Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpëtim Kastrati: Bishti i gjarpërit

| E premte, 10.02.2012, 07:18 PM |


Shpëtim Kastrati

 

BISHTI I GJARPERIT

 

Tregim

 

-           Atletet po shiteshin shpejtë …

-           Dhe ju kërkuat porosinë e dytë, - e ndërpreu avokati – dhe ju erdhi dyfishi i

porosisë me një çmim edhe më të arsyeshëm.

-           Po – i tha Andi i çuditur që avokati i dinte këto hollësi për biznesin e tij pa

biseduar me të më parë.

-           Ju i pranuat pa mëdyshje? – shtoi avokati.

-           Sigurisht, ishte një pikë furnizimi edhe për shumë të tjerë, pse të kisha

mëdyshje, ata që më adresuan atje kishin dy – tre vjetë përpara meje që punonin me atë furnizues – ia ktheu Andi si me dyshim dhe disi i frikësuar që avokati kishte marr rolin e hetuesit me pyetjet që po i bënte, kur ai vetë i kishte kërkuar diçka nga historia e biznesit të tij.

-           Dosjen tuaj e kam këtu, - i tha avokati dhe nxori një dosje nga sirtari duke e

shfletuar me majat e gishtave sikur të ishte lodër që po luante me të, pastaj e drejtoi fytyrën e tij pranë asaj të Andit dhe i tha prerë: - ju jeni viktimë e biznesit tuaj pa përvojë, këtë do ta vërtetojmë edhe në gjykatë – dhe nxori një dëng me para nga sirtari dhe i vuri mbi dosje.

-           Çfarë do të thotë kjo? – i tha Andi i habitur.

-           Avokati qeshi, - ne lopët tona i mbajm lidhur, nuk i nxerrim në livadh, por ato

duan të hanë dhe herë pas here duhet tu çojmë nga një tufë me bar – dhe bëri me shenjë nga paratë.

-    Andi heshti.

-           Miqtë e tu – gati thirri avokati që tashmë ishte ngritur dhe shëtiste nëpër zyrë,

– janë të iteresuar për ty, ata që të bën për një kohë të shkurtër me tre dyqane tani do të nxjerrin edhe nga ky siklet, apo ke kundërshtim? – i mëshoi pak zërit avokati.

-           Andi ishte i befasuar me informacionin që kishte avokati, me vendosmërinë që

ai shprehej si hetues dhe si avokat njëkohësisht, madje edhe si gjykatës, por dyshoi aty për aty, ndoshta ishte ndonjë lojë e hetimit, ndaj dhe ju përgjigjë me ton avokatit, - kush jeni ju në të vërtetë?

-           Avokati qeshi përsëri, u ul në karrige dhe duke picërruar sytë i tha: - djalosh,

kapitalizmi mbrehet ndër ura mbi labirinthe, kohën e ke përpara do t’i mësosh, paraja është djall dhe duhet ta ndjekësh, nuk vilet kollaj siç vilet rrushi në vresht, e shohë që je trembur, por kjo çështje është kopsitur nga unë dhe miqtë e tu, ju do të vazhdoni punën si më parë, shkoni dhe rrini i qetë, për sotë mbaruam.

Andi doli ashtu i frustuar pa thënë asnjë fjalë, ishte i habitur dhe i shushatur,

solli ndërmend që biznesin e nisi me para borxhë, që ja dha një i njohur, puna i eci dhe për një kohë të shkurtër e lau borxhin, bleu edhe tre dyqane dhe kishte tani ca para mënjanë, por të gjitha këto ja dedikonte vetes së tij që kishte punuar ditë dhe natë, por edhe ata që e furnizonin e kishin ndihmuar edhe me çmimet dhe ndonjëherë edhe me mall me të pritur, por ai akoma nuk i njihte miqtë e tij, ndërmjetsohej me shoferët që i sillnin mallin.

U kthye në një bar, zgjodhi një tavolinë të qetë, porositi një birrë dhe po mendohej. – Gjithë këto të mira më erdhën nga miqtë që nuk i di, - po thoshte me vete dhe qeshte – po akuza për evazion fiskal nga më erdhi? Unë po punoj si gjithë të tjerët, përse erdhën vetëm tek unë? Apo janë shtuar lopët që nuk dalin në livadh? –  qeshi përsëri. Po kopetenca e avokatit? Paratë që vuri ai në tavolinë? Miqtë e panjohur që i ishin vënë në shërbim pa e kërkuar ai? Diçka luhet këtu, por si do t’ja dal? – pyeti veten. Rolin tim po e luajnë të tjerët pa më pyetur, këtë ma tha avokati hapur dhe prerë. “Miqtë tuaj” shqiptoi pa dashur me vete.Gjithçka po ndodhte i ishte bër lëmsh dhe nuk dinte ku ta kapte fillin, ndoshta i duhej kohë të qetësohej, ndoshta ndonjë këshillë, por kjo ishte çështje e tij private dhe rastësia po e sillte në një rreth të caktuar misterioz ku ndoshta pa ditur edhe vetë ai po tjerrohej foleja për fatin e tij dhe deri tani ishte vetëm avokati që po ja hapte disi shtegun aq të ngushtë sa që ai nuk mund të shihte përtej.

I erdhi ndërmend Rrahmani, një mik i vjetër i babait të tij, që i kishte rekomanduar avokatin, fjalët që ai i kishte thënë: “Në do të mbarosh punë, shko tek ai, të tjerët të gënjejnë dhe nuk u ngre kandari”. T’i kërkonte ndonjë këshillë tani, por avokati e kishte porositur, asnjë fjalë me dikë tjetër deri sa të mbyllej çështja ashtu siç duhej. Tek e fundit jam i ri, - mendoi me vete – sido që të jetë, do ta kapërcej, pastaj miqtë, përse duhet të dyshoj edhe ata kanë interesin e tyre, nuk duan të më humbasin si klient, u kam bërë goxha punë, kam punuar sa për dhjetë të tjerë, ndoshta nga xhelozia dikush nga rivalët ma ka kurdisur këtë punën e taksave dhe disi i lehtësuar la paratë nën shishen e birrës dhe pa pritur reston humbi në mugëtirën e qytetit.

Duke shkuar për në gjykatë avokati i tregoi dy fatura që vërtetonin pagesën e taksave. ( Miqtë mendoi me vete Andi ).

-           Ti do tu përgjigjesh vetëm pyetjeve rutinë të gjykatësit, - i tha avokati –ndërsa

për çështjen do të flasë vetëm unë, sepse janë rrugë me gropa këto të gjyqeve dhe duhet të dish t’i kapëcesh, - po mburrej avokati.

-           Po domosdo, - mendoi Andi me vete – gjithë ato para në tavolinë i mbulojnë

gropat dhe rruga të bëhet shesh.

Gjyqi zgjati vetëm dhjetë minuta ashtu siç e kishte parashikuar edhe avokati. Vendimi i gjyqit vendosi me unanimitet: Vetëm 20000 lekë të reja gjobë për tejkalim afati të pagesës së taksave.

Tani Andi nuk ishte edhe aq i habitur, sepse gjatë séancës së gjyqit vuri re që edhe gjykatësi ishte disi i ndërvarur nga avokati, paçka që mundohej të linte hijen e tij shterpë.

Kjo punë u mbyll, - i tha avokati me krenari – nuk ka asnjë pengesë që ju të vazhdoni punën si më parë, gjoba është simbolike, shko paguaje që tani, nga java tjetër një nga miqtë e tu do të vijë tu takoj për të shtuar biznesin, do të bëj unë telefon, kur dhe ku do të takoheni.

-           Faleminderit! – i pëshpëriti Andi – por a ju detyrohem juve?

-           Asgjë – i tha avokati çapkën – ishte koçidencë që ju ishit mik tek miqtë e mi.

Ika unë se kam punë të tjera, vazhdo punë i qetë, hajt mirëupafshim! – i dha dorën dhe iku ashtu i gërmuqur.

“Do të mësosh” iu kujtua ajo që i kishte thënë avokati, dhe ai vërtet po mësonte, nuk kishte qënë në jetën e tij ndonjëherë nëpër gjyqe dhe ja e solli rasti, e shkoj fillin në gjilpërë kollaj fare, për aq kohë sa ç’pihej një kafe. “Shkollë është jeta” mirë e kanë thënë – i dha kurajo vetes.

Avokati i telefonoi më shpejtë nga ç’priste Andi, i dha destinacionin diku thellë në periferi të qytetit dhe e këshilloi të ishte korrekt me orarin, aty do të ishte edhe ai i pranishëm.

Sidoqoftë, avokatin e kam aty, - i dha zemër vetes – të paktën do ta kap disi fillin e këtij lëmshi, do të njohë një nga miqtë e mi.

Ishte një restorant diku buzë kënetës i ndërtuar rishtas dhe me shije që i përshtatej ambjentit, dukej si shportë e dhuruar midis ujrave dhe shkurreve fushore ku prehej paqja. Një djalë i ri zeshkan e priste përjashta dhe sapo e pa tek zbriste nga makina i thirri në emër, megjithëse Andi nuk e njihte.

-           Po ju presim, zoti Andi! – i foli ai përzemërsisht.

-           Mirësejugjeta! - i buzëqeshi Andi – por nuk besoj se njihemi?

-           Do të njihemi, shkojmë këtej – i tha ai buzagaz dhe e udhëhoqi brenda

restorantit.

Në një tavolinë të veçuar e priste avokati, i cili e përshëndeti që atje tej me dorë, në praninë e një vajze të lezetshme që po i buzëqeshte nga larg.

-           Zonjusha Linda, - prezantoi avokati me delikatesë – ndërsa ky zoti Andi,

benjamini juaj i nderuar – u shfry avokati si të ishte pallua.

-           Gëzohem që ju njohë! – i tha ajo me delikatesën që e karakterizonte jo e

shtirur si ajo e avokatit, duke lëvizur pak nga karrigja dhe me një buzëqeshje që e trullosi Andin.

-           Edhe unë gjithashtu! – i tha Andi duke iu marr goja.

-           Tani jemi në një shoqëri të këndshme, Andi – i tha duke dredhur zërin avokati,

zonjusha Linda ishte shumë e iteresuar t’ju njihte nga afër dhe aq më tepër që do të jet bashkëpuntorja juaj më e afërt në të ardhmen për një biznes të ri dhe shumë herë më fitimprurës.

-           Gëzohem! – tha ajo përsëri ëmbël me buzëqeshjen enigmatike.

-           Prezenca më pëlqen pa hollësirat dhe dyshimin do ta hidhja në kënetë edhe

sikur të ishte – i tha Andi avokatit duke u munduar t’i zgjidhte fjalët, ndërsa vjedhurazi i dha një buzëqeshje zonjushës që nuk ja hiqte sytë.

Ndërkohë nga një deriçkë e sallës dolën një tufë burrash, midis tyre Andi njohu Rrahmanin, mikun e babait të tij që i kishte rekomanduar avokatin, nga ata u shkëput një burrë babaxhan, i veshur mirë dhe hijshëm, i dha dorën vetëm Andit dhe i tha gjithë personalitet: - Avokati është i autorizuar nga unë t’ju prezantoj të ardhmen e ndritur që ju prêt, siç e sheh ne po plakemi, duhet të lirohemi disi nga barra, energjitë tuaja na zilisin por duhet t’i vihen punës, sepse sotë fiton ai që është më i shpejti dhe më   i shkathëti, unë e di që i keni këto cilësi, prandaj edhe ju kam besuar, do të kemi rast të flasim edhe veçmas, tani më duhet të shkojë, ju uroi mbarësi! - Pa e lënë të thoshte asnjë fjalë Andin u largua me hap, avokati po e ndiqte pas ndërsa Linda ishte ngritur në këmbë, gjë të cilën bëri dhe ai instiktivisht. Ai doli i pari nga dera që e mbante hapur djaloshi që e kishte pritur Andin, pas tij të tjerët me rradhë edhe Rrahmani që nuk i kishte dhënë të njohur, i fundit po dilte avokati, sapo djaloshi mbylli derën nga poshtë sajë po ikte edhe hija e tyre që po ngushtohej ngadalë e stërgjatur duke u holluar si bisht gjarpëri që zvarritej si për në skutën e tij, Andit i hyri pakë frikë por vakumi i hijes e çliroi.

Duke luajtur disi me fjalët, Linda po bënte ekspozenë e muzikës së ditëve të fundit që kishin dalë në treg, Andi vetëm e miratonte se as që e kishte idenë për atë lloj muzike që po fliste ajo, kur sapo po kthehej edhe avokati, dukej i gëzuar dhe i jepte pozë trupit si sportist, u ul me shkathtësi dhe porositi të sillnin drekën.

-           Ç’farë pijesh dëshironi, zoti avokat? – u drejtua kamarieri nga ai që porositi

ose që ishte i njohur për të.

-           Për zonjushën, - po lajkosej avokati – verë të kuqe, apo jo Linda? – i ledhatoi

pak zërit.

-           Sigurisht, - tha Linda – të kuqe të lehtë, italo – i rrëshqiti fjala me finesë.

-           Po ju Andi? – sikur u kujtua avokati duke i mëshuar zërit si shoqërisht.

-           Të kuqe edhe unë, - e zgjati zërin Andi me të njëjtën recetë si ajo e avokatit.

-           Bianka, për mua – tha avokati si për të imituar Lindën, e di ti, si zakonisht dhe

ngjalat e zgarës me pak limon.

-           Është specialiteti i guzhinës tonë, - bëri pakë reklamë kamarieri dhe shtoi –

për të gjithë?

-           Specialitetin sigurisht, më pas të tjerat – lëpiu buzët avokati dhe hetoi Lindën

dhe Andin që në heshtje i dhanë miratim.

-           Më falni, - theu heshtjen avokati si me sqimë – por simpatia e çiftit tuaj këtu

në tavolinë sotë më joshë dhe të them të drejtën gati e përbuz moshën time, ndoshta do e teproj pak me pijen nga melankonia natyrale që më përket, por sido që të jet ne jemi si në shtëpinë tone, apo jo Linda?

-           Mes miqësh të sinqertë, gjithmonë ndihesh i shtëpisë, - lodroi ajo me naze për

ta thumbuar, me një përbuzje të përmbajtur ndaj avokatit.

-           Nëqoftëse më lejoni, mund të hyjmë në temë, - ndërhyri më energjik avokati

për të ngjallur pakë entuziazëm megjithse e shijoi ironinë e hollë të Lindës, - zotria Y. që u takoi pakë më parë, - iu drejtua ai Andit – është deputet në Kuvendin Popullor.

-           E njoha – tha Andi shkurtë, po i shpëtuar shpotia.

-           Avokati bëri sikur nuk e vuri re shpotinë e tij që i ra si rrufe,pas asaj të Lindës,

dhe nuk do t’ja lejonte detyra që kishte marr përsipër që t’i shkisnin këta zogjë pa i futur në kafaz, ndaj e ndryshoi tonin me takt duke u shtirur si me lakmi dhe i tha Andit, - shumë mirë, je djalë i zgjuar ti, jo më kot të kanë zgjedhur, - nuk e kurseu furçën dhe shtoi pa lënë shteg – ndërsa Linda është mbesa e tij – i mëshoi zërit me mburrje.

-           Oh, të papritura këto për mua! – tha Andi i habitur dhe e grisi ëmbël Lindën

me një shikim të qartë.

-           Edhe për mua! – fëmijëroi Linda me zë të dridhshëm melodioz duke i vetëtitur

Andit me bishtin e syrit.

-           Ju kam zili, - tha avokati me të vërtetë, që i kishte ardhur gjaku në vend dhe

nuk e fshihte kënaqësinë, - bota juaj e re do na e shtypi edhe atë të konsumuar sustë që na ka ngelur për të suportuar vrullin dhe dëshirën tuaj, por sinqerisht ua them që kjo nuk më bën aspak xheloz, - tha avokati disi i matur duke hapur çantën nga nxori një tufë me letra që po i ndante në tre pjesë.

-           Megjithatë do tu mjaftojnë baçet me qershi baronëve për të shkrehur zilinë –

ironizoi hollë Andi duke vjedhur fytyrën e avokatit për efektin.

-           Por e qeshura e këndezshme e Lindës e vodhi atë me gjithë ironinë.

-           Ajo që ka pjellë dikur të bukurën me siguri do të ket qënë dhelper, - mendoi

avokati, qëmegjithëse bënte sikur po merrej me letrat ishte i përqëndruar deri tek hollësitë edhe më të vogla për çiftin, ndaj dhe e uroi Lindën me vete që me të qeshurën e sajë, ja  shkëputi paq’ këtë flakë ironie Andit. Por po i dukej pakë e vështirë mënyra e ngritjes së çarkut dhe po këkonte në sirtarin e fantazisë së tij një lojë më të zhdërvjellët.

-           Zonjushë, - i dhelpëroi ai Lindës duke e mënjanuar me kujdes për momentin

Andin, - megjithëse kemi punë të rëndësishme sotë bashkërisht, me sinqeritet ndihem i tepërt, por le të jet ky shkaku për të ëndërruar më tej ato që ju ndieni, bota juaj është e papushtueshme, por na lejoni neve tu vimë në ndihmë të paktën me aktet formale për strukturën që ju do ta hijeshoni vet me aromën e re që po ndihet në dritaret e freskëta me saksitë e natyrës së pafaj që ne nuk ditëm t’i gjenim. Dhe pikërishtë zoti Andi, - iu drejtua ai disi me përulje – në këto letra është shkruar diçka ndoshta zyrtare dhe skematike për t’i dhënë shtysë fatit tuaj në të ardhmen, - dhe i shihte të dy në sy si me zili, por i përqëndruar tek Andi, ndërsa vetë Andi mundohej të mos e shprehte habinë. – Ju zonjusha Linda, pakë a shumë e keni idenë? - sulmoi me takt pozicionin që iu duk më i volitshëm për krahmarrje.

-           Po sigurisht, - tha Linda menjëherë sikur donte të mos linte shkëputje nga

biseda që kishte nisur avokati – më tha diçka xhaxhai – e tkurri përgjigjen pë t’i lënë shteg përsëi.

-     Zoti Andi, - iu drejtua ai solemnisht me seriozitet që Andi nuk ia kishte parë herë tjetër – qysh nga ky çast e në të ardhmen ju do të jeni presidenti i kompanisë së ndërtimit  “ KEPI Y5 “ gjithashtu Linda do të jetë një nga bashkëpunëtorët e kompanisë suaj.

-           Por unë … - deshi të thoshte Andi.

-           Mos u ngut – e ndërpreu avokati si me të lutur, duke i nderur dorën përpara që

nënkuptonte stop – të mbarojë njëherë prezantimin pastaj e diskutojmë – dhe i mëshoi kopetencës që e kish fituar tashmë – kapitali i kompanisë është depozituar, ja faturat – dhe i tregoi nja dy letra që kishte përpara – pra ju nuk do të shtoni gjë tani për tani, inxhinieri, teknikët dhe punëtorët pothuajse janë gjetur, inxhinieri edhe i ka firmosur këto edhe të tjerët, siç e shihni këtu mungon vetëm firma juaj që besoj nuk do të hezitoni aspak sepse i përket interesit tuaj madhor – e përmbylli prezencën si me dinakëri avokati.

-           Eh, se harrova, - bëri sikur u kujtua avokati – një nga dyqanet tuaja si fillim do

të bëhet zyra e kompanisë, komoditeti është porositur, gjithashtu – dhe i zgjati një çelës me delikatesë – kjo është vila juaj e re e falur nga miku juaj që takuat, me dokumentin përkatës që e kam këtu, diku në periferi të qytetit në një zonë të zgjedhur sigurisht, dhe rstani për tani do të keni edhe Lindën kujdestari në shtëpinë tuaj.

-           Linda qeshi ëmbël, duke mirëpritur me kureshtje edhe të njëjtin reagim nga

Andi që e guduliste me sytë e shkruar.

-           Eshtë disi e papritur për mua, - pëshpëriti Andi – më duhet të mendohem,

pastaj unë kam edhe nënën dhe vëllain pas vetes?

-           Kjo që ju afrohet – nxitoi avokati -  nuk lë mëdyshje që ju të kujdeseni për

nënën dhe vëllain tuaj, bile për ata do të jet suprizë karriera në biznesin tuaj, e kuptoj shqetësimin tuaj – lajkatoi avokati – u duket ndoshta e pamundur të drejtoni një kompani me këto përmasa që po ju afrohet, por të jeni i sigurtë që nuk do të jeni vetëm dhe ju jeni i zgjedhur për ta bër këtë.

Si për ta përligjur festardhjen që kishte përshkruar avokati, tavolina ishte ngjallur me tepri nga porosia e tij, gatimet ishin taze të ngrohta dhe fjollonin avull të imët që ngacmonte sekrecionet e trupave që mendjen nuk e kishin aty në të vërtetë. Andi i kishte ngulur sytë tek çelësi që i kishte vënë avokati përpara, herë i zmadhohej dhe shkëlqente me përmasat e një ikone si ajo e Lindës dhe herë i zvogëlohej deri në humbje si më i vogëli send në morinë e llojeve të tavolinës. Ishte ky çelës që do të hapte apo do të mbyllte jetën e tij ashtu siç e kishte menduar të paktën deri tani, por avokati i dukej i ditur dhe këtë e kishte provuar jo një herë për aq kohë sa Andi e kishte njohur, ndërsa Linda i dukej e lezetshme, e kthjellët, me diferencë kulture që e bënte edhe më simpatike nga ato femra që kishte njohur aty në periferi. Hezitonte të aprovonte, por këshilla nuk mund t’i jepte vetes. Përfytyroi vallen pa ritëm të burrave që kishin hijësuar aty, midis tyre edhe Rrahmanin që të paktën një herë i kishte marr këshillë, deshi të pyeste për të avokatin, por ndërroi mendje. Hija që kishin lënë ata pas derës ishte e vetmja shije e keqe që e mundonte, ajo zvarritje e ngadaltë, e fshehtë që i kishte dhënë imazhin e bishtit të gjarpërit sikur i vërtitej nëpër trup me dhëmbët helmues të fshehur që mund t’i jepnin pickimin e padëshirueshëm kur e digjte pashuar dëshira për biznesin. Nuk do ta falte kurrë të dështonte, të devijonte atë rrugë që e kishte hapur vetë me shumë sakrificë. Ky lloj biznesi që po i bëhej dhuratë, i dukej një bosh i ngarkuar si tollumbace që po e ngrinte padashur nga tabani në të cilin qëndronte deri tani, por tek e fundit ai do ishte “I parë” në biznes dhe ajo që i mungonte, përvoja, do ta fitonte me aftësitë dhe intuitën e tij dhe në krahë i shfaqej edhe Linda e butë dhe e imët si kunadhe që nuk kishte asnjë dyshim që dinte t’i nuhaste skutat.

-           Ashtu disi i lehtësuar u përmend dhe iu drejtua avokatit, - a mund të di

më tepër hollësira, nëqoftëse ju jeni në dijeni? Si do të funksionojnë dhe shpërndahen kapitalet, detyrimet, të drejtat ligjore përkatëse për seicilin, përkushtimet sa dhe si do të jenë, të detyrueshme dhe morale apo të rastësishme, sepse për këtë rast unë nuk dua të kufizoj inisiativën, të paktën personale, nuk dua të amullis dhe as që dua t’i di të gjitha në këtë çast, të më kuptoni, dëshiroj të përqëndrohemi në këtë aspekt pa e prishur sigurisht, tavolinën gazmore (që në fakt nuk ishte e tillë deri më tani) që besoj na përshtatet në këtë intimitet që mua më duket i jashtëzakonshëm, nuk e di si ndihet zonjusha dhe ju zoti avokat? – ia hodhi topin me marifet Andi atij.

-           Keni plotësisht të drejtë, i dashur -  e ndërroi tonin avokati si shoqëror dhe i

kënaqur, por disi edhe i frikësuar nga referenca e përpiktë me një limë djallëzore që po i bënte përshtypje, sesi Andi goditi themelin e asaj që nuk dëshironte ta shfaqte tani për tani dhe shfrytëzoi shtegun që i kishte lënë vetë Andi, - por më parë të tokim gotat dhe të shijojmë ushqimin që duket i shkëlqyer dhe shpresoj që ta shijojmë edhe më shpesh në të ardhmen pra, gëzuar! – sikur oshtiu ai hakator – dhe mbarësi, nuk po shtojë fjalë tjetër nga ajo që u uroi miku juaj dhe i imi, gjithashtu xhaxhai i Lindës – i theksoi fjalët ai si për t’ia kujtuar Andit.

-           Gëzuar! – u ngut dhe Linda për tu dukur edhe më çapkëne, për të mos e lënë

tanimë Andin të trashej në mendime se kishte nevojë për pakë lumturi nga gjithë kjo tollovi që dukej se nuk i pështatej në këto çaste. Dhe duke u drejtuar nga Andi me shkëlqimin e sajë zhbirues, për t’i dhënë zemër dhe për ta trullosur njëkohësisht e hapi gojën si një lule dhe sikur i këndoi në vesh, - xhaxhai im e ka zemrën e madhe, gjithë jetën e tij i ka ndihmuar të tjerët, ngaqë puna e tij ka qënë gjithmonë me pozitë  – me gotën e nderur mu pranë fytyrës së Andit.

-           Gëzuar! – toku edhe Andi gotat me të dy, - të bëhet siç gërmon dëshira në

ndërgjegjen e pastër të njeriut. – kur sapo Linda i nguli një vështrim lakmues që e gozhdoi dhe si për ta torturuar më tepër, luante buzët e trëndafilta me presën e ashpër të gotës, avokati e vuri re sfidën dhe nënqeshi, po bënte sikur merrej me letrat dhe pa e ngritur kokën, sepse nuk donte ta shfaqte atë që nuk duhej dhe që nuk ishte etike për një të tretë, dhe i tha Andit, - po ju përmend disa emra që janë këtu, me të cilët ju do të punoni dhe ata do të jenë vartësit tuaj, - i radhiti disa prej tyre -  sigurisht që i njihni disa nga këta, janë njerëz të rregullt, të zgjedhur dhe me reputacion?

-           Po, i njohë disa, janë ashtu si thoni ju, - u përgjigjë shkurtë Andi, ngaqë Linda

po ngulmonte dhe e godiste me shigjetat e syve të sajë të flakëritur dhe nuk po e përballonte dot, tek po joshej dhe ndrydhej vetvetiu ta vidhte edhe më shpesh.

-           Por shtëma pa vegje nuk vlen, - ndërhyri si me takt avokati që kishte vënë re

turbullimin e tij – krahu juaj i djathtë gjithmonë do të jet kjo bukuroshe, nëqoftëse më lejon zonjusha? – iu drejtua ai asaj me paraqitje baroni duke treguar klas.

-           U jam mirënjohëse! – e ledhatoi ajo zërin, duke anuar kokën me naze paksa

nga Andi, për t’i thënë ndërsjelltë avokatit “ këput qafën”, ndërsa nuk e shkëputi përqëndrimin nga Andi deri sa i dha mesazh:  sh p i r t !  të koduar nëpërmjet buzëve që ta lexonte vetëm ai.

-           Nëqoftëse të tjerët e kanë pasur të vështirë për të hapur këtë rrugë, - ndërhyri

avokati në një çast tepër delikat, kur Linda kishte hequr këpucën dhe këmbën e kishte komoduar mbi gjunjët e Andit nën tavolinë dhe me majën e këmbës pulsonte kordat e tij ndijore, i cili ishte skuqur si trëdafili që mungonte aty dhe i përkiste asaj, por në të vërtetë ajo ishte edhe më e kënaqur me trëndafilin në fytyrën e tij që po shtonte petale kur ajo sa të mundej ndriçonte hënën e sajë. – ju e keni të përgatitur strukturën me mbështetje të fuqishme në prapavijë nga miqtë dhe shokët që do tu rrethojnë për të krijuar hapsira dhe mundësi që nuk do t’i kenë të tjerët. – e mbaroi fjalimin që edhe vetë atij iu duk i gjatë dhe i tepërt në këtë moment të elektrizuar ku ai si nul nuk vlente në proçes, ndaj dhe kërkoi të falur për tu larguar për disa çaste.

Sigurisht që u ndie më mirë jashtë në freskun e mbrëmjes dhe ndezi një

cigare i kënaqur, duke përfytyruar fragmente nga shkaku dhe rënia e Trojës. Mendoi për një çast edhe si jurist, gjithë jetën e tij kishte dëgjuar skena dhe kulisa, nga më të ndryshmet, por ato skena që i luanin femrat gjithmonë e joshnin dhe ua çmonte intrigën, sigurisht i zhveshur nga zanati dhe vetëm i maskuar me kraholin e letrarit, ndaj edhe idea e tij që i kishte dhënë zotit Y. sapo kishte parë Lindën pranë tij, kishte triumfuar. Vuri re që drita tek këndi ku ishte tavolina e tyre ishte fikur, atij i mjaftonte fresku i mbrëmjes por as  nuk i tepronte përderisa të shtrohej disi vala që e kishte vërvitur si cung aty jashtë, por shpirti letrar e ngacmonte përsëri megjithëse i ndrydhur nga zanati;

Pëllumbat e shkretë! - sikur vajtoi me vete – sa të lumtur do të jenë vërtetë, po të mos i tremb macja.