Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël me poezi nga Xhevahir Cirongu

| E premte, 10.02.2012, 08:10 PM |


FJALET E PLANETIT

*Cikël me poezi nga

XHEVAHIR CIRONGU

Durrës,2011

 

1- * KUR TROKASIN STINET

 

Zogjtë po shtegëtojnë

Iku dhe një stinë,

Ujrat që vërshojnë

Kanë nisur të ngrijnë.

 

Stinët zbresin një nga një

Akull,borë e lule shumë,

çelin lulet për mbi shkëmb

E ngrohin shpirtin fëminor.

 

Vjeshta me gjethet e verdha

Dimri vendin zbardh me borë,

Pranvera ka lule shumë

Vera ngroh shpirtin tek unë.

 

Kështu stinët janë,o fëmijë

Si anije nëpër det,

Udhëtojnë për tek ne

Nga ato  marrim jetë..!

 

2-* Fluturo,o ëndrra ime....

 

Fluturo ti ëndrra ime

shko e fli në shtratin tim,

puth sykaltrën që fle gjumë

dhe pastaj,ik nga unë...!

 

Shko ngadalë e më zgjo

në sy fut gjithë kaltërsinë,

dhe mos rri e trishtuar

ëndrrat kthemi si ujvarë.

 

Endrrat fëminore

fluturojnë në qiell,

gëzimet e tyre

në krahor flenë.!

 

Fluturo,o ëndrra ime

dhe sykaltrën ti e zgjo,

luledrite,plot me ngjyra

kur më flet, na qesh fytyra.

 

3-* FJALET E PLANETIT

 

E kujtoj me mall

mësuesen e parë,

vitet një nga një

tek unë rritën lastarë.

 

Ajo dallandyshe

unë zog i sajë,

fjalët e planetit

m'i mësoi me radhë.

 

Këndon shoqja ime

sot në festival,

thinjat e mësueses

lumturi e mall.

 

Mijra sythe çelur

pemët nëpër degë,

kur këndojnë fëmijët

dimëri bëhet pranverë!

 

4-* Kthehu

 

Një ëndërr gjumin ta trazoi

dhe lulja që le në ballkon,

Kanarina që shumë të donte

për ty nuk po këndonte.

 

Endrra prapë gjumin ta trazoi

djali që doje,te stoli po pret,

hap krahët...ta prekësh

prej sajë s'të ndan asnjë det.

 

Kthehu të thërret zemra

dhe lulja që le në ballkon,

Kanarina rri e mërzitur

për ty s,po këndon.

 

5-* Lutje

 

Mendo një çast për jetën

dhe shoh që është e shkurtër,

pastaj me dhimbje thua:

gjiithëçka do të zhduket.

 

E dhimsur është jeta

kur vdekjen mendon,

mjafton të mbyllësh sytë

asnjë më s’,të kujton.

 

Dhe fëmija lind duke qarë

ai e di se ç‘e pret,

në këtë jetë makabre

në këtë jetë të shkurtër.

 

Të lutem,pra o Zot

njeriut zgjatja jetën,

ti e di shumë mirë

ai nuk do gjë tjetër...!

 

6-* Lule çelur Durrësi im

 

Vjen një dallgë e kaltër

e më përshëndet,

Durrësi im i dashur

madhështor si mbret.

 

Dielli ulet brenda meje

një zgalem më flet ngadalë,

syt mi mbush me dritë rrufeje

dallgët ngrihen lartë si mal.

 

Muzgjet treten për mbi brigje

zëri yt pa mbarim,

mbi beden dhe mbi pirgje

emri yt ka plot kumbim.

 

Në dritare çel pranvera

zemëra hapur dashuri,

dera jote porsi zemëra

hapur rri për çdo njeri.

 

Shënim:

Poezitë janë marrë nga vëllimi i tretë, i cili  është futur në  process botimi dhe del së shpejti në qarkullim për tek lexuesi.