Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Komplekset Monumentale-Historike në Kosovë

| E premte, 17.02.2012, 07:57 PM |


Komplekset Monumentale-Historike në Kosovë

Nga Qazim Namani

1 Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - Kompleksi i Gazi Mehmet Pashës në Prizren, vendi ku është formuar dhe ka zhvilluar veprimtarin e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Autoriteti dhe pozita e Ymer Prizrenit, myderriz i medresesë së Gazi Mehmed Pashës, bëri që të gjitha objektet në këtë kompleks t’i lihen në dispozicion për veprimtari Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Rol ne në kohën luajti edhe Xhamia (Bajrakut) që gjendet në kuadër të Kompleksit të Gazi Mehmet Pashës. Xhamia është ndërtuar në vitin  1573/4 (981 hixhri). Në Xhami ishin mbajtur shumë seanca  dhe aty ishte mbajtur edhe Kuvendi Themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishë Enti Krahinor për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Përmendoreve Kulturore në Prishtinë, Bajrakli Xhaminë, e ka vënë nën mbrojtje të ligjit.

Lidhja shqiptare e Prizrenit, në Medrese i kishte vendosur selitë e dikastereve. Lidhja e Prizrenit, arriti ta formojë në fillim të vitit 1881 edhe Qeverinë e Parë të Përkohshme Mbarëkombëtare Shqiptare, e cila, si Rezidencë pati ndërtesën e Ders-hanes, sot simbol i LSHP-it.

Roli që ka luajtur ky Kompleks gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e ngriti në një shkallë të lartë vlerën e këtij monumenti historik, nga më të rëndësishmit të historisë sonë.

Enti për Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore dhe të Rariteteve Natyrore të Komunës së Prizrenit, me vendimin nr. 260/68, dt. 05.04.1968, Ders-hanën – Rezidencën qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e vuri nën mbrojtjen e shtetit. Kurse Medresenë, Bibliotekën dhe hapësirën tjetër me një sipërfaqe 7720, i ka vlerësuar monumente kulturore me interes të posaçëm shoqëror dhe janë futur nën mbrojtjen ligjore që aplikohet ndaj vlerave kulturore me aktvendimin 414/77 të dt. 20 qershor 1977.

Me rastin e shënimit të 90 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , këto objekte shndërrohen në Muze të Lidhjes së Prizrenit. Gjatë luftës së fundit 1998/99 ky muze u djeg së bashku me të gjitha eksponatet, duke i dëmtuar dhe të gjitha monumentet tjera që gjendeshin në oborrin e kompleksit. Pas lufte u bë rindërtimi i këtij muzeu dhe u pasurua me disa eksponate të riprodhuara dhe relikte origjinale të kohës. Sot ky Muze posedon gjithsejtë 1159 eksponate dhe bibliotekën me gjithsejtë 874 ekzemplarë. Prej eksponateve sektori e historisë i ka 101 eksponate të ekspozuara dhe 214 tjera në depo, Galeria e arteve figurative 61 të ekspozuara dhe 33 në depo, etnologjia 403 eksponate të ekspozuara dhe 347 në depo. Prej periudhës 1981-1999 u ndërpre veprimtaria rreth grumbullimit të mëtejmë  të eksponateve etnologjike, andaj ndihet nevoja për të blerë veshje të caktuara për burra dhe gra, armë, stoli dhe objekte zejtare të viseve mbarë shqiptare për konsolidimin e sektorit etnologjik të kompleksit monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

2 Kompleksi Monumental-Historik i familjes Jashari në Prekaz, Familja Jashari në Prekaz të Drenicës, për shkak të aktivitetit patriotik ishte bërë shënjestër e forcave policore ushtarake serbe. Kontrolli i lëvizjes së anëtarëve të kësaj familje u shtua sidomos në fillim të viteve 90-ta. Rrethimi i parë i kësaj familje është bërë në mëngjesin e 30 Dhjetorit të vitit 1991. Rrethimi ishte bërë me makineri të rëndë ushtarake dhe kërkonin dorëzimin e Adem Jasharit. Ademi dhe vëllai i tij Hamza e qanë rrethimin duke lënë disa polic të plagosur. Fshatarët ju shkuan në ndihmë, ku nga helikopteri plagoset Vesel Selimi nga Aqareva. Me 22 janar të vitit 1998 njësitet e specializuara serbe pas rrethimit të shtëpisë së Adem Jasharit, filluan të sulmojnë me minahedhës, armë automatike dhe murtaja dore. Pas rezistencës që bëri Shaban Jashari me të birin Hamzën dhe nipat Besimin , Fitimin, Kushtrimin...policia u largua. Në këtë sulm u plagosen Selvetja dhe Iliriana.

Në mëngjesin e datës 5 Mars 1988 u bë rrethimi i tretë i kësaj familje. Nga tridhjetë anëtarët e kësaj familje heroike, njëzet e dy prej tyre ndodheshin në shtëpi. Rrethimin e kishte hetuar Ademi që kishte qëlluar në shtëpi. Rafali i armëve që filloi në ora gjashtë të mëngjesit, paralajmëroi fillimin e njërës nga betejat më të pashembullta në historinë e betejave! Rreth shtëpisë së Jasharajve ishin pozicionuar tanke, topa dhe armë tjera artilerie. Beteja zgjati tri ditë rresht deri sa ra dëshmor dhe vet Adem Jashari, 20 anëtar të familjes Jashari u vranë, prej tyre shpëtoi Besarta, dhe Bashkimi. Nga ky sulm mbeten të vrarë dhe shqiptarë tjerë miq dhe fshatar të Prekazit. Me 11 mars në varrezat e hapura në fushën e pajtimit u varrosën 53  dëshmor, midis tyre u përfshinë dhe katër të vrarë ne rrethinën e Skenderajt.

Me iniciativën e Këshillit Komunal të Skenderajt u vendos që të ngrihet Kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” për të ju kujtuar brezave që vijnë qëndresën heroike të kësaj familje. Pas lufte është hartuar projekti për rregullimin e Kompleksit Muze të familjes Jashari.

Në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99 në shtëpitë e tyre u sulmuan dhe shumë familje në shumë fshatra të Kosovës të cilat meritojnë të nderohen duke ju ngrit komplekse përkujtimore, duke i vënë në mbrojtje të shtetit së bashku me të gjitha varret e dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

3 Kompleksi Historiko-Industrial i Haxhi Zekës në Pejë, Kompleksi i mullirit të Haxhi Zekës është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të. Ky objekt industrial për nga struktura e ndërtimit, dëshmon shkallën e zhvillimit teknik dhe teknologjik si objekt i parë industrial i këtij lloji në Kosovë. Objekti filloi ta ndërtoi Haxhi Zeka me ndihmën e Austro-Hungarisë, por pas vdekjes së tij punën e vazhdoi Jashar Pasha, djalë i vëllait të Haxhi Zekës. Mulliri kishte tre gurë për bluarje, dhe kishte gjashtë objekte përcjellëse që janë: Mulliri , kulla trekatëshe, konaku, për fjetje të myshterinjve dhe kalimtarëve, depot e mullirit dhe ahurit të kafshëve. Më vonë ky mulli ka punuar me rrymë. Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, duke e parë rëndësinë e objektit e vuri në mbrojtje të ligjit me vendimin nr. 02-376 të datës 03.10.1977. Prej datës 16.06.1980 e deri me 11.07.1980 u bë incizimi arkitektonik, dhe filloi hartimi i projektit për ri vitalizmin e kompleksit. Kuvendi Komunal i Pejës më 25.03.1981, e shpalli Kompleksin “Muzeu i zhvillimit të industrisë së mullinjve të Kosovës”. Me 1994 serbët e dogjën mullirin, por mulliri tërësisht u shkatërrua nga forcat okupuese serbe në vitin 1998. Pas luftës mulliri u rindërtuar prapë, dhe tani priten edhe donacione tjera për ta shndërruar në një kompleks muze.

4 Qendra përkujtimore “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zym të Hasit, Kjo Qendër është kontribut i banorëve të fshatit Zym. Në kuadër të kësaj qendre veprojnë teatri me 500 ulëse, bina për shfaqje të ndryshme, shtatorja e Atë Shtjefën Gjeçovit, Muzeu i fshatit, dhe së shpejti pritet të vendoset në këtë kompleks edhe shtatorja e Pjetër Bogdanit. Muzeu i fshatit Zym të Hasit, ka arritur të grumbulloi rreth 500 ekzemplar të cilat e pasqyrojnë mënyrën e jetesës të  banorët e trevës së Hasit. Koleksioni i eksponateve kryesisht përbëhet prej veglave të zejeve të ndryshme, vegla pune, kostume popullore, teknologjia e kohës për përpunimin e kostumeve, orenditë e odave të dikurshme, armë të llojeve te ndryshme, djepi me objekte tjera përcjellëse te ritit të lindjes etj. Vend të rëndësishëm në koleksionet e këtij muzeu zë tavolina e punës së Atë Shtjefën Gjeçovit, zhguni i tij, arkat e librave, pastaj relikte të figurave të rëndësishme historike, fotografi të vjetra etj. Eksponatet janë të një vjetërsie prej 60-300 vjeçare, janë funksionale dhe origjinale të kohës që i përkasin.

Në trevën e Hasit ekziston edhe muzeu familjar i Zef Bibë Kajtazit nga Shëngjergji i cili ka krijuar një muze me eksponate të vlefshme etnografike.

5 kompleksi historik i Isë Boletinit, Kompleksi  memorial për Isa Buletinin është paraparë që të hapet në kullën e rindërtuar të familjes Buletini. Në këtë kullë është paraparë që të eksponohen të gjitha eksponatet personale të vet Isa Buletinit dhe familjes së tij për ta shndërruar kullën në një muze memorial për nderë të kontributit që dha kjo familje për çështjen kombëtare shqiptare. Po ashtu në oborrin e kësaj kulle është paraparë që të bëhet rivarrimi i eshtrave të Isa Buletinit, por projekti akoma është në fazën përfundimtare të realizimit. Është me rëndësi të cekët se pikërisht kisha e vogël e Sokolicës u shpallë si manastir i grave në vitin 1956. Kësaj kishe ju dhanë në pronësi pronat e Isa Boletinit dhe në këto tri dekadat e fundit u bënë ndërtime duke e politizuar dhe  shndërruar në një kompleks kishtar serb në pronat e familjes Buletini.

Fusnotat jane hequr nga autori