E shtune, 20.04.2024, 08:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut gjatë periudhës osmane

E hene, 13.02.2012, 06:58 PM


Arkitektura e urave të Pollogut gjatë periudhës osmane

Nga Dr.sc. Hamdi Mediu

Në fushëgropën e Pollogut qysh në kohërat e lashta ekzistonin lokalitete të shumta, gjurmët e të cilëve ende ekzistojnë në formë rrënojash, por deri diku edhe të ruajtura. Kushtet e mira klimatike, hidrografike, ekonomike, strategjike etj. kontribuuan që në këtë fushëgropë për një kohë të gjatë të krijohen vlera të pasura kulturore-historike, arkitekturale, urbane, rurale e të tjera, të cilat flasin për kulturën e pasur materiale dhe shpirtërore të kësaj treve.

Qyteti i Tetovës gjendet rrëzë malit Sharr dhe bregores piktoreske të Balltepesë, pranë brigjeve të lumit Shkumbin, me një sipërfaqe prej 1.080 km.² , dhe me 92 vendbanime ( fshatra).

Shumë historianë të sotëm që merren me studimin e historisë antike, Tetovën e lokalizojnë si qytet të lashtë ilir me emrin latin OAENEUMIT. Në periudhën e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme, si shumë qytete të tjera, edhe Tetova u dëmtua rëndë. Megjithatë në shekullin XI ajo dallohet midis vendbanimeve të tjera. Në shekullin XIII-XIV Tetova përmendet si një nga vendbanimet e luginës së Pollogut.

Duke u shtrirë në pjesën qendrore të Fushëgropës së Pollogut, Tetova ka pasur historikisht rëndësi të madhe ekonomike e strategjike, dhe për këtë arsye shumë sundimtarë në të kaluarën e largët dhe të afërt, tentuan të zotërojnë me këtë regjion strategjik. Aty janë edhe lidhjet e përshtatshme me regjionet fqinjë, si me grykën e Dervenit dhe regjionin kodrinor të Grupçinit, që shtrihet në juglindore, nëpërmjet të të cilit Pollogu komunikon me fushën e Shkupit e më gjerë. Në jugperëndim, përmes qytetit të Gostivarit dhe disa qafave malore lidhet me Kërçovën dhe qytetin e Dibrës, dhe së fundi përmes rrugës regjionale Tetovë-Ferizaj që shtrihet në rrafshinë, ndërkaq vetëm një pjesë e vogël, kryesisht pjesa e vjetër e qytetit është e vendosur rrëzë Balltepesë. Lartësia absolute mbidetare e qytetit është midis 450-500 metra mbi nivelin e detit.

Gjatë mesjetës duke i konsideruar rrugët dhe urat si objekte me rëndësi ekonomike dhe strategjike për lëvizjen e trupave të pushtuesit dhe të popullatës vendase, shpesh ata ruheshin me ndërtime mbrojtëse.Shpesh herë urat janë konsideruar jo vetëm si vepra të nevojshme për kalimin e lumejve por edhe si krijime ku artisti popullor mund të shprehte aftësitë e tij si gdhendës i basoreliefeve në gur. Zakonisht gdhendjet e këtyre reliefeve bëheshin në gurët ballorë të qemerëve.

Duhet theksuar se megjithë prapambetjen që shkaktoj pushtimi Osman në trevat e pushtuara, populli ynë me traditat shekullore në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe urave, populli ynë diti të ruaj arterjet rrugore dhe të ndërtoj ura druri ose guri mbi lumenj të ndryshëm në tërrë tokat shqiptare.

Me depërtimin e turqve-osmanli  në Gadishullin Ballkanik në shekujt XIV e XV, edhe territori i Maqedonisë së sotme bie nën sundimin osman. Në vitin 1392, ushtria Osmane e pushtoi Shkupin, Tetovën dhe pjesë tjera të Maqedonisë së sotme. Me pushtimin e këtyre territoreve, osmanët vendosën administratën e tyre, ku Tetova bëhet qendër administrative  e Fushëgropës së Pollogut.

Pas pushtimit të këtyre trojeve, filloi ndërtimi dhe zhvillimi i qyteteve me ndikim oriental, si dhe gjetkë në trojet shqiptare. Nëpërmjet  ndërtimtarisë dhe kulturës, ekonomisë e politikës, osmanët ndryshojnë jetën e përditshme, e cila reflektohet në kulturën shpirtërore të popullatës vendase. Fillon ndërtimi e objekteve të ndryshme të karakterit sakral, ekonomik dhe shoqëror, si bie fjala, xhamive, teqeve, hamameve, karavansarajeve, urave dhe shumë objekteve tjera. Duhet theksuar se pushtuesit osmanli ndërtuan edhe shumë objekte fetare dhe objekte të tjera që drejtonin jetën urbane në hapësirat shqiptare. Nëpërmjet këtij ndërtimi të stilit oriental, qytetet gjithnjë e më shumë e merrnin pamjen e Orientit, dhe si të tilla u shndërruan në qendra të përhapjes së civilizimit islam.

Në Tetovë u ndërtuan shumë  monumente me karakter fetar si: xhami, mesxhide,  tyrbe, teqe e tjerë. Njëkohësisht ndërtohen edhe objekte të karakterit ekonomik dhe shoqëror, si: karavansaraje, hane, hamame, çezme publike, ura etj. Shumica e këtyre objekteve janë shumë të vjetra dhe datojnë nga fillimi i sundimit osman. Pasuria e këtyre objekteve arkitektonike flet për zhvillimin kulturor e shpirtëror të popullatës myslimane, por gjithashtu flet edhe për zhvillimin e qyteteve të Maqedonisë Perëndimore, si Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga,  Ohri e të tjera. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, udhëtarë të huaj që e kishin vizituar Tetovën, pohojnë se ky qytet ishte qytet i gjelbërimit, me rreth 2000 shtëpi, 8 xhami dhe afërsisht 20,000 banorë, prej të cilëve shumica shqiptarë e turq,  si dhe një pakicë sllave.[1]

Ndonëse administrata osmane nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë që të bënte investime serioze në fushën e ndërtimit të infrastrukturës rrugore në trojet shqiptare, megjithatë, për nevoja ushtarake dhe strategjike, u ndërtuan rrugë dhe ura, një pjesë e të cilave i ka mbijetuar kohës dhe dëshmon vlera autentike jo vetëm arkitekturore por edhe kulturore-historike. Me këtë rast duhet të theksojmë se osmanët nuk patën nevojë të t’i sjellin nga Stambolli as arkitektët e as mjeshtrit për ndërtimin e rrugëve dhe të urave, sepse shqiptarët tradicionalisht njiheshin si mjeshtër të zotë. Madje si arkitektë më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekujt XVI e XVII ishin shqiptarët, mimar Sinani dhe mimar Kasemi. Ndërkaq edhe gjatë shekujve XVII-XIX në trojet shqiptare, një numër i madh veprash arti nëpër rrugët, përfshirë këtu edhe urat, u ndërtuan nga pashallarë shqiptarë dhe me mjeshtër të vendit. Prandaj, do të ishte gabim, në qoftë se urat e ndërtuara gjatë shekujve XV-XIX do t’i vlerësonin si ura turke, sepse, siç shprehen studiues të shumtë të këtyre çështjeve, gjatë ndërtimit të këtyre urave, projektet gjendeshin në kokat e ustallarëve shqiptarë.[2] Ishin të dalluar sidomos mjeshtrit dibranë. Ata ishin të aftë t’i realizonin edhe projektet më të ndërlikuara evropiane. Mjeshtrit dibranë punonin kryesisht nëpër qytete, duke ndërtuar shtëpi, çezme, ura, hamame, xhami etj. Punonin edhe me material druri edhe me material guri.[3]

Përgjithësisht, ndërtimet e kësaj periudhe kohore, të ruajtura deri në ditët tona, janë njëkohësisht dëshmi e vlerave jo vetëm arkitektonike, por edhe kulturore dhe historike. Ato në fakt, janë dokumente të gjalla që faktojnë për njohuritë tradicionale dhe për shpirtin krijues praktik të mjeshtërve shqiptarë të ndërtimit, të cilët me materialet rrethanore  dhe mjaftë të organizuar kanë krijuar kurdoherë vepra tekniko-artistike të goditura, që i kanë rezistuar shekujve dhe e kanë justifikuar më së miri  ekzistencën e tyre.

Në kuadrin historik, monumentet e ndërtimit në këtë pjesë të fushëgropës së Pollogut janë produkt i një tradite në vazhdimësi që e ka zanafillën e saj në thellësitë e shekujve. 

URAT E POLLOGUT ( TETOVËS)

Në hartën ”Regno d’Albania” ( Mbretëria Shqiptare), të vitit 1938, shënohet  rruga Dibër - Prizren me këtë itinerar: Dibër - Gryka e Radikës – Mogorçë – Sushicë – Galiçnik - Gostivar – Tetovë - Prizren.

Edhe dijetari Italian A. Baldaçi ka dhënë disa njoftime për rrugën Tetovë - Prizren, në veprën “ L’Albania”, e botuar në vitin 1930 në Romë.[4] Por udhëpërshkruesi italian bën fjalë për degëzimin Prizren – Gorë – Bozofcë – Veshallë - Tetovë. Pra, sipas itinerarit të Baldaçit,  rruga nisej nga Prizreni, kalonte nëpër malin Sharr e dilte në fushën pjellore të Tetovës.

Për itinerarin e rrugës Gostivar - Tetovë kanë shkruar mjaftë studiues, por nga mesi i atyre që kanë dhënë informata më të hollësishme ishte, Jastrebov, i cili duke u nisur nga Tetova përshkroi një itinerar të detajuar ku përmend jo vetëm fshatrat nëpër të cilët kalonte rruga, por shënon edhe numrin e shtëpive të ndara në ato të përkatësisë islame dhe ato të përkatësisë krishtere, si dhe pozicionin e fshatrave në lidhje me rrugën.

Ura e Mehmet Kukli beut

Nga Tetova rruga vijonte në drejtim të Shkupit, edhe atë nëpër grykën e Dërvenit, por para fshatit  të Zhelinës,  mbi lumin Vardar është Ura e Gurit, e  ndërtuar (financuar) nga Mehmet Kukli Beu, e ndërtuar në vitin 1539[5]. Për mirëmbajtjen e kësaj ure ka qenë i angazhuar vet kadiu i Tetovës.

Ura e Mehmet Kukli beut, është  urë e vetme e cila e lidhë Pollogun me Shkupin e më gjerë. Ura ka një gjatësi prej 66,55 metrash, kurse gjerësi prej 5,40 metrash.

Ura përbëhet nga katër harqe të mëdhenj me hapësirë drite 6 deri në 10 metra, ndërmjet harqeve është pamja e pilave (këmbëve), kurse në anën e ardhëse të ujit, pilat janë trajtuar me majë të mprehtë për të shpërndarë rrjedhën e ujit nëpër hapësirat e harqeve, duke eliminuar kështu presionin hidrodinamik të ujit  ndaj ballit të pilave ndërmjet harqeve. Muret ballore të urës janë punuar  me gurrë të gdhendur me kujdes nga ana e mjeshtërve vendorë.

Në shekullin XIX janë bërë intervenime në riparimin e kësaj ure nga ana e Abdurrahman Pashës së Tetovës, i cili njihet edhe për ngritjen e shumë objekteve tjera në Tetovë e rrethinë.

Kjo urë e shekullit XVI është e njëjtë me shumë ura të tjera prej guri, të ngritura nga duart e mjeshtërve shqiptarë të ndërtimit. 

Ura e Çarshisë

Mbi lumin Shkumbin të Tetovës ka pasur katër ura të ngritura, të cilët i kanë lidhë dy brigjet e kundërta të qytetit, por fatkeqësisht vetëm njëra akoma është e ruajtur dhe është funksionale edhe në ditët e sotme. Krahas përdorimit që kanë këto objekte komunikacioni, ato kanë edhe vlera mjaftë të mëdha  kulturore dhe historike. Mirëpo, mjerisht, sot e kësaj dite nuk janë gjetur  dokumente të shkruara, sipas të cilave do të dokumentohej në mënyrë ekzakte viti i ndërtimit të tyre apo edhe ndonjë shënim tjetër relevant që lidhet me historikun e ndërtimit të tyre.

Sipas stilit dhe karakteristikave të ndërtimit, supozohet të jenë ndërtuar në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane ( shekujt XV-XVI), përkatësisht, në periudhën e ngritjes dhe kulminacionit të zhvillimit politik, ekonomik dhe kulturor të kësaj perandorie. Ishte pikërisht kjo kohë kur edhe fillon impakti i kulturës orientale në trevat tona.

Ura e Çarshisë së Epërme, ka qenë e vendosur pikërisht në vendin ku ishte e ndërtuar çarshia e epërme e qytetit, prandaj e mban edhe këtë emër. Ura ka pasur një hark gjysmëhëne, ndërkaq materiali ndërtimor ka qenë vendas, gurë i gdhendur. Niveli i kalldrëmit të  urës pasqyrohet në muret ballore nëpërmjet një kornize të gurit me profil të kurbët (parapet) me gjerësi 20 centimetra, dhe lartësi 60 centimetra.

Kjo urë, u rrënua në vitin 1979, nga vërshimet e mëdha që kapluan Tetovën në atë vit, dhe si e tillë mbeti vetëm në kujtesën e banorëve të vjetër të këtij qyteti dhe rrethinës së saj.

Ura e Kazazëve

Sipas legjendave gojore të cilën e kanë përcjellë brez pas brezi në familjen e Kazazëve, këtë urë e ka ndërtuar kjo familje, diku në fillim të shekullit XVI.

Kjo urë përbënte një konstruksion inxhinierik interesant të stilit oriental, me një hark me hapësirë drite të mjaftueshme. Kjo urë lidhte dy anët e qytetit, dhe mu sikur edhe Ura e Çarshisë u rrënua në vitin 1979, nga vërshimet të asaj kohe.

Ura ka qenë e punuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit vendas. Ishte e pasuruar me korniza gur me profil të kurbët (parapet) me një gjerësi prej 20 centimetrash, dhe me lartësi prej 60 centimetrash. Ura e kazazëve ishte në përdorim deri në ditët rrënimit të saj.

Ura e Pashas

Kjo urë, ka qenë e ndërtuar diku në fillim të shekullit XV. Nga foto-dokumentacioni i ruajtur[6], vërtetohet se kjo urë, sikur edhe disa të tjera, ka pasur një hark me hapësirë drite të bollshme, me një konstruksion inxhinierik të stilit oriental. Ura e Pashas, lidhte dy anët e qytetit, ndërkaq vendndodhja e saj ka qenë në vendin mu pranë Hamamit të qytetit dhe Xhamisë së Larme. Për fat të keq, kjo urë është rrënuar në fillim shekullit XX.

Ura e Pashas, ishte e ndërtuar prej guri (bigor) të gdhendur, nga duart e mjeshtërve vendas. Niveli i kalldrëmit të urës pasqyrohej në muret ballore nëpërmjet një kornize gjatësore të gurtë me profil të kurbët (parapet), me lartësi prej 60 centimetrash, dhe me një gjerësi prej 20 centimetrash, të vendosura vertikalisht, të fiksuara në tabanë me kunja metalike, ngulur në plumb të shkrirë. Parapetet në fakt kishin rolin mbrojtës për kalimtarët që ecnin mbi urë.

(Për shumë të dhëna mbi ndërtimin e urave të qytetit janë marë nga familjet e vjetra shqipëtare në tetovë e rathinë, dhe duke mledhë matrijale nga persona të moshuar).

Ura e Topxhinjve

Në mungesë të dokumenteve të shkruara, nuk është e njohur koha e saktë e ndërtimit të Urës së topxhinjve. Në bazë të teknikës së ndërtimit dhe pamjes së saj mendohet se është ndërtuar në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.

Teknika e kësaj ure është mjaftë e përsosur. Qemerët janë të ndërtuara me blloqe gurësh, fugat ndërmjet gurëve janë të lidhura me plumb të shkrirë. Parapeti është i lartë 60 centimetra, i gjerë 20 centimetra, me blloqe gurësh të fiksuara në taban me kunja metalikë, ngulur në plumb të shkrirë.

 

Ura posedon një hark me një hapësirë  të bollëshme, e ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Me matrijal të gurit (bigor) vendas, mirë të gdhendurë.

Kjo urë akoma është funkcionale dhe lidhë dy anët e qytetit.

 

Rezime

Kultura dhe arti shqiptar nuk u izoluan skajshmërisht , veç se përpos që dhanë e morën , ato jetuan  dhe u zhvilluan në kontakte të ngushta me kulturën e të tjerëve që jetonin në Gadishullin Ballkanik .

Shekujt XV-XX shënojnë për trojet shqiptare, e veçanërisht për Pollogun, periudhën gjatë së cilës si rezultat i zhvillimit të forcave të brendshme dhe te veprimit të faktorit të jashtëm, u bënë ndryshime të thella në jetën shoqërore, politike ekonomike , dhe kulturore.

Në këtë  trashëgimi të kulturës materiale në Pollog , urat,  si kategori e veçantë ndërtimore në bashkësinë e madhe të krijimtarisë arkitektonike,  disa prej të cilave janë ruajtur edhe në ditët e sotme , pësuan ndryshime në aspektin e elementeve të ndërtimit arkitekturorë , funksional dhe estetik. Këto ndryshime paraqesin një komponentë tejet me rëndësi.

 

BURIMET  DHE  LITERATURA

 

Adami, J. Rruga Durrës-Fushë e Tiranës-Dibër, “Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”, Tiranë 1983.

Anamali, S. “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”,Tiranë, 1969.

Anamali, S. Stelushi, “qytet i Skënderbeut në Mat”, studime historike,4-1967.

Baçe, A. Rrugët shqiptare në mesjetë (shek.VII-XV),”Monumentet”1,1984.

Bageri, J. Barësim në Dibër, “Shqypja e Shqipënisë”,1 korik 1910.

Baldacci,A. “Itenerari Albanesi”(1892-1902), Roma 1917.

Barlet, M. “Historia e Skënderbeut”, Tiranë 1967.

Biçoku, K, Rrugët nëpër vilajetin e Krujës në shek.XV, “Monumentet” 1, 1982.

Biçoku, K. Rreth çështjes “Nga ishin Kastriotët”, “Mësuesi”, 11.12.1974.

Bitranova, V-Grazhdanova, Prilog za Via Egnatia na Delnicatud Luhnidos-Pions Servili, na Lihnid, Zbornik na trudovi, 6, 1988, Ohrid.

Buda, A. “Studime historike”, 1, 1980.

Bunguri, A. Gjeografi historike e Dibrës, “Kastriotët”12.02.1992.

Bunguri,A  Mbi urbanizimin antik të krahinës së Dibrës, “Dibra dhe Etnokultura e saj”, vëll.1,Dibër 1995.

Ceka, N. Qyteti ilir në Selcën e Poshtme, “Iliria”, 2, 1972.

Çelebiu,E.”Shqipëria para dy shekujsh”, Tiranë 1930.

Çaushi,A.Transporti në Elbasan gjatë shekujsh,”Etnografia Shqiptare ”II, 1963.

Çeku,B.Shikim inxhinierik për traditat e ndërtimit të urave në vendin tone,”Monumentet”2, 1985.

Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1981.

Filipoviç,M ”Debarski Drinkoll”, Skopje 1939.

Francis Pall,Cf.I raporti italo-albanesi intorno alla meta del secolo XV,Napoli 1966.

Frashëri,K. Në gjurmë të qyteteve peneste, “Studime Historike”4, Tiranë 1975.

Gazeta “Rilindja”, Do të shpëtojë ura e Gorencës mbi Radikë, 27 shtator 1986.

Gopçeviç,S. Luma, Dibra, Mati, “Oberalbanien und seine liga”, Laipzig 1881.

Grabian,D.Makedonska Kuca ili prelaz stare orientalne u savremenu evropsku kucu, Ljubljana 1955.

Hahn,J.G.Albanesiche Studien”, Jena 1854.

Hahn,J.G.”Udhëtim nëpër krahinën e Drinit dhe të Vardarit”, Vjenë 1867.

Historia e Shqipërisë, VëLL. 1, Tiranë 1959.

Ibrahimi, D. Dy ura me veçori tipike ndërtimore, “Ushtima e Maleve”,4.06.1983.

Jastrebov,I.S. Qarku i Dibrës, “Stara Srbija i Albania”,Beograd 1904.

Kosta,N.Kostiç. Nashi novi gradovi na jugu, Beograd,1992,pp.90-91.

Kaca, I. Rrugët e vjetra të Dibrës, Tiranë, 2003.

Kaca, I. Gjetje Arkeologjike në Ploshtan, “Ushtima e Maleve”,29.09.1988.

Kurti, D. Urat e gurta në Mat, “Monumentet”,2, 1983.

Shtylla, V. Të dhënat mbi rrugët dhe urat e vjetra në Kosovë,”monumentet”1,1983.

Shtylla, V. Ura me paisje të veçantë, “Ylli” 9,1985.

Shtylla,V. rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri. Tiranë 1998.

Zija, Sh. Qyteti shqiptarë gjatë Rilindjes Kombëtare, tiranë 1984.

 



[1] Kosta N. Kosti?, Naši novi gradovi na jugu, Beograd, 1922, pp. 90-91.

[2] Valter Shtylla, Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri, TOENA, Tiranë, 1997, pp. 105, 204-209.

[3] Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Tiranë, 1984, pp. 428-429.

[4] Cfr.: Antonio Baldacci, L’Albania, Roma, 1930.

[5] Sipas të dhënave nga Vakëfnameja e Memet Kukli Beut.

[6] Foto-dokumentacioni i ruajtur nja J. Spahiu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora