E merkure, 24.04.2024, 10:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Arti i pamoralshëm!

E diele, 19.02.2012, 08:58 PM


Arti i pamoralshëm!

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Po marr guximin të shkruaj për artin dhe moralin, në njëfarë forme duke njohur moralin dhe në një shkallë artin. Morali paraqitet si një rregull e cila paravendoset nga një shoqëri apo bashkësi, e pranuar për nga sjellja e zbatueshme nga njerëzit e arsyeshëm. Madje, është një formë e lashtë e ndërgjegjes shoqërore dhe ka pasur qysh në kohën e komunitetit primitiv lidhje të ngushta sinkretike me artin.

"Përpjekja më e rëndësishme njerëzore është orvatja për moralitet në veprimet tona. Baraspesha jonë e brendshme dhe madje bash qenësia jonë varet nga kjo. Vetëm morali në veprimet tona mund t´i japë bukuri dhe dinjitet jetës". shënon Albert Ajnshtajn. Morali na vije si një urdhër i brendshëm për të vepruar apo mos vepruar, kontrollues, frenues për arsye të caktuara të ndërgjegjes. Morali urdhëron dhe përkrah të mirën, duke ndaluar të keqën. Shpesh njerëzit janë të moralshëm, disa prej tyre mund të jenë të pashëm fizikisht, por shpirtlig ose e kundërta i shëmtuar, por i moralshëm. Virtyti moral gjendet në bukurin shpirtërore, por sa i përket artit, nuk do të thotë se ka vlerë të mirëfilltë estetike. P.sh peizazhi, natyra e qetë, nuk shprehin jetën morale të shoqërisë, dhe konsiderohet si art i mrekullueshëm, andaj arti dhe morali, nuk janë në lidhshmëri të plotë njëra me tjetrën. Raportet janë paksa të ndërlikuara midis estetikës dhe etikës. Prej kohësh ekzistojnë probleme të vështira për definimin e artit dhe moralit. Arti nuk e ndreq moralin, por e prishë atë, arti është vetëm art dhe i kundërt me çdo vullnet. Friedrich Nietzche artin e konsideron diçka që bënë të mundur jetën, tundues i madh drejt jetës dhe stimulues. “Arti është çlirim i shkencëtarit, i atij që shikon karakterin e tmerrshëm dhe enigmatik të ekzistencës, që dëshiron ta shikojë atë, i atij që heton tragjikisht. Arti është çlirim i njeriut të veprimit, i atij që jo vetëm shikon karakterin e tmerrshëm dhe enigmatik të ekzistencës, por e jeton dhe dëshiron ta jetojë atë.” (F.Nietzche Shndërrimi i të gjitha vlerave, fq. 94-95, Tiranë 2002). Arti sipas filozofit Nietzche është një vuajtje e madhe dhe rrugë drejt shpirtit ku vuajta dëshirohet, shndërrohet, hyjnizohet, bëhet një ekstazë e madhe.

Këtu dukshëm shkëput artin nga morali, dhe asgjë nuk mund ta parandalon artin, madje asnjë përmbledhje e ndërgjegjshme. Edhe Platoni përpunoni një koncept, të cilin e drejtoji kundër artit përparimtar. Sipas tij, forca e madhe vepruese morale e artit, për më tepër e prishte sesa e ndreqte moralin e shoqërisë. Për këtë arsye ai i zboi tragjedianët, komedianët dhe poetët, duke përfshirë edhe Homerin, sepse veprat e tyre mund të ndikonin negativisht në sjelljen morale të qytetarëve. Arti asnjëherë nuk është i moralshëm, përkundrazi nuk edukohet nga morali, ose sipas Platonit vetëm kur përputh një përmbajtje ideore fetare, arti mund të bëhet i moralshëm. Prandaj, ai kërkonte që arti të përmblidhet kryesisht në himnet fetare, për t’u shndërruar në mjet të edukimit moral, të kultivimit të virtytit dhe urtësisë. Në shekullin XIX dhe XX në vendet kapitaliste mori në përhapje të gjerë koncepti teorik që predikon amoralizmin e artit. Një varg artistësh dhe estetësh si: Sh. Bodler, O. Uajlld, F. Nietzche etj.

Kanë përkrahur mendimin se morali është një fillesë e papajtueshme me artin dhe estetikën. Ata, publikuan kërkesën që arti të çlirohet nga ndikimi moral, dhe vërtet goditën në shenjën më të drejtë të artit dhe moralit, të cilat duhet të ndahen dhe mos të përzihen asnjëherë. Të qëndrojnë të kundërta, ose mos të konfrontohen njëra me tjetrën, e aspak të zgjojnë polemik, sepse arti është vetëm art, dhe morali rregull e paravendosur. Arti ka një thelb tejet të kulluar dhe nuk pajtohet fare me asnjë pickim ose kafshim moral. Sipas Bodlerit, poeti që ka synime morale, e dobëson forcën e tij poetike dhe, pa rrezikuar, dukshëm, shpaloset që vepra e poetit shëmtohet nëse preket nga morali. Këtu vërehet se Bodleri ishte për një liri absolute të artit të poezisë. Andaj, gjithnjë duhet të ekzistojë teoria arti për art e morali për moral, jo të bashkohen, sepse përsosmëria shpirtërore artistike arrihet vetëm nëse arti çlirohet nga morali. Arti nuk duhet pajtohet me moralin, e as morali me artin.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora