E premte, 19.04.2024, 02:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Balada e nuses së vdekur

E enjte, 07.06.2007, 10:29 PM


Esse nga Ndue Dedaj

Nusja...
Kënga ka shpalosur vdekje nga më të çuditshmet, epike, legjendare, monumentale; nusja që murohet (vetëflijohet) në kala, ura; zanat, që i ngrijnë krushqit e i kthejnë në cungje; vdekja e dhëndërit nga shkelmi i kalit ditën e dasmës, le pastaj vdekjet nga luftërat, epidemitë shfarosëse, ku prapë ka mbetur gjallë vetëm një grua shtatzanë, nga është ringjallur përsëri fisi i shuar. Vdekja kryesisht të pazakonta, gjithnjë me një fill apo element tragjik të evidentuar. Por dhe vdekje të paralajmëruara, te pritshme, si ato për gjakmarrje. Ka vdekur një njeri, por kanë vdekur dhe disa njëherësh, siç ka “vdekur” (në gojëdhënë) dhe një fis apo fshati i tërë. Ky është “bilanci” i baladave tona. Por vdekja e Nusës së vdekur të kësaj esseje është tjetër nga ato. Kënga kushtuar saj na paralajmëron se ka ndodhur ajo që “Qaf s’ka tjanun kurr në këtë dhe”.

Cila është, pra kjo vdekje, që nuk ka ndodhur më parë, asnjëhëre? Ku ka ndodhur, kur, në ç’rrethana? Eshtë e vertetë apo legjendë?

Trualli ku u ngjiz balada. Gjeografia e tragjikes
Balada është realiste, fakti real. Zezona ka ndodhur jo dikur larg në mugujt e shekujve, por pasi kanë kaluar dy dhjetëvjeçarë të këtij shekulli (XX), pikërisht në vitin 1924, në lagjen Shtuf të Kaçinarit të Mirditës. Për Shtufin gojëdhëna thotë se “qe më të dalmit fare”, nga një epidemi, dhe ringjallja e fisit ndodhi vetëm pse një grua me barrë në bark, në kohën e kataklizmës, kishte qëlluar tek prindërit e saj... dhe ajo kishte lindur djalë! Një fshat që kishte rilindur nga barku i një gruaje. Sgurisht një mrekulli folklorike më vete. Unikale dhe kjo. Ndoshta Dila e Nikollë Gjok Brungës, burrë i përmendur i maleve dhe i Kanunit, do ta kishte dëgjuar gojëdhënën për fshatin e saj. Ishte një vajzë e urtë mirditore, 17 apo 18 vjeçe, që do të martohej atë verë, në Livadhëz të Oroshit. Tregon plaku i Mnelës Llesh Marka Lleshi 81 vjeç, i cili kishte marrë pjesë vetë në atë dasëm, ndonëse i vogel:

Nusja do të martohej te Nikoll Gjin Gjoka. Krushk i parë ishte Prend Ndue Koka, i përmendun i bajrakut të Oroshit, krahas Çup Kol Skanës. E ama e cucës (nuses), Cena, mendoi se cuca-nuse asht t’u ba “sutzën” (ritin e të qarit), megjithëse kishte qenë e sëmurë ato ditë, por nuk kishte qenë ashtu. Në kullë flisnin peshëm. Pala e nuses ngulte këmbë se ajo nuk mund të dilte nuse atë ditë, ashtu e sëmurë rëndë, kurse krushqit (pala e mikut) ngulte në të vetën “se nuk dalim gjallë prej këndej pa nuse.” Sherrin (dilemën) e zgjidhi i ati i Dilës, i cili tha: “Nuk mund t’i ndalet nusja mikut.” Kishte parasysh kanunin, që në paragrafin 44 sanksiononte prerë “Krushqit e marrin nusen me qenë tu dekë.” Dhe kështu Nusja do të vihej përudhë, për në shtëpinë e dhëndërit të ri, disa male përtej, por jo sa në legjëndë “plot nëntë male a nëntë zalle”, madje do të kapërcehej vetem një zall, ai i Kalorit, nëse do të arrinte ta kapëcente dhe atë e gjallë. Gjithnjë duke udhëtuar mbi Kalin e Vdekjes, që ishte krejt një kalë i zakonshëm. Do të përshkoheshin leqe, monopate, qafa, gryka, ura, tempuj të shenjtë, një reliev i ashpër, shkëmbor, një dekor gri, në sfond bjeshkët e epërme të Kaçinarit.

Rrefimtari ynë i moshuar dëshmon: “Krushqit u nisën heret. Thanë: “Në qoftë se nusja na vdes (ishin të vetëdijshëm për gjëmën, por të pafuqishëm ta ndalonin) pa shkue të kisha e Shëngjergjit (Gjunalë), do të kthejmë e ta varrosim në fshatin e vet. Në të kundërt do të varroset në fshatin ku do të nusëronte”. Kjo qe marrëveshja e parë. Por pa shkue të kryqja e Gjakonit në Shëngjergj, Dila-nuse, gjysmë e gjallë gjysmë vdekur, gjeti forcë dhe iu drejtua krushkut të parë: “N’oret tane Preng Ndue Koka.” Kjo do të thoshte se ajo nuk mund të qendronte më mbi kalë. E qetësuan më fjalë, i freskuan ballin, që i digjej nga të nxehtit, por nuk u ndalën. “Zbritën Pallënës së Kalorit, nusja e hipur mbi kalë, nën duvakun mbytës e ata krushqit, më këmbë. Shtëpia e Pal Ndocit dhe pak metra më poshtë Zalli i Kalorit. Nusja sapo kishte dhënë shpirt. E bekoi Mrika, krushka që e shoqëronte, duke i bërë kryq me qiri. Mrika ishte e motra e Dom Prend Brungës, i afërt i Nuses…”

Tani fillonte udhëtimi më tragjik i bërë ndonjëherë. Një karvan krushqish, që ngjitej tërmales së Livadhezit me një nuse të vdekur në shalë të kalit. Dhe jo pak, por plot dy orë ashtu. Ishte kapëcyer legjenda dhe gjithçka. Ata njerëz, që deri dje kishin qenë pa andralla kësisoj, krejt të zakonshëm nëpër punët e tyre të bujqësisë në katund, befas ishin kthyer në përsonazhe të çuditshem të një drame të paimagjinushme, që as mund ta kishin përfytyruar. Ata tashmë nuk i besonin as vetes, hapave që hidhnin, këngëve. Kush i kishte nisur nëpër atë shkreti dhe ku po shkonin ashtu pa krye? Kujtonin fatin e krushqve të vrarë, po ajo s’kishte qenë asgjë para gjendjes së tyre. Shumica ishin burra të moshuar dhe kishin fëmijë, mbi atë kalë përfytyronin vajzat e tyre, që mund të kishin dasëm pas një jave a pas një muaj. Jo, ata nuk ishin të zotët ta ndalnin as fatin e zi të vajzave të tyre, nëse ai ishte i parathënë. Mund të shqiptonin vetëm se “kështu paska qenë shkrue.”

“Ndaleni kangën, kthejeni në vaje…”
Kush qe ai që dha këtë urdhër të papritur? A mund të urdhërohet një dasëm të kthehet në mort? Ç’po ngjiste në Livadhëz të Oroshit atë ditë? Mos ishte çmendur ajo, që i printe korit të grave? Por kishte qenë “sihariqi”, ai që kishte komunikuar të pabesueshmen-vdekjen e nusës në rrugë, ai sihariq që zakonisht krushqit e dërgonin sipas zakonit për të njoftuar ardhjen e tyre të gëzueshme. Sakaq u shfaqen siluetat e krushqeve kryeulur. Prena e Çup Prengës nga Kalori ia mori e para këngavajit; nusja prapë ishte nuse dhe në vdekje, siç kishte qenë në jetë. Kënga ishte fine, humane e ndjerë, ndryshe nga zakoni që kishte qenë i pamëshirshëm. Njëherë kënga kishte qenë djepi i Dilës, tash po bëhej dhe varri i saj. Sigurisht dekori tani ishte krejt i zi, dhe simboli i tij ishte padyshim “duvaku i zi”, që kishte zevendësuar të kuqin, që nga ai çast fatal pa mbërritur në Zall të Kalorit.

“…Dasma u kthye në mort dhe dasmorët në mortaxhinj. Të nesërmen e kanë varrosur te Kisha e Shmetrit në Bukmirë. Ka ardhur dhe Dom Prend Brunga e ka salikue vorrin. Erdhën dhe njerëzit e shtëpisë së saj. I ati deshi që të futej në dhe “nuse” me sringla, xhup, kryq, i “vjehrri” jo . Por ditën fitoi urdhëri i heshtur i të jatit, natën thuhet se nusja nuk do të mund t’i shpëtonte një fati dhe më te keq… (Zhvarroset nga vjehërria për ta rivarrosur pa teshat e nusërisë!) Kjo si për ta bërë me një përmasë legjendare.

Përsëri rreshta për “gjeografinë” e tragjikes
“Cucën vashë”, siç do ta cilësonte më vonë balada, nuk do ta ketë qetësuar atë natë as shushurima e ëmbël e përroit, që rridhte përvajshëm aty ndanë shtëpisë së saj. Dita e nesërme, që ishte ditëdasma e saj, i vinte turbull parasysh, ndoshte dhe si një ditëvdekje. Mëngjesi, që e kishte bërë nuse, do ta përcillte me disa “vaje” të pazakonta, pra, po qahej (ishte zakoni) dhe pse ajo po bëhej nuse. Sigurisht burrat në kullë këndonin kur martohej vajza (në rastin e saj nuk do të shkonte çiftelia në sofër dorë më dorë sa të ngjiste diku, tek ndonjëri që ia thoshte “grykëhollës” me dy tela.) Ishte vajzë e padalë nga katundi i saj, kështu që nuk do te njihte mirë dhe viset e afërme. Ajo do të ngjitej mes krushqve të panjohur termales thikë të Shkallës se Keqe, që të nxirrte paksa nën Shterë, ndërsa motivet e pazakonta do të ishin në “përtej” udhë. Eshtë falur ngrykaz me njerëzit e shtëpisë, pa mundur të hedhë sytë nga babazoti i moçëm, Rrapi në qendër të Kaçinarit, ku ishte dhe kisha me varret, as nga Ura Nredi. Një forcë mbinjerëzore e ka mbajtur shtatin e saj drejt në këmbë, pastaj mbi shpinën e kalit, pa u rrëzuar si një shtatore e bardhë në këmbët e tij. Ajo e dinte se do të vinte një çast që do të rrëzohej përdhe (si një kauzë pa adresë), por le ta shtynte sa më shumë atë. Kushedi ç’ka menduar vetimthi asaj copë udhe kaluar mbi Kalin e Vdekjes. Përrallat e fëmijërisë tashmë nuk ishin krejt përralla, as gojëdhanat. Aty poshtë ishte Laku i Kuq (në Qafë-Shpardh). Po përse i kuq? Nga gjaku i një nuseje. Kishte qenë dimër larg. Nusja kishte dalë mes suferinës, kishte mbledhur drutë dhe ishte nisur për në shtëpi, por i kishte rrëshqitur këmba e kishte shkarë në humnerë megjithë barrën e druve në kurriz. Laku ishte skuqur nga gjaku i saj dhe më vonë qe thirrur “Laku i Kuq”. Kishte mbetur si një monument i atij rasti tragjik. Erërat e largëta të Munellës, që kryqëzoheshin aty me simotrat e tyre të bjëshkeve të tjera kanë vënë kujen për një çast, sepse në atë vetmi nuk kishte gra për vaje... Ashtu erërat, që kishin dhe një qafë të tyre (Qafë-Erzën) kishin qenë vajtojcat e para dhe të Nuses së Gurit të Nuses (Fan) e të nuseve të tjera të legjendave.

Nusja ka vazhduar udhën, por flijimi ka qenë ndoshta kryemotivi i asaj dite. Nuk e kuptonte se pse duhej që të flijohej njeriu ashtu? Përse kishte aq shumë flijime? Qafë-Vorrëz (përsëri aty) gojëdhana thoshte se qenë vrarë mes tyre dy lagje krushq, nga që nuk kishin pranuar t’i lëshonin rrugën njëra-tjetrës. Kanë mbetur si degë të thara lisi vetem dy nuset qyqe te shkreta. Ndoshta ishin 22, ndoshta 26 varre në atë qafë, pasi krushqit shkonin 11 a 13. E pra nuk dihej koha e lëgjëndës, më e vonë së koha e zanave, sigurisht. Asnjë sherr nuk kishin bërë në atë gjysmëbjeshkë e gjysmëvrri ata burra, që të dilnin zanat e trazuara e t’i kthenin në gurë ata, e kuajt e tyre në cungje. Të kishin qenë punëtorë gurorje ato dy lagje burra nuk do te kishte ndodhur asgjë, por tragjedia kishte ndodhur, pikërisht, për faktin se atë ditë nuk kishin qenë njerëz të zakonshëm, por krushq...

Pak pa mbërritur në Zall të Kalorit ka besuar se nuk do të vdiste pa freskuar ballin me ujë të ftohtë, e ka dëshiruar fort mbërritjen sa më parë në breg, por nuk ka qenë e thënë. Ato njëqind metra befas i janë bërë një mijë... Nuk ka patur forcë të ulej nga kali, duke shpërfillur atë udhëtim cermonial pa fund, të flakte duvakun e rëndë dhe stringlat e të vraponte për një çast si në fëmijërinë e saj krejt e lirë dhe e shpenguar. Ndoshta ashtu, do të kishte mundur t’i shpëtonte vdekjes, pasi fëmijërija mund të ruante ende një magji të rrallë, që njeriu e humbiste në moshë të madhe. Duhej të ktheheshe prapa teje me një fuqi hynore që të mund t’a zije atë magji. Por i gjithi ky ndoshta ishte thjesht një iluzion... Duke u ulur Kodrës Short e ka vështruar rrjedhjen e kaltër të lumit, por dhe rrugën që vinte nga Shkodra për në Orosh. Njëri nga krushqit ka treguar serish një nga ato baladat për Qafat e Vorreve, kësaj here në Fregën. Sikur e sillte lumi frushullimën e legjendave... Kështu ka ardhur çasti kur ajo nuk ka menduar më dhe ata nuk kanë folur. Dita ishte thyer në mes si të ishte lis e ta kishin gjuajtur rrufetë papritur.

Kënga e Cucës Vashë, një nga motërzimet e baladës
Ngjarja e ndodhur ka bërë bujë të madhe. Rapsodët kudo kanë shpejtuar të skicojnë relievin e ngjarjes. Arkitektura e tragjikës është ndërtuar thjesht në vargjet. Eshtë shkruar e kënduar një baladë e thekur. Rapsodët sikur janë vënë në garë. Thuhet se të parin variant të “Këngës së Nusës së Vdekur në Udhë” e ka shkruar prifti dijetar dhe poet Dom Prend Suli, mik i priftit të Brungës. Por dhe ai ka nënshkruar “Populli”. Pas disa vjetësh kënga është kënduar gjer në 4 variante në një shtrat kohor prej mëse 70 vjetësh, në një gjeografi që rrok të paktën krejt Mirditën e vjetër e vendet me mirditas të ramë në Shkodër, Lezhë etj. Eshtë dëgjuar në Kaçinar, Orosh, Kthellë, Gojan, Gomsiqe, qindra kilometera larg.

Në vitet 80 një bard i folklorit të ri (Ndue Lleshi) nga Kaçinari e ka përpunuar këngën dhe dy nuse nga këto anë e kanë kënduar me madhështi në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1988. Dhe më pas nuk ka pushuar balada. Një grup folklorik i Lezhës ka ngritur tani në skenë një nga variantet e hershme të baladës, dhe tash ajo është kënduar dhe përtej kufijve, në Kosovë, Gjermani, Ulqin etj. Po mbushet shekulli e balada e Nuses së Vdekur nuk ka shterruar. Përherë në një shtrat të ri, ku është dhe ai i vjeteri. E ka kënduar gjyshi në vitet ‘30, i biri në vitet ’60 dhe nipi në vitet ’90. Zakonisht e kanë kënduar vajza dhe gra. Balada pra është duke “ecur” për tu bërë njëshekullore. Sigurisht është interesant ky fakt, në kohët moderne, kur folklori shpesh ndjehet si i braktisur...

Mësuesi dhe folkloristi Gjergj Shabani në rubriken “Prej folklores se Mirditës” të revistës “Kumbona e së Diellës”, të marsit 1943, boton një variant të baladës nën titullin “Kenka e cucës vashë” me shënimin “Ndodhje e vjetit 1924”, por që nuk duhet të jetë varianti më i mirë artistikisht. Sidoqoftë mbledhësi i saj ka meritë, pasi ka lënë të botuar një relike të rrallë folklorike, që prej 60 e ca vjetësh. Ai nuk na thotë se ku e ka mbledhur, nga kush e hollësira të tjera, çka tani do te ishin me interes. Të gjitha motërzimet e kesaj balade nisin me vargun “ I tan Shtufi ashtë mbledh në kuvend.” Edhe kënga e mbledhur nga Shabani nis: “Na u mblodh Shtufi, bajn kuven.” Vargu i dytë vazhdon me qortimin e vetvetes “si me ba këte punë pa mend.”

“Thue se viti s’kish tjetër ditë”?!
“Na erdhën krushqit natën e Sh’Mris/Fli po i çoishin Perendisë...”, vazhdon kronika e dhimbshme. Pastaj protesta kanunore e tyre: “E duam cucen në ditë të caktueme/ Asht bi rodi, s’asht e lshueme!” Po vajza ndërkohë në kthinën e saj i lutej të atit me lotët që i rridhnin “parë e parë”, duke i thënë se shtati i saj ishte bërë si qiriri në “atë lumterë” (shandan). Burrat e fisit ishin “vra” në fytyrë por nuk mund të vendosnin asgjë pa fjalën e të zotit të shtëpisë. Po të urdhëronte ai do të bëhej luftë”. Por “lalë Nikolli” lëshon fjalët “Gja me zort krushkut s’i nalet”... duke nënkuptuar se mes tyre si fis dhe miqve do të mbretëronte paqja. “Po i përcjellim pa farë fjalët.” Poeti popullor vazhdon me përshkrimin e gjendjes së nuses tek ngrihej nga shtrati për të kërcyer mbi kalin e nuserisë:

“Më kamë s’qendroite, i dridhej shtati”
...
“Vesh e mbath për bukuri
Ja dha zoti një hijeshi
Xhup e strengla e xhurdi pushi
Vathë e pare sa kërkushi...
E shtrëngoinë, i venë duvakun,
sa memze e kcejka pragun.
Kur ka dalë Dila prej shpis
Lamtumirë i thotë shoqnis.
Kur u fal me rob e shokë:
“ma nuk shihna na në këtë tokë...”

Dhe krushqit u nisën, duke lënë pas vajin e brimën që kishin marrë fëmijët... “A thue s’kishte viti tjetër ditë” duhet të ketë qenë vargu i parë qortues i grave tek po përcillnin nusen, “nji lule të re.” Por dhe mallkimi i pashprehur për diçka të papërcaktuar që kishte “urdhëruar” fatin tragjik të bijës së tyre. Më pas ky varg famoz do të ishte pjesë e çdo këngë për nusen, pasi Nusja e Shtufit ka tashmë një “antologji” të sajin.

“Sa shum’ krushku shkoka Zallit”
Ata ishin 11 a 13 krushq, por poeti, në stilin e baladave legjendare, i zmadhon me qëllim përmasat brenda hapsirës së të madhërishmes.

“Sa shumë krushku shkoka zallit,
Nusja fshinte gjersën e ballit
Nuk janë gjersë që vijnë prej së xeti...”

Pikërisht në këtë ecje te hutuar, Nusja thërret:

“Ndalu i hërë ti krushku i parë!”

Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që nusja të flasë me krushqit, aq më tepër të urdhërojë të parin e tyre. Ajo kërkon që ai t’i “degjojë një fjalë”:

“Dhanrrit gjall s’ia shkel oborrin
Në lterë të Shën Metrit e due vorrin!”

Krushku i parë e ka pritur gjatë gjithë rrugës këtë “fjalë” amanet, por tani nuk u ka besuar veshëve. Ka shpresuar se mos ajo “histori” do të mbyllej disi në paqe e jo ashtu. Por tashmë nusja, që i ka “ardh shpirti me dalë” nuk e pushon ligjërimin, duke dhënë amanete, të paktën vdekjen ta kishte të “bukur”, nga që jetën nuk e pati të tillë.

“Prap po flet e mjera vashë”
Lalë më ban kryq se jam tuj dekë
E të mos dhemet deka eme,
M’i len strenglat pa m’i hjekë,
se unë do të jes për emën të motit...”

Pas kësaj gjithçka ka marrë fund tragjikisht. Vdekja e kobshme nuk është ndalur dot nga ata burra të sertë.

…Karvani i krushqve ka ecur e ecur, udhë pa fund. Vetëm zogj vajtimtarë që ikin e vijnë furishëm. Ata krushq, në të vërtetë, tashmë po ngjiteshin, por u ngjante se po fundoseshin e fundoseshin thellë e më thellë, në një si gropë, që u përhihej si një varr i stërmadh. Deri pak më parë shtatorja e bardhë që tash qëndronte mbi vigj ishte një krijesë e gjallë si ata. Sigurisht shumë gjëra i kishin shkuar asaj nëpër mend ato ditë. Zhaurima e dasmës, nata e parë e martesës, veshtrimi disi i papërcaktuar i dhëndërit të ri, pastaj foshnja që do të lindnin, që nuk guxonte ta ledhatonte. “Paç fat, bija ime”, dukej se kishte shqiptuar ajo, pastaj i kishte ardhur për të qeshur me atë fjalë që i kishtë shqiptuar si pavetëdije. Kur kishte hipur mbi kalë, ai i qe dukur një kalë fluturues, që nuk shkonte për tokë, por që shpejtonte të fshihej mes reve. Ka psherëtirë thellë dhe ka dashur të pështyjë neverinë; nga pamundësia për të pështyrë përtokë, ka “stërpikur” me pshërëtimën e saj kurrizin e djersitur të kalit, shamitë e mëndafshta, tepër të shtrejta të blera ndo në Pazar të Shkodrës, e ndo në atë të Gjakovës…

Në fillim karvani i krushqëve të saj kishte qenë gjysmë i dehur, gjysmë i qeshur, gysmë i trishtuar, thjeshtë nga misioni i asaj dite, i të qënit krushq. Më pas krushqit kanë harruar të qeshin, të flisnin, fjalët iu ishin lidhur fort pas kockës së gjuhës. Pushkët në krah e në brez nuk i ndienin, e shumta si një mish i huaj, ku i stërgjatur pakuptim. Ç’kishin gjanëm ato armë kur nuk mund të vrisnin vdekjen e një vashe nuse? Ç’kuptim kishte më tej burrëria, nderi, trimëria? Kështu mes përsiatjesh kanë mbërritur tek Guri i Nuses nga vështrohet kulla që i kishte nisur krushqit një natë më parë.

“Lajmi korb qenka tuj ardhë
Dekun nusja n’kalë të bardhë...”

Lajmi i “sihariqit” ishte i zi si korbi. Të parin atë e nuhati gjyshja e dhëndrrit, nënë Prena, që urdhëroi kthimin e dasmës në mort:

“Ndalnje kangën, kthejeni në vaj”!

Kishte ndodhur në Mirditë, ajo që nuk qe dëgjuar kurrë mbi dhe, vdekja e nuses ditën e dasmës së saj.

“Në mort kthehet dasma e nuses së re
Qaf s’ka kurrë në këtë dhe.”

Kronikat e kuvendit në oda, a në hijen e Lisave të Shpalit, në rrugët e Shkodrës a Gjakovës, mes princëve e konsujve të huaj, udhëtarëve nga Europa që vinin me laps në dorë të shkruanin “gjëmat” dhe burrënitë e maleve, nuk kanë reshtur për disa kohë. Pikërisht, për atë që kishte ndodhur ajo e padëshiruara, e panjohura, unikalja. Lajmi pra, nuk kishte mbaruar atë ditë në shtëpinë e dhëndrrit, por fill kishte shpejtuar të trondiste malet, kullat, kreshtat, njerëzit, që të habitur pyesnin: “Çfarë? Ka ndodhur, çfarë nuk ka ndodhur kurrë mbi dhe? Po si? Po pse? Po ku?

Ishte viti 1924...
Në Qafë-Vorrëz të Kaçinarit gjenden Gurët Rreshet, si një karvan krushqish të ngrirë... a të vrarë, në krye dallohet Guri – Krushk pak më i madh, pastaj të tjerët ashtu si i ka zënë afshi i zanave a “pushka” a stuhia e papritur e dimrit. Nusja mbi Kalin e Vdekjes ndoshta i ka parë ata gurë – varre, ata gurë – krushq, apo thjesht gurë – gurë, pa u përpjekur të gjejë aty simbolikën e tragjikes, që në rastin e tyre mund të ishte thjesht një përqasje formale...

Varianti i baladës së mbledhur e botuar nga Gj. Shabani ka 63 vargje dhe të tjerët afesisht kaq. Asnjeri prej tyre në librin e folklorit. Si eshte e mundur? Dhe pse ajo eshte unikale?!...

1992 – 1996

Literaturë
Gj. Shabani, Kanga e Cucës Vashë, në “ Kumbona e së Dielles”

Bisedë me plakun..... Mnelë (Mirditë), 1994

Dorëshkrim i Dom Prend Sulit i vitit, dhënë autorit të këasj eseje nga Kol Shtjefni.

Marre nga www.Mirdita.net

Të huajt e magjepsur nga historia e nuses me duvak

Gjergj Marku - Shekulli

Prej një viti e gjysmë në Bashkinë e Rrëshenit ka ardhur si vullnetar i Korpusit të Paqes dhe një djalë i ri amerikan nga Karolina e Veriut të SHBA-së, Daniel Adams. Është një djalë tipik amerikan, me flokët bjond, sytë blu, pakëz i gjatë, hollak, me nuhatje intuitive, natyrë sportive, mjeshtër i kompjuterit, por që gjithsesi, bën jetën e thjeshtë të një djaloshi mirditor, nga ata që rrinë shpenguar rrëzë një peme, në një bordurë rruge apo në një kafene. Ai ka ardhur në Mirditë si vullnetar i Korpusit të Paqes falë ngasjes që ka patur dhe i ati që para 40 vitesh si vullnetar i këtij Korpusi në Kolumbi. Dhe i ati ka ndenjur atëhere rreth dy vite dhe po kaq po bën dhe i biri. Që kur ka ardhur, është përshtatur në mënyrë të përkryer në Rrëshen, aq sa nuk dallon nga një djalosh qytetas këtu.
Këto ditë erdhën që nga Karolina për ta parë birin e tyre dhe prindërit e tij, babai Jerry Adams, një burrë rreth të 66-ve, Jan, nëna e Danielit e cila është pedagoge në një prej universiteteve të Karolinës së Veriut. Adams-ët thonë se kanë patur interes prej kohësh për t’u njohur me vendet e Europës Lindore dhe se, më së shumti, kanë rënë në kontakt me Moldavinë, sepse vetë shteti i Karolinës së Veriut ka lidhje me këtë shtet. Jerry ka punuar me biznesmenët moldavë për t’i binjakëzuar me ata amerikanë dhe ka patur eksperienca interesante me ta. Prindërit e Danielit vizituan gjithandej Mirditën, dhe disa vise të vendit, për t’u njohur me historinë e këtij vendi, doket dhe zakonet, por ajo që i ka prekur më shumë ata është historia e Nuses së Shtufit këtu në Mirditë, vdekur nën duvakun e kuq, si veshje e moçme e nuseve të këtyre anëve. Pyetja që ata i bënin vazhdimisht piktorit Pjetër Marku ishte: a është e vërtetë vallë kjo histori?!...
Ndërsa dëgjon historinë e kësaj nuseje-legjendë, Rebekës 20 -vjeçare, që studion në një universitet të Karolinës së Veriut, i shkojnë lotët çurk, dhe më pas duket shumë “e dashuruar” me këtë portret dhe historinë që mbart. Nuk mund të rezistojë pa përjetësuar një foto me portretin interesant të nuses, që plot 80 vite më parë, falë një zakoni absurd, nuk mundi t’i vidhej sëmundjes, edhe pse po e shihte se po vdiste nën duvakun e kuq. “Kam studiuar shumë për artin, - thotë ajo,- por piktura këtu më pëlqeka më tepër, sidomos peisazhi. Pashë këtu kishën e Rubikut, udhët këndej, por ja që janë si atje, tamam, edhe këtu në pikture, ndërsa këtë nusen kam dëshirë ta marr me vete…”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora