| E marte, 14.02.2012, 08:58 PM |
“Madhëria e saj: kënga iso-polifonike”
“Asnjë atdhe nuk mund të
ekzistojë pa poezinë e popullit.
Poezia nuk është asgjë më tepër
se kristali në të cilin mund të
pasqyrojë veten një komb, ajo
është burimi që nxjer në
sipërfaqe origjinalitetin e vërtetë
në shpirtin e popullit”
J.Lunqvist Gelser.
Nga Fitim Çaushi
Sentenca e Fredeik Shlegelit se “sa më të vjetra e më të pastra të jenë rrënjët, aq më të pastra janë doket e zakonet e tij dhe sa më të vjetra zakonet e doket, aq më të mëdha janë rrënjët në to, aq më i madh është kombi”, duket se e ka nxitur poetin Timo Mërkuri të meret me traditën kulturore të popullit, tradita të cilat shtrirë në një hapërsirë gjeografike mbarëbotërore, janë quajtur thesare të krejt qytetërimit njerëzor.
Pas hulumtimit të suksesshëm shumvjeçar nëpër nektarin e shpirtit popullor, në fshatin e lindjes, botuar në tre vëllime të veçanta, Timo Mërkuri si për të na bindur se ka mbetur një cop stëralli i vëndlindjes së tij boton librin “Madhëria e saj Kënga – isopolifonike” . Nëpër faqet e librit ndjehet se autori është i rrobëruar prej këngës polifonike dhe në shënjë nderimi të thellë për të dhe ata krijues popullorë, që i shpëtuan anonimatit, ai ngre për ta një përmendore artistike.
Nisur nga dukuri, ngjarje reale e gojdhana, autori thekson solemintetin e këngës popullore, autoritetin e madh që ka patur ajo në jetën e shqiptarit si mjeti magjik, që ka vendosur ekuilibrin shpirtëror të shqiptarit nëpër historinë e tij të ngarkuar me tension, sakrificë dhe qëndresë. Ky solemitet i kthyer në traditë shumëshekullore, e ka origjinën e vet në rrugëtimin historik të vet këngës, fjala poetike e së cilës me kohë mori një rol magjik, sepse poezia orale ka një substancë të vetën, e cila përbën origjinalitetin historik të popullit sikundër e ka gatuar shpirti estetik i tij.
Një mirënjohje të thellë autori ndjen për bartësit e kësaj kënge, veçanërisht për bilbilin e këngës himarjote Neço Mukën, i cili jo vetëm ka meritën, së bashku me Xhevat Avdalloin, të na lerë të regjistruara të parat këngë polifonike, por falë talentit të tij edhe evoluimin e mëtejshëm artistik të zërit të tretë, hedhësit, në strukturën muzikore të polifonisë.
Këngët zakonore që krijohen dhe interpretohen brënda familjes, të quajtura edhe biblioteka e oralitetit, në letërsinë gojore shqiptare kanë qënë jo vetëm të shumta, por edhe plot figuracion artistik. Ndonse jo i kësaj fushe, autori guxon të hedhë teza dhe të parashtrojë ide e koncepte të panjohura më parë në literaturën folkloristike, sikundër janë formimi i elementeve strukturorë të shumzërëshit polifonik, pikërisht nga këto këngë, pra nga ceremoniali i këngëve mortore, si njëri nga ritet më të lashta të njerëzimit.
Autori pohon se kjo srukturë është rezultatante e atyre fenomeneve muzikore dyzërëshe, të lindura qysh në periudhat e herëshme të heterofonisë duke vepruar në kristalizimin e zërit të tretë, -hedhësit-individualiteti i të cilit çfaqet pikërisht me tërë madhaqshtine e tij në këngën himarjote. Ai duket se është i sigurt në tezën e tij, duke e thelluar abstragimin edhe për vallen e burrave si produkt i po këtij ceremoniali mortor. Përqasja që i bën autori këtij procesi disa shekullor edhe me rite e doke nga pjesa veriore e vëndit, është jo vetëm shkallë serjoziteti i kësaj eseje, por dhe një element i unitetit shpirtëror dhe etnokulturor mbarëkombëtar. Duke u çliruar nga refrenet dhe elementet e tjera elegjiakë, sikundër kanë theksuar studjues të ndryshëm, këngët e vajtimit janë kthyer në këngë elegjiake, e mandej në këngë të epikës historike. Ndonse wshtw e pabesueshme por nga kjo magmë artistike kanë dale edhe këngë dasme dhe këngë lirike, për vet funksionin e tyre artistik.
Një meritë tjetër e veçantë, e autorit të librit, Timo Mërkurit, është se për herë të parë ai na bën të njohur rapsodin e këngëve për Kryetarin e parë të Qeverisë Shqiptare, Plakun e Vlorës Ismail Qemalin. Duke e përshëndetur këtë hulumtim serjoz, çka do të ishte një zbulim edhe për etnofolkloristikën shqiptare, ne shprehim rezervën se jo të gjitha këngët e prezantuara prej aurotit janë të rapsodit Kostë Gërdhuqi nga Piluri. Mundet që ndonjë prej tyre të jetë prej rapsodëve të tjerë që kanë mbetur anonim. Gjithsesi ky pretendim i autorit ka nevojë për hulumtime më të thelluara duke përdorur metodën krahasuese me fondin e këngëve të kënduara edhe nga fshatra të tjera.
Ështe jo vetëm e diskutueshme, por edhe e dyshimtë autorësia e këngës “Shqipe katër Vilajete”, pasi kënga i përket periudhës së Lidhjes së Prizerenit të vitit 1878, kur shtetet fqinje, pas traktatit të Shën Stefanit, u bindën se e ”sëmura e Bosforit”, perandoria otomane, kishte marrë tatëpjetën dhe u vërsulën pranë fuqive të mëdha për ta coptuar Shqipërinë. Në këtë kohë nuk kishte linduar akoma rapsodi në fjalë. Nuk mjafton vetëm pathosi patriotik, por duhen hulumtime serjoze, pasi qarkullimi i dëndur folklorik që ka patur kjo kategori këngësh, pikërisht për përmasat kombëtare të tyre, ato kane fituar me kohë anonimatin dhe është shumë e vështirë t’u gjendet autorësia.
Mendojmë se mbetet e diskutueshme edhe teza tjetër e autorit për gjenezën e valleve lirike dhe humoristike prej valles së rëndë të burrave. Ne mendojmë se edhe këto valle e kanë origjinën e tyre po prej asaj magme artistike, sikundër ishte ceremoniali i vajtimit, brënda të cilit poetika popullore dhe shpirti estetik i këtij populli, krijonte një larmi të pafundme formash dhe brendish artistike me lëvizje arkaike. Theksojmë se këtë tezë mund ta vërtetojnë shkencërisht vetëm etnokoreologët dhe etnomuzikologët. Por me tezat e tij autori e bën edhe më interesat librin, e bën atë tërheqës dhe një objekt ku nxitet debati shkencor.
Preokupimi i poetit Timo Mërkuri për këngën popullore dhe veçanërisht për etnogjenezën e saj, pas vlerësimit prej UNESKO-s, është një shqetësim qytetar, shqetësim i një intelektuali të kompletuar, që nuk mund të hesht para firove që po bën tradita jonë folklorike në kushtet e reja ekonomkiko-shoqërore. Me librin e tij studimor ai bën apel që kjo traditë të vlerësohet, sikundër e kanë vlerësuar organizmat ndërkombëtare, si “Vlerë e Trashëgimisë Shpirtërore, që bën pjesë në KRYEVEPRAT e Trashëgimisë Orale të Njerëzimit”, përkrah Sambos në Brazil, Teatrit “Kaoboki” Japoni, etj.
Në studimin “Madhëria e saj Kënga-isopolifonike”, Timo Mërkuri na sjell jo vetëm një informacion interesant për etnokulturën tonë, por na dhuron edhe një kënaqësi estetike. Libri përshkohet nga një ndjenjë poetike plot frymëzim, si dhe një stil i veçantë plot elemente humori.