Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Një libër për personalitete misionarë të paqes

| E shtune, 11.02.2012, 08:56 PM |


Një libër për personalitete misionarë të paqes

 

Mbresanga leximi i librit”Personalitete misionarë të paqes”të autorit Paulin Rranzi.

 

Nga Prof. Dr. Resmi Osmani

 

Këto dit u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese “Kristalina-KH” libri “Personalitete misionarë të paqes” shkruar nga autori Paulun Rranzi. Megjithëse me formim juridik dhe i përfshirë në fushën e biznesit, autori i është përkushtuar edhe publicistikës. Që në krye të herës, duhet thënë se libri “Personalitete misionarë  të paqes”, i autorit Paulin Rranzi, është disi i veçantë për zhanrin e vet dhe origjinal për nga forma dhe trajtimi i lëndës. Vëllimi është modest, në ‘të përfshihen dhjetë tituj shkrimesh, ato janë si një buqetë lulesh nga trualli shqiptar, secila me bukurinë e saj të veçantë, thuajse të ndryshme e të pangjashme, si në një mozaik ku e veçanta e çdo ngjyre jep pamjen e së tërës. Kjo buqetë, është e lidhur me një kordele të kaltër në të cilën janë të shkruara fjalët: Paqe, dashuri, harmoni dhe mirësi.

Të veçantë e bën këtë libër larmia e individualiteteve, cilësitë dhe veçantitë që i dallojnë në veprimtaritë, që ata ushtrojnë në jetën e tyre. Gjejmë aty personalitete të fushës së politikës si të paharruarit Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, politikanët e rinj Shpëtim Idrizi e Tahir Muhedini, shkrimtarë e artistë me krijimtari të spikatur si Hysen Sinani, poetët Namik Mane e Sazan Goliku, shkrimtari dhe veprimtari shoqëror Shefki Hysa dhe skulptori i mirënjohur Idriz Balani. E veçanta e autorit është tipologjia e shkrimit dhe përcjellja te lexuesi me vërtetësi dhe realizëm, thjesht e pa teprime e filozofisë, pikëpamjeve dhe veprimet  e këtyre personaliteteve. Ibrahim Rugova dhe Pjetër Arbnori, na jepen nëpërmjet mbresave personale, miqësisë, lidhjeve dhe afeksionit që ka pasur për ata shkrimtari Shefki Hysa, por le të kuptohemi, autori nuk është vetëm përcjellës i rrëfimit të Z.Hysa, por edhe një analist i kujdesshëm që di të rrokë nga e përgjithshmja të veçantën dhe ta paraqesë atë me artin e fjalës. Këta personalitete shihen në disa aspekte pjesore dhe jo me plotësinë e veprës së tyre, janë zgjedhur ato aspekte që që duke u pasqyruar  na japin imazhin e  plotë të tyre. Lexuesit, përveç asaj që dinë për jetën e këtyre personaliteteve, që kanë hyrë në kufirin e legjendës, u kumtohen dhe zbulohen si në një film, që shihet për herë të parë, veçori dhe cilësi të panjohura të tyre, që karakterizojnë substancën, thelbin e filozofisë dhe humanizmit të tyre. Ndryshe nga mendësia atavike ballkanike e hakmarrjes dhe urrejtjes nacionale: Ata kanë vuajtur por nuk urrejnë, janë persekutuar por i falin persekutorët, u janë mohuar të drejtat, liria qytetare dhe e drejta e fjalës, por ata nuk duan dhe nuk aspirojnë po ato pësime për shkaktarët. E gjithë vepra dhe jeta e tyre rrezaton paqe, harmoni, humanizëm, mirësi dhe dashuri njerëzore. Si të tillë ata bëhen shembull për tu ndjekur dhe burim frymëzimi për lexuesin dhe brezat e ardhshëm.

Në disa shkrime te tjera, autori lëvron gjininë e esesë, e cila mbështetet në impresionet dhe përsiatjet meditative nga leximi i krijimtarisë së tyre dhe interpretimi i lirë, jashtë kornizës së kanuneve akademike, duke evidentuar kësisoj vlerat e qenësishme që ngërthehen në atë krijimtari. Esetë “Poeti i sakrifikuar për Çamërinë” dhe “Mesazhe drite dhe paqeje”, kushtuar poetëve Namik Mane dhe Sazan Goliku, janë studime të mirëfillta ku analiza, harmonizohet me sintezën të cilat shpien në përfundime logjike për vlerat e shumanshme poetike, artistike dhe mesazhet filozofike, që përcjellin te lexuesi me krijimtarinë e tyre këta dy poetë me individualitete të ndryshëm. Kësisoj i transmetohet lexuesit mesazhi i krijimtarisë së tyre dhe i ngjallet kërshëria, që ai të njihet më nga afër e më mirë me veprën e këtyre dy autorëve.

Në shkrime të tjera si “Një jetë plot sfida” dhe “Arti i simbolikës së paqes”, kushtuar studiuesit, historianit, enciklopedistit dhe folkloristit Ibrahim Hoxha dhe skulptorit Idriz Balani, autori në shkrim përdor rrëfimin monografik, me stil të thjeshtë por të zhdërvjellët e dinamik, duke zbuluar faqe pas faqeje madhështinë dhe përpjekjet intelektuale dhe njerëzore titanike, e pse jo, heroike të Ibrahim Hoxhës, njeriut të mallkuar nga regjimi, që me punë e përpjekje tejet njerëzore, kapërceu privacionet, diskriminimin, përbuzjen, papunësinë   e varfërinë, ia doli  të krijojë opusin e veprës së tij me shumë vlera. Këtë forcë atij veç cilsive dhe karakterit individual të trashëguar nga familja, ia dha dashuria dhe përkushtimi për Çamërinë dhe çështjen kombëtare. Lexuesi pas këtij rrëfimi mbetet i befasuar dhe me nderim e vlerësim të shumëfishuar për këtë personalitet të Çamërisë. Me nota po kaq të ngrohta dhe vlerësuese jepet edhe krijuesi i shumë veprave skulpturale Idriz Balani.

Ndofta duhej thënë që në fillim, se shkrimtari dhe veprimtari shoqëror çam, Shefki Hysa, për hir të marrëdhënieve, shoqërisë dhe miqësisë vetjake me Z.Paulin Rranzi, i ka shtuar Çamërisë dhe çamëve një mik. Jo një mik dosido, por një krijues dhe veprimtar, një misionar të paqes, që është aspiratë e gjithkujt nga ne që kemi përjetuar tmerret e luftës. Kjo miqësi e shëndetshme ka dhënë frytet e saj, që pasqyrohen në këtë botim. Nga dhjetë shkrime gjithsej që ka libri me 170 faqe, gjashtë tituj që ngërthejnë afro njëqind faqe i kushtohen Çamërisë. Autori e trajton kauzën dhe çështjen çame si një problem të qenësishëm, evident dhe aktual që kërkon zgjidhje dhe që ky komunitet, ka gjithë të drejtën në anën e vet. Ai e trajton çështjen çame nëpërmjet përjetimit të dhimbjes për gjenocidin e paparë, keqardhjes njerëzore për vuajtjet dhe mjerimet që pësoi ky komunitet, me përkushtimin e misionarit të paqes dhe këtë ndjesi ia ngulit lexuesit në mëndje dhe zemër,si një kujtesë që nuk duhet bjerrur,si një përjetim vetjak të mjerimit dhe të vuajtjeve që kaloi Çamëria, pa shkak, por vetëm e vetëm ngaqë ishin shqiptarë! Në libër Çamëria është si një lajtmotiv lidhës, ajo është e kudo ndodhur, edhe kur flitet për Dr.Rugovën, edhe për Mandelën e Ballkanit Pjetër Arbnorin, e ca më shumë te personalitetet që janë bij të kësaj krahine .

Në shtjellimin e platformës politike të dy partive, që më pas u bashkuan për të formuar PBDIU, një formacion politik i ri, cilësisht më i spikatur dhe më përfaqësues e spektër mbarëkombëtar, autori shpalos të plotë rrugën dhe punën për zgjidhjen e kësaj kauze. Duke ia bërë të njohur lexuesit  këtë program, në një farë mënyre bëhet edhe përgjegjësimi i krerëve politikë të këtij formacioni për detyrimin e zbatimit të tij, por edhe si një angazhim të përhershëm ndaj elektoratit të tyre, i cili mbi këtë bazë edhe do ti vlerësojë. Edhe pse nuk ka një trajtesë të veçantë për Bilal Xhaferrin, figurën e shquar të disidencës intelektuale antikomuniste shqiptare, ai është i pranishëm dhe feks si një far në errësirën e kohës që jetoi. Shkrimtari Shefki Hysa iu përkushtua këtij biri të Çamërisë, jo vetëm duke sjellë nga Amerika eshtrat e tij për tu prehur në atdhe, por edhe si një vazhdues i amanetit të tij atdhetar e politik nëpërmjet vazhdimit të botimit të revistës “Krahu i Shqiponjës”.

Në përfundim, nuk mund të mos ve në dukje se autori, përveç stilit të zhdërvjellët në funksion të shtjellimit të figurës së secilit personalitet, shquhet për përdorimin e gjuhës letrare, me korrektesë  dhe me leksik të pasur që e bën leximin të rrjedhshëm e  më të këndshëm.

Libri”Personalitete misionarë të paqes”, është një arritje e autorit Paulin Rranzi. Besoj se ajo si dallëndyshe e parë, do të ndiqet edhe nga libra të tjerë në shërbim të paqes dhe përparimit të kombit tonë.

 

Tiranë,shkurt 2012