E enjte, 28.03.2024, 12:06 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Mark A. Heller: Lufta ndaj Iranit ka filluar me kohë

E premte, 10.02.2012, 06:15 PM


Lufta ndaj Iranit ka filluar me kohë

 

Nga Mark A. Heller (Nju Jork Tajms)

 

Bashkimi Europian i ka shpallur luftë Iranit. Sigurisht, nuk ka pasur asnjë deklaratë formale dhe asnjë operacion sekret ushtarak. Megjithatë, vendimi i Brukselit për vënien e një embargoje për importet e naftës iraniane, ndalimin e kontratave të reja dhe ngrirjen e pasurive të Bankës Qendrore në Teheran është me të gjithë kuptimet një akt lufte, i cili mund të çojë në atë konfrontim ushtarak që sanksionet kanë ndërmend të parandalojnë.

Për qeverinë iraniane eksportet e naftës të Iranit përfaqësojnë rreth 50 për qind të të ardhurave dhe 80 për qind të të ardhurave në valutë të fuqishme. BE-ja është blerësja e dytë më e madhe e naftës nga Teherani, për një total prej rreth një të katërtën e eksporteve. Për këtë arsye, vetëm nëse importuesit e tjerë nuk e rrisin ofertën nga Irani - dhe sinjalet nga Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut sugjerojnë të kundërtën - vendimi i BE-së (së bashku me masat e diktuara tashmë nga Shtetet e Bashkuara) rezulton në diçka shumë të ngjashme me "sanksionet vrastare", të kërkuara nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, të pamundur pa bashkëpunimin e kontinentit të vjetër.

Në këtë pikë, regjimi iranian, tashmë me një inflacion të lartë dhe me një monedhë që po zhvlerësohet mjaft shpejt, do të detyrohet të reagojë. Një skenar i mundshëm konsiston në anulimin e programit bërthamor, gjë që kënaq Europën dhe vendet e tjera të shqetësuara nga kërcënimi iranian.

Problemi është se ka një alternativë, po aq të mundshme: Irani, tashmë në kurth, mund të zgjedhë një përpjekje të dëshpëruar për të trembur europianët dhe t’i bindë  që të bëjnë një hap prapa, ose të paktën të shkaktojë një histeri të pakontrollueshme në tregun e naftës. Në këtë rast rritja e çmimit të naftës së papërpunuar do të rezultojë në të ardhura më të larta për Iranin, duke i çuar të ardhurat mbi nivelet e mëparshme të embargos.

Një nga masat ekstreme në dispozicion të qeverisë iraniane është bllokimi i ngushticës së Hormuzit, gjë që Teherani ka kërcënuar tashmë se do të bëjë. Megjithatë për momentin, Irani nuk duket të jetë në gjendje të mbajë peng ngushticën për një periudhë të gjatë kohore dhe në çdo rast do të ndaleshin edhe eksportet e tij të mbetur.

Një alternativë më pak e komplikuar do të ishte sabotimi ose sulmi ushtarak ndaj rafinerive, ndaj tubacioneve dhe objekteve të naftës në Arabinë Saudite, për shembull në Abqaiq dhe Ras Tanura. Misioni mund të realizohet nëpërmjet operacioneve së "flamurit fals" nga ana e rebelëve shiitë në provincat lindore të Arabisë Saudite, por është e qartë se në këtë rast përgjegjësia e Iranit do të ishte e pamundur të fshihej dhe do të rrezikohej një përshkallëzim në shkallë të gjerë konflikti.

Në këtë pikë konfrontimi i armatosur që shumë europianë janë përpjekur të evitojnë do të bëhej i pashmangshëm, duke pasur parasysh se askush në Teheran nuk krijon iluzionin se mbizotëron mbi planin ushtarak.

Pranvera e armatosur – Para se të hidhni poshtë një mundësi të tillë, duke e konsideruar alarmante dhe të pamundur, ia vlen të kujtohet se Japonia perandorake nuk i sulmoi Shtetet e Bashkuara për të reaguar ndaj një ofensive ushtarake, por sepse në atë kohë ishte penalizuar ekonomikisht (dhe Irani mund të jetë së shpejti) saqë preferoi më shumë një sulm të dëshpëruar, sesa një asfiksi të ngadaltë. Fakti që disa gjeneralë e konsideruan si të pashmangshme humbjen - dhe midis tyre admirali Isoroku Yamamoto, krijuesi i ofensivës në Pearl Harbor – nuk bëri asnjë ndryshim. Është e vështirë të besohet se udhëheqësit europianë kanë miratuar sanksionet kundër Iranit, pa marrë parasysh këtë dinamikë të mundshme. Këtë e tregon fakti se anijet luftarake britanike dhe franceze kanë shoqëruar aeroplanmbajtësen amerikane, Abraham Lincoln, ndërsa po kalonte ngushticën në Gjirin Persik, duke sfiduar haptas kërcënimet e Teheranit. Duket qartë se shtetet e BE-së, sidomos ato të dy me aftësitë më të mëdha ushtarake, janë të vetëdijshëm për pasojat e mundshme të embargos dhe janë të gatshëm për t’i përballuar ato. E gjithë kjo sugjeron se Bashkimi Europian, pavarësisht fatkeqësisë ekonomike që po përjeton, po kalon një lloj "pranvere" në politikën ushtarake. Ata që në të kaluarën e kanë quajtur një depo të kotë të politikanëve të paaftë për të vepruar, do të bënin mirë të mendoheshin përsëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora