E premte, 19.04.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Konteksti kreativ në vorbullën e quajtur rrotull

E diele, 12.02.2012, 05:49 PM


KONTEKSTI KREATIV NË VORBULLËN E QUAJTUR RROTULL

 

Nga Nexhat Rexha

 

Romani “Rrotull” i Jusuf Gërvallës u shkrua në një periudhë kur fati shqiptarëve, dukej se ishte në ngritje të vetëdijes kombëtare. Mirëpo, dukja e jashtme politike dhe zhvillimi i brendshëm i kolektivitetit të kundërshtonin këto dy pamje. Përjetimet e thella shpirtërore dhe njohja  e këtij realiteti  krijonin trivialitetin e absurdit të një kohe, që diktonte zhvillimin e fatit të individit dhe të kolektivitetit.

Në saje të këtyre rrethanave Jusuf Gërvalla e shkruan edhe romanin”Rrotull”, të cilin e përfundoi, por nuk arriti ta botoj për gjallje të tij, ai u botua në Tiranë në vitin 1983, për të mos pasur mundësi lexuesi  këndej kufirit për ta lexuar dhe përjetuar këtë mënyrë të shkrimit me një artikulim e gjuhë dalluese në shkrimin e prozës për këtë periudhë. Megjithatë, vepra vjen si rezultat i pjekurisë së autorit në shkrimin e prozës sonë.

Aktualizimi i probleme të përditshmërisë vjen si rezultat i traditës sonë  dhe ngjarjet zhvillohen pa ndonjë ngarkesë të dukshme, sepse autori ngjarjen e ka vendosur në trevën e Dukagjinit, duke i dhënë formë e fuqi narracionit, si dhe protagonistëve të romanit me të cilët zhvillohen ngjarjet. Sintagma  shënjuese rrotull, që ka përdorim e funksionalitet të mjaftueshëm në përditshmërinë tonë, atëherë dhe sot është specifikuar bukur, për të akredituar zikzaket e mbijetesës, jo vetëm  të një treve, por të të gjitha trevave ku frymohej jeta e njeriut tonë.

Tematika e zhvillimit të ngjarjeve në roman, në lexim të parë të jep shenja absorbuese, se krejt  rrëfimi i protagonistëve ka ngjashmëri dhe origjinalitet të një treve. Mirëpo,nëse lexuesi mund të depërtojë në disa inserte dhe ndalet në këto pjesë, atëherë kuptojmë se Jusuf Gërvalla ka depërtuar  në thellësi të problemeve shoqërore të kohës, pikërisht përmes këtyre sekuencave, që vetëm i ka prekur dhe nuk i ka trajtuan në mënyrë të tejdukshme, aktualizimi i tyre flet për kreativitetin e tij dhe shtron si  çështje realen emancipuese në krijimin e botëkuptimit sa më dobiprurës.

Shtrirja kohore e problemeve të shtruara në vepër ka theksimin e njohur për njeriun e të gjitha kohëve, sepse mënyra e komunikimit dhe ambienti rural të japin qartësinë e kuptimit, sepse protagonistët e veprës zhvillojnë dialogimin e tyre  në këtë mënyrë. Ajo vjen spontanisht dhe merr dimensionin rrotul, pastaj fjala nxjerrë fjalën dhe krijohet vorbulla me të gjitha depërtimet e mundshme, që bartin me vete protagonistët me ndikim si dhe ata që shohin e nuk flasin, por e përjetojnë jashtëzakonisht bukur perceptimin e fjalës dhe të dhënies së kahjes së saj nëpër të cilën kalojnë fatet.

Në këto procese shoqërore fjala dhe roli i saj ka ndikuar në avancimin orientues edhe të mendimit ndikues, jo vetëm si shfaqje, por edhe si katalizator për të realizuar tërë imazhin  e shoqërisë sonë. Në këto shfaqje jo vetëm të të menduarit, por edhe të vepruarit kanë pasur  ndikim në fatkeqësinë e njerëzve. Në këtë korrelacion e fillon zhvillimin e ngjarjeve protagonisti  Dakë Skelja dhe  kryeprotagonisti i veprës Ketë Avdia. Që në fillim të paraqitjes së tyre duket personazhi i dyshimit dhe personazhi i zgjimit. Dhënia e epitetit dragua për Ketën dhe  roli i tij në fshat marrin konotacione nga më të ndryshmet. Kryeprotagonisti i romanit që në vegjëli, paralajmëron mospajtimin e tij me realitetin e njerëzve të fshatit dhe realitetin dominues të kohës dhe të  asaj kategorie  verbuese,që bartin  e transmetonin  mbi supet e tyre edhe të keqen. Megjithatë, të paktë janë protagonistët që ia mbajnë krahun  Ketës dhe mendojnë më ndryshe nga  Dakë Skelja. Nëpër këto rrjedha e këtë shfaqje rrotull nuk sillen të gjithë siç dëshiron urdhëruesi, Shaqa pasi konstaton vetë se fjalët e përhapura për Ketën  nuk qëndrojnë, ai edhe vepron ndryshe dhe krijon bindjen personale në mbështetje të korrektësisë.

Komunikikimi i personazheve ka rrjedh të natyrshme, sepse  edhe ambienti, edhe momentet e caktuara në zhvillimin e brendshëm përcaktojnë  fatin e individit dhe të kolektivitetit, të cilat konkretizojnë botën e brendshme të tyre. Dashuria  e Ketës në Vijuj shpalos origjinalitetin e ruajtjes së traditave nëpër trevat tona. Ajo buron nga thellësia e botës së çiltërsisë së të rinjve, por  pengesat vijnë nga afërsia e njerëzve, të cilët sa e bëjnë rrotull këtë dashuri, po aq edhe janë ruajtës të traditave arkaike. Këto shfaqje  krijojnë disproporcion në realizimin e dashurisë baritore. Në vepër dashuria merret si realizim dhe kompensim për matjen e kohëve nëpër etapa  të zhvillimit shoqëror, emancipues dhe jep konfirmimin për ruajtjen e identitetit  racor. Këto hallka të brendshme të dashurisë, Jusuf Gërvalla i ka gërshetuar me skena të gjalla, sepse në  të marrin pjesë dhe ndikojnë edhe faktorë të tjerë, të cilët në të shumtën e rasteve më shumë pengojnë se ndihmojnë atë. Edhe për kryeprotagonistin  e veprës njerëzit, sa bëjnë sehir në këtë proces dashurie,po aq edhe e interpretojnë keq atë. Në këtë vorbull të një procesi të domosdoshëm dhe krejtësisht i lirë krijohet edhe ndalimi dhe pengesat  dalin me rrotulla nga  ata që më shumë merren me hiçin se sa me veprimin e merituar nga  të dashuruarit. Autori, personazhin kryesor, i cili edhe është bartës i të gjitha veprimeve në vepër e vënë para peshimit, preokupimit intim dhe këtë problem e lë që ai të zgjidh ashtu siç i thotë mendja e zemra e tij. Prandaj, bukur zhvillon monologun Keta në momentin kur para tij zgjohen ndjenjat e dashurisë dhe në momente të  tilla është vështirë të merret vendimi i duhur. Ai  në këtë rast e vepron siç i thotë zemra e tij dhe kështu  konkretizohet  dashuria e pastër, sepse atë dashuri ia afron me tërësinë e saj vajza: Po Dada trimin e do,Ketën e Murrës-o ! Dhe më ngadalë perëndonte. Përvilej pas bjeshke një diell, tjetri binte në shtrojën e butë të fierit. Mbi degët e pjeshkës,për kundruall dritares,një sorrë e zezë glason. Është një minare e lartë ai yll i përskuqur matanë:  Keta. Do t`i shkojë Dadës. Le të dalë ku të dalë. Një shpirt ka njeriu. Një jetë. Disa plisa dheu shtrojë e mbulojë. Po m`u ngul dhëmbi si sfurkut në shpinë,of - of- of sa tmerr, e pat imja me marre: po bëri e ia nguli tjetri Dadës...hurin, marrja edhe më e madhe.

Dhe u nis.

Edhe në këtë flakë dashurie Keta mendon për nderin dhe karakterin e tij prej burri, këto tipare autori i ka stolisur me virtyte autoktone, të cilat edhe kanë ruajtur në vete elementin  dhe trashëgiminë e besnikërisë nëpër kohë e faza të ndryshme, me të gjitha ndërskamcat e pushtuesve. Edhe pse kjo dashuri nuk finalizohet pa fajin e tyre, sepse pengesat  janë të mëdha. Pra, Jusuf Gërvalla ka  dalluar këtë cilësi të njeriut tonë dhe konsiderojmë se edhe ky narracion ia shtonë vlerën romanit.

Roli i protagonistit në roman në të  gjitha veprimet zgjon kureshtjen për zhvillimin e  ngjarjeve, sepse protagonistët  episodik, të cilët marrin pjesë vetëm në një akt ata e luajnë rolin e tyre si ndërlidhës të ngjarjeve  për të funksionalizuar procesin e  ndodhive dhe është e rëndësishme se këto  role, skena ruajnë në vete ngjyrimin e kohës. Veprimet ndërlidhin ngjarjet dhe kryeprotaginistit të romanit i japin fuqinë koherente dhe idetë e tija gjithnjë të lënë përshtypjen se kanë një përfundim triumfues. Heqja e flamurit mbretëror në Pejë, zgjon kureshtje dhe interesimin e fshatarëve se kush mund ta ketë bërë këtë akt trimërie, askujt nuk i shkon mendja se në këtë veprim është njeriu që kishte lindur dragua. Keta e  thotë të vërtetën e heqjes së këtij flamuri të pa dëshiruar për popullatën dhe nuk i besohet, por  këtë veprim ai e dëshmon. Këto rrëfime në roman  kanë reflektim sensibiluzues, sepse autori përmes këtyre pjesëve e ndodhive paralajmëron zhvillime të ardhshme në jetën shqiptare. Jusuf Gërvalla me mënyrën e trajtimit e të komunikimit të protagonistëve dëshiron dhe arrin me sukses te rindërtoj një ambient e logjikë tjetër të bashkëbisedimit nëpër ndejat e ndryshme, që gjithnjë bisedohej për diçka që peshonte pak ose asgjë. Këtë mundësi tjetër për ndryshimin e bashkëbisedimit dhe të ndërgjegjësimit  për fatin e atdheut, autori e ka përcaktuar edhe si element real, edhe si element metaforik, edhe si veprim konkret, kuptohet krejt kjo  mundësohet përmes veprimeve dhe figuracionit që ka shprehur e shpalosur autori në momentet e zgjedhura të përditshmërisë sonë. Për të fuqizuar të kaluarën me ndonjë element  të rëndësishëm, por edhe me tendencën  e progresit  se    ardhmes i duhet krijuar parakushte në tejkalimin e vetëdijes e veprimit sa më konkret dhe shtrirje në masat e gjëra.

Këto realitete fillojnë të japin xixat e para dhe gjithnjë të lidhura me kryeprotagonistin e veprës. Këto zhvillime janë preokupime të vetë autorit për fatin e kolektivitetit tonë. Dhe si të tilla ato dojnë shtrirje e përkrahje, kështu që veprimet ndërlidhin idenë dhe specifikojnë karakteristikat e protagonistëve të veprës. Për të bartë mbi supet e veta fatin e të ardhmes edhe si lajtmotiv  për të dëshmuar se bartësi i udhëheqjes për një veprimtari përkushtuese atdhetare, kërkon edhe përkrahjen e masës së gjerë, këtë e arrin Autori me veprimet e plakut  Bekë Troshi, i cili arrin t`i bind bashkëfshatarët se Ketës duhet ndërtuar shtëpinë se ai  ka krisur armë në Evropë, përkatësisht në Austri për të nderuar vendin e tij.

Në këtë vazhdimësi të kontrasti të kohës aktualiteti i krijuar mundëson qëndrueshmërinë e vlerave njerëzore, prandaj edhe  evoluimi bëhet në mënyrë kontinule me konstruktivitet të pranueshëm  për të shprehur edhe botën emocionale të tyre në rikthimin natyrshëm të njeriut në vendlindjen e tij.

Pra, romani “Rrotull” i Jusuf Gërvallës për kohën kur u shkrua dhe u botua  sinjalizon një  reformë të shkrimit e dialogimit  jo vetëm për shtjellimin e kësaj  frymëmarrje  rrotull. Në të preokupimi esencial është dalja nga kjo amulli, që  duhet të ndryshohet  intonimi i mesazhit, sepse  vështrimi nga prizmi i kontekstit kohor dikton edhe në sforcimin e shtrirjes së kësaj tematike korresponduese me bartësin e të gjitha ngjarjeve përmes kryeprotagonistit  të veprës dhe   kështu Jusuf Gërvalla, ndërlidhi brezat dhe fuqizoi mekanizmin kah ndryshimi sa më i natyrshëm për një botëkuptim më të avancuar kombëtar për të cilin edhe u flijua .

Në këtë rrjedhshmëri zysheu i trajtimit të tërësishëm, kreativiteti e artikulimi  i titullit të romanit”Rrotull”, pasqyrojnë pikëpamjet letrare-estetike të  tij, të cilat kanë dëshmuar intuitën në destinacionin e vlefshmërisë artistike si produkt ekzistencial në kontekstin e vazhdimësisë për të ruajtur e kultivuar ëndrrën për liri.

 

Janar 2012



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora