E merkure, 24.04.2024, 04:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Guva e qetë

E merkure, 22.02.2012, 07:54 PM


Tregim

 

Resmi Osmani

 

Guva e qetë

 

Profesor Asllan Bregu, me çantën e rëndë të librave nën sqetull, sapo kishte dalë nga biblioteka e Akademisë së Shkencave dhe çapiste mendueshëm në këmbësoren anës murit,  që rrethonte shtëpinë e Toptanëve. Binte një shi i hollë si i shkuar në sitë dhe piklat e tij i veshën xhamat e syzeve, sa gjërat i dukeshin si të dyzuara. Qëndroi, hoqi syzet, nxori shaminë dhe po fshinte xhamat, kur krah tij qëndroi një benz i zi. Asllani që nuk shihte mirë, nuk i kushtoi vëmendje, por i zoti i makinës frenoi butë dhe doli nga makina. Që të shihte më mirë, Asllani vuri syzet. I panjohuri i buzëqeshi vesh më vesh, hapi krahët dhe u turr ta përqafonte. Asllani u befasua dhe u mbraps një hap.

-Po ku je, o profesor, se na ka marrë malli!

Asllanit iu duk fytyrë e njohur, por nuk i kujtohej, as ku e kishte parë dhe as si e quanin. Ishte i veshur shik dhe me sqimë.

-Nuk më mban mend, kaq shpejt më ke harruar? Pa kujtohu.

Asllani e shihte si guhak. Nuk i kujtohej që nuk i kujtohej.

I panjohuri i rrinte përballë, i buzëqeshur dhe si i lumturuar nga ai takim i papritur, që ta shpëtonte nga zori profesorin e hutuar, i dha të njohur:

-Studenti yt i Fakultetit të Ekonomisë, Bujar Toçi, nga Gramshi, që t’a kthente klasën përmbys në orën kur shpjegoje statistikën!

-Ah, po. Pa shih, pa shih- belbëzoi profesori i çuditur nga ish studenti i tij- Ke ndryshuar shumë, je burrëruar. Kanë kaluar shumë vite. Pastaj ju ishit shumë.

-Të pashë sesi po ecje i menduar dhe nuk rrija dot pa të folur e takuar. Për ku je nisur?

-Për në shtëpi-profesori pa orën vetiu-Eshtë kohë dreke.

-Si gjithmonë, i përpiktë. A se prish pak programin sa të pish një kafe me mua?-Dhe pa pritur përgjigje i mori çantën- Sa e rëndë, bomba ke futur në të? Bëj shaka, por dituria peshon shumë. Kafen do ta pimë këtu te “Guva e qetë”. Ja tek është.

Bujari e mbante për dore si të ishte fëmijë dhe zbriti shkallët për në katin nëndhes.

Kafja e vogël ishte e zhytur si në një muzg mbrëmësor. Dëgjohej zukatja e lehtë e ajrngrohësit dhe ekspresit të kafes. Drita e butë dhe e zbehtë, vinte si dritë hëne nga ndriçuesit e padukshëm fshehur nën tavan. Muzika me tone të ultë, shpërndahej valë - valë e si duke psherëtirë. Këngëtarja kishte  zë të plotë, të përmallshëm e të ngrohtë, ku ndjehej brenga dhe lektisja për dashurinë e humbur. Për të krijuar atmosferë të këndshme, intime e disi të mistershme, kishin ndezur qirinj, flaka e të cilëve luhatej dhe dukej se vallzonte nën ritmin e shtruar të muzikës. Në ajër, ndihej ermirimi i cigareve të shtrenjta dhe amza e ëmbël, sensuale  e parfumeve të zonjave bukuroshe, që ishin ulur në kolltukët e rehatshëm, duke lënë me shkujdesje,  t’u dukeshin këmbët e bukura.

Bujari zgjodhi një tryezë të vetmuar, në kënd, të zhytur në gjysmë errësirë. I ofroi karrigen profesorit dhe u ul edhe vetë.

-Ke qenë herë tjetër në këtë lokal?

-Jo. Profesori nuk kishte qenë. Nuk ishte qejfli kafenesh.

-Ky është limeri im. Oazi në këtë shkretëtirë kryeqytetase. Vij dhe prehem. Në katin sipër kam dhomën e përhershme të gjumit.

Si pa ndjerë, me ecje të ngadalta e nazike, u afrua vajza që shërbente. Pak të thuash e hijshme,fort e bukur! Ovali i fytyrës borë i bardhë,zbukurohej nga sytë e mëdhenj qerpikgjatë, që i nxirrte më në pah grimi me tone mavi. Qafa e gjatë,stolisur me gjerdan të artë,kalonte butë në kraharorin gjibukur, që i linte të dukeshin dekolteja e hapur. Beli i hollë sa të shkoje unazën. Minifundi i nxirrte në pah këmbët delikate si prej balerine.

Bujari e kapi përdore dhe i hodhi një vështrim si ta përpinte.

-Eja mackë, eja kotelja ime.

Ajo, nazike e lozonjare, iu afrua te gjunjët me një buzëqeshje lodërtare. Asllanit iu duk se ajo po përqallej.

-Mos ki droje, kuçka ime e vogël- tha Bujari-Profesori është dora jonë! Profesor çfarë do pish?

- E po, një çaj.

Bujari qeshi.

-Akoma me çaj, profesor?. Jo. Dëgjo këtu Kotele. Uiski, Xhek Daniels, dopjo, me akull dhe bajame të kriposura.

-Pijet e forta më bien në kokë-tha Profesori.

-Mos ki gajle, të shpie me makinë në shtëpi. Pa po na thuaj Profesor, me se je duke u marrë, çfarë vepre je duke përgatitur?

Profesori nuk u përgjigj menjëherë. Në fytyrë u zymtua dhe i ra një hije trishtimi.

-Vepërzeza! Jam i papunë. Tepricë intelektuale. Ka një muaj që më nxorën në asistencë- tha ai i brengosur.

Bujari brofi nga karrigeja i habitur, si të mos u kishte besuar veshëve:

-Si? Ata shkërdhatat, të kanë nxjerrë ty në asistencë, që je autoritet dhe statisticien i njohur ndërkombëtarisht? Kjo bën mu, që po përgatitin çorbë të qelbur!-tha me duf dhe përplasi grushtin në tryezë. –Shok terapia, rrafshi zero. Epo, ç’karagjozë!

Profesori i tha, se me sa duket, regjimit të ri, nuk i interesonin dituria dhe përvoja e dijetarëve të vjetër. Por, nejse, ishte puna e tyre.Koha dhe historia do t’i gjykonte. Veçse e kishte zënë në moshë të keqe. Fëmijët ishin në shkollë. Edhe gruan, Shpresën e pres me ditë, që të ketë të njëjtin fat me mua. Kaq tha profesori, pastaj si për të përzier bisedën, e pyeti Bujarin për familjen dhe  me se merrej.

-Me tregtinë e miellit- tha Bujari duke u zgërdhirë.- Populli do të hajë dhe ne e ushqejmë. Tregtia jonë nuk bëhet me thasë, por me çanta. Është miell cilësor, shumë i vlerësuar dhe jashtë shtetit na e pëlqejnë për qamet. Mezi presin sa u shkon ngarkesa. Sa për fitimet, më vret zoti të ankohem. Gruaja dhe fëmijët janë në Gramsh, si do Zoti, me gjithë të mirat. Nuk i dua nëpër këmbë. Ne, biznesmenët –tha duke shkelur syrin, - Jemi si marinarët, që kanë në çdo port nga një grua!

Asllani nuk po mundej ta kuptonte atë lloj tregtie dhe atë lloj mielli, por nuk ia lejoj vetes të bënte pyetje të tjera. Tek e fundit s’kishte çfarë i duhej. Bujari po e shihte me çapkënllëk, po edhe me keqardhje profesorin, që ishte aq naiv e i pa të keq.

-Profesor, e the dhe vetë, të ka zënë në moshë të keqe, por mos i humb shpresat. Kjo është kohë e artë, koha e mrekullive, koha e mundësive të mëdha, ku ka vend që të pasurohesh si në përralla. Mjafton të thuash :”Sezam hapu”. Unë e thashë dhe porta e artë e shpellës së thesareve më është hapur! Bujari trokiti gotën, e piu me fund dhe porositi të sillnin shishen dhe një enë me akull.

- Po ti profesor nuk po pi fare? Pi të shkretën një pikë për takimin tonë!

Profesori nuk u besonte veshëve. E shihte gojëhapur e sy çakërritur, si të kishte para vetes një jashttoksor. Bujari e pa ngulazi në dritë të syrit dhe papritur i tha:

-I papunë se i papunë, pranon të punosh për mua? Sapo më lindi një ide.

Profesori,  i zënë në befasi, ngriti supet.

-Varet se çfarë pune është.

- Fare e paqme, e qëruar,e pastër si kristal. Thjesht punë intelektuale. Dëgjomë me vëmendje dhe do ta kuptosh përse bëhet fjalë. Profesor, dua të më mirëkuptosh. Unë, pasi kam arritur me shumë mund një shkallë pasurie, që nuk është e pakët, dua të zë edhe një vend në shkallën shoqërore dhe pse  jo, në politikë. Të jem dikushi. Them të krijojmë një parti tonën. Do na bëjë shumë punë me beneficet e saj. Përveç njohjes publike, që ta dinë bota kush është Bujar Toçi, do të kem pasaportë diplomatike për të dalë jashtë vendi pa pengesa, se më ka ardhur në majë të hundës ajo puna e radhëve të vizave dhe të mbaj një armë me leje, për siguri personale. Kjo pozitë do jetë edhe një mundësi për mbrothësinë dhe mbrojtjen e tregtisë sonë.  Në zgjedhjet që do të bëhen, të zgjidhem deputet nga populli im i Gramshit që më do shumë. Nuk janë më të mirë nga mua, ata bythëmutërit dhe gagaçët e parlamentit! Ndihmomë. E ke mendjen flori! Nderimi dhe shpërblesa për ty do të jenë të pakufishme! Dëgjoje Bujarin: hiqe mendjen nga ai dreq profesorati. Jo, jo, mos u ngut të përgjigjesh, prit pak.

Ai u ngrit dhe doli përjashta. Pas pak u kthye me një çantë të zezë si ato që mbajnë diplomatët. E vuri mbi tavolinë dhe u ul edhe vetë. Shtypi sustat dhe kapaku u hap me vërtik. Profesorit s’i besuan sytë. Kaq para s’kishte parë në jetën e tij. Kartëmonedhat e gjelbra të dollarëve, ishin vendosur në rregull, të lidhura në tufa qindëshe. Iu bë sikur portreti i presidentit i stampuar mbi dollarë, lëvizi nga vendi dhe i shkeli syrin. Nga hutimi ktheu një gllënjkë uiski.

- E? Si të duken? Më erdhën dje nga Zvicra,  për ngarkesën që kisha dërguar. Pres që nesër të mbrijnë edhe nga Holanda.

Profesorin e zuri një lemzë e keqe. Bujari i dha një gotë ujë dhe ai sikur u qetësua.

-Atëherë le të vendosim rendin e gjërave. Që tani je i punësuar. Rrogën tënde caktoje vetë. Vetëm hap gojën! Do  të zësh një zyrë me qera te hotel “Peza” sepse aty do të presim e përcjellim, do të bësh programin e partisë dhe kërkesën për miratim nga Ministria e Drejtësisë. Gjej njerëzit e duhur për grupin nismëtar dhe mblidh firmat që duhen, bliji sa të kostojnë, mbyllua sytë me dollarë! Nuk ka gjë që nuk blihet. Mos i kurse paratë. Merret vesh, unë jam kryetari i grupit nismëtar.Ti do të jesh Sekretari i Përgjithshëm. Gëzuar, të paça për fare e më rrofsh, pi një çikë, dreqi e mori. Kjo datë do të hyjë në histori!

-Si do ta quajmë partinë?- u kujtua Profesori.

-Dreq! Si s’më shkoi mendja më parë. Një emër që të mos jetë as i majtë, as i djathtë, të jetë domethënës, i shkurtër dhe të mbahet lehtë mend.

-“Partia e Përparimit”?

-S’është keq, por pa dale, kur të shkruhet me shkronjat nismëtare del PP, si Parti e Punës. Nuk bën, tjetrin!

-“Liberal Qytetare”?

-Jo, se u mbetet qejfi fshatarëve.

-Po si ta quajmë?

-Quaje Partia e m..... po deshe! Gjeji një dreq emri o burri i dheut!

-Kujdes me fjalët- tha hatërmbetur profesori.

-Po bëj nxemjen për në parlament- u zgërdhi  kryetari i ardhshëm i partisë.

-Partia,partia..Partia... E  gjeta: “Shpresa e Shqipërisë”!

-Bravo, profesor, je i madh, je njësh, toke këtu, qepalla!- dhe ata rrokën duart.- Kjo duhet festuar.Eshtë ditë historike. Lindi “Shpresa e Shqipërisë” dhe u pagëzua në Guvën e Qetë. Në vend të ujit të bekuar të Jordanit, siç bëri Gjon Pagzori me Jezusin, po e lagim me Uiski! Ktheje me fund, zoti Sekretar i Përgjithshëm!

Profesorin e zuri sërish lemza dhe iu var koka.

Pranë tryezës u afrua një jevg i vogël që zgjati dorën:

-Më jepni dhjetë lekë, ju faltë zoti shëndet!

Bujari bëri sikur nuk e dëgjoi, si dreqin i linin dhe hynin në lokal lipsarët pisanjosë? Por kur e pa që jevgu nuk luante vendit iu gërmush:

-Ik or pirdhu!

Por këtë radhë bëri jevgu sikur nuk dëgjoi dhe vazhdoi avazin. Bujari i bezdisur, futi dorën në xhep dhe i dha monedhat metalike që gjeti aty.

Profesorin e zuri përsëri ajo dreq lemze,vari kryet përpara dhe papritur nisi të dëneste me lot. Bujarit iu cingërisën nervat. Po kjo ç’ishte?

-Ç’bën kështu,mblidhe veten.S’të ka hije. Me kaq pak u dehe?

-Nuk jam i dehur.

-Je që ç’ke me të.

-Nuk jam i dehur,të them.

-Epo,atëherë mos tall bythën me mua se je goxha profesor!

-Nuk jam profesor.

-E di gjithë bota që je.

-Jam një hiç,jam një zero,ja se çfarë jam. Për diturinë time tashmë s’ka nevojë njeri.

-Kam nevojë unë- tha Bujari dhe i zgjati  gotën e ujit. Profesori e piu me gllënjka, ngadalë sikur do ta mbyste. Lemza e la dhe ai fshiu lotët, por sytë i kishte të kuq dhe syzet ia kishte veshur avulli. Bujari nuk e zgjati më, nxori një zarf të madh ngjyrë kaki dhe zuri të fuste në të pakot me dollarë.

-Sa për fillim, të mjaftojnë dy mijë? Për pagesën tënde, do të mbash pesëqind! Të tjerat për ato që biseduam. Okei? Më tej shohim e bëjmë, se si thotë plaku im, kali i mirë ia shton vetes tagjinë.

Profesori u bë esëll. Mos i kishin bërë veshët? Jo, zarfi ishte aty, mbi tryezë. Ai mori çantën e rëndë dhe e futi zarfin. Bujari buzëqeshi. E dinte, plaku thoshte shpesh se paraja e ngrinte ujin përpjetë! Thirri çupkën dhe pagoi. I la një goxha bakshish dhe diç i tha në vesh. Ajo gjithë naze i pohoi me kokë. E zuri për krahu profesorin që ecte zigzag dhe e  e vuri në makinë.

-Për ku?

-Te Shallvaret. Nuk është larg.

Kur arritën, Bujari e përcolli deri te dera e apartamentit.

-Kujdes paratë se mos t’i vjedhin.

-Pa merak - i tha Profesori.- Nuk po vjen brënda?

-Një herë tjetër- i tha Bujari.- Drekën e mirë!

*   *    *

Nuk vonoi dhe partia “Shpresa e Shqipërisë” u miratua nga Ministri i Drejtësisë.Mbledhja themeluese zgjodhi kryetar Bujar Toçin dhe sekretar të Përgjithshëm Prof.Dr.Asllan Bregun. Në zgjedhjet elektorale, kryetari vuri kandidaturën në Gramsh, bëri një fushatë model: me premtime të papara, me saze dhe daulle, birra rrodhi lumë dhe leku su kursye. Fitoi. Zëri i tij buçiste në foltoren e Parlamentit. Fjalimet e tij,të kripura me humor dhe shpotira, pëlqeheshin shumë. Batutat mbaheshin mend gjatë. Tregëtia lulëzonte. Gazetat nxitonin kush t’i botonte e para artikujt e tij problemorë e programatikë. Po bëhej star. Thoshin se ishte kandidat i fortë për ministër.

Nga puna e tepërt,Profesorit i ishin  rritur edhe dy shifra numri i syzeve.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora