E enjte, 28.03.2024, 11:43 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Forca e fjalës shqipe në diasporë

E hene, 13.02.2012, 07:59 PM


 

Forca e fjalës shqipe në diasporë

 

Poezia e Lulajt është e mprehtë dhe e zjarrtë.  Ajo shkrihet në varg, për vatan dhe dinjitet. (Dedë Preqi)

 

Nga Baki Ymeri

 

Frymëzimi i përngjet engjëllit që gjendet në fluturim. Po qe se të prek me flatrat e tij, duke ta dhënë një ide, një varg apo një poezi, dhe po qe se e regjistron, të jepet shansi të bëhesh edhe ti engjëll. Së bashku me sivëllezërit dhe simotrat e tij të penës, Neki Lulaj përfaqëson forcën e fjalës shqipe në diasporë. Numri i librave të tij rritet nga viti në vit dhe ata kanë vlerë specifike, sepse asnjë poezi e vëllimit paraprak nuk përsëritet në vëllimin e ardhshëm, duke na ofruar kështusoj një lekturë poetike për një publik entuziast që ka respekt ndaj fjalës së shkruar. Autori shkon duke u shndërruar në një zë të artë të mërgatës shqiptare, sidomos kur është fjala për diasporën lirike të kësaj bote të bekuar me vlera të mirëfillta reale, kombëtare dhe universale. Nuk është i vetmi që mund të kundrohet si një  vlerë e vaçantë e lirikës mërgimtare, por përmes vëllimit të tij të tretë, autori dëshmon se është një mjeshtër i vargut, se din t’i kërkojë rrugët e shpëtimit të dashurisë, se na ofron një gamë subjektesh meditative dhe atdhetare, se di ta deshifrojë arkeologjinë e shpirtit, se ka talent dhe se gjendet gjithmonë në kërkim të bukurisë artistike, duke ia lënë me elegancë lexuesit të drejtën për vlerësim. Poeti, sipas Walt Witmanit, gjykon jo si një gjykatës, por si rrezet e diellit që bien mbi një gjë të panjohur. Përmes këtij libri të ri, autori plason një spektër të ri vlerash të jashtëzakonshme.

Poeti ka dinjitet dhe personalitet. Në vargjet e tij parakalon Kosova reale dhe ideale si një vullkan i pashuar i durimit dhe i shpërthimit me zjarr atdhetarie. Në to dëgjohet zëri i martirëve të lirisë që e derdhën gjakun duke e shkrirë jetën për moral e ideal dhe për një ide të shenjtë. Fati i një vepre letrare varet në radhë të parë nga baraspesha e brendshme e saj, por edhe nga stili që për t’u realizuar plotësisht, imponon disa kërkesa të rendit personal apo gjeneral, të njohura përmes vlerave të cilësisë, që përfshin një gamë të bujshme të universit meditativ, intim, social, kombëtar dhe universal. Neki Lulaj shkon duke e përvetësuar stilistikën letrare, duke na ofruar një turmë subjektesh të denja për diskutim. Në Zjarrin e shpirtit defilon filozofia e rrënjëve, siç ka theksuar një eseist i huaj për Ekzilin e shpirtit shqiptar, sepse pa një filozofi të këtillë, çdo gjë është e destinuar të shndërrohet në mediokritet. Qartësia është një nga cilësitë më të rëndësishme të stilit, që ndërmjetëson kuptimin e lehtë të diskursit të shprehur. Këtu gjithçka është e qartë dhe e prekshme, edhe “nën dritën e hënës” me “portretin e Mona Lizës” dhe “shpirtin e pavdekësisë”, kur “dielli e kafshon terrin”, kur “vetmia i përtyp fjalët”, duke i bluar “me gurin e mullirit/ që e kafshon/ grurin e bekuar/ për krushqi/ me nusen mbi kalë” dhe me Flamurin mbi krye.

Para nesh kemi një talent me një imagjinatë të bujshme dhe me një karrocë frymëzimesh, nëse na lejohet të shprehemi kështu, duke e përkujtuar Nikita Stëneskun dhe poezinë e tij “Karroca me flutura” (Carul cu fluture). Fjala është për një poet kontemplativ, i pajisur me aftësi soditëse prej ëndërrimtari, i cili di ta trazojë shpirtin e njeriut me shkallët e jetës, me labirintin e shpirtit, me muzën në vargje dhe zërin e zemrës. Dikush mund të krijojë përshtypjen se autori krijon një “poezi militante”, e cila i ka hije, sidomos në vëllimin e parë, edhe pse militantizmi i tij nuk ka të bëjë me “epokën e  artë” të një perandorie të vdekur, por me dhimbjet, durimet, mundimet, lotët, sakrificat dhe gjakun e dedhur të shqiptarit për liri dhe pavarësi. Kohët të fundit, lirikën e tij e karakterizon një metaforë përjetësie vlerash universale, pa e lënë anash kurrë Kosovën si djep frymëzimi me martirët e kombit në mbamendjen tonë të përjetshme.

Poemat e tij e shpalojnë një kohë të krisur të dhimbjes sonë, një kohë të errët të mjerimit tonë social, dhe një kohë prushi të pashuar, kur shpresa hap rrugët e shpëtimit të një kombi kreshnik. Në këtë kontekst, poeti ngre zërin e protestës kundër atyre që e përbuzin krenarinë e kombit, duke e fshikulluar një kategori politikanësh për mungesë të strategjisë kombëtare: „Aty brenda dëgjova turbull se flitej veç shqip/ E langonjtë e pangopur rrugëve vrapojnë pas gjahut/ Kurse veteranët si  gozhdat e shtrembra dhe të ndryshkura shtrirë/ Të ngulfatur në grevë urie, viktimat presin ndihmë nga jashtë.”

 

Fjala e poetit është ikona e mendimit të tij

 

Sipas një komentatori anonim (K. Guri), poeti i mirë duhet ta njohë strukturën e poezisë, muzën poetike dhe vargun poetik. Sipas një mendimtari elektronik, ka disa krijues që aq të madhe e kanë fuqinë e ndershmërisë, saqë edhe armikun e ndershëm dinë ta respektojnë. Fjalët e bukura dhe lulet i japin bukuri jetës, biblioteka i jep pasuri mendjes, kopshti me pemë i jep hijeshi jetës, kurse jeta i nxjerr të vertetat në shesh, thekson Rexha duke shtuar se pasurinë mund të ta marrin, të ta djegin e të ta vjedhin, por dituria mbetet pasuri e përhershme. Duke deshifruar shpirtin poetik të Neki Lulajt, konstatojmë se këto mendime janë të pranishme në universin e tij poetik. Poeti e refuzon dhe anashkalon subjektin fetar, sepse me fe dhe divinitet merren priftërinjtë dhe hoxhallarët, që te shqiptarët s’janë të paktë, sidomos këta të fundit, që janë shtuar si kërpudhat pas shiut dhe aktivistët e partisë. Përpara divinitetit kemi përgjegjësi ndaj Atdheut, sepse misionarët e fanatizmit fetar kërkojnë lëmoshë jo vetëm nga populli, por edhe nga shërbimet e fshehta të djallit që militojnë për shndërrimin e Kosovës në një vatër të injoranës fetare dhe të prapambeturisë aziatike. Ideja mund të ketë konotacione ateiste, por ne ç’bëjmë, “Pa i shijuar ditët e Lirisë”, pyet poeti.

Dritat e durimit, Faqet e kohës dhe Shkallët e jetës, janë tre kapitujt e veprës respektive. Sipas Rrahim Sadikut, “Mbi të gjitha fuqitë që Perëndia ia dha njeriut është ajo e fjalës! E vetmja prani e hyjnishme te njeriu është mendja! Të mos e përdorësh si duhet e të mos përpiqesh që gjithnjë ta freskosh mendjen me dituri, është shkelje mbi shenjtërinë!” Fjala e poetit është ikona e mendimit të tij, kurse veprat e tij janë ikona e shpirtit tonë. Letërsia sipas Borhesit është forma e lumturisë. Neki Lulajn e preokupon historia shqiptare dhe i këndon Kodit të Gjergj Kastriotit dhe Himnit të Flamurit. Ai shkruan me zjarrin e zemrës për faqet e kohës dhe shkallët e jetës. Poeti nuk ka frikë, por ka ide, guxim dhe talent për ta shndërruar fjalën në dritë, duke dhënë kontribut përmes fjalës së tij për rikthim në idealizëm dhe rizgjimin e vetëdijes kombëtare. Fjala e tij nuk është një kushtrim për thirrje në ndihmë, por një zjarr i pashuar, një ilaç shpirti dhe ndihmesë shpirtërore për ta shpëtuar shpirtin shqiptar nga rruga e degdisjes. Ata që e njohin, madje edhe ata që s’e njohin, i lexojnë dhe komentojnë me konsideratë vargjet e tij, njëri ndër ta, duke theksuar se “Poezia e Neki Lulajt është e mprehtë dhe e zjarrtë. Ajo shkrihet në varg, për vatan dhe dinjitet.” (Parathënia e vëllimit Zjarri i shpirtit, me një pasthënie të Arif Molliqit, që e pa dritën e botimit në vigjilje të Ditës Kombëtare të Kosovës, Editura Amanda Edit, Bukuresht 2012)

 

BOX

 

VLERËSIME KRITIKE

 

Sensibiliteti dramatik i shpirtit të shqetesuar poetik të Neki Lulajt, që shpërthen me ngazëllim deri në eufori, duke u përhapur dhe duke u shndrruar në kushtrim, si te rrallë ndonjë krijues tjetër, e prek kujtesën historike dhe, nga dallgët e kohërave e tërheq tisin e dritës së traditës prej lashtësisë deri në ditët e sotme. Konstatimin e mbështesim në faktin se, Neki Lulaj lashtësinë ia dedikon të sotmes, i vetëdijshëm se kjo është mundësia më e ringjalljes së vërtetë. Ringjallja për Lulajn ështe rikrijim, vazhdimsi kontinuitive gjenetike, e ngjashme me shpërthimit e degëve të reja nga rrënjet e lisit të prerë, që ka dimëruar i mbetur nën dhe, por që, pranvera e njomë me diell të ngrohtë, e ringjall sërish lisin e dikurshëm. Ky është obsesioni krijues në gjithë poezinë patriotike të Neki Lulajt, që në këtë temë ka regjistruar rezultatet më të mira artistike, që e shquajnë krijimtarinë e deritanishme të tij. Për këtë lexuesit kanë rastin të bindet edhe nga ky libër me vjersha. (Skënder Zogaj)

 

Në tërësinë artistike të kësaj vepre përkushtuese zotëron tematika e zgjedhur dhe identifikuese për të ruajtur me shenjtëri verdiktin në muzeun kombëtar. Vargjet e Neki Lulajt, në lexim të parë të krijojnë përshtypjen e shpirtit të trazuar nëpër ecejaket, si dhe në  tragjikën e përditshmërisë sonë kombëtare të krijuara në hapësirën  a pa fund të qiellit Dardan. Brendia poetike e veprës  shpalos dhe krijon dimensionalitetin  si formë artitistke me tonalitet dhe individualitet edhe si poezi edhe si dokumetaritet i shfaqjeve të  gjata nëpër labirintet e kohëve. Neki Lulaj, fjalës  gjithnjë i ka dhënë ngjyrim real  për ta saktësuar individualen në vargje dhe në personazhe të zgjedhura edhe si element artistik edhe si realizim  e përjetim i të ndodhurave nëpër dekada e shekuj. Dinamika e pandërprerë dhe fryma atdhetare ka mundur të mbijetojë nëpër këto katrahura kohësh. Shpirti i atdhetarizmës intelektuale ka qenë sferë e ndjekjeve nga pushtuesit dhe kolaboracionistët, të cilët me predispozita të padukshme kanë kryer veprimet më makabre për atdhetarët  e këtij nënqielli. Kujtesa dhe njohja me optikën e përjetimit gërshetojnë mospajtimin e autorit me zhvillimin e shumë proceseve, që padrejtësisht kanë instrumetalizuar kuptimin domethënës të idealit për liri,  e këto figura ndër më të ndritshmet  kanë zënë vend në poezinë e këtij vëllimi. Kronologjia dhe qëndrimi glorifikues, komunikojnë në shkallën e admirimit dhe të dinjitetit drejt një fokusimi sa më origjinal për tërësinë artistike të kësaj vepre përkushtuese me tematikën e zgjedhur  dhe identifikuese për  të ruajtur me shenjtëri verdiktin në muzeun  kombëtar.  (Nexhat Rexha)

 

Me poezitë e tilla, edhepse i mërguar, poeti dëshmon se është i lidhur me mish e me shpirt me fatin e atdheut të vet, duke paraqitur frymëzimet në prizmin e të vërtetës së hidhur, sa edhe krenare, varësisht nga këndshikimi shpirtëror, në qasje nga rrethanat kohore. Këtu shkrihen harmonishëm vargjet e dhembjes krenare, të përmallimit, dritës dhe errësirës, por edhe rrjedhat e furtunës shpesh magjike të  stuhive dardane. Poeti i skalit me mjeshtri poetike bredhjet e tija sentimentale, qoftë edhe atëherë kur arrin të rikthehet përmallshën në atdhe, në vendin e tij të zhuritur për liri, të shkrumbuar e të shkretuar, por si me inat të shpërlarë nga përgjakja e përlotja dhe të pertërirë me shpejtësi marramendëse, pas çlirimit të Kosovës e armikut tashmë të përzënë me bisht nën këmbë, duke lënë prapa lirinë e sjellur nga çlirimtarët me ndihmën e ndërkombëtarëve. Janë këto vlera lirike të përjetuara nga vetë poeti, kryesisht si zëdhënës e sinonim i mërgimtarëve të kohës, por edhe i vetë përjetimeve të tij.

Në këtë amulli, sa mjegulluese, po aq shkëlqyese, autori është zëri i atdheut në mërgim, që bredh sa nëpër re të vrugëta, aq edhe nëpër tymnaja të përflakura, të mbetura nga shkrumbosja e tmerrit luftarak. Megjithatë, guximi fisnik i ndjenjave dhe fryma atdhetare e poetit, si vullkan i pashuar, arrin t’i rreshtojë në vargje aq harmonishëm e aq llojllojshëm, sa formon një kopsht poetik të vlerave atdhetare me buqeta shumëngjyrshe poetike të një lirizmi të vaçantë drejt një individualizmi poetik, që premton. Për poetin, gjaku i dëshmorëve buroi nga zëri i kushtrimit dhe u shndërrua në ushtimë ndër male, u materializua në besë atdhetare, vesë trëndafili, në krenari përmendoresh e në altar lirie. Një poezi e dalë nga zjarri i zemrës, qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit, ku poetin e mundon historia dramatike e brendshme dhe e jashtme e jetës kosovare. (Zenun Gjocaj)

 

Askush nuk gabon kur thekson se me seriozitetin dhe përkushtimin që ka ndaj poezisë, Neki Lulaj po ngjitet majave të larta të elitës poetike shqiptare. Dikush mund të preket për këtë konstatim, pa e ditur se Nekiu është një pendë e mprehtë e cila nuk di të ndalet. Tek ai dashuria ndaj Atdheut është çështje primare, ndërsa përmes vargjeve të tij ai i drejtohet lexuesit që të ruajë traditat, gjuhën, kulturën dhe dashurinë ndaj Atdheut. Neki Lulaj përfaqëson shpirtin dhe aspiratat liridashëse të popullit, frymën dhe fizionominë e tij kombëtare. Zjarri i shpirtit t’a përkujton ambientin dhe rrethanat në të cilat jetoi, një vepër briliante ku reflektohen ngjarjet historike dhe konstitucioni i tij i brendshëm shpirtëror. Në diapozonin e tij krijues merr pjesë realja dhe e përditshmja, që udhëhiqet nga shpresat, kultura dhe pozicioni shoqëror. Poezitë e Neki Lulajt kanë një forcë karakteristike dhe një vrull të madh. Disa prej tyre kanë vlera të veçanta kombëtare dhe universale. Frymëzimet e tij i tij ndezin zemrat e lexuesit, nxisin ëndërrat e tyre. Fjala e tij është zëri i lirisë që e përshkon, dhe që e determinon të hyjë në ndërgjegjën e lexuesit. Poeti i shkruan mërgimit, lindjes, dhembjes, mallit, frikës, tradhëtisë, dritës, fjalës, besës, heshtjes, pikëllimit, ikonave të shqiptarisë, martirëve dhe heronjve të Kosovës. Në vargjet e Neki Lulajt, ndjenja e demokracisë dhe lirisë shfaqet e gjithëpushtetshme, e thellë dhe e butë, në disa raste e sertë dhe drithëruese, por çdo herë e pashterrshme. Te ky atdhetar, veprimtar dhe intelektual, te ky poet i talentuar, guximi fisnik i mendimit dhe dashuria e madhe ndaj Atdheut nuk shuhen kurrë. Krijimtaria letrare e Neki Lulajt shquhet për disa nga poezitë më të fuqishme të këtyre viteve të fundit. Disa nga vargjet e tij kanë një peshë të veçantë mendimi, një kuptim të qartë dhe një thellësi tronditëse që e pasurojnë poezinë aktuale të diasporës shqiptare. (Ramiz Dërmaku)

 

Autori i këtij gjerdani poetik lundron nëpër lumenjtë drejt pagjumësisë dhe epokës së rrënjëve të trungut tek guri i kufirit, atje ku 114 flakadanët me heroizmin kundrejt uraganëve edhe në përjetësi i bëjnë roje Koshares së tij dhe Dardanisë sonë.  Autori e ndjek ritmin dhe hapin e kësaj përmbledhjeje, UÇK- ja, ombrellë e trimave ballëhapur, që nga qelitë dhe nëntoka shpërthejnë së bashku me idealin dhe kushtrimin për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e një vendi të bekuar që quhet Kosovë.  Poeti nuk e fsheh mallin për rrezet e arta, simfoninë - vesë që shkëlqen si Diamant e që hapëron drejt vendlindjes pa kufi. Martirët ia huazuan tokës mishin, gjakun dhe eshtrat për peng. Të bashkuar dhe të vendosur si kurrë më parë, këta fanarë ndriçuan dhe u vetëflijuan. Autorit të këtij vëllimi i rreh fuqishëm zemra për perlat dardane, për Ujvarën e Mirushes, për Kalanë e Prizrenit, për Rozafën etj. pa iu larguar asnjë çast nga mendja, ecjet titanike të heronjve të kombit, të zhdukurit pa gjurmë dhe përjetësia e tyre në histori. Nekiu i ynë, nuk ndalet së kërkuari shtegun drejt lisave të lartë, drejt pleqve të urtë të odave të burrave e të kuvendeve të atdheut, as netët e ftohta të dimrit nuk i harron, kur i ligu me kukullat e zeza organizonte vrasjet tinëzare të shumë patriotëve. Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani cilësohen me të drejtë si promotorë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Vitet dhe dekadat e përcjellin jetën dhe bredhjen e ndjenjave të mërgimtarit, porsi shtresa e dëborës që i mbulon ose edhe i humbë fare gjurmët, edhepse mbi oqeane nuk ka gardh e mure. Ja tre cikle frymëzimesh magjike, të pasuara me qëndisje vargjesh njëra më e mirë se tjetra, që bartin në vehte kohërat dhe aktorët e Dardanisë, gjithmonë në valvitje, si dhe disa komente të miqve të fjalës së shkruar, marrë nga portalet elektronike që dëshmojnë për njërin prej ushqimeve të përditshmërisë sonë shpirtërore, një sihariq poetik, i gatuar me mjeshtëri hyjnore. (Xhevat Muqaku)



(Vota: 30 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora