E premte, 19.04.2024, 08:16 PM (GMT+1)

Mendime

Hajdin Islami: 7 Marsi - Dita e mësuesit në Republikën e pavarur të Kosovës

E enjte, 06.03.2008, 07:20 PM


7 Marsi - Dita e mësuesit në Republikën e pavarur të Kosovës

Nëse me fillimin e shkollimit në shqip ka filluar vetëdijesimi, atëherë pavarësia e Kosovës është një kurorëzim i atij vetëdijesimi. Dita e Mësuesit, për realitetin në të cilin ndodhet shteti ynë i ri i Kosovës, ka domethënien e një feste të madhe ndoshta për nga rëndësia si ngjarja e tretë shtetërore pas Pavarësisë së vendit dhe përkujtimit të ditës së Dëshmorëve.
Të jesh mësues, edukator i brezave të rinj është nder dhe privilegj por para së gjithash është punë fisnikërie që vetëm mësuesit shqiptarë kanë ditur dhe dinë ta bënë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Për rrethanat e tanishme në të cilat ndodhet Shteti ynë, tashmë i pavarur dhe sovran, është kënaqësi dhe nder i madh pasi kjo ditë, falë brezave të kaluar dhe të tanishëm, sot kremtohet lirshëm dhe pa asnjë pengesë. Sot kur mësuesit e Kosovës dhe në përgjithësi mësuesit shqiptarë festojnë këtë ditë, që në historinë tonë ka domethënien e hapjes se shtigjeve drejt diturisë, në këtë ditë që njëherit është edhe dita më e madhe e arsimit shqiptarë në përgjithësi, u jemi mirënjohës të gjithë mësuesve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë, pasi që falë kontributit të tyre të pazëvendësueshëm ne kosovarët por edhe shqiptarët në përgjithësi po e gëzojmë dhe shijojmë lindjen e Shtetit të ri të Kosovës.
Mësuesit kosovarë ishin ata që gjatë këtyre shekujve e kishin pësuar më së keqi pasi regjimi komunist dhe çetnik serb i kishte gjithmonë në vëzhgim çdo lëvizje të mësuesve të përvuajtur kosovarë, një numër i këtyre mësuesve së bashku me nxënësit e tyre u rrahën dhe u keqtrajtuan. Jo vetëm kaq, fatkeqësisht, disa mësues dhe nxënës nga tortura dhe brutaliteti i paparë i regjimit të egër serb vdiqën pa e parë realizimin e ëndrrës së përjetshme të tyre, Pavarësinë e Kosovës, për të cilën gati çdo orë ju kishin folur nxënësve të tyre.
Në këtë ditë kur ndjenjat janë të përziera me gëzim dhe pikëllim nuk mund të lëmë anash pa iu treguar nxënësve tanë rrugën e dijes dhe lirisë që ndoqën mësuesit tanë para nesh. Sot kur ne si mësues për herë të parë e festojmë Ditën e Mësuesit në Republikën e Kosovës pa frikën se ndokush nga policia serbe do të vijë në orën e mësimit dhe të na largoj nga objektet tona shkollore, moralisht, jemi të detyruar t’iu shprehim mirënjohje mësuesve edhe nxënësve dëshmorë, familjeve të mësuesve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, prindërve të nxënësve të vrarë, të plagosurve, fëmijëve bonjakë të mësuesve e nxënësve tanë në përgjithësi. Iu qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Një numër jo i vogël i mësuesve përveç që kontribuuan në edukimin dhe arsimimin e brezave ata iu përgjigjen edhe thirrjes kombëtare për çlirimin e atdheut. Neve që sot jemi të gjallë na bënë krenar fakti se rrugës për liri e pavarësi ju kishin bashkangjitur edhe kolegët tanë disa prej të cilëve e patën fatin të binin dëshmorë si pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), disa u vranë vetëm se ishin arsimtar dhe edukues të brezave të rinj shqiptarë.
Për nderë të kësaj dite por edhe në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në arsimimin e gjeneratave të ndryshme dhe për punë të palodhshme që bëjnë arsimtarët e Kosovës do të ishte mirë që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës për çdo vit të shpallte mësuesit e dalluar, një gjë të tillë para se gjithash do të duhej ta bënin edhe Kuvendet Komunale të Kosovës, veçanërisht Drejtoritë për Arsim të këtyre komunave. Një nderë shtetëror mësuesve do të duhej tua bënte edhe zyra e Kryeministrit dhe e Presidentit të Kosovës ku për çdo vit do të ndanin nga një shpërblim simbolik si shenjë falënderimi për kontributin e dhënë.
Mësuesit kosovarë ishin udhërrëfyesit më të mirë për edukimin e nxënësve për një jetë sa më të qetë dhe plotë suksese në rrugën e tyre drejtë ardhmërisë këta mësues të Kosovës përveç represionit, dhunës, vrasjeve dhe shumë maltretimeve tjera prapë se prapë nuk ju kanë ndarë misionit të tyre fisnik edukimit të brezave të rinj ata nëpër rrugë të përbaltura, nëpër vise të thella malore asnjëherë nuk e kanë tradhtuar profesionin e tyre që shumë herë ka qenë edhe human.
Çdo nxënësi festa e 7 Marsit ia kujton mësuesin e parë të tij, mësuesin i cili ia mësoi shkronjat e para, mësuesin i cili ia zgjeroi njohuritë dhe e bëri atë të aftë për ta vazhduar jetën.

E shkroi: Prof. Hajdin ISLAMI

(Autori është mësues dhe gazetar nga Vushtrria).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora