E merkure, 24.04.2024, 10:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Poezi me kuptimësinë e sublimes

E merkure, 22.02.2012, 08:35 PM


(Recension)

 

POEZI ME KUPTIMËSINË E SUBLIMËS

 

SHKRUAN: PROF. SKËNDER R. HOXHA

 

/Sali BASHOTA, Dorëshkrimi i ngjallur, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2011/

 

Autori i disa vëllimeve me poezi, proza poetike, ese dhe studime letrare; poezia e të cilit është përkthyer në disa gjuhë të botës; bartësi i disa çmimeve dhe shpërblimeve të larta letrare (në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni), Sali BASHOTA, në kohë të fundit lexues-ve ua dhuroi përmbledhjen më të re poetike “Dorëshkrimi i ngjallur”.

Tre qerthujt poetikë: Elegjia e bekuar, Buzëgazi i ngjalljes, Lulja e bardhë, përbëjnë strukturën ndërtimore - sistemore të lëndës së këtij libri. Vetë titulli i librit përmban në vete sugjerimin për një koncept metaforik, për një temë, për një lajtmotiv, rreth së cilës do të sendërtohet drama poetike.

Hyjnorja dhe mitikja

Jo pa shkas, ky vëllim poetik niset me vjershën paraqerthullore, Ndezja e zjarrit, e cila  sikur çel një kaptinë të re jete, një lindje, një rilindje të saj. Ndezja e zjarrit, këtu, simboli-zon rifillimin e jetës, ringjalljen iluministe, zjarrin prometean. Sali Bashota në vargje të kësaj poezie ka ngjizur, në mënyrë metaforike, hyjnoren, mitikën dhe natyroren: “Zoti e kafshoi shiun e vërës”, (…), “E zgjuan engjëllin e natës, etj., (vj. “Ndezja e zjarrit”, f. 7.). Variacione të temës së ringjaljes poeti i vë në kontekst me kohën që kishte sjell një si përfundim tragjik dhe “po jepte shpirt”: vargu “Kur u ngjall vjersha që po jepte shpirt”, varg me të cilin nisen të shtatë strofat e vjershës “Trashëgimi”,(f.12.). Në këtë vjershë po-eti merr emra – simbole shqiptare, mbretëresha, dhe hyjni, si: Albulena, Etleva, Rozafa, Rea, të cilat i vë në pozita të kryepersonazheve, të natareve, interpretuaese të kujtesës his-torike dhe fatit të atdheut, etj.

Fenomeni i mungesës së diçkaje zë një vend në poezinë e S. Bashotës. Në vjershën “Çasti i mungesës”, te vargu që përsëritet: “Kur ti s’je më”, kjo “ti”, mund të lexohet e të kuptohet edhe në trajtën e shumësit, mund (dhe duhet) të lexohet e të kuptohet si një mu-ngesë shumë më komplekse që i mungon jo vetëm autorit të këtij libri, por diçka që i mungon popullit të tij. Edhe këtë fenomen Bashota e ngërthen me ringjalljen, për të thënë në strofën e fundit të kësaj vjershe: (…) “Etja shndrit ringjalljen e harrimit/ Gurët rroku-llisin shkretëtirën e mallkuar”. Mortivin e mungesës Bashota e sintetizon edhe në ndonjë vjershë tjetër të librit.

Sikundër edhe te shumë poetë të tjerë, vetmia është një moment tjetër frymëzues në poezinë e Sali Bashotës. Në vetminë poetike të tij “zogjtë e mallkojnë shtegtimin e vonu-ar”, ndërsa “Heshtja e ha bukurinë e vet”, (vj. “Mërzi e vyshkur”, f. 17.), metafora këto që e ngrenë lart sibolikën dhe estetikën e vargut bashotian.

Zjarri prometeik i poetit Bashota merr edhe funksionin e vet praktik, atë të djegies. Në këtë rast ai zjarr djeg nostalgjinë, sepse në “Provën e zjarrit”, “Tashmë digjej nostalgjia”, (f. 16.). Mirëpo, zjarrin, Bashota e ka edhe si përkim të intimës së tij dhe te vargu “Zjarri yt është shikimi im i trembur”,(vj. “Këmisha e bardhë, f. 19.), zjarri është në raport me atë intimë, është pjesë e saj. E, te vjersha “Këmisha e zezë”, (f. 20), poeti përsërit lutjen – urdhër: “Mos i ndiz qirinjtë e pikëllimit”, që është një klithje e aluzion për shkëputje nga zia e pikëllimi.

Semantika dhe vargjet antologjike

Kësisoji, në vjersha të kësaj përmbledhjeje, mëkati, mallkimi, vetmia, trishtimi, përje-tësia, vihen në funksion poetik për t’i  dhënë nuanca stilistike e semantike vargut. Varia-cionet e robërisë, përndjekjes, djegies së çdogjëje, tokës së djegur, shprehin edhe mëny-rën e të përjetuarit figurativ, në  tekstin dhe nëntekstin poetik.

Në intimën e Bashotës gjejmë një kontrast të madh midis çdogjëje dhe dashurisë që i ekskomenton me dy vargje metaforike: “Çdo gjë është e bardhë/ (…) Vetëm dashuria është e zezë”. (vj. “Elegjia e bekuar”, f. 25.). Ndërsa në vjershën “Lulja e bardhë, f. 78, këtë intimë e formëson me një lirikë më të hareshme, ku thotë: “Buzëqeshja e vashës/ Plagë në shtegtim/ Syrit i jep dritë”.Pra, poeti gjen frymëzimet në këmishën e bardhë, në këmishën e zezë, në vallen e zogjve, në dritën e hënës, në lulen e bardhë dhe krijon subli-mën, ku përqasen figuracioni dhe figurshmëria poetike.

Në këtë kundrim, vjersha me titull “Vallja e zogjve”, e cila gjendet në faqen 22 të librit, ka tri vargje:

“Kurrë më loti nuk do të thahej

Në tokën e djegur

Nëse vdes vallja e zogjve”. Vallja e zogjve këtu ka jehonën e fuqishme të gjallërisë, të jetës, të ekzistimit e të mosekzistimit, të zhbërjes biblike në tokën e djegur, (siç aspirohej nga armiqtë tanë në luftën e fundit në Kosovë). Prekin thellë kuptimësinë e të qenurit etj., që rrallë mund të thuhet kështu e mirë në poezi. Ndaj, mendoj se këto vargje janë antolo-gjike dhe kryevepër e kësaj përmbledhjeje poetike të Sali Bashotës.

Ligjërimi artistik, mënyra e të akceptuarit figurativ të realitetit, shqetësimet e poetit për kauzën e atdheut, na dalin si metafora në vj. “Mjafton të vdesësh një herë”, f. 23 të librit, ku vargu “Hija ime zgjohu”, që përsëritet katër herë, shkrep edhe shkëndija të rimëkëm-bjes, sepse edhe përkundër aspiratave gllabëruese, tash:“Përsëri shkëlqen nuri i bukuro-shes së fjetur/ Në shtratin e bardhë”.

Ringjallja dhe optimizmi poetik

Dhe vjen optimizmi i poetit për të ardhmen, ku çdo gjë ngjallet – ringjallet. Kështu, do të ngjallen e ringjallen: “të gjitha ofshamat e nënës, …, të gjitha dallgët e fjalës,…, të gji-tha ëndrrat e djegura,…, të gjithë gurët e vendlindjes,…, të gjitha heshtjet e vyshkura;, ndërsa, “Një ditë gjarpri do ta mallkojë helmin e vet”., (vj. “Ngjallja e vonuar, f. 29.) Shohim këtu vargje që përshfaqin paralelizmin poetik, transponim i një të shkuare të af-ërt, e në njëfarë mënyre janë si rikonstruktim i së kaluarës dhe së vonshmes, pra vendo-sen në kohë dhe hapësirë të caktuar. Do theksua se te Bashota, vrojtimin e shoqëron edhe sugjerimi meditativ që përkon edhe me përvojën artistike të këtij krijuesi.

Ringjallja si fenomen mitik e eksplikuar me parabola historike të shumëçkaje dhe me kujtimin e letrave të djegura, pretendon të zbusë dhembjen, të ngushëllojë pritjen. Në thelb, autori, bën përvijime, bën një si konfiguracion simbolik të së keqes e bashkë me fatin e djegies së shkrimeve, i identifikon me aspiratën absurde të armikut ksenofob për zhbërjen e shqiptarëve në këto troje: “Nëse e ringjall plisin e bardhë të tim eti/ (…), / Në-se i kujton të gjitha letrat e djegura të  mallit” (Vj. “Ngushëllimi i pritjes”, 47.), apo edhe: “Dorëshkrimet digjen në fushën e zezë/ Dorëshkrimet ngjallen në fushën e bardhë” (vj. Pas metamorfozës, f. 50.) etj., ku poeti Bashota me vargje metaforike e aforistike shpreh brendësinë dhe jashtësinë e vrazhdë të atij realiteti, shpreh shqetësimet e brendshme, res-pektivisht zjarrminë poetike. Vargje të cilat marrin trajta të rrëfimit ritmik të situatave, gjë të cilën e mëton autori. Po kjo arrihet edhe në poezinë “Hiri i fjalës së djegur”, f. 55, ku vijëzohet edhe motivi i hijes. Ajo që vazhdimisht ther si dhembje poetike është hiri i dorëshkrimeve të djegura (vj. “Si në një përrallë”, “Si në një legjendë”, “Loja e përgju-mur” etj., (f. 65, 68, 69), fuqishëm bëjnë ravijëzimin i intensitetit të brenshëm të vargut me fenomenin e unitetit artistik e estetik, e zjarri merr atrubutet edhe si djegie e brendsh-me ideo-emocionale. Janë këto mikrotema si akte të një drame që, në mënyrë asociative, bashkë, bëjnë  tërësinë… Poeti, përmes vargjesh, fikson kohën dhe trajtat dhe identifikimin e njeriut të kësaj toke…,

Edhe mëngjesi ka kuptimin e ringjalljes, e rilindjes, sepse pas ardhjes së lirisë, “qyqja më nuk vajton në vendlindje”, por edhe: “kur thanë u ngjallën dorëshkrimet/ Hija e tim eti zgjohej në Fushën e Bashotëve”, (vj. Halucinacioni i dhembjes, f. 63.).

Kjo ringjallje, që nënkupton rifillimin e jetës pas luftës së Kosovës (1998 – 199), bën që të arrihet lumturia e poetit, sepse preken të shumëpriturat, kur: “pritjet u shndërruan në flakërim yjesh kur u ringjallën librat, dorëshkrimet, kopertinat, shkronjat, rrokjet, rimat, metaforat, antonimet, sinonimet dhe kopshti i bekuar i dashurisë”, (vj. “Shtegtari i lumt-ur”, f. 85), të cilat të duken edhe si fluturime imagjinative, si mrekulli mitologjike … Ja-në edhe si provokim për të rifilluar jetën me të gjitha variacionet e saj, pas fatit tragjik të braktisjes së dhunshme të vatrave. Ndërsa rikthimi në vendlindje poetizon morfologjinë e kohës: “Sikur biblioteka e djegur/ të mos kishte dhembje/ përse do të vdisnin frymëzi-met”, (vj. “Rikthimi në vendlindje”, f. 61.). Janë këto disa nga poezitë kur poeti manifest-ton intonimin e gëzimit, për kthimin në vatra, në shtëpinë e lindjes, për rigjetjen e dorësh-krimeve, apo “dorëshkrimi i ngjallur”, siç e quan poeti, rikthimi në jetë, pra rilindja, të ci-lën poeti, me të drejtë, e quan “dhimbje të pambaruar”… Po ashtu shihet se figurshmëria ngjitet në funksion të së vërtetës historike dhe dëshmi e realitetit, por edhe dënim e mall-kim i tij, duke i realizuar këto në mënyrë autentike  me individualitet poetik.

Me zjarrin autori krijon kumtime të reja …Drama poetike e kësaj përmbledhjeje niset me “Ndezja e zjarrit”, kur “Zoti e bekoi shiun e verës”, si ngjallje, dhe mbaron me “Fikja e zjarrit”, zjarr i cili u fik “Sapo engjëjt u rikthyen në atdhe”, ku qenësia artistike prefor-mohet si  qenësi njerëzore.

Përfundime

Në këto poezi të Sali Bashotës shihen ndodhja e së keqes kolektive, peizazhet si reflek-se me ngjyrime të zymta që pasqyrojnë dramën kolektive dhe atë individuale, pastaj kthi-mi, lindja - rilindja, gjetja – rigjetja të mpleksura me shqetësimet e thella dhe aktin ekzis-tencial që fiksohen në atë lloj mozaiku autokton.

Me shprehjen figurative ai shpreh revoltën ndaj dukurive. Tema universale – dimensi-oni universal i kësaj poezie përbën një nga karakteristikat e përmbledhjes poetike “Ngja-llja e shkrimit” të S. Bashotës. Ravijëzohen këtu dhembja, nostalgjia, etj., ku përmes sti-lit lirik poeti shpreh edhe brendinë emocionale, duke u bërë këto pjesë, e pse jo, edhe ve-çori të individualitetit krijues. Simbolet e përdorura, si zjarri, hija, vetmia, zana, bekimi etj.,  bëhen instrumente të figurshme për transponime më të arritshme të kuptimësisë së vargut.

Në verbin e tij poetik Bashota është original. Aty sintetizohen origjinaliteti, përkushti-mi dhe pjekuria poetike. Dua të them se kjo poezi me vokacion lirik, ka karakteristikat dhe specifikat e veta, ka, patjetër edhe vlerat autentike si artikulim i atij realiteti. Është kjo poezi që shquhet për formën, pse formëson të vërtetën artistike, dhe e përmbajtjes, pse ka përmbajtje të qartë.

Gjuha e pastër, e rrjedhshme, sintaksa e vargjeve, vargu i bardhë bashotian, mbajnë lart vlerat artistike të kësaj përmbledhjeje poetike. Ndaj, ky vëllim poetik, si realizim artistik e stilistik dhe si vlerë letrare, shënon nivel të avancuar në përmasat e kësaj poezie, si dhe në krijimtarinë poetike të këtij poeti, përgjithësisht.



(Vota: 43 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora