Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vriten dy komando shqiptarë në Afganistan

| E hene, 20.02.2012, 07:58 PM |


Dy komando shqiptarë kanë humbur jetën ditën e hënë në provincën e Kandaharit, në Afganistan, pasi u ndodhën në mes të një konflikti të armatosur.

 

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes, sipas të cilës viktimat janë ushtarakët Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve.

 

Sipas një komunikate për shtyp, komandot shqiptarë janë sulmuar në orën 15:05 me orën lokale nga një grup personash të veshur me uniforma të policisë afgane, teksa shoqëronin personelin e një misioni të USAID në një takim në fshatin Robot në Kandahar.

 

Në njoftim saktësohet se ndaj tyre është qëlluar me armë automatike të tipit "Kallashnikov" dhe me një mitraloz të lehtë dhe se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një ushtar nga vendet aleate.

 

Dy ushtarët kanë marrë plagë të rënda dhe kanë ndërruar jetë pak më vonë në një spital të Kandaharit, ndërkohë që grupi në detyrë ka arrestuar 11 atentatorët të maskuar si agjentë.

 

Përmes njoftimit mësohet se personeli i USAID po shkonte në disa takime, ku do të përuroheshin dy shkolla dhe një qendër shëndetësore në fshatin Robot.

 

MB: Masa për riatdhesimin e viktimave

 

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes ka mbajtur para pak çastesh një konferencë për shtyp, ku ka konfirmuar vdekjen e dy komandove në Afganistan.

 

Gjatë konferencës, oficeri ka konfirmuar identitetet e të ndjerëve, Feti Vogli dhe Aleksandër Peçi, si dhe i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të tyre.

 

“Ministria e Mbrojtjes, shtabi i përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura marrin pjesë në hidhërimin e thellë dhe i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Njoftojmë se janë marrë të gjitha masat për kthimin në atdhe të trupave të të ndjerëve”, ka deklaruar gjeneral brigade Viktor Berdo.

 

Topi, mesazh ngushëllimi familjeve

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk ka vonuar të shprehë keqardhjen e tij për humbjen e jetëve të dy komandove shqiptarë në Afganistan.

 

Përmes një mesazhi, Topi, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka shprehur “pikëllimin” për këtë humbje të rëndë, si dhe u ka bërë ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave.

 

“Me keqardhje të madhe dhe pikëllim të thellë, mësova lajmin e hidhur të rënies heroikisht në krye të detyrës të kapitenit Vogli dhe nëntetarit Peçi, që të dy ushtarakë shqiptarë të kontigjentit ‘’Eagle 4’’ në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kandahar, në Afganistan. Në këto momente të rënda e tragjike, më lejoni t’ju shpreh në emër të mbarë shtetit shqiptar ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njerëzve tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm!”, është shprehur Topi.

 

“Më lejoni që si president i Republikës si dhe komandant i përgjithshëm, të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të madhe dhe për t’ju shprehur konsideratën më të lartë personale e institucionale për jetën dhe sakrificën sublime të këtyre dy heronjve të Forcave tona të Armatosura!”, ka vijuar ai.

 

Rama ngushëllon familjet: Sakrifikuan për liri

 

Pas ngjarjes së vrasjes së dy komandove shqiptarë ka ardhur edhe reagimi i liderit socialist Edi Rama. “Dy familje të zakonshme shqiptare kanë humbur djemtë në një luftë ku Shqipëria është e angazhuar në emër të NATO-s. Eshtë një humbje që ka rënë rrufe jo vetëm mbi të dy familjet, por mbi të gjithë ne”, shkruan Rama.

 

Lideri socialist u ka shprehur familjeve të dy komandove shqiptarë ngushëllimet në emër të opozitës dhe Partisë Socialiste, si dhe ka shprehur mirënjohjen për sakrificën e tyre në frontin e betejës në Afganistanin e largët.

 

“Fjalët nuk mund të mjaftojnë dot për ta shprehur si duhet vlerën e sakrificës sublime të Feti Voglit dhe Aleksandër Peçit, të cilët fatkeqësisht mbyllën sot sytë përgjithmonë duke i shërbyer kauzës së madhe të botës së lirë në luftën me një të keqe që synon asgjësimin e vetë lirisë së botës”, shkruan më tej Rama.

 

“Shqipëria sot ka dy djem të rinj më pak, por dy arsye tejet të forta më shumë për ta vazhduar me edhe më shumë vendosmëri betejën e saj krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli që në Afganistan e gjetkë përpiqet të ndërtojë bazat për të terrorizuar e tjetërsuar botën e lire”, vijon lideri socialist.

 

“Humbja e rëndë që sot e përjetojnë me dhimbje të thellë jo vetëm familjet e dy dëshmorëve tanë, por mbarë kombi ynë, është nga ato humbje që mbeten përgjithnjë të shënuara në historinë e sakrificave të lavdishme të një vendi”, thuhet më tej në letrën ngushelluese të zotit Rama.

 

Konflikti në Afganistan që zgjat prej një dekade

 

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, grushti në zemër të Amerikës që tronditi njëherë e përgjithmonë paqen e qetësinë e vendit, ishin pikënisja e vendimeve madhore të administratës Bush për operacione kundër militantëve kudo që ata fshiheshin.

 

Osama bin Laden, arkitekti i sulmeve, e kishte bazën në Afganistan. Kjo e shndërroi vendin në shënjestrën e operacionit “Enduring Freedom”, një ndërhyrje me një qëllim të qartë: shkatërrimi i Al Kaedës dhe fundi i përdorimit të Afganistanit si bazë prej rrjetit më të madh terrorist të globit.

 

Lufta e nisur 7 tetorin e vitit 2001 vazhdon prej mëse një dekade. Përpjekjet për t’i dhënë fund rebelimit taleban nuk kanë rreshtur ende e madje konflikti është shtrirë edhe në zonat tribale të Pakistanit fqinj.

 

Tentativa e nisur me shumë zjarr nga administra e mëparshme amerikane nuk iu afrua megjithatë pritshmërive dhe janë të shumtë ata që skicojnë një portret të shëmtuar të luftës nga gjeneza e deri tani.

 

E tashmja e Afganistanit, do të thoshte në një raport të muajit korrik ish-ambasadori amerikan atje, Peter Tomsen, është po aq e errët sa e shkuara e tij.

 

Duke nxjerrë mësime nga luftrat e kaluara të këtij vendi, qeveria e Barack Obama ende e ka një shans për të përvijuar një konkluzion ndaj kësaj aktuale, sa i shërben interesave të Amerikës e miqve të saj apo lartësimit të popullit afgan.

 

Në Afganistan janë derdhur para, mund, angazhim ushtarak jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara por edhe nga aleatët. Ateherë çfarë nuk shkoi siç duhej?

 

Shumë kritika i drejtohen politikës së Shteteve të Bashkuara si jokoherente e me mangësi drejtimi. Për analistët, ajo çfarë duhej marrë ndoshta më shumë parasysh ishte historia e vendit, zakonet dhe realiteti i tij. Kjo që ndodhi, ndodhi në 2001-shin, thotë Tomsen, sepse Amerika sot nuk do ta ndoste veten me Afgnistanin.

 

Deri në fund të dhjetorit 2011, viktimat në radhët e koalicionit ishin 2.675. Nga këta, mbi 1.780 janë amerikanë. Vendi i dytë për nga jetët e humbura renditet Britania, e ndjekur nga Kanadaja e Franca. Të gjithë pjesëmarrësit në operacion po përjetojnë pak a shumë atë që ekspertët e quajnë “lodhje nga lufta”.

 

Objektivi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s është që deri në fund të vitit 2014 t’ua kalojnë operacionet luftarake forcave të armatosura afgane dhe atyre të sigurisë. Zvicra, Holanda dhe Jordania nuk pritën aq, por janë tërhequr nga misioni, ndërsa në shumë prej vendeve të NATO-s, opinioni publik kërkon kthimin e ushtarëve të tyre në atdhe sa më parë që të jetë e mundur.

 

Lufta e Shteteve të Bashkuara në Afganistan është një prej konflikteve më të zgjatura në historinë e vendit dhe pyetja që shumë ngrenë është padyshim: “Përse?”.

 

Top Channel