Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fitim Çaushi: “Madhëria e saj: kënga iso-polifonike”

| E marte, 14.02.2012, 08:58 PM |


“Madhëria e saj: kënga iso-polifonike”

 

“Asnjë atdhe nuk mund të

ekzistojë pa poezinë e popullit.

Poezia nuk është asgjë më tepër

se   kristali në të cilin mund të

pasqyrojë  veten një komb, ajo

është   burimi që nxjer në

sipërfaqe  origjinalitetin e vërtetë

në shpirtin e   popullit”

J.Lunqvist Gelser.

 

Nga Fitim Çaushi

 

Sentenca e Fredeik Shlegelit se “sa më të vjetra e më të pastra të jenë  rrënjët, aq më të pastra janë  doket e zakonet e tij dhe sa më të vjetra  zakonet  e doket, aq më të mëdha janë rrënjët në to, aq më i madh është kombi”, duket se e ka nxitur  poetin Timo Mërkuri të meret me traditën  kulturore  të popullit,  tradita të cilat shtrirë  në një hapërsirë gjeografike  mbarëbotërore, janë quajtur  thesare të krejt qytetërimit njerëzor.

Pas hulumtimit  të suksesshëm shumvjeçar nëpër nektarin e shpirtit popullor,  në fshatin e lindjes,    botuar në tre vëllime të veçanta, Timo Mërkuri  si për të na bindur se ka mbetur një cop stëralli i vëndlindjes së tij boton librin “Madhëria e saj Kënga – isopolifonike” . Nëpër faqet e librit  ndjehet se autori është i rrobëruar  prej këngës polifonike  dhe në shënjë nderimi të thellë për të dhe ata krijues  popullorë, që i shpëtuan anonimatit, ai ngre për ta një përmendore artistike.

Nisur nga dukuri, ngjarje reale e gojdhana, autori thekson solemintetin e këngës popullore, autoritetin e madh që ka patur ajo në jetën e shqiptarit si mjeti magjik, që ka vendosur ekuilibrin shpirtëror të shqiptarit nëpër historinë e tij të ngarkuar me tension, sakrificë dhe qëndresë. Ky solemitet i kthyer në traditë shumëshekullore, e ka origjinën e vet në rrugëtimin historik  të vet këngës, fjala poetike e së cilës me kohë mori një rol magjik, sepse poezia orale ka një substancë të vetën, e cila përbën origjinalitetin  historik të popullit  sikundër e ka gatuar shpirti estetik i tij.

Një mirënjohje të thellë autori ndjen për bartësit e kësaj kënge, veçanërisht për bilbilin e këngës himarjote Neço Mukën, i cili jo vetëm  ka meritën, së  bashku me Xhevat Avdalloin, të na  lerë të regjistruara të parat  këngë polifonike, por falë talentit të tij edhe evoluimin e mëtejshëm artistik të zërit të tretë,  hedhësit, në strukturën muzikore të polifonisë.

Këngët zakonore që krijohen dhe interpretohen  brënda familjes, të quajtura edhe biblioteka e oralitetit, në letërsinë gojore shqiptare kanë qënë jo vetëm të shumta, por edhe plot figuracion artistik. Ndonse jo i kësaj fushe, autori guxon të hedhë teza  dhe të parashtrojë ide e koncepte të panjohura  më parë në literaturën folkloristike, sikundër janë  formimi i elementeve strukturorë  të shumzërëshit polifonik, pikërisht nga këto këngë, pra nga ceremoniali i këngëve mortore, si njëri nga ritet më të lashta të njerëzimit.

Autori  pohon  se  kjo srukturë  është rezultatante e atyre fenomeneve muzikore  dyzërëshe, të lindura qysh në periudhat e herëshme të heterofonisë duke vepruar në kristalizimin e zërit të tretë, -hedhësit-individualiteti i të cilit çfaqet pikërisht me tërë madhaqshtine e tij në këngën himarjote. Ai duket se është i sigurt në tezën e tij, duke  e thelluar abstragimin   edhe për vallen e burrave  si produkt i po këtij ceremoniali mortor. Përqasja që i bën autori këtij procesi disa shekullor edhe me  rite e doke nga pjesa veriore e vëndit, është jo vetëm shkallë serjoziteti i kësaj eseje, por dhe një element i unitetit shpirtëror  dhe etnokulturor mbarëkombëtar. Duke u çliruar nga refrenet dhe elementet e tjera elegjiakë, sikundër kanë theksuar studjues të ndryshëm, këngët e vajtimit janë kthyer në këngë elegjiake, e mandej në këngë të epikës historike. Ndonse wshtw e pabesueshme por nga kjo magmë artistike kanë dale edhe  këngë dasme dhe këngë lirike, për vet funksionin e tyre artistik.

Një meritë tjetër e veçantë,  e autorit të librit, Timo Mërkurit,  është se për herë të parë  ai na bën të njohur  rapsodin e këngëve për Kryetarin e parë të Qeverisë Shqiptare, Plakun e Vlorës Ismail Qemalin. Duke e përshëndetur këtë hulumtim serjoz, çka do të ishte një zbulim edhe për etnofolkloristikën shqiptare, ne shprehim rezervën se jo të gjitha këngët e prezantuara prej aurotit janë të rapsodit Kostë Gërdhuqi nga Piluri. Mundet që ndonjë prej tyre të jetë prej rapsodëve të tjerë që kanë mbetur anonim. Gjithsesi  ky pretendim i autorit ka nevojë për hulumtime më të thelluara duke përdorur metodën krahasuese me fondin e këngëve të kënduara edhe nga fshatra të tjera.

Ështe jo vetëm e diskutueshme, por edhe e dyshimtë autorësia e këngës “Shqipe katër Vilajete”,  pasi kënga i përket periudhës së Lidhjes së Prizerenit të vitit 1878, kur shtetet fqinje, pas traktatit të Shën Stefanit, u bindën se e ”sëmura e Bosforit”, perandoria otomane, kishte marrë tatëpjetën dhe u vërsulën pranë fuqive të mëdha për ta coptuar Shqipërinë. Në këtë kohë nuk kishte linduar akoma  rapsodi në fjalë. Nuk mjafton vetëm pathosi patriotik, por duhen hulumtime serjoze, pasi qarkullimi i dëndur folklorik që ka patur kjo kategori këngësh, pikërisht për përmasat kombëtare të tyre, ato kane fituar me kohë  anonimatin  dhe është shumë e vështirë t’u gjendet autorësia.

Mendojmë se mbetet e diskutueshme  edhe teza tjetër e autorit për gjenezën e valleve lirike dhe humoristike   prej valles së rëndë të burrave. Ne mendojmë se edhe këto valle e kanë origjinën e tyre po prej asaj magme artistike, sikundër ishte ceremoniali i vajtimit, brënda të cilit poetika popullore dhe shpirti estetik i këtij populli,  krijonte  një larmi të pafundme formash dhe brendish artistike me lëvizje arkaike. Theksojmë se këtë tezë mund ta vërtetojnë  shkencërisht vetëm etnokoreologët dhe etnomuzikologët. Por me tezat e tij autori e bën edhe më interesat librin, e bën atë tërheqës dhe një objekt ku nxitet debati shkencor.

Preokupimi i poetit Timo Mërkuri  për këngën popullore dhe veçanërisht për etnogjenezën e saj, pas vlerësimit  prej UNESKO-s, është një shqetësim qytetar,  shqetësim i  një intelektuali të kompletuar, që nuk mund të hesht para firove që po bën tradita jonë folklorike në kushtet e reja ekonomkiko-shoqërore. Me librin e tij studimor ai bën apel që kjo traditë të vlerësohet, sikundër e kanë vlerësuar organizmat ndërkombëtare, si “Vlerë e Trashëgimisë Shpirtërore, që bën pjesë në KRYEVEPRAT e Trashëgimisë Orale të Njerëzimit”, përkrah  Sambos në Brazil, Teatrit  “Kaoboki” Japoni, etj.

Në studimin “Madhëria e saj Kënga-isopolifonike”, Timo Mërkuri na sjell jo vetëm një informacion  interesant për etnokulturën tonë, por na dhuron edhe një kënaqësi estetike. Libri përshkohet nga një ndjenjë poetike plot frymëzim, si dhe një stil i veçantë plot elemente humori.