E premte, 19.04.2024, 01:01 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Presidentja viziton vogëlushen që i shpëtoi tragjedisë

E diele, 12.02.2012, 06:00 PM


Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.

Gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, z.Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës, dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën.

 

Presidentja Jahjaga e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.

Presidentja Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë.

 

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ndau 10,000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.

Më poshtë po japim deklaratën e Presidentes gjatë vizitës në Spitalin e Prizrenit:

Është një tragjedi e rëndë humbja e jetëve të njerëzve si pasojë e ortekut të borës, një fatkeqësi elementare e paparashikueshme. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve. Ata do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale për të sanuar pasojat e kësaj fatkeqësie.

Falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe banorët për gjithë ndihmën e ofruar në shpëtimin e jetëve dhe gjetjen e trupave. Kjo dëshmon solidaritetin e pakursyer të njerëzve që të gjenden pranë njëri tjetrit në situata të tilla.

I shpreh mirënjohje atyre për tërë angazhimin në këtë situatë të jashtëzakonshme që e ka kapluar fshatin Restelicë. FSK dhe PK treguan përkushtim dhe profesionalizëm dhe se janë të aftë të përballin situata të tilla, për çka janë trajnuar dhe aftësuar.

Edhe njëherë ngushëllime familjarëve dhe banorëve të fshatit Restelicë. Unë dhe i gjithë populli i Kosovës jemi me ta dhe bashkëndjejmë me ta.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora