E marte, 16.04.2024, 08:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Kote: Ali Asllani, poezia e tij e ndikimit të kapërcyer

E shtune, 18.02.2012, 05:33 PM


Ali Asllani, poezia e tij e ndikimit të kapërcyer

 

Nga Petraq KOTE, poet

 

Fjalë kyç: Ali Asllani, edukim, vlerë, bashkëkohës, poet, poetikë, fabul, tingull, harmoni,

nimesis, lirikë, orient, ndikim, kapërcim

... Parisi ishte qyteti ku njerëzit mësonin të guxonin. Artistë të rinj nga e gjithë bota vinin këtu për t'u çliruar nga paragjykimet dhe për të vepruar me kurajo. Duronin urinë, mizerjen, injorimin por nuk pranonin të shkuarën, kishin drejtuar shikimin drejt së ardhmes, njerëzit e së cilës ishin ata vetë.

 

Costandin Brancus, skulptor rumun

 

Abstrakt

Poeti lirik Ali Asllani erdhi i edukuar nga shkolla turke e shkencave politiko-shoqëroro-administrative të Stambollit, atëhere kryeqëndër e kulturës së perandorisë Ottomane, nga aty, ku pak vjet më parë kishte gjalluar për të mos vdekur kurrë,  kryecensori i letërsisë së po kësaj perandorie dhe kryepoeti ynë, Naim bej Frashëri. Erdhi si amator në letërsinë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XIX, Aliu shkroi një faqe poetike ndryshe në poezinë lirike shqiptare dhe pse atë faqe kishin sprovuar më herët ta shkruanin, të tjerë “ poetë “.

Idhull për  për poetin tonë nga poezia orientale ishte  persiani Omar Khajam, por Aliu pati   relata të gjalla me poezinë turke.

Shkoi  për studime pikërisht në çastin kur “ lulëzonte “, Tevfik Fikret ( 1867 – 1915 ). Fikret  ishte model i   Bodlerit dhe i Prudomit dhe moderni   i parë në poezinë e prandorisë Ottomane. Ndjenja  e kundërshtime kishte ky poet oriental në poetikën e tij, dëshpërim e urrejtje, aspirata të futurizmit shoqëror, në emër të të cilave dënonte traditën imperialiste ottomane dhe vetë fenë islame, që predikonte luftën e shenjtë. Madje ai, në një moment të pashpresë ngre krye edhe kundër Allahut.

Hyrje

Ali Asllani është  ndër personalitetet më të shquara të poezisë lirike shqiptare të pas periudhës së pavarësisë kombëtare i cili vazhdoi me të njëjtën reverence estetike, deri në kohët më të vona ( 1966). Hyri në letërsinë shqiptare si  rilindas i vonë. Tingulli i tij poetik , semantika  poetike u shfaq e plotë në jetën letrare shqiptare të viteve  1920 - 1940, kohë kur artonte pena e Lasgudh Poradecit, Ndre Mjedjes, Gjergj Fishtës,  Fan S. Nolit, Mitrush Kutelit, Mustafa Greblleshit, Bernardin Palaj e mbi të gjitha ajo e Migjenit. Kishte nisur fillesat e krijimtarisë së tij letrare Ernest Koliqi. Arshi Pipa. Në këtë areal artistik letrar poezia e Ali Asllanit shquhet për origjinalitetin dhe autenticitetin harmonik. Si poet i strukturuar bukur me zë  miklues, shpesh melodramik e në çast rrebel, “ përngjit “ denjësisht të çarën e panteonit të poezisë së vërtetë shqiptare me atë  me atë të Perëndimit letrar, duke dyzuar vetveten poetike  por edhe fizike…

 

1.      Edukimi dhe ndikimet poetike të poetit Ali Asllani

 

E para gjë që bie sy në këtë edukim – ndikim është ralata e prishur e poetit Ali Asllani me Zotin, me shtetin(!).

Ja, si e “shan “ Zotin Aliu ynë: … dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’!

në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

 

Edhe Fikret e kishte vetshkatërruar relacionin me Zotin dhe shtetin.

Dikush mund ti përqas në ndjesi dhe pasmendim këto vargje të Aliut, si rastësi. Jo, nuk është rastësi. Inteligjencia poetike shoqërore pas ndjesisë prej të bukure, ndikon brymosisht tek inteligjencia tjetër poetike shoqërore e çfarëdo niveli qoft e cila bashkësohet me një stilistikë të caktuar gjatë ligjërimit kreativ e më pas e kodifikuar shkon drejt kanalit të komunikimit në koherencë e akoherencë me lexuesin, si akt kulturor.

Por nuk ndikoj Fikret i vetëm, tek poeti ynë “ i ardhshëm “. Asaj bote në Turqi tingëllonte Ahmad Midhat ( 1844-1913 ). Po aso kohe në Stamboll u përkthyen veprat e Russoit, Monteskiesë duke sjellë përzierjen e stilistikës  perëndimore me atë lindore, ku printe stili i Hygoit. Psh. Abdylhaki Hamid ishte pothuajse, Korneist. I famshëm atëhere ishte i ndikuari total nga idetë përparimtare të kohës, Rexhaizade Eqrem. Por meqenëse kemi marr në si qender Fikret le të shohim se si është ndikuar ai prej lirikës evroperëndimore dhe Ali Asllani prej tij:

 

… është një fuqi e madhe, supreme

në limitet e shenjntërisë dhe sublime

me gjithë zemrën time

që më bënë të besoj

 

toka atdheu im, kombi

mbretëria njerëzore

një njeri që vjen njeri

më bënë të besoj…

( Haluk’s Credo )

Ali Asllani filloi të shkruaj turqisht dhe vjershat e para i botoi në gazetat turke të kohës.

Në se vargjet e Fikret  u bënë “ subjekte  ndjesishë  ” të rinisë turke, vargjet e Ali Asllanit u bënë kredo lirike për lirinë e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, tinguj të dashurisë së sinqertë njerëzore. Duhej të bëhej lufta e Vlorës e viteve ’20 të shekullit të XIX që Shqipëria të njihej e pavarur prej fuqive të mëdha dhe Aliu poet   “ i  misionit të realizuar “. Ky misionarizëm i poezisë së Asllanit është tejet art. Le të kujtojmë këngën “ Vlora, Vlora! “ dhe të gjithë ciklin e këngëve patriotike të tij. Edhe Tevfik kishte poezi patriotike. Aso kohe në perandorinë e madhe Ottomane kishte shumë poetë dhe prozator  që krijonin art letrar misionar dhe pse të ndikuar.

Shpesh herë poeti  Ali Asllani është “ akuzuar “ për folklorizëm ( popullorizëm ) dhe bejtexhizëm nga kritika soc-realiste, prezenca e tij e gjallë poetike, “ Si etapë e kapërcyer. “

Por Aliu as më shumë e as më pak, pas edukimit dhe ndikimit, fal talentit,  zotëroi pozitën e një poeti me filozofinë e vet poetike të guximit intelektual. Poezia që ai krijoi nuk u  udhëhoq më nga nga rregulla të paravendosura, apo prej aplikimit të teorive të dhëna një herë e përgjithmonë në tekste apo  vepra të ndryshme të cilat i studioi. Pra, ai nisi të  shkrepte rrufe lirike në qiellin e letrave shqiptare. Por le ta lidhim këtë lirizëm poetik (  atdhetar ) me klasën udhëheqëse shqiptare të atyre viteve.

Të gjithë pushtetet shqiptare të çfarëdo kohe e sistemi do ta kishin dhe do ta kenë frikë lirikën e demonit prej kamzhiku të poezisë  “ Hakërrim “. Ndaj për ‘të do të flitet po gjithmonë “ kritikisht “ për

“ folklorizëm  “ dhe për “ etapë të kapërcyer “ kohën  e shkrimeve ( krijimeve ) të tij..

Është edhe një shkak tjetër që e bëri këtë poet të padashur për pushtetin. Përmbysi aktin e revokimit të figurave  madhërike shqiptare që rilindasit i ngritën si referenca lavdie për brezin e kohës, ashtu siç Fishta edhe poeti i Vajzës ndërtoi referencën kritike poetike e cila kulmoi me “ hakërrim “ ndaj klasës politike të lyerë e zhgrryer me palavdi e tradhëti kombëtare. Aso kohe atmëmëdheu i tij Shqipëria kishte hyrë në një fazë tjetër zhvillimi, luftonte të bëhej shtet i pavarur dhe njësi europiane e pandarë etnike.

Ai  ishte dhe do të mbetet poeti i lirikës së lirisë, ashtu siç ottomanët quajtën poetin Fikret.

Shumë emra të së djeshmes të “ përgjaktë “ letrare po vetreabilitohen turpërisht me poetët e vdekur në sytë e të sotmes, duke   shkruar “ miqësinë “ e pandarë me ‘ta e më tej e më në fund, duke bërë “ realizmin kritik “… dhe pse dje këta gjeni poetë të epitetuar armiq të pushtetit popullor, të censuruar, të përçmuar dhe disa prej tyre të pushkatuar siç shkruam  më sipër, nuk u parnuan as të trokitnin në dyertë zyrave “ kryeredaktoriale “ të censurës shqiptare ( 1949 – 1991 ), edhe për t’u parë syt e fytyrës, se të poezive jo se jo.

Po a ka të vërtetë në atë kritikë banale soc-realiste? Në atë emërtim ( quajtje ) të kopjuar shtrembër? Unë them, jo! Folklorin në poezi Aliu e përdori në raport të drejtë me masën e talentit të tij poetik, duke bërë që aspak prej asaj mase të mos kthehej në boomerang negativ ndaj krijimtarisë së tij të mirëfilltë estetike. Poezia e Ali Asllanit është e tej kapërcyer si e ndikuar popullorisht,, ajo tanimë është mbikalesë në autostradën e shkëlqyer të letërsisë poetike të orientit. Klasi i lartë i kësaj poezie “ tjetër “ e bënë atë një nga figurat brilante të lirizmit gjeneral shqiptar dhe poet të shenjuar. Ishin këto “ akuza “ të cilat e  “ rënduan “ personalitetin e këtij hierarku letrar të Shqipërisë “ obsurantiste “  që ai të mos dukej në asnjë pod a piedestal të kulturës “ elitare “ të Shqipërisë socialiste.

… nuk ka penë  të re dhe te vjetër në poezi, ka vetëm penë… të artë!  Ali Asllani ishte penë, në letërsinë e asaj kohe… dhe shkëlqen.

 

2.   Tingulli dhe fabula tipologjike shqiptare e  lirikës poetike të kapërcyer të Ali Asllanit

 

Më duhet ta shkruaj qysh në krye të herës  se Ali Asllani është poet  me tingull tipologjik shqiptar. Janë pak të tillë dhe  si ai në poezinë shqiptare.

Elitarizmi poetik është një vetkonsum shpirtëror i vazhdueshëm, një shuarje permanente fizike e poetit, duke shtuar hap e çast dhimbjen e pandjer deri në mungesën e fundit, kur fillon dhe ndrin dielli i artit për të mos perënduar kurrë… kështu ndodhi me Ali Asllanin dhe pse aksh regjime letrare  nuk e pranuan  në memorjen estetike letrare…

Ali Asllani i përngjet Lasgush Poradecit. Artin e tyre të lirë poetik ata nuk e përzien me artin e dekadent soc-realiste, me poezinë e indoktrinuar dhe pse kaluan këtej së gjalli. Pothuaj e gjithë krijimtaria e poetit Ali Asllani është matan  viteve 1950, kohë kur në krye të poetekës shqiptare  u vu poezia e misionit të kryer, poezia pa art, ajo e luftës nacionalçlirimtare e cila i bëri një dëm të pallogaritshëm artit poetik shqiptar. U deshën vitet ’60 të shkekullit të XX, dhe pikërisht brezi i ri i poetëve (  Kadare, Agolli, Rreshpja, Arapi etj. ) që poezia e atyre viteve të ishte ndryshe ( moderne ) dhe pse ndikimi i saj ishte i drejtpërdrejt nga poezia sovjetike dhe pse kaloi kohë që ajo të “ prishte “ korrelacionin me ‘të. E megjithatë, përjashto këta të katër dhe më shumë…, ajo,  nuk u ngrit kurrë mbi poezinë e Ali Asllanit…

E gjithë fabula e poezisë së Asllanit … u lind e u rrit  nga dy post - gjenera

-          Nga ajo e origjinës, krahinës, fshatit të tij Vajzë, ngjurosur dhe strukturuar nga ndikesat e rrethinës letrare jo turke dhe

-          Nga   talenti vetiak i transkriptuar në Un

Tingujt e lirikës së këtij poeti ( Ali Asllani ) më ngjajnë me tingujt e polifonisë labe dhe po me atë prezencë magjepsëse, me tingujt e fyejve, gajdeve të blegtorëve e bujqëve të atyre anëve të serta por të bukura shqiptare. A nuk i kishte  ndodhur ky shpërthim poetik edhe Fiqretit( ?! ) por këtu ( në Shqipëri ) me digression tjetër, me fuqi e kohezion tjetër ( të ardhmë ), me tonalitet e marzh tjetër, me muzikë përbuzëse dhe marshe luftarake. Kulminacioni i lirikës së Asllanit është  vet moderniteti. Ajo lexohet pothuajse me të njejtën ndjesi estetike, siç lexohej edhe në kohën kur u krijua aty matan gjysmës së dytë të shekullit të XX-të.

Shpesh herë letërsia e çdo kohe dhe kombi është dhe mbetet letërsi historike ( për studim historik ), ajo veç dëshmon aktin e të shkruarit në një kohë  dhe në një gjuhë të caktuar, pa art brenda. Është tjetër gjë letërsia artistike, ajo, mban së brendshmi përpos aktit, kohës, gjuhës së shkruar, leksikut, etikën dhe estetikën duke na sjellë në ndjesi atë çka është më e bukur… Edhe relatën me letërsinë historike, Ali Asllani e ka kapërcyer duke hyrë përfundimisht në letërsinë e gjithëkohshme… shqiptare.

Le ta ilustrojmë me poezinë “ Hakërrin ” aktin e gjithëkohësisë! E them që në fillim se është një ndër poezitë e gërshetuara, më estetike të këtij zhanri, të letërsisë shqiptare. Ende sot nuk ka në poezinë shqiptare një poezi të tillë estetike kaq të fuqishme përmbajtjesore dhe aktante.

Është kulmi retorik i vetzgjidhur nga poeti, i ngritur në poetikë ai që na ndjeson edhe sot e kësaj dite me të njëjtën forcë  kritike ndaj klasës udhëheqëse shqiptare.

… Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

 

“ Hakërrim “ mbaroi së shkruari në vitin 1942 por aktualizmi tinëzar, vjedhëtar, kriminal i klasës politike shqiptare është aq aktual sa që kjo poezi të duket sikur është krijuar e botur sot nga poeti Ali Asllani.

E gjithë monologjia poetike e Aliut përkthehet: TË VUASH PËR ATË GJË QË S'E KE ËSHTË NORMALE POR TË VUASH PËR ATË GJË QË E KE ËSHTË ABSURDE!

Milan Kundera ka thënë: " Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës"

Me Ali Asllanin ndodhi ndryshe “ Lufta e pushtetit kundër njeriut, është lufta e harresës kundër kujtesës

 

Ali Asllani, poezia e tij e ndikimit të kapërcyer

 

Askush deri më tani s’ka mundur ti përcaktoj kufijtë e artit...dhe asnjëherë nuk do të ketë gjasa të kësaj vepre   “ kritike “, sepse arti njerëzor dhe natyror  është hapësirë e njohjes pa njësi në sistemin SI.

… të ndikohesh ndjesisht nga  poezia, proza, etj, është më se normale. Por të ndikohesh dhe përpos këtyre ndjesive të krijosh  mbindjesi artistike, është veçanësi, spikatje, Un, duke u larguar përherë e më shumë atij “ pellgu “ poetik, duke krijuar një “ lumë “ tjetër poetik me prurjen, rrjedhën, valët e tua. Askush nuk bëhet poet e aq më shumë Un poetik, pa u larguar nga pellgu i ndjesisë idilike.

Aso kohe në poeziletërsinë Ottomane kishte edhe romantizëm dhe pse romantizmi jetoi shumë pak në ato troje. Po asaj kohe aty po dukeshin dhe po  merreshin në konsideratë kërkesat dhe teoritë e estetikës letrare. Filloj të krijohej prozë poetike.

Ali Asllani me ndikimet e rrethinës letrare në rrethanë, i ngjan kokrrave të pjekura të rrushit, i cili shkon në but ( shpirt )  e bëhet verë. E pra “ vera puro “ është ajo çka doli pasi u përpunua në atelienë e shpirtit të këtij poeti nga shumatorja origjinë + ndikim + talent =  kokërra rrushi të pjekura  =  verë ose poezi e Unit Ali Asllani.

Edhe Aliu ynë është romantik, romanca i tingëllon bukur edhe sot në poezi. Përpos se na shpije edhe  në Provancën e dikurshme, por i pa hipur mbi kalë…

Në se studiojmë me kujdes poezinë e poetit Ali Asllani do të vrejmë se nuk ka hapësira ku matanë tyre ka vlera  të ndryshme poetike. Nuk ka fillim, vazhdim, fund, kohë e gjasa këto që përkojnë me krijimtarinë e mirëfilltë poetike dhe moshën. Nuk ka ultësira, mediume ka vetëm lartësi… edhe rrymat poetike ( të ndikuara ) zbehen njëherazi me tipologjinë poetike të Ali Asllanit. Është talenti i tij i zgjuar që bashkoi artin modern ( në rastin tonë, leksik të ri ) të brenda vetes me artin popullor të këngës dhe aforizmave krahinore labërike duke u bërë së bashku një ligjërim, klasi.

Kjo tregon se poezia e Ali Asllanit është estetikisht më e lartë se poezia që e ndjesoi, ngacmoi dhe i zgjoi talentin poetik të krijimit.

Largparja, maturia, urtësia dhe sidomos ndjenja e pergjegjësisë sociale, të vendosura bukur në ndërgjegjen e poetit, ndihmuan natyrshëm në shkëputjen e poetike të ndikimit. Nga psikolinguistika dimë se edhe në se plagjatura e mirëfilltë poetike zhvendoset dhe komunikon poetikisht në një kohë tjetër, me një kod tjetër e në një vend tjetër, tek një mesazhmarrës tjetër, ajo nuk ka më të njëjtën ngjyrë, tingull, assonance… në fund të fundit, ndjesi.

I  përqëndruar  në shfytyrimet e shëmtuara të ekzistencës shqiptare, ai prangoste me gjuhë minervash  poetike gjendjet  e ndyra e aq më keq monotonike  qytetare shqiptare.

I shtrenguar në fyt nga inati i vetmisë evropiane, kafshonte shpirtin e vet me dhëmbët e poezisë që vet e kishte lindur, mes qetësisë gjithë gjakra të Orientit.

Jeta shtetërore i përqasej demonike e  më tepër se arrogante. Durimi etik i qe sosur, i  kishte filluar  durimi mitik për të fituar.

Herë herë Aliu më kujton  Safon dhe mua më duket se ai i këndon monodika, Shqipërisë dhe përtej kësaj Shqipërie gjysmë gjallë e gjysmë vdekur, i lirikonte “ Hankove “, e

  Amore é felicita “ u  përshëndeste  njerëzve! Këtë realitet ma forcojnë fillesat e shumë poezieve me përemrin Unë   në vetën e parë të njejësit. Ai e dinte se koha ka vetëm fillesa, koha nuk fal... në të përpjet - tatepjetat e jetes ku ndjenja buron dhe derdhet si uji në ujëvara,  çdo gjasë përemërohet... dhe vjen momenti kur… vdes e në fund përemri  tretet...! E pastaj koha fillon, fillon rivlerësimin...

Poezia e Aliut është  shenjë e një force vigane në një shpirti të krisur. Ai nuk derdhi lot, ai derdhi  mesazhe jo të thjeshta… ishin copra  nga zemra e tij e madhe, të mbushur me tramundana dashurie e përkushtimi, me vuajtje pse(?)-je! Po, kush e lexoj me këtë ndjesi Aliun? Soc – realizmi, jo. Njerëzit shqiptarë, po.

Është nimesis–i ( imitimi ) i   lirikës së këtij poeti është një tjetër mrekulli në ndikimin e kapërcyer, ashtu siç është edhe  harmonia ( muzika ). Filloni dhe lexoni pa tinguj ( pa zë ) poezitë e Ali Asllanit dhe pasi ti keni përfunduar së lexuari, filloni ti lexoni ato me tinguj ( me zë ), një simfoni mahnitëse do ta shokoj ndjesinë dhe rrethinën tuaj akustike.

Është madhështore dhe tipike shqiptare fabula poetike e Ali Asllanit.

VETËM DY GJËRA S'I SHMANGIM DOT DASHURINË DHE VDEKJEN. Por dashuria… edhe vdekja, duhen bërë të mëdha! Aliu i bëri.

A u hidhërua në jetë Aliu dhe poeti Ali?! KUR   NDAHE  NGA HIDHËRIMI TË DUKET SE E KE URRYER TMERRËSISHT ATË POR ME KOHË E TEJKALON HIDHËRIMIN DHE VJEN  NJË DASHURI E RE PASTAJ, MË E FUQISHME, MË E BUKUR… kështu i ndodhte pas çdo mllefi etik Aliut i cili nuk ishte gjë tjetër veçse çdo mbarim poezie…

Animën poetike, një nga shkapërximet më gjigante të Ali Asllanit nga poezia orientale, në distanca kohore të ndryshme, regjimi letrar u mundua  ta konvergonte në shërbesë  të detyrueshme për përfitime shoqërore, ky akt njerëzoroletrar nuk bënë kurrë  pjesë  në kategorinë e  së njerëzishmes aktante me shpirt njerëzor, por në kategorinë e anti të njerëzishmes të cilën e patën instaluar regjime pushtetore të paskrupullta shqiptare. Jeta nuk është vetëm pushtet dhe vetëm për një brez, jeta është njerëzi dhe e përherëshme mbi këtë dhe’  të stërlashtë të ilirëve…

Lufta për ta standardizuar poezinë shqiptare ishte  e pamundur po aq sa edhe dëshira për t’i bërë njerëzit fizikisht të ngjashëm, sepse është pikërisht dallimi i poetikave, stilistikave, përqasjeve ajo  që e përbënte madhështinë e mozaikut letrar. Ata që poezinë  e kundronin  vetëm  soc-realiste, ata ndjenin neveri për poezinë  dhe  poetët jashtë kësaj avance dhe krijimtarie. Uniformizmi ushtarak i poezisë së pas viteve 1950 në Shqipëri, bëri që shkëputja ndjesore të  shkaktonte krusmë në palcën e artit letrar shqiptar, të derdhte gjak të vërtetë nga venat e poetshkrimatrëve, por edhe gjak nga poetika duke shkaktuar dhimbje therëse në ndjesinë e madhe kombëtare. U deformua keqas shtylla  poetike që dikur qëndronte  simetrike me atë evropiane paçka se spostuar pak  në koherencë. Kishte ngelur vetëm ti vishnin rroba ushtarake artit poetik dhe krijuesve tu jepnin grada… pse jo në kohët që erdhën deri në kufijtë e viteve 1991, kjo çmenduri diktaturiale, ndodhi. Në Shqipëri u vendos diktatura letrare.

Teokratët, filluan të mbinin kudo. Letërsia  e “ masave “  pushtoi trojet e shtetit shqiptar, deshi fati, jo  të kombit shqiptar ( Shqipëria ishte e coptuar në pesë pjesë ndër shtetet fqinje prej Fuqive të Mëdha )… gjithëkush komunist ose jo komunist por me “ partishmëri “  mund dhe fliste për artin letrar sikur të ishte një kritikë i vërtetë i artit. Ç’tmerr!  Ata kishin të “ drejtë “   të mendonin teokratisht sepse njeriu i ri “ u lind “ nga partia dhe çdo mendim, ide, veprim duhet të ishte i njëjt me atë ( në rastin tonë ) të soc-realizmit. Ku idhulli letrar  ishte vetëm Enveri, vetëm shkrimtarët e oborrit të tij…

Ata poetë si Ali Asllani, të cilët pas vendosjes së pushtetit letrar soc-realist nuk shkruan më art letrar, i nxorrën jashtë gjallesës ose jetës letrare shqiptare. Ata që shkruan disidentshëm  me “ Ndërgjejge me Katrorë të zeza “ me emrin Trifon Xhagjika, i pushkatuan.

Por edhe sot luftohet tmerrësisht në emër të  dogmës   në fushën e artit letrar etj., ku si  “ tradita “ ashtu dhe bashkëkohorja moderne përzjehen  nga mendimi i “ kualifikuar kritikë “  pa kurrëfarë ndërgjegje profesioni ndaj vlerës së vërtetë artistike kombëtare, për të respektuar prurjen e çdo risie në fjalën e shkruar shqipe. Në Shqipëri lexuesin ta krijon shteti,  kështu ka ndodhur përherë... relato, flirto me shtetin dhe je poet i Madh, shkrimtar i Madh... shteti i ka tentakulat shumë të gjata, tentakulave iu bashkengjitet MEDIA e folur dhe e shkruar, ajo vizive... për të vazhduar më tej tentakulizmin në veshin dhe syrin e atij që nuk ka lexuar nje rresht letersie të  çfarëdo gjinie e zhanri, ne jeten e vet... këtu lexuesi i rregullt i poezisë, prozës denatyrohet deri në stërmundim… ku më në fund gjen poezinë, prozën e vërtetë… këtu nuk ndodh krijimi i lexuesit tënd për shkak të talentit vetiak  etiko – estetik!... Por le të shkojmë sërish tek poezia e këtij biri të talentuar, kohë, kohë të mohuar të letrave shqipe!

Zëri  i brendshëm ( interteksti ) i poetikës  së Ali Asllanit ka një tingull lirik mashështor dhe po ashtu në mënyrë të madhërishme bashkohet me zërin e jashtëm të saj, duke rifituar përherë edhe më tepër estetikë gjatë fenomenit të komunikimt... është pra një tjetër hap në shkallën e kapërcimit të ndikuar të këtij punëtori të talentuar të poezisë sonë…

Thellë në ndërgjegjen e censorëve letrarë shqiptarë, jetonte e ndjesia e bukur e pasleximit të poezisë së Ali Asllanit, interkomunikimi brenda saj si risi e veçanësi tipologjike, e pashkruar aq fuqishëm në gjuhën shqipe deri atëhere. Kjo ngjarje e brendëshme poetike në krijimtarinë e Aliut, ishte një tjetër shkallë kapërcimi prej ndikese, prej folklori…

Edhe sot e këtë orë, edhe sot ajo stuhi,

ajo flamë-madhe dorë do na bëjë tym e hi!

Komb i varfër, komb i gjorë si një zok i pafole,

një pëllumb i bardhë borë, ngeli keq në një rrëke!...

 

(  Dëshpërim dhe shpresë )

Trashëgimia poetike Ali Asllanit   mishëron në vetvete vlera   artistike të padiskutueshme lëndore duke përftuar çdo herë që lexohet një tingëllim të ri në opuset muzikore. Në poezinë e tij vjen e shpërfaqet jo vetëm shpirti i vet poetit,  Vlorës, por edhe shpirti i gjithë kombit të   shqiptarëve.

Edhe gjuha   në gjithë veprën  poetike letrare të Ali asllanit duket sikur ka hequr dorë nga ajo ç’mësoi dikur në shkollat orientale dhe pse të ndikuara  këto nga perëndimi francez, duke    marrë trajtat e një flladi të  ëmbël Shqipërie. Verbi i tij të krijon përshtypjen sikur nuk shqiptohet, por  këngëzohet në

nje logjikë poetike të jashtzakonshme të finalizuar. Përgjat leximit duket sikur je përpara nje " akti magjik "  venerabël, por në fakt je përpara një refleksion – reaksioni shpirtëror e frymëzues... ku fundleximi dhe rikrijimi janë nje proces i sakt dhe i papërsëritshëm.

… Një vështrim i arratisur/ Nga qepallat e qendisur/ Ku eshtë shpirti im skalisur/ Nga dy syt’ e zez te tu/ Vjen me thotë ashtu-keshtu!/ Me thot’ jo edhe me ndez/ Me thot’ po edhe me vdes/ Nata zgjatet edhe zgjatet …

 

( Një vështrim i arratisur )

 

… edhe pse i kapërceu të gjitha,  vetëm një gjë nuk kapërceu ose e la të moskapërcyer në mënyrë të ndërgjegjshme nga ndikimi, ai, KULTIN E TEPRUAR NDAJ SË BUKURËS…  ai përdori turqizma dhe arabizma në poezi për të tipizuar personazhet, jo se gjuha shqipe nuk kishte fjalë analoge në leksikun e saj, por për ti bërë ata më arkaikë në syt  e mesazhmarrësve. Vetëm në poezitë e dashurisë ai është një puritan fanatik, sikur donte të mos e pëziente dashurinë shqiptare me atë turke, “ për të mos përzier e prishur “ gjakun e të parëve…

Ti përherë puth e pi !

pi e puth

si një zok i zën’ në kurth

përpelitet nëpër odë,

mbush një  gotë e zbras një gotë

dhe më flet për poezi!

( Pi e puth )

Në poezinë lirike-sensuale, Ali Asllani ka rivalë vetëm animën e vet dhe poetët e mëdhenj të Orientit, askush nuk i afrohet atij prej poetëve shqiptarë.

Dihet se poezia lirike ndahet në lloje të veçanta  si  nga përmbajtja, muzikaliteti, ashtu edhe  nga forma. Këto lloje janë të ndryshme në popuj të ndryshëm dhe kohë të ndryshme. Tek theksojmë se çdo ndarje e poezisë bëhet në lloje, theksojmë gjithashtu se është nevoja për sistemimin teorik të saj sesa  kufizimi brenda lirikës. kështu ndarja bëhet sipas llojit të ndjenjave që na i dërgojnë vargjet  e poetita të cilat shkaktojnë ndjesi  lirike përkatëse.

Lirika e Ali Asllanit ndahet lirshëm në:

Lirika e portretit

Lirika e peizazhit

Lirika erotike

Lirika sociale

Lirika përshkruese

Lirika atdhetare

 

Dhe tani…

në këtë proces të stabilizimit të botës letrare shqiptare, askush nga individët tanë qofshin këta odeonistë  apo ordinerë, grupime të ndryshme letrare a shoqërore, nuk kanë asnjë të drejtë të dalin mbi faktorin “ letërsi e pas viteve 1991 ( soc – realiste )    që është aq miqësor dhe më shumë se aq, gjithë përfshirëse ndaj kësaj çështjeje të arritur absolutisht për zgjidhje. Eshtë fat që kësaj koherence ne gjendemi brenda syrit të strategjisë  së letërsisë pa kufizime, akt i cili, nuk do të zgjas për shumë kohë, për shkak të së resë vetmore poeto –estetike  evrobotërore ... sepse askush dhe asnjë grupim letrar shqiptar, nuk mund ta realizoj këtë imperative, i vetëm!... ndaj le ta respektojmë së bashku ish censorë, kritikë, poetë, shkrimtarë poetin e shpirtit lirikë Ali Asllanin!

 

Mendime rreth krijimtarisë dhe  poetit Ali Asllani

Profesor Rexhep Qosja pohon se, “Vjershat e tij…kanë njëfarë arome orientale, të cilën ai e mbrrin me përdorimin e fjalëve turqishte apo arabishte.

Poeti soc-realist Fatos Arapi

“I plazmuar si ai me kulturën e madhe të Orientit – sidomos atë persiane – dhe pastaj i kredhur përgjithmonë në kulturën dhe mënyrën e jetesës europiane, verbi i tij poetik vibron nga buzëqeshja e lehtë e një ironie të mençme, i një urtësie filozofike që vjen nga kuptimi ekzistencial të jetës.”

 

Poeti dhe përkthyesi tjetër soc-realist  Jorgo Bllaci

“Për fat të keq, kritika jonë tej mase e politizuare ka anashkaluar këtë vlerë të padiskutueshme të këtij vjershëtori…”

 

Dr. Robert Elsie

…Asllani ka shkruar disa lirika dashurie të ndjera, ai përmendet në radhë të parë për Hanko

Hallën me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor. Ky rrëfim plot

humor në vargje pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që

është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat e reja të jetesës. E rritur në një shoqëri

patriarkale tradicionale, ajo mbetet gojëhapur nga risitë që sjell në jetë rinia, e njëherazi vë në

lojë konservatorizmin e vet. Hanko Halla hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në

letërsinë shqiptare.

Ali Asllani, lindi më 28 nëntor të vitit 1884 në Vajzë të Vlorës. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “ Zosimea “" në vitin 1888. Më pas studioi mjekësi, por shpejt e la atë studim për të ndjekur  Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Stazhin e kreu në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës   u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “ Bashkimi “. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemali filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t'i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit "Bashkimi" të Janinës.

Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Kolonjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor 1915 - 1 janar 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 deri më 5 nëntor të vitit 192 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 - 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua "Zëvëndës i ngarkuar me punë" në Sofje e më pas, po aty, "sekretar i parë" dhe "i ngarkuar me punë". Në vitet 1930 - 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

Poeti Ali Asllani mbetet një nga figurat qëndrore të letërsisë Shqiptare të pasrilindjes, një simetri e bukur ndoshta me Poradecin dhe Kutelin dhe pse me stilistikë krejt të ndryshme.

Ali Asllani kjo ikonë poetike që e mbuluan dhe e ndanë  nga letërsia e vërtetë shqiptare  muret e shëmtuara të lirikës soc-realiste shqiptare.

Bibliografi

Poetika, Aristoteli, botimet UEGEN, Tiranë 2004

Poezi të Zgjedhura, Ali Asllani, botimet TOENA, Tiranë 1999

Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare, Bardhosh Gaçe, botimet TOENA, Tiranë 2006

Historia e Letërsisë Shqiptare, Robert Elsie

Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)”

nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997)

 

Tipologjia e lirikës së Ali Asllanit, Shkëlqim Zotaj, botimet GlobusR., Tiranë 2007

Letërsia turke e shekullit XIX - XX



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora