E marte, 23.04.2024, 07:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Edhe një shkrim për 17 shkurt

E premte, 17.02.2012, 08:59 PM


Edhe një shkrim për 17 shkurt

 

Nga Blerim Rrecaj

 

Zgjohem diku kah ora dhjetë. Në televizione muzikë e program kushtuar 17 shkurtit me flamurin shtetëror diku në ndonjë cep tëekranit. Presidentja që shfaqet në ekran thotë pak fjalë trupat e FSK-së të rreshtuara ushtarakisht. Lë televizorin.Dal jashtë. Diku janë vënë dy flamujt, diku vetëm njëri, diku asnjëri. E më shumë se dy flamuj duken edhe në ndonjëren prej veturave.

Nisem për në xhami në këtë ditë të premte. Në ligjëratën e tij hoxha flet për Pavarësinë, për mungesën e të drejtave të shqiptarëve në Mitrovicë dhe trojet tjera etnike shqiptare, për mungesën e lirive tjera në Kosovë ecetera, ecetera. Kushedi fjalë të tilla mund të flasin dhe klerikë të tjerë shqiptarë të feve të ndryshme. Por dhe personalitete të sferave të tjera. Dal nga xhamia. Kur dua të nisem drejt shtëpisë shoh një të njohur duke lidhur këpucët. Ndalem t’i flas. Më shkoi mendja më herët të të thërrisja thotë, por thashë ndoshta je diku i kyqur në ndonjë punë. E paske pasur përnjëmend i them, ja që u takuam, hajde shkojmë e pijmë nga një kafe. Hyjmë në kafiterinë Kaltrina. Kishte shumë njerëz në të por edhe shumë tym duhani. Kollitem disa herë duke m’u zënë paksa fryma dhe themi se çka ta bën vetja s’ta bën askush. Kamarierët shërbejnë, e nga televizioni duken pamjet e vije zëri i atyre këngëve patriotike. Fillojmë bisedën për mosmundësinë për t’u kyqur në ndonjë punë stabile dhe kjo bisedë merr atë kahje sa që vargisim ankesë pas ankese. Ndez dhe unë një cigare si arsyetim për t’u mbrojtur nga tymi mjegullues që endet brenda lokalit. Njerëzit duken të lodhur dhe më duket se edhe ata janë duke iu ankuar njëri-tjetrit. Paguajmë dhe dalim. Ia mësyjmë drejt stacionit të trenit, nëpër trotuaret me borë të palarguar dhe flasim e flasim. Po më vije për të qajtë thotë ai. Mua kur të më vije me qajtë qesh prej zori them. Dita është e mirë e me diell. Ndahemi para hyrjes së tij duke biseduar me një të njohur të tij që punonte në arsim dhe i cili tregon që kishte dalur për të parë se çfarë çmimi kishte një metër dru. Kthehem duke parë njerëz me kazma që godisnin borën e copat e akullit trotuareve, ndonjë veturë nuk më lë edhe pa më stërpikur, dikush hedh borën nga çatia, e diku ndonjë copë bore bie vetë. Strehët pikojnë, e bijnë si pika lotësh. Kthehem brenda mureve. Dikush më thërret në telefon. Më uron : Urime Pavarësia kjo që është, çka me ba më thotë pos tjerash.

Edhe njëherë dal nga shtëpia. Shkoj dhe i pres flokët. Rrugës shoh ende persona që heqin borën nga trotuaret. Dikush prej tyre thotë: Eh është dashur të hiqej me kohë, kur u thosha. Dikush drejton një bager duke hequr borën në një tjetër vend. Dikush pyet duke vazhduar ecjen, atë që qëndronte para atij kamioni e në të cilin duken ata thasë të bardhë që me gjasë janë të mbushur me thëngjill, se sa kushton një thes. Katër e gjysmë e merr përgjigjen. Po veç të mirë a, pason pyetja tjetër. Po, po t’mirë, i kthehet përgjigjja.

Njerëzit ecin drejtimeve të ndryshme. Po dhe mjaft automjete ka në lëvizje. Dhe kështu vazhdon kjo ditë feste, kjo ditë ankimesh...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora