Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Nepotizmi ose kleptokracia në MPJ, Pjetër Arbnori dhe opozita

| E shtune, 18.02.2012, 05:28 PM |


NEPOTIZMI OSE KLEPTOKRACIA NË MPJ, PJETËR ARBNORI DHE OPOZITA

 

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

Diplomacia shqiptare e postdiktaturës nisi gati nga niveli zero si një fillim i ri për shtetin demokratik shqiptar pasi roli i saj merrte një sens të kundërt me atë që kishte patur gjatë regjimit totalitarist, kur ishte një shtet totalisht i izoluar i cili kishte marrëdhënie armiqësore me Perëndimin dhe me institucionet Perëndimore dhe ku roli i atyre pak diplomatëve të karierës që ishin shkolluar në Perëndim ishte reduktuar po ashtu në zero prej «diplomatëve» të Katit të Katërt, ose ndryshe Sigurimit të Shtetit. Pra gjatë diktaturës diplomacia shqiptare në Perëndim ishte reduktuar në një aneks të policisë sekrete një nga më famëkeqët të Europës lindore.

 

Pas rrëzimit të diktaturës u tregua njëfarë kujdesi për krijimin e diplomacisë së tipit Perëndimor, si vazhdim i asaj të Faik Konicës, duke futur në rradhët e saj të rinj të shkolluar, një pjesë që vinin edhe nga klasat e përmbysura, të cilët i dërgonte të specializoheshin në Perëndim. Pasi diplomacia merrte një mision të ri për të shërbyer si urë lidhëse me Perëndimin dhe institucionet perëndimore.

 

Trazirat e 1997 shkaktuan përmbysje edhe në diplomacinë e re shqiptare, ku qeverisja e PS, e rikthyer në pushtet pas kaosit që e çoi popullin gati në luftë civile, do ta rikthente diplomacinë shqiptare në gjendjen e para përmbysjes së regjimit totalitarist, duke shkarkuar gjithë trupin diplomatik të akreditur gjatë qeverisjes së PD dhe duke e zëvendësuar kryesisht me eksponentë të Katit të Katërt të kohës të diktaturës, duke rikthyer kleptokracinë e duke favorizuar njerëz besnikë të kohës së diktaturës, kryesisht pa integritet dhe pa background. Këtyre u dhanë detyrë që pakënaqësinë e Perëndimit kundrejt Berishës, i cili asaj kohe ishte i njollosur me namin e piramidave, ta përdornin për të përlyer diplomatët shqiptarë të postdiktaturës, pjesa më e madhe e të cilëve mori menjëherë azil politik në Perëndim. Pra edhe një herë, diplomacia shqiptare u konvertua në një aneks të politikës, partisë në pushtet, e cila vinte me një trashëgimi nga PPSH dhe nuk ishte përfaqësuese e interesave të shtetit demokratik të cilit i ishin lëkundur krejtësisht themelet.

 

Mjerisht « diplomatët e Katit të Katërt » të kohës së diktaturës, që vinin nga Sigurimi i Shtetit, vazhduan ta furnizojnë diplomacinë shqiptare këta njëzet vjet, duke e vënë atë në një pozitë shumë të vështirë. Mjafton të përmendim një deklarim të fundit të një ish-eksponenti të policisë sekrete që mbulonte inteligjencien gjatë periudhës komuniste, Luan Pobrati, i cili do të pohonte se gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion katër Ministra të Jashtëm kanë qenë eksponentë të Sigurimit të Shtetit. Prej këtej mund të merret me mend edhe niveli i diplomacisë shqiptare. Ishte një kohë kur Fatos Nano e akuzonte Ilir Metën se si Ministër i Jashtëm kishte vizituar vetëm Beogradin dhe Moskën, kur orientimi kryesor do të duhej të ishin kancelaritë Perëndimore dhe institucionet për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Natyrisht këtu nuk mund të mos përjashtojmë edhe diplomatë me integritet, të cilët i kanë parë dhe vazhdojnë t’i shohin si prioritare interesat e shtetit shqiptar.

 

Më 2005 kemi rikthim të PD, çka u shoqërua edhe me ndryshime në MPJ, me një prirje në dukje për të vazhduar ndërtimin e një bazamenti të qëndrushëm për ngrehinën e diplomacisë moderne shqiptare të një shteti që aspiron të futet në NATO dhe BE, ku diplomacia nuk mund të jetë pronë e politikës, apo e një grupi ose klani, por e shtetit shqiptar. Politika e jashtme e një vendi që aspiron të jetë anëtar i NATO-s dhe BE-së i jep rëndësi diplomacisë së karierës, ndërsa e bën parësor pastrimin e diplomacisë nga njerëz pa integritet, ndërkohë që partitë, me rotacion, i kontribuojnë kësaj diplomacie me figurat më të spikatura, militantë, simpatizantë apo intelektualë - që do të thotë se i garantojnë diplomacisë shqiptare integritetin e saj për të qenë e mbrojtur nga shkeljet apo abuzimet e pushtetit politik.

 

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në BE, interesat jetike të shtetit të ri të Kosovës dhe të shqiptarëve si komb, të cilët jetojnë të paktën në gjashtë shtete në Ballkan, peshës që ka marë diaspora, kur vetëm gjatë dy dekadave të fundit janë shpërngulur në Perëndimin gjysma e kombit, e ridimensionojnë për nga nga rëndësia diplomacisë shqiptare, e cila në vend që t’i caktojë vetes detyrime strategjike interesohet për të kënaqur orekset e klaneve dhe nepotizmit.

 

Vetëm kur sheh se pavarësia e Kosovës është njohur për vitin 2011 nga vetëm 14 shtete të reja e kupton se diplomacia shqiptare e shtetit amë ka bërë fiasko të plotë, pasi në qendër të vëmendjes nuk ka vendosur interesat për faktorizimin e shqiptarëve si komb, me qëllim stabilitetin e rajonit, por të një grupi të vogël njerëzish.

 

Nga një diskutim i këtyre ditëve në Komisionin Parlamentar të Integrimit të Kuvendit të Shqipërisë me ministrin e Jashtëm Haxhinasto disa deputetë të PS e akuzuan diplomacinë shqiptare «se Ministria e Jashtme ka humbur funksionin që ka duke u kthyer në një OJF ku punësohen të afërmit e pushtetarëve». Socialistët u shprehën se do të votojnë kundër amendimeve të ligjit për diplomacinë që qeveria do të paraqesë në ditët e ardhshme, pasi, sipas tyre, "ligji ka për qëllim të legalizojë emërimet nepotike."

 

"Unë kam këtu të gjitha lidhjet nepotike në Ministrinë e Jashtme. Thatë se do të legalizoni ndërtimet pa leje në diplomaci, me një ligj. Ai ligj nuk mund të kalojë në kuvend, sepse 17 deputetë kanë konflikt interesi. Tregoni, zoti ministër, kriteret mbi të cilat është pranuar në shërbimin diplomatik dhëndri i Jozefina Topallit dhe unë të pranoj që të votoj për projektligjin që ti mund të sjellësh për të legalizuar këto ndërtime pa leje në diplomaci. Neni i parë i këtij ligji të jetë asnjë deputet, asnjë ministër, asnjë kryetar parlamenti, asnjë kryeministër mos të ketë familjarët e vet në shërbimin diplomatik",- tha deputeti i PS, Taulant Balla.

 

Taulant Balla përmendi dy emra me lidhje nepotike, unë po i shtoj edhe tre të tjerë, të cilët janë si më poshtë :

 

1.Dhëndëri i kryetares të Parlamentit, sekretar i parë në Ambasadën Shqiptare në Paris;

2.Bija e Kryetares të Gjykatës të Lartë, diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, përmendur në videon Meta-Prifti, e cila sipas një njoftimi të Ministrisë të Punëve të Jashtëme botuar dje në shtypin e Tiranës rezulton të jetë e shkarkuar tani për arsye leje-barre;

 

3.Bija e deputetes të PD zonjës Rajmonda Bulku, diplomate në Konsullatën e Shqipërisë në Selanik;

4.Gruaja e parë e Fatos Nanos, këshilltare ekonomike në Ambasadën e Shqipërisë në Paris;

5. Gruaja e Zv/ministrit aktual të mbrojtjes z.Starova, rezulton të jetë e ngarkuar me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Londër.

 

Disa të dhëna i kam marrë nga linqet e Ministrisë të Jashtme. Për shembull i jam referuar linkut : Përfaqësitë Diplomatike Shqiptare në Botë , i vendosur më 12 korrik 2010 me Last Updated 9 shkurt 2012, ku zonja Teuta Starova, bashkëshortja e Zvministrit aktual të Mbrojtjes zotit Arian Starova rezulton të jetë e ngarkuar me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Të dhënat për zotin Luiz Ejlli dhe për zonjën Rexhina Nano i kam konfirmuar në websitin e ambasadës të Shqipërisë në Paris, websit i cili prej tri ditësh rezulton të jetë i bllokuar.

 

Pa marrë parasysh se zonja Rajmonda Bulku vuri në spikamë CV e bijës të saj, dhe mund të jetë kështu pa pikë dyshimi, apo që personat e lartpërmendur kanë CV dinjitoze, fakti që ata kanë lidhje gjaku apo lidhje shumë të afërta familjare me zyrtarë të nivelit më të lartë të shtetit, tregon se janë shkelur parimet themelore të demokracisë, ku shteti nuk është pronë e klasës politike dhe ku klasa politike përmes qeverisjes dhe zyrtarëve të saj publikë nuk është gjë tjetër veç shërbëtore e shtetit dhe sovranit.

 

Në kushtet ku ndodhet Shqipëria, shfaqjet e nepotizmit si pasojë e abuzimit me pushtetin si dhe krizat e vazhdueshme midis opozitës dhe pozitës rrezikojnë pluralizmin dhe çojnë në degradimin e shtetit të së drejtës që njihet zakonisht me definicionin e Failed States – shteteve të dështuara.

 

Shtypi i Tiranës gati heshti po ashtu edhe pozita dhe opozita

 

Pas debateve më të fundit në Komisionin Parlamentar të Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë, dhe nxjerrjes në dritë të këtyre fakteve, do të duhej që gazetat dhe televizionet e shumta të Tiranës të ishin të përmbytur me tituj scoop,sensacionalë, të cilët do të duhej të zëvendësonin fotografitë e Nexhmije Hoxhës që vazhdon të qahet për arkivin e bashkëshortit, njërit prej diktatorëve më gjakpirës të Europës Lindore.

 

Por jo, shtypi dhe mediat e Tiranës gati heshtën. Liria e shprehjes në Shqipëri sipas Reportetë Pa Kufij - Reporters Without Borders ka zbritur 16 vende ku vendin e lirisë të fjalës e ka zënë censura, autocensura dhe temat tabu. Mediat kanë një përqasje shumë ortodokse ndaj kritikave, nuk pranojnë kurrë kritika për krahun politik që mbështesin, duke e humbur kështu paanshmërinë dhe idipendencën si pushtet i katërt dhe i pestë në sistemin demokratik.

 

Nuk pati reagim as nga Ministria e Jashtme, as nga personat që u prekën nga akuzat e deputetit të PS, veç ai i zonjës Bulku.

 

Edhe reagimi i opozitës ishte gati simbolik, kur do të duhej që Opozita të kishte kërkuar prej kohësh mocion mosbesimi ndaj ministrit të Jashtëm të Shqipërisë apo kryetares të Parlamentit, dhe ku do të duhej që kjo temë të prekej në një nga intervistat më të fundit të zonjës Topalli, kur gazetarja Sonila Meço, paçka se i dha një hapësirë prej nëntëdhjetë minutash, nuk arriti që t’i bënte asnjë pyetje të vështirë, veç u rotullua tek sukseset e diplomacisë parlamentare dhe tek afati i skaduar i zotit Topi. Askush nuk është kundër diplomacisë parlamentare, por kundër nepotizmit duhet të jemi, pasi është varrmihës i shtetit të së drejtës.

 

Lind pyetja përse kjo heshtje?

 

Si gazetare u përpoqa që të lidhem me disa zyrtarë të lartë të MPJ. Gazmend Turdiu, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ  komunikoi në mënyrë shumë korrekte, duke më thënë se nuk është kompetenca e tij për prononcime të tilla duke më orientuar tek zonja Eva Kushova, këshilltarja për shtypin e MPJ, e cila fillimisht më tha se kjo temë do të diskutohet sot në emisionin Top Story të Sokol Ballës në Top Channel. Kur unë insistova tha se do të përgjigjej brenda afatit zyrtar të ditës të sotme që mbaronte më 16:30 dhe, kur e mora për herë të dytë në telefon, më tha se z. Haxhinasto kishte patur ngarkesë të madhe dhe nuk kishte patur mundësi të bënte një prononcim lidhur me këtë temë. Ndërsa zvministrja e jashtme Edith Harxhi, paçka se i dërgova dy mesazhe, preferoi të heshtë dhe të mos më përgjigjet.

 

I kërkova prononcim edhe z. Kastriot Islami, duke i dërguar një mesazh përmes Facebook-ut dhe zotit Edi Rama përmes Twitter dhe deri tani nuk kam marrë përgjigje.

 

Nëse Edi Rama, lideri i opozitës deklaron për Rilindje, Rilindja e PS do të fillojë vetëm me një reformim të thellë të partisë dhe një opozitë të shëndoshë e konstruktive jo duke u fokusuar tek marrja e pushtetit apo tek rikthimi në pushtet por tek mbrojtja e vlerave të shtetit të së drejtës.

 

Si e mashtruan Pjetër Arbnorin se do ta emëronin Ambasador në Vatikan

 

Po e mbyll këtë shkrim të natyrës hulumtuese duke kujtuar Pjetër Arbnorin, njërën nga ikonat e demokracisë shqiptare, pasi tek ai gërshetoheshin dhe vuajtjet in extremis të popullit shqiptar, edhe profili i një zyrtari të lartë me integritet.

 

Pjetër Arbnori ka vuajtur 30 vite të jetës së tij në burgjet komuniste, pra dy vjet më tepër se Mandela. Pjetër Arbnori do të duhej të ishte zgjedhur me një nen të posaçëm të Kushtetutës të Republikës të Shqipërisë për hir të sakrificave të tij si një Ligjvënës i Përhershëm. Një nderim të ngjashëm me atë të italianëve për „senatore a vita", një detyrë me të drejtë për ta ushtruar vitet e mbetura të jetës dhe që jepet nga Presidenti i Republikës italiane i cili ka të drejtë që gjatë mandatit të tij të emërojë pesë senatorë të tillë, të përhershëm - me motivacionin „ për merita të larta ndaj Atdheut në fushën shoqërore, shkencore, artistike dhe letrare". Për shembull Rita Levi-Montalcini, Nobeliste, është « Senatore a vita » në Itali. Apo kryeministri aktual i Italisë Mario Monti është një Senator i përhershëm, i emëruar nga presidenti aktual Giorgio Napolitano për « merita në fushën shkencore dhe shoqërore ». Senatore a vita është edhe Giulio Andreotti, kanë qenë edhe babai i Fiatit, Giovanni Agnelli dhe Eduardo De Filippo, Eugenio Montale e tjerë.

 

I kthehem Pjetër Arbnorit si një referim të dinjitetshëm i një politikani me integritet i cili, megjithë sakrificat, u la jashtë politikës duke u përjashtuar nga një politikë gjithë hije, me skeletë në sirtarë dhe pa integritet, që interesohet vetëm për punët e veta, duke e kthyer shtetin në pronë private.

 

I kthehem Pjetër Arbnorit, sepse sakrificat dhe integriteti in tij do të duhej të përbënin modelin e politikanit për meritokracinë e shtetit të së drejtës, i cili u la në harresë nga njerëz pa moral dhe integritet.

 

Telefonatën e fundit që kam pasur me Pjetër Arbnorin ishte ajo ku i uruam për « emërimin » e tij si Ambasador të Shqipërisë në Vatikan". Në fakt, emërimi i Arbnorit doli se ishte një bllof, në kuadrin e thashethemnajave, pasi nuk e emëruan kurrë. Jo vetëm që gjatë zgjedhjeve të 2005 nuk e zgjodhën deputet të Partisë Demokratike duke i bërë rrëngje klanesh, por nuk pranuan që ta emëronin as Ambasador të Shqipërisë në Vatikan.

 

E kam ende në vesh mbresën e zërit të tij të ngrohtë, pasi besonte se do ta emëronin në këtë detyrë. Ishte shumë i kënaqur kur biseduam se do të përfaqësonte shtetin shqiptar në Vatikan, detyrë që nuk e mori kurrë. Mendoni sot Pjetër Arbnorin, të cilit nuk iu dha kjo detyrë si një e drejtë legjitime e fituar me sakrifica dhe plotësisht me meritokraci, ndërkohë që në Ambasadat e Shqipërisë gjen figura pa integritet dhe kur nepotizmi dhe kleptokracia si formë e korrupsionit të qeverisjes, nga ato që i kemi përmendur, rrezikojnë jo vetëm diplomacinë shqiptare por edhe shtetin shqiptar.

 

VOAL