E premte, 29.03.2024, 05:19 AM (GMT)

Kulturë

Pirro Loli: Arti dhe farat e zeza të realitetit

E shtune, 11.02.2012, 08:01 PM


ARTI

DHE FARAT E ZEZA TË REALITETIT

 

Nga Pirro Loli

 

Ka një poezi Zhak Preveri, ku poetizon me dy piktorë e na jep një mesazh universal për poezinë dhe pikturën si mister.Njeri është piktor realist, tjetri…(le ta lëmë gjat shtjellimit.) Realisti mori një pjatancë porcelani e, mu  në mes të saj, e detyroi një kokërr mollë që të pozonte. Dëshironte ta pikturonte ashtu siç ia shikonte syri, me madhësinë, formën, ngjyrat. Gabimi nis “me ashtu siç është”. Dhe babanë , nënën, një pëllumb a një flutur, pasioni i realistit don që t’i bëjë ashtu siç janë. Këtu nis dhe këtu mbaron artisti realist…

* * *

Dhe një NUDO nuk është plotësisht nudo. Njeriu kështu ka qënë, por një vepër arti është një sy që shikon brenda trupit. Nën lëkurë. Është depërtim në psikologjinë e njeriut. Lakuriqësia është vetëm fytyra e një pamjeje statike, reklamë naive e një çasti, e një pozimi të imponuar. Nëse sytë e shikuesit e barazojnë dëshirën  për të parë seksin lakuriq, akoma s’kemi të bëjmë me artin. Piktori realist diçka do të thotë me bukurinë e trupit, me sytë, me seksin megjithatë…

Më NUDO është “Mona Liza” e L.Da Vinçit paçka se është bust i veshur. Sepse ajo depërton psikologjikidht në fytyrën e nënës, motrës, femrës, madje dhe të mashkullit (si autoportret); sepse në të syri i vëzhguesit zbulon vazhdimisht diçka të re, sepse “Madona” është një enigmë universale shumëkuptimore.

Piktorët realistë i ka mbajtur gjallë portreti i njeriut e sidomos pejsazhi, pejsazhi me qiell e det. Por dhe qielli është i ndryshueshëm dhe deti me ngjyrat e zëmëruara shpesh gulçon me egërsi e pastaj qetësohet me ato zhurmat të mëndafshta si psherëtima të lehta, që asnjë piktor realist s’i jep dot në shumëkuptimshmërinë e pamjeve. Deti , në çdo çast është në ëndërr…” Dhe zogjtë pikturohen pa cicërimat, makinat pa përplasjet..”(S. Martiko)… Në një pellg hëne, ra një poet i dehur dhe u mbyt.(E. Paund) Hëna e nxorri në anë duke e mbajtur arkivolin e tij në krahë, e lëshoi në ajër dhe tha : Ja një yll…

* * *

E njëjta fytyrë e njeriut ka shumë pamje dhe piktura më e mirë për të është e pambaruar. Dhe e Rembrantit, dhe e El Grekos, dhe e Françesko Gojës… Në ballin e njeriut janë mijra kilometra vuajtje dhe një dert, një brengë, një hall, një shqetësim i ngrihet në rrudha. Gëzimi  në një fytyrë është çast, që rrallë e më rrallë e prek një çikë diell si feksëtimë ëngëllore dhe nuk ia mbulon dot trishtimin si ndjeshmëri e përhershme njerozore. Perënditë i sajuan dhimbjet me qëllim që poetëve të mos u mungojnë subjektet, thotë Homeri. (Kënga e VIII, Odijeja). Sendet e kësaj bote janë me baltë dhe xhamet ku përthyhen dritë-hijet janë të pistë…Poetët vazhdimisht lajnë xhame për të gjetur fytyra njerëzish pas tyre… dhe vështrimin e mermertë të statujave. Vërtet ç’ngjyrë ka lëkura e njeriut ? Ajo s’është prej mishi, por prej dhimbjeje, prej një ngjyre që nuk e hedh dot në pëlhurë. Ajo është një dorë e lodhur, e duruar që hesht në heshtjen e vet dhe nuk të jepet, por gjithsesi ,fytyra e njeriut është më e thellë, më e gjerë se deti.S’ka pse biem në dëshpërim.” Arti është dialog midis unëve të ndryshëm, si mjet për ta tejkaluar vdekjen”(Borges). Realisti e pikturon atë pa kujtesë, pa memorje, paçka se fytyra e babait, nënës, gruas, pëllumbit dhe fluturës, më shumë e fsheh, se sa e shfaq shpirtin e vet. Një piktor realist( në fakt shumicë) mund të na tërheqë me pamjen e bukur, shumëngjyrshe të një ujvare, por akoma ai, nuk e percepton dot ujvarën si vajzën e vetme të lumit, që pozon një çast e bije në humnerë…Artistin e drejtojnë misteret.Vetëm pushteti i tyre i shtyn në brendësi të errësirës. Ose të dritës.

* * *

Realistët guxojnë të flasin për trupin, por s’shohin dot zemrën. Tik-taket e saj janë dhoma të tmerrshme klithmash.A mund ta varësh zemrën në greminën e kraharorit dhe, ashtu të varur, ta lësh të qajë si zog deri në grahmën e fundit duke luftuar? Se dhe vetë zemra e artistit është një fole për zogj, fole e varur në muzg. Prej andej dalin zërat e brishtë që i dëgjon vetëm nata që pret mëngjezin për të shpërndarë melodi të pakënduara.

Van Gongu që e dinte se ngjyrat nuk janë vetëm mjet komunikimi, por dhe simbole e metafora, vuante si grua në lindje, kur pikturonte. Dhe rënkonte  “ I përndjekur nga dielli” përvëlues. Harronte ta vinte dhe kapelen. Dhe vështrimin e kish të butë e të kaltër si vajzë. Dhe diellin e shikonte sy më sy që t’ia merrte të tëra ngyrat. Piktura e tij ishte “bërë” para zbatimit në pëlhurë e, gjat punës, rënqethej e drithërohej e ngyrat i përpunonte me të kuqen e gjakut të tij, që ia përthante dielli i jugut me çizmet prej zjarri…Atë që vdiq në diell, që vuajti dhe për bukë nga bashkëkohësia kokëtrashë e indiferente, kohët moderne e vlerësojnë(çdo pikturë) me qindra milionë dollarë. Ndoshta është shëmbulli i vetëm në botë, ku artisti për të realizuar veprën, e shpërfill vdekjen. Sepse arti tek gjenitë, vihet në pallancë me jetën dhe fiton.

* * *

  Kthehemi te molla : Ajo nuk e pranoi pozën në pjatën e njëmendtë e filloi të sillet tinëzisht rreth vetes… “U tjetërsua” e i tha piktorit “ unë jam princeshë, jam një fener rruge a hëna e plotë e mesnatës… Sytë e realistit nuk shikonin përtej mollës. Asnjë nga pamjet e mollës nuk i bindej dhe ai nuk e kuptoi pabesinë e objektit. Atëhere , molla vuri maskën e një fruti të bukur. ( Dhe babai , nëna pëllumbi a flutura nuk binden. Edhe këta, kur pozojnë, vënë maskat përkatëse të çastit). Ç’të bënte piktori zanatçi ? Molla iu rrit si përbindësh e peneli s’i bindej, se peneli s’kish kaluar nga ëndrra ose përfytyrimi paraprak. Sidoqoftë, diçka duhej të bënte, jo si protaganist i një lufte që duhet ta fitonte , por, njëfarsoji, si bamirës i kryqit të kuq…Dhe piktori mjeran nisi të justifikojë vetveten me ca gjëra jashtë pjatës. Thirri në ndihmë ushtarët mbrojtës që do shoqëronin veprën, IDETË. Ai e dinte përvojën . Qindra vjet, idetë s’ishin ndarë nga letërsia dhe artet. Njëkohësisht, ai dinte mijra fakte ku poetët dhe piktorët nuk i ishin shmangur osmozës midis poezisë dhe filozofisë. Po nuk i kuptonte se si poeti e bën të vetën kohën, hapësirën, vdekjen, metafizikën e aq më tepër, se si poezia është në gjëndje ta lidhë gjithçkanë me asgjënë, qënien me mungesën…Mori pozën e filozofit dhe filloi të pjellë ide që, domosdoshërisht të lidheshin me mollën…Molla i kujtoi pemën, pastaj atë të ndaluarën në “Kopështin e Edenit” dhe iu duk interesante shija e provuar nga Adami dhe Eva fshehurazi nga Zoti. Por nuk u thellua të kuptonte se Bibla, kryelibri i letërsisë botërore është një fiksion, një utopi, sepse simbolike, sepse ajo ka shumë lexime, përfytyrime, hamendje, aq sa leximi i secilit përbën një bibël më vete. Se arti i madh të ngrë shumë kurthe dhe enigma. Zoti i dinte të tëra lëvizjet e krijesave të veta, dhe të kryeëngjëllit që e ktheu në gjarpër, dhe të Adamit dhe Evës që shijuan para kohe mollën e ndaluar.(Jo më kot mëkatarët e parë mbuluan organet seksuale me gjethe fiku). Nga leximi i parë jo simbolik, Adami dhe Eva duhet të mbulonin gojën, se me atë e kishin ngënë mollën por…Dhe erdhi mëkati i parë dhe ndëshkimi universal, ose zanafilla e artit…

Tjetër ide: Mos kjo mollë mbart idenë e rrezikut ? Mos vallë duhet të na kujtojë Vilhem Telin , atë ngjarja aq tragjike , ku tirani e detyron heroin ta vendosë mollën mbi kokën e të birit dhe ta qëllojë me shigjetë njëqint metra nga larg. Idetë janë motërzime me heronjtë por… Dhe më tej : Mos kjo mollë është e Isak Njutonit, që i ra në kokë shkencëtarit gjenial dhe u bë shkas i zbulimit të ligjit të famshëm të gravitacionit planetar ? por…, por “idetë- thotë Enco  Bontempi- janë të bardha, të bardha si duart e të vdekurve” . Artisti modern është i lirë, domethënë , i çliruar nga mjedisi dhe përgjegjësia për ndryshimin e botës. Poeti dhe artisti mistik, mundohen të shprehin, në çdo vepër, pjesën e panjohur të vetvetes, realisti ankohet nga mungesa e subjekteve sepse kjo botë paska pak sende e ngjarje… Dhe molla përdridhet e piktori i raskapitur edhe nga shoqërimi i ideve, mbylli sytë me dëshirën fillestare ta bënte si të qe e këputur nga pema, e të qëndronte e palëvizur në mes të pjatës së porcelantë, dëshmi kjo e shumicës së piktorëve që firmosin “natura morte”.

* * *

Vlerat e veprave të shquara të artit kanë lëvizur epokash duke imponuar dhe shijet e lëvizëshme. Por , miniera e parë, më e pasura që nuk shteron kurrë, na ka ardhë nga antikiteti primitiv, ose nga e ashtuquajtura “Mbrekullia athiniote”, për të ardhur te Rilindja e ndritur si rivlerësim i antikes dhe mesjetares që me korifejtë e saj, Albertin, Da Vinçin, G.Vasarin, G. Skaligeron, Costelverton etj,etj, ndriçuan me ide të reja, drejtuan e zbatuan artin e madh, atë art që kish nisur me perënditë e antikitetit, kish vazhduar me kohën e heronjve për t’u ndalur përfundimisht te koha e pambarimtë e njeriut..,me pikvështrime të ndryshme, natyrisht, nga iluminizmi i më vonët deri te dhjetra rryma e rrymëza moderniste e postmoderniste, ku sot, historia e artit dhe e letërsisë, rreshton korifejtë e vet.

Estetët e të gjitha kohrave u janë shmangur përkufizimeve, por afrohen në shumë pika(jo vetëm Benedito Croçe) në atë që “arti nuk është jeta”, në atë që historia, filozofia, morali, pedagogjia, argëtimi, paçka se kanë elemente të përbashkëta me letërsinë dhe artin, ndahen nga funksioni dhe objekti i ndryshëm i pasqyrimit, në atë që, teksti letrar dhe piktura(sipas R. Barthes), janë plurale e karakterizohen nga thyerja e rregullave, në atë që, vepra artistike është një qënie speciale, që flet me kode të ndryshme në një dialog të vazhdueshëm me spektatorin e lexuesin. Kohët moderne kanë tentuar të bëjnë dhe shkencën e estetikës(me Kantin te “Kritika e gjykimit”, që mbahet si sintezë e mendimit estetik të shek 18-të, me Hegelin që e shikon artin si shprehje supreme të shpirtit absolut, si shfaqje ndiesore të vlerës ideale të botës, ku përmbajtja dhe forma kalojnë dialektikisht tek njera tjetra, etj,etj.) dhe të gjithë estetët modernë, bashkohen duke e shigjetuar konceptin e përmbajtjes, funksionet jashtë letrare e artistike, duke afirmuar cilësinë që është e lidhur me formën si shprehje e sinqeritetit dhe e orgjinalitetit të krijuesit.

* * *

E përsëri te molla : Na heq dreqi e shkon aty pari një piktor me emrin Pikasso, e sheh mollën në pjatë e pak më tej piktorin e dremitur e thotë : “Ç’marrëzi të pikturosh një mollë.” Dhe e hëngri mollën. Dhe e theu pjatën. Dhe molla i tha faleminderit. I gjori piktor, u shkul nga ëndrrat, ku dremisrte dhe e pa veten krejtësisht të vetmuar para tablosë së thyer me ca fara të zeza “tmerruese” të realitetit mu në mes të copave të pjatës.

* * *

Pikasoja, njeriu që pikturonte më shpejt se drita, do jetë larguar i kënaqur, po a i kuptoi kolegu i tij ato pesë gjashtë fara të zeza të mollës në mes të pjatës ? Ç’porosi dha mësuesi për të tërë artistët modernë ? Dhe tani a je në gjëndje ta pikturosh shëmbëlltyrën pa shëmbull ?Prano, fjala vjen , që ulërima e pranverës është një pyll i lindur në sytë e mi prej dheu. E,nga aroma, pikturoje trëndafilin.. dhe atij të vdekurit që pe në ëndërr, bëni një portret me gjak të bardhë…

Shekulli që kaloi ishte kryengritje kundër realizmit në letërsi e në art.” Arti- thotë F.Pessoa- na çliron në mënyrë mashtruese nga ajo gjë e ndyrë që është fakti i të ekzistuarit”. Qindra poetë e piktorë të mëdhenj e kanë “ngrënë mollën”, e kanë “thyer pjatën” dhe, vetëm me farat, kanë pasuruar në mënyrë mahnitëse format e shprehjes, duke u zgjatur deri tek nëndhezat e ndërgjegjes e të metafizikës. Sot , harta e kulturës artistike, kudo në botë, prozhektorët i hedh tek artistët modernë.

***

Jo kushdo i kupton poetët dhe piktorët. Ata kërkojnë një lexues të kualifikuar. E seç kanë diçka misterioze, gati si shënjtëri profetike. Ka një roman Ernesto Sabato , nisur nga një detaj pikture.( Një piktor kishte hapur ekspozitën dhe asnjë nga vizitorët nuk kuptoi gjë. Një grua, para një tabloje, qëndroi gjatë dhe u përlot e kjo tërhoqi vëmëndjen e piktorit, i cili i qepet, e njeh, e dashuron marrëzisht dhe e vret. Ky është romani “Tuneli”).

Veprat e artit provokojnë realitetet shoqërore. Ato nuk bëjnë pasqyrimin e inventarin e sendeve, por tentojnë t’i ridimesionojnë ata, natyrisht, me kode të veçantë në shumëkuptimshmëritë e tyre analoge. Kritika profesionale kërkon formën origjinale dhe jo përmbajtjen e logosit dhe të ngjyrës. “Nga ky nder”, ato veçse kanë humbur. Realisti kënaqet me harmoninë e pastër, ai tjetri, i largohet komoditetit sipërfaqësor, abstragon nga bota për të gjetur e gatuar një magji  të panjohur. I etur pas fakteve, ai i braktis ata për t’i gjetur ndryshe në magjitë e natës.Nobelisti gjerman,Gyter Gras i vë në mendime te gjithë artistët kur shkruan :” Njeriu vizaton, pikturon dhe qëron qepë. Qepa është metafora e cipave të memories…” Dhe njeriu habitet dhe e beson se nata e ndriçon natën, se errësira i ka duart të kadifejta, se të vdekurit qajnë, se era i kafshon buzët, se nëpër faqet e lëmuara të një pëlhure, ngrihen kreshta malesh e rrudha fëmijësh. Njeriu nuk e ka parë Afërditën, perëndeshën e bukurisë, por e beson poetin se ajo udhëtonte nëpër qiell me një karrocë tërhequr nga dy pëllumba. Artisti kërkon ta tejkalojë jetën, ta shkelë magjinë e errët të tokës, ku dhe nga varret , barërat e këqia, ashtu të zbeta e pa jetë, mundohen të lulëzojnë, packa se naten rritin gogolë te frikshem. Farat e realitetit janë “ e gjithë bota” e në to lëviz dialektika e dashurisë dhe e urrejtjes. Në qendër të kësaj dialektike , gjithnjë i pranishëm, është një konflikt e, për artistët,gjithmonë i pazgjidhur dhe i diskutueshëm, problemi i raportit të pasqyrimit. Prestigji i origjinës së artit është dukuri universale që po i shpërfill me mundim moralet për t’u ngritur mbi të mirën dhe të keqen.”Origjina dhe qëllimi-shprehej Niçe- janë entitete të ndryshme”…

E , sidoqoftë, të gjitha statujat e mëndjes e kanë origjinën te “fara” fillestare. Çdo fillim i ri është përgjegjës para farës së vet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora