E premte, 19.04.2024, 11:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Vinca: Për një fjalor të ri të fjalëve të huaja

E premte, 10.02.2012, 08:52 PM


Një qasje shkencore problemit të fjalëve të huaja dhe një kontribut modest leksikografisë shqiptare, duke marrë si shkas Fjalorin e fjalëve të huaja të Institutit Albanologjik, botim i vitit 1988

 

PËR NJË FJALOR TË RI TË FJALËVE TË HUAJA

 

Nga Prof. Agim VINCA

Njerëzit që flasin e shkruajnë në mediat tona, veçanërisht gazetarët (pjesa dërrmuese e tyre), por edhe disa intelektualë, publicistë e kritikë letrarë, përdorin vend e pa vend fjalë të huaja jo vetëm për shkak të modës, por edhe pse shumë herë nuk ua dinë kuptimin fjalëve që përdorin e, herë-herë, as që e dinë se ato janë fjalë të huaja.

Koha në të cilën jetojmë, epoka e globalizmit, është kohë e komunikimit intensiv të gjuhëve, popujve dhe kulturave. Kultura shqiptare në dekadën e fundit të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, si rezultat i ndryshimit të pozitës historike të popullit shqiptar në kapërcyell të dy shekujve, është një kulturë plotësisht e hapur. Gjuha shqipe - gjithashtu. Gjuhët kanë nevojë për njëra-tjetrën, ashtu siç kanë nevojë edhe njerëzit. Ato japin e marrin nga njëra-tjetra, por në këtë proces janë gjuhët e vogla ato që huazojnë më shumë, ngaqë kanë nevojë për fjalë e shprehje, sidomos të sferës tekniko-shkencore. Ky është një proces në thelb pozitiv, por që fsheh në vete edhe rreziqe të shumta, andaj, në qoftë se nuk vihet nën kontroll, rrezikon ta zbehë natyrën dhe origjinalitetin e gjuhës marrëse. Që të mos ndodhë kjo me gjuhën shqipe duhet një përkujdesje e vazhdueshme institucionale dhe një politikë e drejtë e afatgjate gjuhësore e kulturore, veçanërisht në fushën e botimeve, ku rol parësor luajnë fjalorët.

Çdo njeri në punën e tij të përditshme ballafaqohet me nevojën e zbërthimit të kuptimit të fjalëve e shprehjeve të ndryshme (qofshin ato të huaja apo edhe shqipe), që përdoren në media, në tekstet shkollore, në literaturën shkencore e artistike, në jetën shoqërore, politike, fetare, ushtarake e diplomatike, me një fjalë në komunikimin e gjallë njerëzor. Akoma më shumë me këtë vështirësi ballafaqohen nxënësit, studentët, mësuesit, gazetarët, spikerët, aktorët, moderatorët dhe njerëzit e tjerë që kodin gjuhësor e kanë profesion a vokacion jetësor.

Për njerëzit që merren me punë shkencore dhe krijuese në përgjithësi konsultimi i i fjalorit të gjuhës së tyre amtare, por edhe i fjalorëve dygjuhësh dhe i fjalorëve të fjalëve të huaja, është pjesë e ritualit të përditshëm të punës së tyre. Është një conditio sine qua non (kusht pa të cilin s’bën) për ta, siç do të mund të thoshim ndryshe, duke përdorur një proverb latin. Sa më e madhe të jetë përgjegjësia e individit ndaj gjuhës dhe shkrimit, aq më e madhe është nevoja e konsultimit të fjalorëve, enciklopedive dhe botimeve të tjera të kësaj natyre.

Po si mund ta zgjidhin lexuesit shqiptarë këtë sfidë? Cilit fjalor mund t’i drejtohen ata në rastet kur në punën e tyre (në shkollë, në zyrë, në gazetë, në radio, në TV etj.) hasin në ndonjë fjalë a shprehje të huaj, të panjohur?

Në gjuhën shqipe ekzistojë, pos fjalorit normativ të gjuhës shqipe, fjalorit shqip-shqip (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë 1980,) dhe fjalorëve dygjuhësh shqip-gjuhë e huaj (frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht etj.), edhe dy fjalorë të fjalëve të huaja: ai i autorit Mikel Ndreca: Fjalor fjalësh të huaja dhe Fjalori i fjalëve të huaja i Institutit Albanologjik, i botuar nga Redaksia e botimeve “Rilindja” në vitin 1988.

Fjalori i fjalëve të huaja i Institutit Albanologjik, vepër e një grupi autorësh (dr. Murat Bejta, dr. Latif Mulaku, mr. Mehdi Bardhi, Abdullah Zajmi, mr. Shefkije Islamaj, mr. Ibrahim Goçi dhe mr. Qemal Murati, dy prej të cilëve nuk janë më në mesin e të gjallëve), është një vepër që nuk i përmbush as përafërsisht nevojat e njerëzve tanë që gjuhën e kanë mjet të punës së tyre të përditshme. Nuk na shkon mendja t’i mohojmë përpjekjet që kanë bërë autorët e këtij fjalori, e as vështirësitë që kanë hasur ata gjatë hartimit të tij, por nuk mund të kalojmë heshtazi mbi lëshimet jo të pakta të veprës së tyre, që bien në sy nga larg. Fjalori i tyre lë për të dëshiruar në shumë pikëpamje dhe sidomos në pikëpamje të regjistrit të fjalëve dhe, herë-herë, edhe të shpjegimeve që u bëhen atyre. Përgjegjësi për këtë mbajnë në radhë të parë autorët e tij, secili për shkronjat përkatëse, por edhe redaktori edhe recensuesit (gjuhëtarët M. Bejta, I. Ajeti e R. Ushaku), të cilët është dashur të jenë më kërkues ndaj autorëve dhe punës së tyre; i pari edhe ndaj vetvetes, sepse pos që është redaktor, është edhe bashkautor i veprës.

Në krye të këtij fjalori, menjëherë pas hyrjes (e jo në fund, siç është zakon), është dhënë lista e gjatë e literaturës së shfrytëzuar prej hiç më pak se 124 titujsh, kryesisht fjalorë dhe vepra të tjera gjuhësore e leksikografike, por në brendi të tij mungojnë shumë fjalë e shprehje - sigurisht fjala është për fjalë e shprehje të huaja, të arealit gjuhësor lindor e perëndimor, që përdoren dendur në diskursin shkencor, publicistik, filozofik, letrar, kulturor, politik, juridik etj. Më kot njeriu i kërkon disa fjalë shumë të shpeshta, sidomos të sferës intelektuale, në këtë fjalor. Nuk i gjen dot. Dhe është e çuditshme se të njëjtat fjalë i gjen sakaq në fjalorët e konsultuar nga autorët e tij: te Klaiqi (Rje?nik stranih rije?i, Zagreb, 1974), te Vujaklija (Leksikon stranih re?i i izraza, Beograd, 1966) etj.

Që të mos flasim në përgjithësi dhe pa fakte, mjafton t’i referohemi përvojës personale me këtë fjalor dhe të sjellim shembuj konkretë. Gjatë punës sime të përditshme, sa herë që kam pasur nevojë ta verifikoj kuptimin e ndonjë fjale të huaj, i jam referuar së pari fjalorit në fjalë, pra Fjalorit të fjalëve të huaja të Institutit Albanologjik, botim i vitit 1988. Shumë herë, për të mos thënë në pjesën dërrmuese të rasteve, jam ndarë i dëshpëruar. Nuk e kam gjetur fjalën e kërkuar. E kam marrë pastaj Fjalorin e fjalëve të huaja të Klaiqit (kroatisht) ose Fjalorin frëngjisht-shqip të Kokonës dhe e kam gjetur pothuajse secilën nga këto fjalë. Me kalimin e kohës, kur mosgjetja e fjalëve të ndryshme, veçanërisht nga sfera socio-politike, kulturore e filozofike, u bë dukuri, fillova t’i shënoj në margjina fjalët mungestare, t’i quaj kështu. Jo rrallë, pranë fjalëve a shprehjeve të ndryshme shënoja edhe kuptimin e tyre, qëmtuar nga fjalorët e tjerë.

Ja disa nga këto fjalë, që nuk hasen në Fjalorin… e IAP-së dhe që jam përpjekur t’i radhis këtu pikë për pikë, sipas rendit alfabetik:

A. Agjendë, aeropag, afazi, aktant (term i gjuhësisë strukturale), apodiktik, autizëm (autik) (term nga mjekësia), aversion;

B. Bankomat, bankrot, baratim (baratoj), benefic (beneficion), bonvivan;

D. Debulesë, decidiv, dekalog, dekalazh, demiurg, derivat, ders, desperados, destinim, detektor, detonator, detraktor, dezavuim, diglosi (term gjuhësor), disident, diskrepancë, dispersion, disponim, distinksion, divë-a, dominim (dominoj), donator, dopio, dubioz;

E. Eden, egzegezë (egzeget), ekskomunikim, eksod, ekuivok, ekuidistancë, emanacion, emergjencë, empati, endopsikike, epideiptik, epifani, establishment, eskatologji, estakadë, evaluim, ezber;

F. Famoz, fantomë, firar, floskulë, fluktuim (fluktuant), frapant, frizurë, frustrim;

G. Grataçelie, granduniformë, gulag, gulanfer, guru, guvernantë;

Gj. Gjenetikë, gjentil;

H. Han (në kuptimin sulltan), hazret, hedonizëm, heraldikë, hermeneutikë, heuristikë, heteronomi, hezimit, hibernacion, hipohondri, hipokoristik, hiromanti, holokaust, holl;

I. Iblis, ideolekt (term gjuhësor), impakt, impenjim, imputim, ingerencë, ingjenioz, inherencë, iniciacion, inkorporim, inkludim, interpolim, interpunksion, interregnum, introspeksion, invokacion (invokativ), irritim;

J. Jallane, jansenizëm;

K. Kaligrafi, kalvar, kallashnikov, kambist, kameratizëm, kamertal, kandillonaft, kapo (kapobandë), kapric (kapricioz), kapulan, kariatide, karizëm (karizmatik), karrusel, kaskadë, kaskader, katafalk, katarsë (katarsis), kavilje, kazamat, kenotaf, kentum (term gjuhësor), kerubin(ë), kesh, kiç (kiçerik), kleft, klepsidër, klonim, kohabitacion (kohabitim), kolaps, kolokuium, kominoshe, kompatriot, kompeticion, kondotier(ë) (Kadare: Mosmarrëveshja, f. 103), konfidencë (konfident), konfirmim (konfirmoj), konstelacion, kontemplacion (kontemplativ), konturë, kortezi, kredibilitet, krucial, ktonik, kulturtreger, kuplerajë, kurrikulë, kyçyk;[1]

L. Lament, levant (levantin), lidership, lozë, ludik, luk;

Ll. Llakërdi;

M. Madamë, madonë, makabër, malukat, manir, mantenutë, master, mastodont, mazohizëm, medie (media, masmedia) (një nga fjalët më të shpeshta në kohën tonë), meny (lista e gjellëve), merkantilizëm (merkantilist), Mesi, mesianizëm (mesianist), minucioz (minuciozitet), mizogjin, mocion, moderator, moratorium;

N. Nefer, negociatë, nekrofili, nekromani, nukleus, numinoz, nusprodukt, nutricist;

O. Opcion, ombudsperson;

P. Paliativ, palikar, palimpsest, pampur (pampor), pastish, pedigre, pedofil (pedofili), pejorativ (pezhorativ), performancë, pledoaje, populist, pregnant, primordial, prominencë (prominent), prosede, proskribim, proteizëm (proteik), proviniencë;

R. Raprezalje, rejting, rikuperim, resme;

S. Safari, sagllam, saltomortale, satana, satem (term gjuhësor), satisfaksion, sekser, semiologji, semiotikë (figuron vetëm trajta semasiologji), serafim, servis (servir), sfumim (sfumoj), sindromë, skakierë, skembeli, skriboman, skrivani, sodomist (sodomi), spektakël, spirituoz, spot, staturë, stipendi, storie, sublim, subordinim, substrat, subkulturë, sumim, survejim;

Sh. Sharm, shemshir, shtimung, shpicë, shund;

T. Tacit, taksativ, telbis, teleologji, toples, topos, traç, trahomë, transmutacion, travestit, tribu, tribal, tribunal;

U. Union, unikal, unilateral;

V. Valid, validitet, vanitet (vanitoz), vehemencë (vehement), venus, verdikt, vernakular, vizavi, vizurë;

Xh. Xhoker;

Y. Ymyt, yzallë etj.

Asnjëra nga këto fjalë nuk gjendet në Fjalorin e fjalëve të huaja të Institutit Albanologjik. Ka, me siguri, edhe shumë fjalë të tjera që mungojnë në të, por këto kam arritur t’i evidencoj unë si individ. Njerëzit që e kanë bërë këtë fjalor, pra autorët e tij, janë filologë e leksikografë, por me gjasë pak kanë “dashuri për fjalët”. Sepse, po të ishte ndryshe nuk do të mungonte një numër kaq i madh fjalësh, që janë në përdorim në gjuhën shqipe dhe si të tilla hasen në të gjithë fjalorët e fjalëve të huaja që qarkullojnë ndër ne.

Shtrohet pyetja: si ka mundësi që një fjalor fjalësh të huaja, në hartimin e të cilit ka punuar një grup prej shtatë punonjësish shkencorë dhe prapa të cilit qëndron një institucion i rëndësishëm shkencor, të mos përfshijë në faqet e tij tërë këtë mori fjalësh, disa prej të cilave, madje, kanë përdorim jashtëzakonisht të dendur në jetën e përditshme, në art, në shkencë, në politikë etj.?

Dhe si ka mundësi, madje, që askush deri më sot, as kaq vjet pas botimit të tij, nuk e vuri në pah këtë mungesë kaq të madhe fjalësh brenda kopertinave të këtij fjalori?

Në çdo mjedis tjetër një fjalor kaq i mangët e konservator do të ishte konsideruar skandal kulturor dhe do të ishte bërë objekt kritikash e qortimesh nga njerëzit e shkencës dhe në radhë të parë nga gjuhëtarët, që tek ne si duket kanë rënë në një gjumë të thellë dimëror?

Mungojnë në këtë fjalor gjithashtu, pos fjalëve të mësipërme, gjithsej 267 (edhe me fjalë: dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë), edhe shumë shprehje të huaja, sidomos latine, që kanë përdorim të gjerë në jetë dhe në shkrime dhe që u duhen njerëzve të penës në jetën e përditshme. Lexuesi më kot do t’i kërkojë në faqet e këtij fjalori prej 667 faqesh shprehjet: “ad hoc”, “alter ego”, “a priori”, “a posteriori”, “a propos”, “ave!”, “bona fide”, “contradictio in adjecto”, “cum grano salis”, “de profundis”, “deus ex machina”, “danse macabre”, “eo ipso”, “ex cathedra”, “mea culpa”, “memento mori”, “mutatis mutandis”, “nomina sunt odiosa”, “nota bene”, “post scriptum”, “pro et contra”, “sapienti sat”, “summa summarum”, “sui generis”, “volens nolens”, “ubi bene, ibi patria”, “ultima verba” etj. etj. Nuk do t’i gjejë dot. Mungon shprehja “CV” (nga lat. curriculum vitae), që të rinjtë tanë sot e shqiptojnë, duke u nisur nga anglishtja “SiVi”; nuk haset askund shkurtesa po ashtu shumë e shpeshtë “VIP” (nga angl. Very important persone - person shumë i rëndësishëm), kurse shprehja “tabula rasa” shkruhet gabimisht “tabulla rasa” (me “ll”) kështu që lexuesi nuk mund ta gjejë aty ku e kërkon dhe tek e ka vendin. Ndërkaq, fjala tetralogji (greq. tetra - katër) është shpjeguar gabimisht si “vepër letrare ose muzikore e përbërë nga tri (në vend se katër-A. V.) pjesë të pavarura”, duke u ngatërruar kështu me fjalën trilogji.

Mungojnë në këtë fjalor edhe shumë shprehje të proviniencës orientale, që janë po ashtu në përdorim në ligjërimin bisedor, por edhe në shkrimet shqip, ndër të cilat po përmendim fjalën ispat (dëshmitar) dhe shprehjen Inshallah (Dashtë Zoti!).

Dashtë Zoti që këto të jenë të vetmet lëshime e lajthitje të Fjalorit të fjalëve të huaja të Institutit Albanologjik, por, mjerisht, nuk është ashtu.

Jo rrallë autorët e këtij fjalori shpjegimet për shumë fjalë, sidomos për terma e nocione nga shkencat shoqërore, i marrin pikë për pikë nga Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1980, ribotuar në Prishtinë në vitin 1981. Sa për ilustrim po përmendim fjalët bohem, sonet, surrealizëm, shpjegimet e të cilave janë krejtësisht identike me atë të Fjalorit të ‘80-s, madje pa ndërruar as edhe një presje të vetme. Mbase edhe nuk do të ishte kjo punë fort e keqe sikur shpjegimet për disa nga këto nocione të mos ishin marrë pa kurrfarë rezerve, me kufizimet dhe njëanshmëritë që i diktonte ideologjia e kohës. Kështu, fjala vjen, në shpjegimin që i bëhet fjalës surrealizëm, ndër të tjera, thuhet: “drejtim krejt formalist e antirealist dekadent në artin e në letërsinë borgjeze të shekullit XX”. (Edhe frojdizmi në këtë fjalor cilësohet si “rrymë reaksionare idealiste në psikologjinë e filozofinë borgjeze”!). Dhe ky shpjegim, plotësisht dogmatik, zhdanovist, për njërën nga rrymat më të njohura letrare të shekullit XX, pa të cilën nuk mund të kuptohet avangarda evropiane, është bërë midis Prishtine në vitin 1988, pra në prag të rënies së komunizmit si sistem dhe, bashkë me të, edhe të doktrinës së tij letrare të realizmit socialist!

Një fjalor i ri, i plotë e modern i fjalëve të huaja, i hartuar me kritere e metoda bashkëkohore, do të kishte, pos ngritjes së nivelit të përgjithshëm kulturor e gjuhësor, edhe një funksion tjetër: do të ndikonte pozitivisht në frenimin e vërshimit të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, në trajtën e folur e të shkruar, sepse shumë fjalë të huaja përdoren në ligjërimin tonë të përditshëm, pos për modë e snobizëm, edhe për shkak se përdoruesit e tyre, folës a shkrues profilesh të ndryshme, nuk e dinë gjithmonë kuptimin e atyre fjalëve dhe duke mos ua ditur kuptimin nuk janë të vetëdijshëm se për shumë prej tyre ekziston ekuivalenti (barasvlerësi) shqip.

Hartimi i një fjalori të ri të fjalëve të huaja - ose ribotimi i fjalorit ekzistues me plotësimet e përmirësimet e duhura dhe me një ekip të përtërirë me kuadro të reja (edhe nga Tirana) - është një nevojë e ngutshme e kulturës sonë. Një fjalor i fjalëve të huaja ku mungojnë fjalët: agjendë (axhendë), donator, hezitim, lidership, negociatë, opcion, media, eksod, verdikt, disident, rejting, tribunal, moratorium, prosede, satisfaksion, frustrim, gulag e të tjera të ngjashme është jo vetëm i mangët, por edhe anakronik. Fjalori për të cilin e kemi fjalën, edhe i tillë çfarë është, tashmë është zhdukur nga tregu, kurse nevoja për një fjalor të ri të këtij lloji është më e madhe se kurdoherë.

Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim, gjithsesi kritik, pa i dhënë në vazhdim - si një kontribut modest ribotimit eventual të Fjalorit të Murat Bejtës me shokë, për të mos thënë edhe leksikografisë shqiptare - disa nga fjalët dhe shprehjet që i mungojnë këtij fjalori (sipas evidencës sonë të mbajtur në vite), tok me disa shpjegime e të dhëna, sigurisht jo të plota, të bëra nga ana jonë (nga një njeri që vokacion të vetin e ka letërsinë dhe studimin e saj e jo leksikografinë), që besoj se mund t’u hyjnë në punë lexuesve, gjithnjë gjersa autorët e këtij fjalori dhe institucioni që qëndron pas tyre, Instituti Albanologjik i Prishtinës, të mos kujtohen se është koha e fundit, në mos ka kaluar tashmë, që ky fjalor të ripunohet, të plotësohet dhe të ribotohet ashtu siç duhet dhe siç do t’i kishte hije.

Agjendë/axhendë (nga lat. agenda) 1. Përkujtues me shënime për atë gjë duhet bërë; notes; 2. Fushë veprimtarie; afazi - humbje e aftësisë së të folurit, autizëm - sëmundje, një lloj skizofrenie, që manifestohet me tërheqje në vete dhe egoizëm; ave! - të falem! (Ave Caesar, morituri te salutant!); aversion (nga lat. avertere) - mosdurim, mungesë afiniteti, antipati; benefic (beneficion) (lat. beneficium) - shfrytëzim, përfitim; bonvivan (nga frëngj. bon vivant) - njeri i dhënë pas kënaqësive të jetës; qejfli; debulesë - dobësi; dekalog - që përbëhet prej dhjetë pikash; “Dekalogu i Ballit Kombëtar” - programi prej dhjetë pikash i kësaj organizate politike; demiurg - krijues, mjeshtër, artist, autor; desperadosët - të dëshpëruarit; dubioz - i dyshimtë, i papërcaktuar, i paqartë; eden - parajsë tokësore; egzegezë (greq. egz?g?sis) - shpjegim, koment (i një shkrimi), posaçërisht i Biblës; ekuidistancë - largësi e njëjtë; ekuivok - fjalë me dy kuptime; emanacion (nga lat. emanare - me burue) prodhim i shpirtit, që buron nga shpirti; Arti është emanacion i shpirtit; eskatologji (éschatos-i fundit, logos-fjalë) - mësim fetar mbi gjërat e fundit të njeriut, siç janë “jeta pas vdekjes”, “fundi i botës” etj.; estakadë (nga spanj. estakada) - shtyllë, dysheme e një hekurudhe; frapant (nga frëngj. frapant) - diçka që lë përshtypje të thellë; guvernantë - mësuese, edukatore; hermeneutikë - shkenca mbi metodat dhe mjetet e interpretimit të Biblës; heuristikë - shkenca mbi metodat e kërkimit të njohurive të reja; hibernacionin - ngrirje; hipokoristik - emër që shqiptohet me përkëdheli; hipohondrik - frikë nga sëmundja; hiromanti - fall që bëhet mbi pëllëmbë të dorës; imputim - t’i mveshësh dikujt diçka që s’e ka bërë; ta akuzosh pa faj; iniciacion (lat. initiatio-hyrje në diçka) - doke dhe rite (te popujt primitivë) me të cilat çuni shpallet djalosh, kurse çupëza vajzë; synetia është një lloj iniciacioni; interregnum - periudhë ndërmjet dy pushteteve; jansenizëm - doktrinë fetare e shek. XVII-XVIII, kundërshtare e rreptë e rrymës jezuite, që kërkon përsosmëri morale; kallashnikov (kallashnikov AK47) - armë automatike (e mori emrin nga njeriu që e shpiku atë, rusi Kallashnikov); kambist - këmbyes parash (përplot janë rrugët tona me të tillë!); kamertal-e - muzikë dhome, me pak zëra e instrumenta; kapo (it. capo-krye, majë) - shef, prijës, kryetar; kapobandë (fjalë shumë e shpeshtë në diskursin e sotëm politik shqiptar - shef i një bande keqbërësish; kryemafioz); kariatide-t (nga greq. Kariátides) - në arkitekturën antike greke: figura grash në formë shtylle, që mbajnë mbi krye traun ose tavanin; kaskader - njeri që në film zëvendëson aktorin kryesor në skena të rrezikshme; katafalk (it. catafalco) - bazament ku vendoset arkivoli i të vdekurit; kenotaf - varr i zbrazët, simbolik, që i ngrihet dikujt trupi i të cilit është diku tjetër; kentum - grupi perëndimor i gjuhëve indoevropiane (P); e kund. satem (L); kerubinë - qenie që, sipas mitologjisë fetare, qëndrojnë pranë Zotit; engjëj të rangut më të lartë; kesh (angl. cash) - para të gatshme; kiç (nga angl. Sketch- skicë) - objekt (prodhim) pseudoartistik; objekt kiçerik; përjetim kiçerik; shije kiçerike; kiks (gjerm. Kickser, angl. kick) - tingull disonant i një instrumenti frymor, gabim, lëshim; kleft - kaçak grek (turq.); klepsidër - orë uji ose rëre; kominoshe (it. comiciotto) - bluzë pune; kompatriot (nga frëngj. compatriote) - bashkatdhetar; kompeticion - ndeshje, garë, konkurrencë; konfirmim - pohim, vërtetim; konfirmoj - vërtetoj se diçka është e vërtetë; konstelacion - pozita e trupave qiellorë; kredibilitet - besueshmëri; kulturtreger (nga gjerm. tragen-bart) - bartës i kulturës, përdoret në kuptim ironik për pushtuesit, që veprimin e tyre e kamuflojnë me parullën e përhapjes së kulturës; kuplerajë - shtëpi publike, bordel; lament (nga lat. lamentum) - ankim, vaj, gjëmë; vajtim; llakërdi (nga serbokr. lakrdija) - farsë, gjë qesharake, karagjozllëk; Levant, levantin - Lindje, lindor; të gjitha vendet rreth Mesdheut, që shtrihen në lindje të Italisë, më saktësisht Azia e Vogël, Siria, Egjipti; levantin - evropian që ka lindur dhe jeton në Levant; Konica, në esenë e tij Shqipëria si m’u duk (1924) flet për “levantinët tanë”, të cilët i paraqet si snobë dhe ksenomanë; madona (it. Madonna) - zonja ime, por edhe Shën Mëria; manir (nga frëngj. maniere) - sjellje, stil; mizogjin - njeri që i urren gratë; nekrofili/ nekromani - përdhosje seksuale e kufomave; nukleus - bërthamë, thelb; numinoz-e, nusprodukt - prodhim i dorës së dytë; nutricist-e - ushqimor-e; opcion, opsion (nga lat. option, optare) - zgjedhje e lirë, përcaktim; paliativ (lat. palliatus-i veshur me pelerinë) - lehtësues, që lehtëson një dhembje (bar), por edhe i pjesshëm, i përkohshëm; palikar (greq. pallekare) - luftëtar, trim i ri, kleft; pledoaje (frëngj. plaidoyer) - mbrojtje; pregnant - i rëndësishëm, i qartë, mendjemprehtë; primordial (lat. primordium-fillim) - i lashtë, parak, i parë; Eva dhe Adami janë prindërit primordialë të njerëzimit; pastish (frëngj. pastiche-gjellë e përzier) - vepër letrare që imiton një vepër tjetër; përzierje gjinish dhe llojesh letrare; pedigre (angl. pedigree) - origjinë, racë, gjenealogji (për kafshët, fig. edhe për njerëzit); prominent - ekspert i njohur, figurë publike me autoritet; safari - udhëtim disaditor për gjah në Afrikë; serafim - engjëll me fletë, me tri palë fletë; prosede (nga frëngj. procédé) - mënyrë veprimi, procedim, por edhe mënyra e zhvillimit të një syzheu dhe e krijimit të veprës artistike në përgjithësi; sodomi - marrëdhënie seksuale me kafshët; sharm - hir, nur, bukuri, hijeshi; shpicë-a - “ballina” e një emisini a filmi; shtimung (nga gjerm. Stimmung) - disponim, përjetim (në një vepër letrare); shund (gjerm. Schund) - pleh, mall i pavlerë; tacit (lat., frëngj. tacite) - i heshtur, i nënkuptuar; Vepra e Konicës ka qenë objekt ndalesash herë të eksplikuara, më shpesh tacite; telbis (turq. telbis, telbiz) - njeri i keq, mashtrues e cikërrimtar (e përdor Fishta te Lahuta: Krajli i Inglizit, nji telbis:/ me çà qymen për mjedis); traç (gjerm. Tratsch) - dërdëllisje, përgojim, shpifje; trahomë - sëmundje ngjitëse e syve; transmutacion (lat. transmutare) - shndërrim, ndryshim; travestit - person që ndërron gjininë; topos (greq. topos-vend) - vend i përgjithshëm, mjet i përhershëm stilistik, motive, figura dhe krahasime tipike, klishe dhe skema mendimi e shprehjeje, të pranishme në letërsinë evropiane nga antika gjer tek iluminizmi; vehemencë, vehement (frëngj. véhémence, véhément) - afsh, zjarr, furi; homme véhément - njeri i rrëmbyer; vizavi (nga frëngj. vis-à-vis) - ballë për ballë; vizurë - vijë e paramenduar, që shkon nga syri te objekti.[2]

Si përfundim, Fjalori i fjalëve të huaja i Institutit Albanologjik nuk të quhet ndryshe pos i mangët e anakronik.

Dhe, krejt në fund, edhe një shprehje që po ashtu mungon në këtë fjalor: “Nota bene” (mbaje mend mirë; mos harro!): rrugët e shkencës janë të rrëpinjta dhe kushdo që mendon se mund të arrijë lehtë në cak mashtrohet keq!

Nga libri (Po)etika e fjalës, ARS-ZZ, Tetovë 2010, f. 380-388

 


[1] Siç mund të shihet nga shembujt e mësipërm, më së keqi në këtë fjalor ka kaluar shkronja “k”.

[2] Pjesa dërrmuese e këtyre fjalëve dhe shprehjeve, në mos të gjitha, mungojnë edhe në fjalorin tjetër të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, atë të M. Ndrecës.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora