E enjte, 28.03.2024, 01:28 PM (GMT)

Kulturë

Agim Shehu: Mendime mbi romanin «kush e vrau dashurinë » të shkrimtarit të mirënjohur Albert Zholi

E hene, 20.02.2012, 07:11 PM


Mendime mbi romanin «kush e vrau dashurinë » të shkrimtarit të mirënjohur Albert ZHOLI

 

Nga Agim Shehu

 

E lexova me vëmëndje romanin. Ke arritur të bësh roman. Është kënaqësi prej kolegu, e plotsuar me kënaqësinë e bashkëfshatarit. Shtoj që në moshën time mbuluar thinja të qënit bashkëfshatar nuk i bën lëshime pa arsye krijuesit se do ta mirrte në qafë ! Mendoj se peshën e rëndë të romanit ke arritur ta ngarkosh nga fillimi në fund. Aty këtu ke zgjatje të tepërta, zbukurime emocionesh, por ato dalin dhe vetë në një roman të parë. Romani ka jetë të prekëshme, ka mendim harmonizuar me ndjenjë. Mbi të gjitha, aty është jeta jonë me shpirtin dhe dramat e saj në kalimin e dy sistemeve. Si bashkëjetues në kohë dhe ngjarje, lexuesi në shumë vënde sheh veten e tij, ballafaqohet me të dhe rri e rigjykon jetën e vet në segmentet e ngjashme me veprën. Romani është dhe një dramë. Me personazhet je treguar ‘i rreptë’ por i vërtetë pasi i mbetesh besnik asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me shqiptarët në kalimin tek e ashtuquajtura ‘demokraci’. E tillë, vepra është dhe një thirrje e fuqishme humane për njerëzit, që ta gjykojnë më saktë kohën me të rejat e panjohura që u sjell nga s’e presin. Kur je i cekët jeta është e pamëshirëshme, aq më tepër kur kapitalizmi na u dha me fytyrën më të pamëshirëshme që shpesh ajo ka. Populli i papërgatitur ardhur disi i shtrembëruar nga shtypja e egër, do t’i paguajë shumë, qofshin dhe familje të ndershme shqiptare.

Romani ka në qëndër pra Sinan Drinin me familjen e tij. Është trungu prej nga hapen degët e tij, fëmijët. Sinani është dhënë bukur e bindshëm si figurë qëndrore. I ndershëm e me dinjitet në çdo kohë. Qënia partizan, komunist dhe drejtor në socializëm, nuk i zbeh asnjë nga virtytet e shqiptarit. Njeri që nuk di dredha karakteri, nuk njeh pazare meskine ! I vjen i afërmi për privilegj punësimi, e ai i tregon vëndin ! Virtyti i tij është metal që nuk zë ndryshk (më bëhet se e njoh në jetë te disa njerëz të mi të krahinës sime të ndershme). Të tillë e ka dhe të shoqen, Florikën - flori virtyti! I ke përshkruar me dashuri e vërtetësi si të qenë prindët e tu ardhur nga fshati ynë i pastër burrëror e njerëzor. Të tillë në filim dhe fëmijët. Por të parrahur nga jeta, ata demokracia e lirë i gjeti të njomë dhe lehtësisht të përpunueshëm. Dikush prej tyre mbetet si babai e nëna, dikush përthyhet kur temperamenti dorëzohet te ashpërsia e jetës me hapsira pa kufij. Dhe për ta nis drama që kulmon te Alketi në arkivol. Të atin e ndershëm e kap çgënjimi, megjithatë edhe në çgënjim mbetet dinjitoz. Nuk tjetërsohet në ndërimin e klimave shoqërore. Fëmijët e tij janë sa qytetarë të vëndit po aq dhe bij të prindërve. Autori përshkruan saktë e bukur pa klishe moralizuese. Një e jep të përmbajtur, një të përthyer ; një vazhdon me dinjitet, tjetri i ndjell fatkeqësi vetes kur temperamenti ia hipën virtytit. Romani ka skena të goditura si art dhe të vërteta si jetë që të mbeten në mëndje. Kujto ëndrimin e Sinanit ndaj shokut që kërkon privilegje ; biseda aq e paharrueshme lirike e të birit ushtar me pëllumbat e ballkonit, duke ia përcjellë tinës atë bisedë vajzës së panjohur karshi. Dialogu dramatik i Alketit me ‘gruan’ dhe vjehrin në Amerikë. Pritja e arkivolit të tij në familje. Revolta e nxënëses kundër banalitetit të përkëdheljeve në shkollë si ‘vajza e shokut Astrit’. Meditimet plot bukuri arti e ëndëra jete të Arianit dhe Marjetës si piktorë !..Tepër e saktë dhe e goditur : ish zv. Ministri Astrit në diktaturë - biznesmen në demokraci (fenomen aq i njohur e i dhimbshëm i ditës brënda popullit ende aq të vuajtur)! Dhimbja që plumbat e ‘rebelimit të ‘97-ës të qëllojnë pëllumbat në ballkonin e njeriut ! Sinani në ‘demokraci’ kur rrëfehet ndershëm tek i biri…Gjykimet e Sinanit me Ramazan Gjashtën nga një kohë te tjetra...

Romani nis disi qetësisht e shtruar, dhe sa më shumë ecën drejt fundit i rritet densiteti i ngjarjeve dhe fuqia e mendimit mbi to. Ndjenja që përjeton lexuesi po ashtu. Të papriturat në jetën e re, edhe pse shpesh të dhimbëshme, janë të besueshme ngaqë nuk stisen për efekt nga autori. Vinë nga logjika e jetës ku njeriu ndodhet i papërgatitur, aq më tepër kur është i çiltër dhe s’i di hiletë e ‘demokarcisë’ siç i gatuan po bijtë e diktaturës. Te ky këndvështrim romani jemi ne, secili në masën e vet e në mënyrën e vet.

Romani ka drithërimë ndjenjash të çiltra, shpesh tepër tronditëse. E sheh të riun mërgimtar si ecën drejt rrokullimës, dhe ndjen dhimbje ngaqë je i pafuqishëm për ta parandaluar. Do t’i paguash jetës që s’e kontrollon dot, do t’i paguash dhe dobësisë së vetes që nuk di t’i përshtatesh asaj. Në këtë gjëndje, siç e thamë çgënjimi është mbretëri më vete, disi e pavarur.

Është guxim të shkruash për motive të sotme kur jeta vazhdon dinamikën e saj në udhë të panjohura e në ndryshime të paparashikueshme. Siç thuhet, duhet një largësi kohe për t’i parë më qartë e më saktë ngjarjet. Megjithatë, romani yt e ka kapërcyer këtë vështirësi kur realizmi i jetës dhe qartësia e autorit harmonizohen bashkë. Familjen Drini e ke marrë nga një kohë dhe e ke vendosur në kohën tjetër me dashuri për njeriun dhe asnjanës për fatin e tij. Ndryshimet dhe fatin ia ke lënë në dorë jetës dhe qëndrimit të karakterit përballë jetës.

Pranohet ndjeshmëria e autorit mbi dhimbjen e figurave të tij të dashura, por mendoj se është ca e tepëruar, e ky tepërim sado anësor,  duhet mënjanuar. Jo autori por ngjarja duhet ta bëjë lexuesin të ndjejë dhimbje e dashuri për personazhet e mirë që i kap vorbulla e jetës së ngatëruar. Zgjatjet e autorit në përshkrime dhimbjeje herë herë kalojnë në sentimentalizëm e kjo e dëmton romanin. Aq më tepër kur zgjatesh më shumë nga sa duhet e nga sa mban ndjenja. Fjalët e tepërta apo të përsëritura i lëshojnë hije njera tjetrës duke zbehur mendimin e duke ftohur ndjenjën. Vepra ka shumë fjalë jashtëletrare që artin e afrojnë me gazetarinë. Gjuha është elementi i parë i letërsisë e ajo duhet të jetë sa më e pastër. Duhen hequr fjalë të tilla gazete si: kontribute, konfiguron, gafë, stopoi, simpatike, xhiro, moment, sfidon, instiktivisht, pretendon, ofendon, profil, ekstravagante, tendencë, transformim, fallco, relatë, apo helbete, muhabete etj. Për fat, shqipja ka fjalor të saj që t’i zevëndësojë, mjafton të jesh i ndërgjegjshëm për të shkruar sa më pastër. Më pëlqeu shumë fjala jote « u lulëkuq » të cilën s’e kam parë gjëkund. Në qoftë jotja, ke meritë të veçantë dhe këtë kërkon letërsia. Do bërë kujdes po ashtu në pikësimin. Ndoshta duken gjëra të vogëla po për një vepër të mirëfilltë artisti mendoj se janë rëndësishme.

Sidoqoftë me vlerat e çmuara që ka romani, siç themi në anët tona, ‘heqtë këmbën zvarë’ gjithmonë për mirë. T’i mblidhen motra e vëllezër të tjerë. Si koleg dhe krahinar të përgëzoj përzemërsisht ! (Aty ku s’kam të drejtë, ti je i ri e ngarkoja fajin pleqërisë sime) !

 

Gjenevë, 5. 2. 2012



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora