E merkure, 24.04.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Mendime

Bujar Nishani: Përgjigje letrës së Lubonjës

E enjte, 06.03.2008, 08:33 PM


Bujar Nishani
Përgjigje letrës së Lubonjës

Nga Bujar Nishani

Unë, sinqerisht besoj se nëse krimin e organizuar nuk e kemi “zhdukur”, kokën ja kemi shtypur

Zoti Lubonja,

Si gjithherë e lexova me shumë vëmendje Letrën tuaj të hapur të botuar në gazetën KORRIERI.Së pari , si qytetar i këtij vendi më lejoni t’ju shpreh konsideratën për kontributin që ju jepni në sensibilizimin publik të çështjeve apo problematikave që has shoqeria jonë në zhvillim. Debati juaj rreth tyre, të paktën ruan origjinalitetin dhe konsistencën, ç’ka sot fatkeqësisht janë të rralla në lëmin e opinionbërësve. Së dyti , si ministër i kësaj administrate do të dëshiroja t’ju bëja me dije një informacion më real mbi goditjen që ka pësuar krimi i organizuar në Shqipëri pas 3 Korrikut 2005. Më duhet t’ju informoj se ata anëtarë bandash që ekzekutuan oficerin e policisë Klejdi Bano në pragun e shtëpisë , vetëm pse ai guxoi të hetonte për ta, (e që ishin të paprekshëm) tashmë janë arrestuar dhe dërguar përpara drejtësisë. Ata anëtarë bandash që ekzekutuan dhe i prenë kokën qytetarit nga Lushnja dhe e shëtisnin në qytet, vetëm pse ai guxoi të denonconte në polici ( polici që e tradhëtoi) veprimtarinë kriminale, tashmë janë arrestuar dhe janë përpara togave të zeza. Ata anëtarë bandash që dilnin dhe u zinin pritë autobusëve të udhëtarëve në qafa malesh, ku grabisnin dhe dhunonin qytetarët, tashmë janë arrestuar dhe dërguar ne qeli. Ata anëtarë bandash që ekzekutonin njëri- tjetrin në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Shkodër për pazare të prishura të drogës, tashmë janë arrestuar dhe presin gjykimin e drejtësisë. Ata anëtarë bandash që rrëmbenin vajzat e prindërve të pamundur dhe i detyronin të prostituonin, tashmë janë arrestuar dhe presin gjykimin e drejtësisë. E këto, gjatë këtyre 2 vite e gjysëm, kanë qenë plot 249 grupe te goditur me mbi 900 anëtarë të arrestuar. E kam fjalën për veprimtari të krimit të organizuar. Pasi, persona në kërkim, që janë arrestuar gjatë periudhës në fjalë janë 2.993. Po gjatë kësaj periudhe, 227 kriminelë shqiptarë, i kemi gjetur të fshehur anekënd Europës. Së bashku me partnerët tanë i kemi arrestuar dhe 170 prej tyre i kemi ekstraduar në Shqipëri. Ata të “paprekshmit”, që rrëmbenin dhe ekzekutonin bisnesmenë, që ekzekutonin shefa policie, që vilnin gjobat nga kushdo qe u tekej, nuk janë më në qarkullim të lire, por në bankën e akuzës. “Të fortët” nuk kanë më guxim të gjejnë strehë në makinat e ministrave, deputetëve apo funksionarëve të lartë të partive, doganave apo tatimeve. (Një libër të tërë me emrat e të gjithë këtyre grupeve dhe anëtarëve të tyre do të ju dërgoj në adresën tuaj). I Nderuar z. Lubonja, makina me xhama të errët ka dhe do të ketë, përsa kohë teknologjia e standarteve të prodhimit të makinave e njeh dhe e aplikon këtë. Por nuk ka më shans që ata që udhëtojnë me këto makina, të shkelin rregullat e qarkullimit dhe të mos gjobiten. Nuk ka më shans që drejtues të këtyre por dhe të tjera mjeteve, të mos i binden apo të mos respektojnë forcën e ligjit dhe të shtetit. Konfirmimin e këtyre që po ju informoj do ta gjeni mes banorëve të Tiranës. Unë, sinqerisht besoj se nëse krimin e organizuar nuk e kemi “zhdukur”, kokën ja kemi shtypur. Jam dakort me ju, që bishti ndoshta i ka mbetur jashtë tek përpëlitet. Madje unë mendoj se bishti po ashtu është i rrezikshëm po aq sa dhe koka. Mendoj kështu pasi bishti i krimit të organizuar është jo vetëm shumë i gjatë por edhe shumë i përdredhur. Unë mendoj si ju, që bishtpërdredhuri futet në çdo sokak e guvë, gati për tu ringjallur. Por duket se ilaçin ja kemi gjetur. Por më lejoni të kthehem tek shqetësimi tjetër i juaji. Vjedhja e pusetave. Unë besoj se mendoj si ju, që gjërat duhet të funksionojnë si mekanizëm. Bazuar në përcaktim ligjor dhe procedura jo spontane. Pasi lexova me kujdes shqetësimin tuaj, kërkova një informacion. Më informojnë se asnjë ankesë e tillë nuk është kallëzuar në organet e rendit as nga qytetar, e as nga institucione që janë përgjegjëse për administrimin dhe ruajtjen e tyre në rrugët e qytetit tonë, Bashkisë së Tiranës. Gjithsesi, kallëzimi është i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Ju siguroj se mekanizmat për pritjen e informacionit janë ekzistentë dhe funksionalë. Drejtoria e Policisë së Tiranës, gjatë vitit 2007 ka marrë 15 mijë telefonata denoncuese nga qytetarët, më shumë se një vit më parë. Natyrisht jo të gjitha janë të sakta. Por shumë prej tyre janë inicimi i hetimeve dhe zbulimit të shumë veprave dhe akteve keqbërëse. Por edhe shkrimi juaj është një denoncim. Një denoncim shumë serioz dhe që do të trajtohet me profesionalizmin e duhur nga organet e specializuara. Unë nuk jam specialist i hetimit, madje edhe varësinë policia e shtetit nuk e ka më tek Ministri i Brendshëm. Por si anëtar i këtij kabineti, si përgjegjës për zbatimin e politikave të kësaj qeverie, edhe në fushën e rendit dhe sigurisë, shqetësimin tuaj e ktheva në një kërkesë të punës investigative të disa instrumentave të specializuar në figura të ndryshme të krimit. Besoj se ju do të mbeteni po aq  vëmendshëm sa deri më tani për të konstatuar gjetjen e shërbimit që ua kemi detyrim qytetarëve.

Duke ju uruar shumë shëndet dhe ditë të mbara.
Sinqerisht, Bujar Nishani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora