E marte, 23.04.2024, 06:52 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Vladimir Shyti: Bukuri e trishtuar

E enjte, 23.02.2012, 08:59 PM


BUKURI  E  TRISHTUAR

 

Nga Vladimir Shyti, Durrës

 

Rënkimet e malit ngarkuar së tepërmi nga dëbora u mblodhën diku në sofrën e Skënderbeut,u zgjatën,u rritën,u bën të tmerrshme si rënkime e pastaj rënkimi u bë vajtim dhe britma.Figurat njerzore përshkuar prej frymës hyjnore shfaqin mallkimin nëpërmjet vetmisë,duke soditur atë natyrë magjiplot që vet Perëndia u ka falur. Fusha e Domsdovës,që dikur u përgjak në beteja,e fortë si mermeri,e patundur si shkëmbi,e lirë dhe e madhe si era; tani është e burgosur,e mbërthyer nën sundimin e një hyjnie të padukshme që ka kushtimin e pathyeshëm të pastërtisë.Dhe mbi të qëndron e ngrysur Rrajca,një kartolinë që admirohet e shitet me shumicë në të gjithë shtetet e botës,ku arkitekti natyrë aty krijoi shpirtin e vet.

 

Oxhaqet e shtëpive vjellin tym,diku ca hije njerzore mundohen të hapin rrugina midis trashësisë së borës për t’u kujdesur për kafshët shtëpijake,më tutje dikush tërheq mushkën e ngarkuar me ushqime,i cili kërkon rrugën me tahmi,një karvan njerzish që rrethojnë një slit me një të sëmurë mbuluar në velenxa leshi,zbresin malin e zbardhur,duke çarë borën për në qytet.Rrëzë malit,aty ku mendohet se ndodhet linja e hekurudhës,disa fëmijë të skuqur në fytyrë,kërkojnë ndërtesën e shkollës,por bora u ka vjedhur rrugën.Në rrugën e qafthanës,shoferët e kamijonëve fjalosen me policinë e shtetit,por zgjidhja pritet vetëm nga Perëndia.Në hapsirën qiellore fluturon një helikopter si me përtim,ku suferina si përbindësh i padukshëm e humbet tutje pas maleve.

 

Vetëm poeti mund të bëj mrekulli,vetëm ai është i zgjedhuri misionar i përjashtuar nga problemet,ku mundohet të dhuroj pakëz lumturi.Vërtetë që ai sfidon një fat,refuzon me vetëdije çdo gjë të dallueshme e të prekshme,por që e le vetveten në lojë me forcat e epërme.Ai mund të bëhet hero në shkrimet tragjiko-heroike,por menjëherë e kupton mënxyrën e tmerrshme dhe goditjen që mund të marrë nga ai vrojtim me bukuri të trishtuar,sepse edhe ai është popull.

 

Dita po ngrysej.Në pemëtore,lëngu i verdhë ishte tharë përmbi sythat që flinin në gjumin e gjatë të dimrit.Pemët të zhytur thellë nën trashësinë e dëborës dukeshin sikur ishin larë me dritë hëne,ndërsa rrezet e diellit lodronin midis resh dhe kishin harruar të ngrohnin tokën.

 

-Këtej pret më shkurt,ja,atje tek ajo çaire e kam shtëpinë,-më foli kushëriri im,duke çarë borën para meje dhe rënkojë fshehtas.

 

Ai rënkim më erdhi si këngë kumbuese me përkthim hijerëndë e kaotik,i ashpër si shkëmbinj e i fuqishëm si kështjellë.Ecnim në parajsën e ëndërruar,në ëndjen e mahnitshme padëgjuar labrintin e thellë,në zymtin më të stuhishme të shpirtit.Por ç’ishte ajo,që me këtë tokë të lashtë më lidh,që më bën ta dua edhe më shumë atdheun tim?Dhe si i shitur në burgun hyjnor,jam këtu,i ardhur nga larg,ku dikur legjionet romake dhe hordhit osmane thyen kokat.

 

-Kohë të vështirë gjeta edhe unë për vizitë,-thashë pa u menduar,ndoshta nga keqardhja.

 

-Pa më rëndon,bre kusho,-më foli ashpër ai.-Më nderove me ardhjen tënde,do të ishte mëkat i mosmirënjohjes,unë duhet ta kem të lartë falenderimin dhe, ta kam borxh këtë vizitë në këtë mot të keq.

 

Dhe aty,mes bukurisë e kaosit të shqisave,në honin më të thellë të shpirtit vezulloi papritur përballë tij,i zjarrtë misteri zakonor me tërë virtyete shqiptare.Ndërkaq kishim arritur pranë shtëpisë,ku në muzgu e zbardhur dallova shumë ndërtesa me mure gjysmë të zhytura në bardhësinë e borës.Aty shkëlqimi ishte në konflikt me errësirën,bukuria me trishtimin,qiri me elektrikun dhe jeta me vdekjen.Në atë rruginë  sa një bojë njeriu me mure ngrice e bore,më pritën të afrmit e mi me llampa vajguri ndezur.Të tjera mendime më trapitën në mendje.Thellë,as s’e dija se ku,në një zgavër të çuditshme,më vëzhgonte një zë i ulët që përhapej në gjithë pejzat e trupit si ethe jermi.Ai zë egërsohej,kur unë mendoja shpesh kohën e shkuar,kur fshtari ynë ndriçohej me kandil dhe ndizte zjarrin në mes të konakut.Por çdo gjë mu fanit,nga pritja aq madhështore që mu bë.Ajo pritje përmbante me tepri ndjenja njerzore,që lindën dhe u rritën në krahërorin tim në ato momente aq të magjishme.

 

Brenda ishte ngrohtë,ashtu siç ishte dhe atmosfera e krijuar në ato çaste takimi me njerzit e tu të dashur.Ajo mirseardhje e veçantë nga tërë bota ku kisha bredhur, mbolli në zemrën time të gjithë lulet e vendit tim të lindjes.Biseda filloj ende pa u shtruar gostia,flisnin të gjithë me radhë për problemet e jetës.Trokiti dera,dikush menjëherë e hapi,ata dukej që e prisnin këtë trokitje.Hyjnë me radhë kushërinjtë e mi që banonin aty pranë,duke shkundur borën nga supet.

 

Atmosfera u bë më e zjarrtë,dikush nxorri një shishe raki kumbulle nga xhepet e palltos,një tjetër pa rënë në sy la pas dere një pulë të rjepur,dhe hareja sikur po shkrinte borën.Kështu,qeniet e tyre,zbresin madhështor nga errësira e mbështjellë në zymti të purpurt,lartohen të fuqishëm drejt qiellit dhe kthehen në figura hyjnore.Aty mes malesh të izoluar prej disa ditësh,ata daltuan nga blloqet e ngurtë copza kaotike,dhe formuan me përsosmëri,duke e shndrruar gurin në zanë mali që vallëzon e argjendë në hapsira dhe ngjitet lartë deri në yje.Ajo ishte gostia më e madhërishme për mua,ishte një gëzim që s’dihet nga vjen dhe ku mbaron.Ky gëzim i përngjan dehjes të lirë e të fortë që ke kur je në mes të një livadhi në pyll dhe ndjen se mbi ty shushurijnë drurët e vërtiten retë në qiell,dhe të duket se për ty murmërojnë ujrat,këndojnë qyqet dhe numërojnë Ku,ku…Në ato moment s’e shkëmbenja atë kënaqësi,as me tringëllimin e arit dhe as me darkën e një hoteli luksoz.Paçka se ata njerëz jetonin si salamandra në zjarr,ata kanë vrullin e mrekullueshëm shpirtëror,qartësinë e një force,ku fatin e mbështjellin mrekullisht brenda një legjende heroike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora