Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Reshat Kripa

| E enjte, 16.02.2012, 08:41 PM |


Reshat Kripa

 

 

Botë e trazuar

 

Po këndoj edhe vajtoj,

Kujtoj kohën e kaluar,

Jetën plot brenga  kujtoj,

Rininë time shkatërruar..

 

 

Bisedë  me  zemrën

 

Çfarë ke  zemër që rënkon? Pse  s’më thua çfarë ke?

Porse zemra  drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,

Çfarë po  fsheh ti brenda vetes?  Ç’është ajo uturimë?

Thellësi  e zemrës time, nxjerr një zë si një kushtrim.

 

Deri kur do të  duroj, këtu  ndrydhur brenda teje,

E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?

Dua jetën,  bukurinë, dua edhe trimërinë,

Dua shumë begatinë, por më shumë dua  lirinë.

 

Kështu foli zemra ime e unë shumë u turbullova,

Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:

Nuk më sheh që jam i  mitur, n’atë flakë për t’u  futur

Jam në moshë  t’ ëndërroj, për  një jetë më të bukur.

 

Ti do që  të ëndërrosh? Por më të bukur  a  ka?

Se të fluturosh i  lire edhe të  pushtosh gjithçka.

Porsi një  zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,

Edhe  fjala jote  zjarrtë, të buças  si një kushtrim.

 

Krejt papritur këto fjalë, mendjen time e  kthjelluan,

Seç u ndez një zjarrë brenda, shpirti seç u turbullua

Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet

U ndez flakë  zemra ime , zgjohu koha më  nuk pret!

 

Ah,  më zgjoj nga letargjia, atje ku unë  kisha rënë,

porsi një zog fluturova, lart  diellin për të zënë.

Pëshpërita  dy,  tri fjalë, ushtoj zëri si bori:

“Për liri, për  Shqipëri, për  flamurin kuq e zi!“

 

Vlorë, janar  1991

 

 

Nata e majit

 

Ish një natë, natë maji,

Yjet shndrisnin lart në qiell,

Buzë detit, shtrirë  zallit,

Plot kujtime në mend sjell.

 

Kujtoj kohën e kaluar,

Kohën time të rinisë,

Atë kohë të trazuar,

Nën sundim të tiranisë.

 

Rri mendoj me veten time,

Vallë si mundëm të jetojmë?

Rini ndarë copë  e thërrime,

Jetën s’mundëm ta gëzojmë.

 

Por pejsazhi më shndërrohet,

Më merr  pamje krejt të re,

Në të sotmen po ndalohet,

Ndiej një gaz dhe një hare.

 

Ndiej se edhe sot ka dhimbje,

Ndiej diku po derdhet lot,

Porse bashkë me hidhërimet,

Dhe gëzimet janë tok.

 

Sepse s’kanë më mbi krye,

Diktatorë dhe kriminelë.

Sepse s’munden më të fyen,

Nga xhahilë ordinerë.

 

Ndaj dhe zemra është e qetë,

Ëndërron ditët e mira,

Ëndërron që këtë jetë,

Ta kalojë me mirësira.

 

Vlorë, dhjetor 1993

 

 

Politikani dhe kovaçi

 

Rrugën mora jashtë qytetit,

Në varreza unë shkova,

N’atë vend  hijen e  mbretit,

Me kovaçin  krahasova.

 

Të dy hijet pranë e pranë,

Për çudi ishin njëlloj,

Politikanin me famë,

Nga kovaçi s’e dalloj.

 

Politiku kur ish gjallë,

Bilbilosi aq sa deshi,

Trutë na i bëri dhallë,

Vaj dhe uthull i përsheshi.

 

Shtronte dreka, shtronte darka,

Bashkë me miqtë kuvendonte,

Ishte dita apo nata,

Ai kudo ligjëronte.

 

Kurse ky kovaçi  mjerë,

Kudhrën fort seç e qëllonte,

Bukën e gojës të nxjerrë,

Që fëmijtë  të siguronte.

 

Herë  ngrënë, herë pa ngrënë,

E kaloi jetën e tij,

Deri sa trupi i rëndë,

Përfundoi në varr të zi.

 

Ngjitur me varrin e tij,

varrosën politikanin,

Të dy bashkë ishin tani,

S’ dihej se për kë po qanin.

 

Qanin t’urtin a të marrin,

Fjalë shumtin a memecin,

Të dy në zemër të  varrit,

Çuditërisht tani  heshtnin.

 

Tiranë, nëntor  2000