E premte, 29.03.2024, 07:31 AM (GMT)

Kulturë

Aleko Likaj: Grabitje fëmijësh në verë

E diele, 12.02.2012, 04:49 PM


Aleko Likaj

 

Tregim

 

Grabitje fëmijësh në verë

 

Ishte vetëm tetë vjeç. Kishte ardhur në tregun e qytetit për të ndihmuar vëllain e tij me të rritur. Shisnin qese plastike. Çlirim quhej por Limi i thërrisnin. Dy javë e ca më parë kishte mbaruar edhe shkolla. Por djali nuk mund që të qëndronte duar lidhur në shtëpi. Ishin keq nga ekonomia. Babai punonte si usta. Herë me punë dhe herë pa punë. Ishte edhe një motër pak më e vogël që ndihmonte nënën në punët e shtëpisë.

Në treg kishte edhe fëmijë të tjerë që shisnin si ai qese. I merrnin tek shumica. I sillte një tregtar nga Tirana. Nuk ishte kohë për vakanca. Në ato ditë vere, vinin fshatarë nga zonat përreth, e nxirrnin prodhimet e stinës. Edhe tregtarët e fruta perimeve kishin ngritur tezgat. Qyteti vinte i gjithë aty. Zakonisht në orët e paradites bëhej edhe puna. Pastaj, kur vinte piku, mesdita, dielli të përvëlonte , dhe njerëzit më pak lëviznin në rrugë

Limi kishte zënë portën kryesore të hyrjes së njerëzve. Mbante një tufë në grusht, e me dorën tjetër, zgjaste qese plastike për blerësit që kalonin aty..

-Hajde qese. Të mira dhe të lira. Të forta. Mos humbni rastin që ti provoni. Hajde qese...

Dita e parë u duk se kaloi shpejt. Por edhe dita e dytë kështu ishte. Limi shiste duke i u afruar njerëzve me qese në dorë. Me i suksesshmi në atë grup fëmijësh, dhe kjo, për dy ditë.

-Të lumtë - i tha Lili i Zybasë, një gjatovinë i hollë si shkop, e me flokët gjysmë biond, të pakrehur. - Je më i zoti nga ne. Tek ty vinë e marrin që të gjithë. I tërheq si me magnet.

Ditën e katërt, një djalë i ri trup madh e i shëndoshë, kërkoi menjëherë dhjetë copë.. Një çast më pas Limi e pa që ai lëvizi për të dalë nga dera kryesore.. Në duar mbante qese të fryra me fruta e zarzavate.  Mezi lëvizte.. Kishte mbipeshë. Dukej që ishte i ushqyer mirë. I u duk se diku e kishte parë këtë fytyrë, por s'ishte kohë për ta menduar gjatë këtë punë. Në fund të ditës kuptoi se edhe këtë herë ai ishte i pari. Kishte shitur disa dhjetëra plasmase. Kjo do të thoshte se në xhep do të ishin disa lekë më shumë për familjen. Mamaja i kishte thënë se, do të blinte edhe për vëllain e motrën ndonjë rrobe, që ta kishin në sezonin e ri të shkollës. Kjo e gëzonte. Por tjetër hall kishte ai. Do të ushqeheshin më mirë në familje. Nuk do të hanin vetëm qull e gjizë si çdo ditë, por edhe perime që kishin një çmim të lartë, e që nuk mund tu afrohej dot. Merakun e kishte për motrën dhe mamanë që rinin në shtëpi, se aty në treg provonin ndonjë fryt, nga ato që u jepnin tregtarët.

Atë pasdite, një grua që shiste tek cepi i radhës së dytë, e thirri. Djali shkoi pa të keq.

-Meri këto që kam hequr veç. Janë të qullëta por hahen. Nuk rezistojnë deri nesër. Ishin një grusht me qershi. Limi vdiste për to. I mblodhi në qese e i tha " faleminderit " tregtares.

Nga pas dëgjoi;

-Është i vogël i shkreti. Shumë shpejt i ka rënë barra e shtëpisë.-

Kthehu kokën pas. Tregtarja po fliste me një shoqen e vet, që shiste tre hapa më tej, ullinj të regjur e turshi nga të dimrit që kaloi

Në ditën e dhjetë Limi dukej më i qeshur. Kishte zënë vend si gjithmonë aty në hyrje të derës, dhe vazhdonte që të thërriste.

- Hajde qese. Të mira e të lira. Të forta...Zotëri, a doni një qese? Merreni, u bën punë. Është e fortë. Mban sa të duash. Provojeni.

Tjetri mori një. Futi dorën në xhep që të kërkonte qindarkat.

-Merni edhe një tjetër. Ju do të bëni pazar sot...

-Nuk ma mban xhepi për shumë gjëra që ka këtu. Kjo qese më del e tepron mree çun. Vetëm një kile domate do të marr. Sa për atë sallatën e shkret, me të cilën e mban shpirtin daja. Nuk mund që të ri dot pa të. Jam fukara dhe i sëmurë.  Nuk jam as edhe për punë. Eh,... halle. Kjo botë kshtuna  osht ndërtu. Halle-halle kjo dynja, dhe halli-hallit nuk ja ngja

Buri lëvizi për nga tezgat duke kontrolluar për domate. Limin e preken ato fjalë. " Qenka si unë edhe ky. Nuk ka ku të lidhi as kokrrën e kripës ".. Kështu thoshte vazhdimisht mamaja në shtëpi sa herë mbesnin pa asnjë dyshkë.

-Hajde qese. Të mira e të lira. Të forta...Zonjë, a doni një qese? Merreni, u bën punë...

Gruaja që ishte me kurriz u kthye përballë.

- Vërtetë. Më duhen disa.

Zgjati dorën dhe mori një tufë. Pastaj, duke mbllaçitur një çamçakëz në gojë, u fut mes tezgave të mbushura plot.

"Duhet që të jetë ndonjë zonjë biznesmeni. E bukur qenka shejtanka. Vetëm për ata janë këto lloj soji. Ata kanë para për tu a prishur mendjen. Atje nuk u dhemb koka...

-Hej , çun...Një qese për mua.

Ishte një vajzë e re me dy shoqe të tjera. Dukej si gjimnaziste. Limi i pa që morën vetëm një kile mollë. Të tria morën nga një kokërr dhe në qese mbetën edhe dy të tjera. Qeshën. Pastaj të shkujdesura dolën në rrugë. Dukej që ishin trokë.

- O, Lim - thirri një tregtar që shiste aty pranë portokalle dhe limona greke. - a ke dy qese për këtë plakën këtu?

Një grua e moshuar dhe e kërrusur nga pesha e viteve kërkonte që të blinte, sa për të lagur gojën, portokalle dhe limona. Djali rrëshqiti si hije. Erdhi pranë dhe e ndihmoi. Plaka qëndroi. Me dorën plot rrudha që i dridhej nuk po mundte të hapte portofolin e meshinit që mbante në dorë. Kishte paguar tregtarin, por kërkonte të holla për qeset e plasmasit.

Limi ndjeu keqardhje.

- Nuk ti dua moj nënë. Ti kam falur.

Lëvizi për nga dera.

- E paske shpirtin xhevahir, mor bir.

-  Hej , o çun. Më ndihmo pak? Ja deri tek rruga. Me pret im shoq me “Mercedes-benz”.

Ishte zonja që i kishte marrë një tufë qesesh. Ishin të mbushura deng. Mezi i mbante. Pazar që kishte bërë. Dukej se mbanin nga të gjitha llojet e fruta perimeve të tregut në atë qytet. Djali vendosi që ta ndihmojë. Mbushi duart, dhe ndjeu që ishin tepër të  rënda qeset që shiste ai. E ndoqi nga pas zonjën, kokulur dhe i heshtur. Zbriti nga trotuari, e kaloi mes njerëzve, të cilët u hapnin udhën makinave që lëviznin pa ndërprerë në atë aks. Përballë ishte një makinë e madhe dhe luksoze. Në timon një burrë që dukej mbi pesëdhjetat. Ai doli sapo i pa, dhe shkoi e ngriti kapakun nga pas

- Është burri im- tha zonja dhe heshti.

-U vonove, ti moj. Nuk do të pres ty, kaq gjatë.  Çyryfyçkë.

Shoferi që ishte burri i saj, më tepër se i nevrikosur, dukej fodull dhe mendjemadh. " Kjo qenka si shërbëtore e tij. Është edhe e re. Kane edhe diferencë moshe "  tha me vete Limi. Tjetri, mbasi i sistemoi që të gjitha qeset e fryra brenda hapësirës pas, mbylli kapakun dhe fshiu shuplakat sikur te kishte mbaruar gjithçka.

- He, se harrova...Ti moj, mos më rri si e shushatur, por hyp brenda. Nuk kemi kohë. Pak më ka persekutuar  Enveri, por do të më persekutosh edhe ti.

Pastaj futi dorën në xhep dhe nxori që andej një bllok me pesëmijshe. Në pëllëmbë ishte edhe një dymijshe e vjetër, dhe e palosur. I a zgjati djalit.

-Na merre. E pate racion. E ndihmove këtë shushkën time, që veçse të eci si balerinë di.

Përplasi derën dhe i dha gaz makinës duke ikur me vrull.

Limi kishte mbetur në mes të rrugës pa e ditur se ç'të bënte. Pastaj u kujtua dhe hapi mijëshen e palosur. Në vend që të gëzohej ndjeu më tepër keqardhje. Sigurisht për vajzën e re, që i a kishte shitur shpirtin atij burri me të cilin ndryshonin në gjithçka. Në fakt kishte fituar një shumë, që ishte e barabartë me gjysmën e asaj që fitonte për tre orë. Dhe kjo nuk ishte pak. Vetëm në disa minuta.

Tre ditë më vonë djali i shëndoshë erdhi përsëri. U duk se e kërkoi me sy Limin. I thirri sa e pa. Ky nxitoi dhe i zgjati sërish tufën e qeseve.

-Dëgjo, grupo-o. Më ke pëlqyer dhe tek ty do të marr vazhdimisht qese. Do të jem klienti jot. Para do të jap sa të duash. Nuk do të prishemi asnjëherë, se ato nuk më mungojnë. Po e bëj një xhiro nëpër markatë. Do të marr ca gjëra. Kur të vij këtu do të më ndihmosh? E kam lënë makinën pak larg. Nuk e sheh që këtu është rrëmujë?

Limi pohoi me kokë. Tjetri vuri buzën në gaz e filloi pazarin. Përsëri djalit i u duk fytyrë e parë ky njeri. Vrau mendjen. Dikush i kërkoi dy qese. I a dha. Mori lekët dhe i futi me kujdes në xhep. E kishte porositur edhe vëllai me i madh që të kishte kujdes. Mes blerësve qarkullonin edhe plot xhepistë. Ti merrnin për hiç gjë. Pastaj të rroftë që lodhesh gjithë ditën nëpër treg.

Ndonëse kishin kaluar vetëm dy orë nga çelja e tregut, Limit i u duk se kishte mundur që të shiste goxha. Kishin fluturuar dy pako qindëshe plastike. Gati sa gjysma e normës që shiste përditë. Ishin edhe pesë orë të tjera që do të vazhdonte pazari. Aty nga treshi dukej se binte gjithçka. Iknin fshataret që sillnin koshat me domate e tranguj të freskët fushe. Dhe njerëzit nuk para vinin më aty. Veçse ndonjë kalimtar apo ndonjë klient i vonuar, futej në atë mjedis gati të zbrazur. Dukej sikur kishte kaluar aty një betejë e vërtetë, me fruta e perime që i gjeje në çdo skutë të atij sheshi, jo aq të pastër. Por deri sa të vinte pasditja, Limit i duhej akoma punë.

 

Doli andej nga prodhimet e fushës. Atje kishte më shumë blerës. Shiti pesë qese menjëherë.

-Hej, Grupo-o-o - thirri djali i shëndetshëm, tre metro më tej. - Sa mirë që të gjeta shpejt. Ec mre lale, se ta jap unë ditën e punës sot.  -  dhe i zgjati një tufë me qese të fryra që i kishte marrë një gjysmë ore më parë tek Limi. - Nuk e sheh? Jam boo gjithë djersë. Po nuk e ndali dorën ky fare dielli. - ngriti fytyrën e lagur përpjetë e në çast mbylli sytë fort. - Oh të bofsha nanën-o-o - shau ndyrë blerësi.

Limi i kishte ndarë qeset në dy duar, dhe pesha e rënde, i a vari krahët e supat e njomë prej fëmije. Lëvizi përpara. Tjetri i u vu pas me dy qese të lehta, që tundeshin si në një shilarth të vërtetë.

Pasi kaloi derën, Limi ndali dhe priti në vend, duke e kërkuar me sy njeriun që i premtoi ditën e punës.

-Nji ktu mke. Nga pas. Ec mo, këndej poshtë, nga shkolla. Aty tek kryqëzimi. Aty e ka lonë lala “bemevenë”.

Limi u vu sërish në udhë.. Tjetri nga pas mezi mbushej me frymë. Kështu me sy, Limit nuk i u duk më shumë se njëzetepesëvjeç. Përsëri mendoi se ku mund që ta kishte parë. Por enigmën djali i shëndoshë e zgjidhi vetë

-Jam bos. Nuk kam pas kur nevojë për shkollë si ju. E kam shpin afër teje. Gjithë ditën tek klubi përball saj rri.

Ndezi sinjalin dhjetë metro përpara, duke rrotulluar tufën e çelësave në dorën e majtë. Pastaj hapi derën pas.

-Nji ktu. Futi që të gjithë në ndenjësen e pasme. Uf, sa vapë.

Limi i vendosi me radhë.

-Jo me tangërllëk, çuno-o-o. Ec me mu. Paret do ti jap kur të mrijmë në shpi. Mos e ça kokën fare. E ke dopjo për sot. Dëgjo mu-u. Ec e mos na vono.

Limi u dyzua në një moment.

-Ho, mo-o-o - thirri tjetri duke e ngritur zërin si i lodhur. Hapi derën e tij dhe ndoqi djalin me sy. -Do t’bij prap ktu . Tundu shpejt.

- Kam këto qese në dorë. Të shkoj deri tek vëllai im.. Shet qese aty tek cepi tjetër i portës së daljes, nga ana pasme. -  tha Limi si i zënë në faj

-Pse, a si, do ti hajë “bemeveja” ime. Ec e mo mvono-o.

Makina doli në rrugë nga cepi ku ishte fshehur e shkoi drejt e nga unaza e jugut duke lënë pas në atë ajër të tejnxehur mesdite vere, një fjollë të lehtë tymi, ndonëse Limi banonte në një lagje veriore të qytetit.

Të nesërmen në edicionin e lajmeve të mesditës televizioni lokal dha njoftimin e një grabitje fëmije në tregun e qytetit. Një ditë me pas gjithë gazetat e vendit botuan foton e Limit dhe historinë e zhdukjes mistrerioze të tij. Në reportazhe flisnin tregtare të merkatos por edhe shokë të Limit, dhe asnjë nuk mund që të përcaktonte mënyrën se, si u grabit ky fëmijë. Nuk ishte parë as edhe rrëmbyesi. Gazetarët thoshin se mund që të ishte viktimë e një grupi që bënin trafikimi fëmijësh për në shtetin fqinj.

Në një emision për " njerëzit e humbur " ai vazhdon që të kërkohet edhe sot, pa dhënë shenja jete dhe ekzistence.

...Si u grabit ky fëmijë?

 

Aleko LIKAJ

http://aleko-likaj.blogspot.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora