavolinë duke i shtitur si dushk për gogla. Në çdo përurim të radhës tymeflakë nxjerrin nga goja, aty për aty e bëjnë me fjalë bombastike Shqipëri Etnike. Mes librave e ngrejnë edhe flamurin kombëtar kuqezi, si dikur Ismail Qemali në Vlorë. Tjetër punë është ajo se, flamurin e tyre këta “dëshmorë të demokracisë” në këtë njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë  e heqin nga krahët si struke, ndërsa harrojnë se atë të Ismail Qemalit plot mundime e qëndisi brenda një nate Marigona. Falë Zotit, që nuk e heqin nga qafa e tyre shallin turko-arab dhe të na e ngrejnë në mes të sallës si flamur bardhezi shqiptar. Mund të ndodh edhe kjo një ditë, “Shqipërinë e tyre Etnike” aq të përfolur në mjetet e informacionit, nëpër debate e tubime festive të na e shpallin edhe me këtë flamur të ri që e bartin kudo përqafe nëpër fushëbeteja luftarake për liri. E harrojnë kalorësit e arratisur, se kanë ardhur në përurimin e librave e jo të bërit “politikë madhore”. Pavetëdije, i ngatërrojnë profesionet: shkrimtarin me politikanin. Ose, anasjelltas në mes të ditës kur dalin në binë, në ballë të popullit: I shajnë të gjallë e të vdekur, që deri më sot nuk kanë bërë asgjë për bashkimin e tokave shqiptare. Fytas rroken edhe me Skënderbeun… Ismail Qemalin... Isë Boletinin... Azem e Shotë Galicën...  Bajram Currin e Kalosh Zajazin… Armët i nxjerrin nga brezi për luftë heroike, liri ose vdekje: “misionin për përhapjen e të vërtetës historike për shqiptarinë e Shkupit.” Shkaku se, shqiptarët deri më sot po të mos dilnin në skenën politike këta “burra mejdani”, nuk do të dinin asgjë për të “vërtetën historike për shqiptarinë e Shkupit”.

Paralajmërojnë: UÇK -ja pasi zbriti nga malet dhe i “dorëzoi armët”, nesër ne “komandantët trima” të vonuar do t’u ngjitemi maleve me pushkën krahut?! Ku ta dish, them unë: ndoshta edhe mund t’i ngjiten malit me “armët” e tyre në krah, po dihet vetëm si turistë. E sidomos në ditën e sotshme kur secili shqiptar është më patriot se shoku. Trim mbi trima. Ose, siç thotë populli: Trimat, gjithmonë dalin pas lufte. Atëherë, kur ndahen postet në Qeveri. Plaçkat e luftës. “Stacion i radhës ishte Shkodra, një ndër qytetet më të njohura shqiptare për nga begatia historike dhe kulturore.

Në një natë të ftohtë dimri përplot me borë, biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër  për dy orë rresht u shndërrua në një vatër të ngrohtë të dashamirëve të librit dhe historisë. Moti i ftohtë nuk pengoi shumë intelektualë të njohur shkodranë të marrin pjesë në promovimin e librave, për të dëgjuar të vërtetën historike të Shkupit të shkruar në një stil të përkryer eseistik nga ana e autorit” (?!...), që sot për sot ia “rrezikon” çmimin Nobel edhe të madhit Ismail Kadare. Edhe atë, merreni me mend: në kohën e sotshme kur nuk është i përkryer as edhe Shekspiri. Përmëtepër, në këtë fatkeqësi natyrore që nga të katër anët bora e ka rrethuar Atdheun. Shqiptarët, kur bëjnë luftë me vdekjen që u është ulur këmbëkryq te pragu i derës, përpara shtëpisë. Pyes unë, autori i këtij shkrimi: pse jo edhe në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, tre kryeqendrat shqiptare?!... Vallë, mos është ky edhe një përurim i radhës provokues i kalorësve të arratisur?!... Përgjigjen le ta japë vetë lexuesi i nderuar mes rreshtave, që i përcjellë me vite hap pas hapi “aktivitetet e tyre kulturore” të kalorësve të arratisur me “pushkën” krahut për Shqipëri Etnike.

Edhe, Sanço Panço ynë shqiptar me shallin turko-arab lidhur për qafe duke u përpjekur mos mbetet larg zotëriut të tij Don Kishotit të Tiranës me plot gojën thotë para të pranishmëve: “Jam i nderuar që gjendem sot në qytetin e Gjergj Fishtës, Marin Barletit dhe Shtjefën Gjeçovit. Unë jam i vetëdijshëm për shijen e përsosur të shkodranëve për kulturën dhe letërsisë. Prandaj sot nuk kam ardhur të lavdërohem para jush me veprat e mia, por kam ardhur para jush të marr certifikatën e shkrimtarit”. Duartrokitje. Dhe, shtoj unë autori i këtij shkrimi: pse jo ta marrësh edhe çertifikatën e politikanit teknefes “kuqezi”?! Nesër, përsëri në emër të librit shqip me të katra t’u turresh posteve politike.

Vite më parë, vërtet kisha dëgjuar për shitjen e diplomave universitare dhe titujve shkencor në Qafë Thanë, po nuk kisha dëgjuar publikisht se, matanë kufirit shqiptar jepen edhe “çertifikata për shkrimtarë”. Arritje historike kjo në këtë kohë moderne të shkencës dhe teknikës, kur shqiptari i sotshëm shumë lehtë bëhet jo vetëm politikan, po edhe shkrimtar i madh mbarëkombëtar. E boton “kryeveprën” e tij sakate në shtypshkronjë dhe me thesin e librave në shpinë, turret qytet më qytet të Shqipërisë Etnike të marr “çertifikatën e shkrimtarit”. Zbulim i ri i shekullit ky, ose mashtrim historik i të gjitha kohërave: shqiptarët më, tashti e tutje nuk do të kenë nevojë të turren pas diplomave universitare e titujve shkencor, po pas “çertifikatave të shkrimtarit” me firma të institucionit të ri krijues në Shkodër. Kalorësit e arratisur, pas shumë përpjekjeve siç duket më në fund zbuluan një “shkollë letrare” për dhënjen e “çertifikatave të shkrimtarit”. Hë për hë, ma kujtuan satiristin e mirënjohur Niko Nikollën, ku vite më parë në një manifestim kulturor për poetin Mehmedali Hoxha (1997), në Strugë tha: “Nuk ka popull shqiptar, po ka popull shkrimtar”. O Imzot, na shpëto nga soji i këtillë me shumicë e pakicë i politikanëve dhe shkrimtarëve! Natë e ditë po të jetë nevoja do të të lutem edhe në emër të Krishtit e Muhamedit a. s., qoftë në kishë ose xhami.

-Hi-hii-hiii… Sanço Panço ynë modern hipur mbi gomar në mes të dimrit duke çarë borën e madhe në Qafë Thanë ka shkuar deri në Shkodër për të marr “çertifikatën e shkrimtarit”, kur këtë punë ka mundur ta bëj fare lehtë edhe në Bit-Pazar mes Shkupit në ndonjë çajtore, te Pazari i Grave. Ose, çertifikatën e politikanit ka mundur ta marr te Klubi i tollumbave me firmë e vulë të Tatës Madhe. Hije vërtetë do t’i kishte ta merrte së pari nëpër këto “institucione” kulturore e politike të “vëllazërim-bashkimit”. E, pastaj ta shalojë gomarin e tij asht e lëkurë në këtë dimër e borë të madhe deri në Shkodër. Edhe atë, ende pa e marr në Shkup “çertifikatën e shkrimtarit”, i lufton me shitjen e librave në Shkodër “padrejtësitë që po ju bëhen shqiparëve të këtushëm... duke rikujtuar edhe njëherë se fajin kryesor për këto padrejtësi nuk qëndrojnë te maqedonasit por te vetë politikanët shqiptarë”. Fytas krah për krahu me “vëllezërit” neokomunist përpara Qeverisë rroket me “Enciklopedinë maqedonase”, “Letërsinë maqedonase”, që nga gomari i duken si ushtri armike e në dyluftimet luftarake i dalin mullinj ere në shkretëtirë. Përçudi, e lufton “Letërsinë maqedonase”, në të cilën vite me radhë punoi zotëriu i tij si kalorës i arratisur i dëgjuar në këto anë, Doktor Ziu me shokë. Mezi e futi në këtë Brigadë luftarake të “vëllazërim-bashkimit” edhe Sanço Pançon tonë si ushtar.

Sanço Panço ynë modern gjatë atij përurimi si shkrimtar “nuk përjashtoi nga kritikat e tij as politikanët në Shqipëri dhe Kosovë, duke e përmendur bashkimin e trojeve shqiptare si një proces i cili do të shpëtojë shqiptarët, me thënien e njohur: “Shqiptarët po si bashkuan kokat, nuk munden t’i bashkojnë as tokat”. E, harron ta pyes veten në ditën e sotshme, gjatë këtyre viteve të ndryshimeve demokratike, çka ka bërë ai në bashkimin e kokave dhe tokave shqiptare?! Asgjë, përveçse vrapimit pas shoqatave “humanitare”, posteve politike dhe parave.

Kulminacion “idealist” kuqezi, i këtyre kalorësve të arratisur me thesin e librave në shpinë (njëri në Tiranë, tjetri në Prishtinë e i treti në Shkup), që më në fund me “luftë paqësore”, shitjen e librave të tyre nëpër qytetet e “pushtuar” Arbërore kanë vendosur për inat të amerikanëve dhe gjermanëve ta “bëjnë” para kohe Shqipërinë Etnike. Pse jo, edhe ta shpallin në këtë njëqindvjetor të Pavarsisë së Shqipërisë?! Vetëm se, e kanë hallin te “bashkimi i kokave”, prandaj edhe  ende “nuk munden t’i bashkojnë tokat”.

Pavetëdije, harrojnë se poeti ynë për fëmijë Fejzi Bojku në Shkup, moti e ka arrirë këtë bashkim patetik kombëtar të kokave e tokave, qysh në kohën e “artë” komuniste me vjershën e tij të njohur në Librat e këndimit: “ Një tokë - një kokë”.

Fitore historike, ë?! Luftë heroike gjoks më gjoks me armikun e pabesë shekullor e këtyre dy-tre kalorësve të arratisur nëpër beteja të përgjakshme për bashkim kombëtar?! Dorën në zemër, edhe unë jam për ndryshime politike. Bashkim kombëtar. Shqipëri Etnike siç dëshiron i gjithë populli shqiptar. Po, jo me këta kalorës të arratisur, që njëzet vjet me radh i janë ngatërruar popullit shqiptar nëpër këmbë me poste partiake duke i ndërruar brenda një nate partitë politike si kurva - burrat. Edhe pse, kurvës i ka hije rrospillëku. E këtyre hadumëve nuk u ka hije as shalli turko-arab bardhezi. Tjerë burra do të jenë ata që do të bëjnë ndryshime në politikën shqiptare. Shqipëri Etnike.

Dhe, në fund më thoni: Cili shqiptar trim besa-besë me armët e luftës në brez do ta merrte guximin ta fus kokën e tij në një thes me këta “patriotë çlirimtar kuqezi” (që deri dje nuk e dinin as edhe se a janë shqiptarë), e sot dalldisen me shalla turko-arab për qafe e ferexhenë krahëve gjoja për Shqipëri Etnike???!!!…



(Vota: 48 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora