Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrëfen Prof .Dr. Hysen Çobani mbi jetën dhe veprimtarinë shkencore të mjeshtrit të pemëtarisë, Abedin Çiçit

| E premte, 10.02.2012, 07:57 PM |


Ja pse ka dalë thënia proverbiale se Dhaskal Todri kishte alfabetin; Abedin Çiçi fidanët

 

Nga Albert ZHOLI

 

Para disa kohësh në sallën e Akademisë së Shkencave, u organizua një takim jubilar me rastin e 100-vjetorit të lindjes të agronomit, mjeshtër të bujqësisë, Abedin Çiçi. Atë e hapi kryetari i Akademisë, Prof.Gudar Beqiraj dhe më pas e morën fjalën referues dhe diskutantë të ndryshëm, të cilët një pjesë e mirë kanë qenë bashkëpunëtorë dhe nxënës të tij. Të gjithë në një zë folën për vlerat e jashtëzakonshme të këtij personaliteti, vlerat e tij dhe ndihmesën që ai ka dhënë në progresin agrar të vendit.

Një prezantim të shkurtër mbi njohjen tuaj për agronomin e shquar Abedin Çiçi?

Në këtë tubim të organizuar me rastin e 100 -vjetorit të lindjes të njeriut të thjeshtë, të heshtur, fjalëpakë, agronomit të lindur, Abedin Çiçit, më lejoni të them dhe unë disa fjalë, si nxënës i tij, si koleg i tij, si admirues i tij, i personalitetit dhe i veprës së tij, e cila si radhë herë shtrihet në një periudhë të gjatë kohore mbi 80-vjeçare. Sigurisht fjala ime do të ketë karakter edhe pak intim për vetë rrethanat që më lidhin me këtë njeri që pak është dukur nëpër presidiume, por që ka bërë kaq shumë për vendin e tij sa me plot gojë mund të quhet “RILINDAS“, në fushën e shkencave bujqësore, megjithëse këtë emër kultura shqiptare e ka rezervuar vetëm për njerëzit e gjuhësisë e të artit. Ai ka vdekur por vazhdon të punojë.

Ku u emërua pas studimeve dhe puna e tij si specialist?

Në vitin 1934, fill pas mbarimit të shkollës teknike në Tiranë dhe specializimit në Itali, ai emërohet për herë të parë si drejtor i fidanishtes së Laprakës. Brenda 4 vjetëve fidanishtet bija që u projektuan e u krijuan nënë drejtimin e tij në Peshkopi, Korçë, Kukës, Kavajë, Fier, Libohovë, Borsh, etj ; u arrit të prodhoheshin mbi 1.5 milionë fidanë në vit. Kjo bëri që t’i thuhej “stop” importit. Për rrethana të njohura politika pro-italiane e kohës hakmerret. Në vitin 1938 Ministria e Bujqësisë tenton ta zëvendësojë me një drejtor italian dhe e pushon nga puna. Nga ky akt i paprecedent merr shkak zemërimi i punëtorëve të fidanishtes që ka hyrë në histori me emrin revolta e Laprakës. Por forca progresiste të administratës së kohës ditën ta mbrojnë. Ai emërohet si kryespecialist i sektorit të gjelbërimit pranë Ministrisë së Brendshme Kombëtare në Tiranë.

Po pas pushtimit fashist?

1939 pushtimi fashist. Ai emigron në Jugosllavi e më vonë në Greqi. Megjithëse iu krijuan kushtet për të ikur bashkë me ushtarët anglezë nga Greqia, ai iu bashkëngjit një grupi çam të internuar në Kretë e bashkë me ta kthehet në Çamëri. Në vitin 1941 kthehet në Atdhe dhe pa asnjë hezitim zë vendin që i takonte si aktivist në gjirin e lëvizjes nacional-çlirimtare pasi nuk kishte rrugë tjetër për djalin e patriotit Devish Çiçi që ishte vrarë për Atdhe në radhët e çetës së Çerçiz Topullit. Dhe nuk vonon ai burgoset si aktivist antifashist. Por burgu nuk e pengon atë të mendojë edhe në qelitë e tij si agronom. Ashtu si poetët që kudo janë poetë dhe Abedin Çiçi kudo ishte vetëm agronom. Shkruesit të këtyre radhëve i ka mbetur ende në kujtesë nga vizita në burg bashkë me gjyshen time, këpucët pa lidhëse, pantallonat pa rrip dhe vizatimet në mur me skica e skema pemëtoresh.

Pas daljes nga burgu si vazhdoi jeta e tij?

Me të dalë nga burgu ai rreshtohet në radhët e ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në Përmet ai zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist-NÇL dhe pak më vonë emërohet si shef i bujqësisë për zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër, kur të tjerët merrnin grada e tituj ushtarak. Të kësaj periudhe kemi shumë fotografi dhe ato flasin për karakterin e tij, për pasioni e tij të patjetërsueshëm agronomik. Nëse të gjithë në këtë periudhë pëlqenin të dilnin me armë në brez, Abedinin si një misionar i progresit agrar, kudo e sheh me gërshëre në dorë.

Flitet shumë për gërshërët e tij?

Gërshëra e tij është proverbiale. Ajo duhet futur në muze. Simbol i dashurisë së tij agronomike. Ajo është atje ku është Ai. Ndoshta edhe sot në këtë tubim ai atë e ka me vete. Ajo rri e heshtur në çantën e tij si një armë besnike e xheloze për pronarin e saj. Por ai nuk është simbolik abstrakt. Ai e ruan kudo e me besnikëri të padyshimtë shtegun e tij. Ai godet në shenjë me një votë kundra (ndoshta e para dhe e fundit votë kundra në historinë e të ashtuquajturës demokraci komuniste) vartësinë bujqësore nga Jugosllavia, votë të cilën e shoqëroi me një thënie që ka mbetur me vlera dhe sot : mirë bukën do ta marrim nga Serbia, po kashtën për qetë nga do ta sjellim ?! Pas viti 1945 ai është në luftë për të gjetur veten në kuadër të regjimit të ri. Fillimisht caktohet si shef i Frutikulturës në Ministrinë e Bujqësisë. Por kjo nuk vazhdon gjatë. Në vitin 1947 pushohet nga puna me motivacionin “për mungesë vullneti dhe rendiment të ulët në punë”.

Por atë e ndiqte pas një hije....

Nisën vështirësitë. Hija e shkollës teknike amerikane e ndiqte nga pas si dhjetëra nxënës të talentuar të kësaj vatre të edukatës së punës dhe patriotizmit shqiptar. Çdo lëvizje kishte vetëm një qëllim: për ta mënjanuar, zvogëluar dhe denigruar figurën e tij. Dhe ja cila ishte kronika e tij: - Punëtor krahu 1947 - Mësues në Teknikumin Bujqësor

- Agronom në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Tiranë. Dhe në vitin 1956, pas gati 9 vjetësh, më në fund atij i besohet krijimi dhe drejtimi i N.B “Gjergj Dimitrov“. Para tij sfida më e madhe e jetës. Brenda 8 vjetësh (1956-1964) ai krijoi nga hiçi 1200 ha vreshta e qindra e mijëra vreshtarë. Plantacioni më i madh në Ballkan, ndoshta dhe më gjerë. Ëndrra, pasioni, kryevepra e tij faustiane. Dilte në fushë pa lindur dielli dhe kthehej pasi errësohej. Disa herë e kanë gjetur ne fushë pa ndjenja nga mbilodhja. Pa bërë pushim prej vjetësh dhe një herë që e detyruan të pushonte në Pogradec, pothuaj se të gjithë kohën e harxhoi duke shkuar fshatrave përreth. Nuk e teprojmë nëse themi se ai në N.B “Gjergj Dimitrov” mori gradën “Gjeneral i pemtarisë shqiptare”.

Cila ishte e veçanta e këtij njeriu, sipas jush?

Ai ishte interesant në çdo pikëpamje, të cilit i shfaqi te “Gjergj Dimitrovi”. Kjo fermë në planin kombëtar kishte vlera të veçanta. Ajo ishte ndërmarrja pionier që hapi një epokë në bujqësinë shqiptare, që u ndoq më pas nga N.B.Vora, N.B.Shkodra, plantacionet e bregdetit, Ksamilit, Peshkopisë etj. Ai tregoi sesi mund të transformohet mjedisi, sesi tokat, kodrat e lëna pas dore mund të gjelbërohen, të kthehen në vende të lulëzuara, ekologjikisht të pastra e të shëndetshme. Këtej na lind e drejta të quajmë Abedin Çiçin jo vetëm një agronom të madh, por edhe një ekologjist të madh.

Tani populli e ndiqte atë pas kudo që shfaqesh. Atë nxënësin e talentuar të Harri Fullcit të madh dhe Profesor Moretinit. Agr.Abedin Çiçi tashmë është kthyer në simbol. Emri i tij kishte marrë dhenë. Ai ishte afirmuar si: Agronom projektues - Agronom zbatues - Agronom administrues - Agronom adoptues - Agronom koleksionues - Agronom zbulues (mjafton të përmendim Sheshin e Bardhë e Sheshin e Zi) - Agronom arkivues. Dhe mbi të gjitha agronom teknolog për disa specie, teorik dhe praktik, i shprehur në një numër jo të vogël librash, broshurash, tekstesh shkollorë, artikuj dhe përkthime voluminoze nga shumë gjuhë si anglishtja, italishtja, greqishtja, serbishtja, etj. Të gjitha këto presin një botim të plotë, si një ndihmesë e veçantë për bujqësinë dhe kulturën shqiptare, duke thyer monopolin e gjuhësisë e cila ka vlera të padiskutueshme, por kopshti i kulturës kërkon të gjitha lulet e mendimit. Por ne si gjithmonë të vonuar shkojmë drejt vlerave të vërteta, kur vdesin ata që i kanë prodhuar ose kur janë afër saj. Vetëm në fund të jetës ekologjistit dhe agronomit të madh ju dha titulli “Mjeshtri i Madh i Punës“ dhe kjo në sajë të nismës së “Klubit ekologjik“, ku ai ishte anëtar nderi.

Sot ai është i madh, i lartë, 100- vjeçar, me një kurorë me 100 degë, nëse do të flisnim me gjuhën e frutikulturës, ku ka vend për t’u ulur të gjithë ne shqiptarët, për të mësuar, për t’u ngushëlluar, për t’u frymëzuar për punë më të mira në dobi të së ardhmes kombëtare, duke i uruar edhe 1000 vjet kujtesë të gjatë, shumë të gjatë se Shqipëria ka nevojë ende për ty, për hapin tënd, për vështrimin tënd, për fjalën tënde të ngrohtë dhe shpresëdhënëse, ... se Ajo do të bëhet ..... se ka të drejtë të bëhet kur lind njerëz si ti.

Prezent në historinë shqiptare

Përveç vlerave profesionale ai sot rëndon më shumë në krahun social, nëse duam të përfitojmë nga integralja e karakterit të tij patriotik. Dhe pse ?! Ndihmesa e tij dhe ai vetë ka qenë prezent fizikisht në të gjithë historinë e Shqipërisë moderne që nga vitet ‘30-të e deri më sot. Ai ka qenë dhe ende mbetet një nga figurat qendrore të bujqësisë shqiptare dhe si i tillë do të mbetet në kohë. Agronom patriot, ky binom na duhet të funksionojë në Shqipëri, nëse duam të bëhemi qytetarë të denjë shqiptaro-evropianë.

Abedin Çiçi ishte i tillë dhe ne jemi fatlumë që e kemi pasur midis nesh. Ai ende dhe sot rron me shqetësimet tona, me dëshirat, me ëndrrat, me projektet për të ardhmen duke sfiduar harresën që përpiqet t a mbulojë atë. Sot ai është i madh, i lartë, 100 -vjeçar, me një kurorë me 100 degë, nëse do të flisnim me gjuhën e frutikulturës, ku ka vend për t’u ulur të gjithë ne shqiptarët, për të mësuar, për t’u ngushëlluar, për t’u frymëzuar për punë më të mira në dobi të së ardhmes kombëtare, duke i uruar edhe 1000 vjet kujtesë të gjatë, shumë të gjatë se Shqipëria ka nevojë ende për ty, për hapin tënd, për vështrimin tënd, për fjalën tënde të ngrohtë dhe shpresëdhënëse, ... se Ajo do të bëhet ..... se ka të drejtë të bëhet kur lind njerëz si ti.

“Gjeneral” i pemëtarisë shqiptare

Në vitin 1956, pas gati 9 vjetësh, më në fund atij i besohet krijimi dhe drejtimi i N.B “Gjergj Dimitrov“. Para tij sfida më e madhe e jetës. Brenda 8 vjetësh (1956-1964) ai krijoi nga hiçi 1200 ha vreshta e qindra e mijëra vreshtarë. Plantacioni më i madh në Ballkan, ndoshta dhe më gjerë. Ëndrra, pasioni, kryevepra e tij faustiane. Dilte në fushë pa lindur dielli dhe kthehej pasi errësohej. Disa herë e kanë gjetur ne fushë pa ndjenja nga mbilodhja. Pa bërë pushim prej vjetësh dhe një herë që e detyruan të pushonte në Pogradec, pothuaj se të gjithë kohën e harxhoi duke shkuar fshatrave përreth. Nuk e teprojmë nëse themi se ai në N.B “Gjergj Dimitrov” mori gradën “Gjeneral i pemtarisë shqiptare

Më duket se më thërrasin pemët: “Na ndihmo Abedin”!...

Njeriu mund të rrëgjohet, thinjet, mpaket e mplaket edhe brenda një dite, madje edhe për pak çaste... Rrëgjohet e merr fund nga një dhimbje tepër e madhe, nga një humbje e papritur, nga një tragjedi e papërballueshme. Sa e sa raste të kësaj natyre numërohen, tregohen, apo janë shkruar në tregime e romane! Kjo që do të tregoj më poshtë nuk është pjellë e fantazisë, as krijim artistik. Është një episod krejt i vërtetë, që ma tha një shoku im kur e kishte takuar mikun e pemëve, Abedin Çiçin, këtu e tetëmbëdhjetë vjet më parë... Abedini, të cilin e njihnin të gjitha gjeneratat e studentëve që kanë mbaruar në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, ato vitet e para të Demokracisë e pashë e pashë në gjendjen më të mjeruar se kurrë ndonjëherë. Vetullngrysur, flokëlëshuar, të këputur, të kërrusur, me sy të përvuajtur e të përlotur që pasqyronin një dramë, një dhimbje të thellë, shumë të thellë të shpirtit të tij... Një gjë e keqe i kishte ndodhur, një fatkeqësi e madhe i kishte rënë, kjo dukej qartë... M'u dhimbs. Profesori sikur ishte plakur papritmas gjatë një kohe të shkurtër që nuk ishim parë. Por mbase ishte plakur edhe natën e shkuar, atë mëngjes, pra në fillim të asaj dite nga fatkeqësia e beftë, nga hataja që e kishte pllakosur, mendova atë që thonë mjekët dhe psikologët...Megjithëse me më shume se 80 vjet mbi supe, ai të habiste me energjitë, pasionin që s'iu shuajt asnjëherë, me dashurinë e madhe për punën dhe pemët. Më një palë gërshërë për krasitje gjithmonë në xhep, me një brisk e bisturi për shartime, ai rendte çdo ditë për diku, për te një shkollë që t'u fliste të rinjve për frutikulturën; rendte për te një mik, për të dhënë një këshillë, për te një vresht apo një pemë që ka nevojë për duart e mjeshtrit. Ishte krejt normale për të që të hynte në oborrin e një shtëpie e, pa folur me njeri e pa i thënë kush, të krasiste një pemë të lënë pasdore nga të zotët. Takohej me pemët, u shërbente atyre, i ledhatonte e i zbukuronte, pastaj kujtohej për njerëzit... Dhe ai kishte miq të panumërt në Tiranë e nëpër fshatra. Të gjitha këto punë e mirësi pa shpërblim, i jepnin atij një kënaqësi të pakufishme, por edhe një hir djaloshar. Ndaj dhe ishte krijuar përshtypja se vitet bënin në vendnumëro për të. Kurse tani, ai shikonte se si shkatërroheshin plantacione të tëra, se si priteshin dhe digjeshin dhe fironte në shpirt çdo ditë. Ne mbaruam, Abedin, kurse ti bën sehir!...Kështu u plak e u mpak deri sa vdiq, më shumë nga marazi...

“Hidhmëni dhe mua në det bashkë me fidanët”!...

Dhjetor 1933. Në mes të ujëdetit të ftohtë e plotë shi, një djalë shqiptar pas një viti specializimi në Itali, kthehej me anije nga Ankona për në Atdhe. Natën, para se udhëtarët të flinin kontrollori i anijes dallon një ngarkesë me fidanë frutorë të hedhur diku në një anë. Pasi dokumentacioni e gjeti të parregullt urdhëroi që të hidheshin në det. Djaloshi flokëverdhë pa bërë zë i pushtoi fidanët me krahët e tij dhe me një zë të vendosur i thotë inspektorit : “Hidhmë bashkë me fidanët dhe mua në det”. Italiani i mirë, i çuditur nga qëndrimi i këtij udhëtari iku pa i dhënë përgjigje dhe nuk u kthye më në atë cep të anijes ku vazhdonte të rrinte roje në mes të shiut agronom Abedin Çiçi, për të cilin jemi mbledhur sot afro 80 pas kësaj ngjarje mbresëlënëse. Paralelizëm shumë domethënës para 140 vjetëve (nga 1933) vinte në Shqipëri një atdhetar i madh, Dhaskal Todri dhe tani Abedin Çiçi. I pari me shkronjat e alfabetit, i dyti me një koleksion drufrutorë modern e të panjohur nga pemëtaria shqiptare. Dy objekte të ndryshme në dukje, por të frymëzuar nga e njëjta ndjenjë, dashuria për Atdheun, ari i së cilës nxirret vetëm nga zemrat e atdhetarëve. Dhe zemra e Abedin Çiçit është një minierë që ka 100 vjet që prodhon këtë ar dhe nuk po shteron, sepse ai nuk ka qenë kurrë një patriot deklarativ, por aktiv e konkret. Jeta e tij e thotë, puna dhe vepra e tij e dëshmon.