Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatime Kulli: Duke udhëtuar në truallin e lirikave të Shpendi Topollajt...

| E enjte, 09.02.2012, 07:36 PM |


Duke udhëtuar në truallin e lirikave të Shpendi Topollajt...

 

Në duart e mia unë kam zjarrin

 

Nga Fatime Kulli

 

1.

 

E njoh mirë të gjithë krijimtarinë letrare të Shpendi Topollajt. Arti që lëvron ai është shumë zhanresh, ku nuk mund të ndaj Shpendin tregimtar, romancier, apo kritikun nga Shpendi poet. Më kujtohet një thënie e poetit Konça Sardojës, që thoshte: “Të qënurit poet e detyron t`i mprehë shqisat, t`i hapë në kanatë dritaret e shpirtit e të mendjes, t`i ngulë këmbët paq në truallin ku shkel. Shpendi tashmë e ka “zaptuar” këtë truall poetik me talent, me punë, dije e kulturë shumëdimensionale.

Hyj në truallin poetik të tij dhe e kundroj me ëndje, e lidhur ngushtë me krahët e dëshirës dhe mendimit lëvizës; poete - lexuese. Shëtis në kopshtin poetik, këpus lulet e poezisë Topollajane, t`ia përcjell lexuesit aromën njerëzore – poetike. Edhe në skutat e padukshme të poezisë, shkëlqen drita e artit që kullon dashuri.

Vëllimi poetik “Magjistari i dashurisë”, ka “pushtuar’ lëndinën e letërsisë shqipe dhe pa asnjë fije xhelozie citoj vargjet e Uollt Uitmanit:

“Ti më shpreh veten time më mirë nga sa mund ta shpreh unë vetë;

Ti më je më afër zemrës

Nga ç`më është vjersha ime”.

 

2.

 

Poezitë e këtij libri në tërësi kanë karakter substancial - refleksiv. Komunikimi i poetit zhbirilon anët e errëta të dhembjes njerëzore dhe i ngre ato në art, duke ndërtuar portretin e Unit të tij. Forma e jashtme e poezisë derdhet e shkrihet në përcaktimin e formës së brendshme, që është e lakueshme për ritmin e muzikalitetin e këndshëm në një vepër arti. Poezia e Shpendit është një poezi e vetëdijes të qëllimtë, kundra qëllimit në vetvete.

Poeti ndërton boshtin e poezive, spontanisht, fuqimisht pa pasur frikë nga luhatjet e murit të ftohtë, të vjetëruar nga lagështira e Piramidës vibruese në letërsi.

Shpendi Topollaj është poet i ngrohtë, të ndjell dëshirën për t`u dashuruar me të bukurën, me idealen, me të përsosurën. I respektoj të gjithë ata poetë që investojnë nga shpirti i tyre për të krijuar art, por jo të gjithë e kanë “fatin” të kenë në mendje gjilpërën e talentit, të qëndisin artin e kërkuar.

Në sitën e shijeve të mia për poezinë (midis dhjetëra poetëve, që gjunjëzohem para vlerave të tyre), do të veçoja edhe Shpendi Topollajn.

Gjilpëra e shpirtit poetik, qëndis hijshëm magjinë e vlerave artistike. Shpendi është arkitekt i gjendjes poetike, ku me tingullin e brendshëm i këndon ndjenjave njerëzore. Me zërin e tij origjinal na imponohet, duke na përndezur edhe ne si lexues të këndojmë këngën e Shpendit, simbol i shpendit grabitqar, që me poezinë e tij na “grabit” zemrat, duke na kthyer në robër të poezisë.

Një fakt “flagrant” e gjejmë në këtë vëllim, ku miqtë e Shpendit kanë shtruar në tapetin e respektit, vlerësimit, mirënjohjes për poetin, poezi vetëm për poetin njeri, si B.Agasi, M.Gjergji, Y.Nurka, R.Gole, V.Bejko e A.Bajrami, e të tjerë.

 

3.

 

Poezitë e Topollajt, rreken të ndihmojnë gjendjen shpirtërore – morale të shoqërisë sonë, ku individi s`tërhiqet nga veset, herë të mbartura si mendësi e vjetër, e herë të pjella nga gjendja e tranzicionit të gjatë social – politik.

Shqetësimet e poetit gërryejnë me penë të hollë ligësitë, gjurmët e hirta që shkelim përditë, duke skalitur me mjeshtëri, guxim e qytetari një vepër arti.

Dhe kjo vepër gdhend një personalitet poetik: Shpendi Topollajn.

Edhe kur fijet e nervave poetike janë gati në këputje të emocionit, poeti hyn në gjendjen e artit tolerant e human. E lufton të keqen me armën e penës. Një situatë të tillë e hasim tek poezia “Me ty o botë luftoj”. Shqisat e poetit prekin mprehtësisht çdo situatë të errët, duke sintetizuar në dritë dhembjen e lindjes së vargjeve. Me mençuri e shpirt i lartëson ato në qiellin e letrave shqipe. Veçoj në këtë vëllim poezitë “Ironia e moshës”, “Dinjiteti”, “Na lodhi errësira”, “Nuk na mençuron dajaku”, ku dhembja e poetit është dhembja e njerëzve të thjeshtë.

Duke shëtitur në kopshtin poetik “Magjistari i dashurisë”, ndalem me vetëdije tek poezia “Sa vjet”, ku poeti përpëlitet në agoni, duke përjetuar një gjendje mosmirënjohëse të vetëekzistencës së tij. Sinqeriteti dyluftimit me gjendjen e egërson poetikisht poetin, duke kërkuar krahët e durimit ta degdisë në botën ireale, për të gjetur qetësi.

Duke udhëtuar butësisht në truallin e lirikave topollajane, nuk mund të harrojmë se jemi njerëz dhe duhet të jetojmë, punojmë, dashurojmë si njerëz të qytetëruar. Në poezitë “Pse kjo torturë?”, “Fjalët e fundit të poetit”, “Kur dikush shpifi për mua”, “Pse kështu?”, në gjendjen poetike përplasemi, rrëzohemi e sërish ngrihemi emocionalisht në shkallët e mençurisë së poetit, që di të “gatuaj” tharmin e gjendjes poetike, di të luaj me fjalët dhe me emocionet.

Shpendi nuk është skllav i emocioneve, pasi ai është poet me shpirt të madh, që rrezaton gjithnjë mirësi e potencial vlerash. Këtë rrezatim vlerash poeti e pasqyron tek poezitë kushtuar dy gjigandëve të letërsisë shqiptare dhe botërore, të Lasgushit e Gëtes. Poezi të shkruara me ndjenjë, me dashuri, me mirënjohje të thellë si poeti poetit.

 

4.

 

Poezitë e Sh. Topollajt janë si pëlhurë e mëndafshtë dhe të ledhatojnë me lirizmin burimor që rrjedh i freskët, i ëmbël, gurgullues.

Substanca poetike është thelbi i ujdisjes së fjalëve në Universin poetik. Burimi i poezive të deh me kompozimin shpirtëror të poetit, si afresk pulëbardhe në shtegtimin e qiellit të pathyeshëm të poetëve.

Tek burimi i poetit Topollaj, shkon me dëshirë për të larë mëkatet, sikurse shkojmë në kishë për t`i rrëfyer e falur ato.

Tek burimi “Magjistari i dashurisë” shkojmë të zhveshim lëkurën e veseve, të smirës, të urrejtjes, të shqyejmë lëkurën e hakmarrjes dhe mbathim këpucët e arta të dashurisë.

Në këtë burim poetik të ndizet etja për të pirë flladin esencial të vetë jetës.

Vëllimi poetik “Magjistari i dashurisë” është lidhur pazgjidhshmërisht në buzë lakonike dhe këndon këngën e poetit, që do të këndohet sot edhe nesër. Do të këndohet gjatë si kënga e Naimit, Mjedës, Migjenit etj.

Shpendi Topollaj është dishepulli i tyre në konservatorin e fjalës artistike.

Po e mbyll këtë ligjëratë me një mendim të poetit spanjoll Migel Ernandes, mbi konceptin për poetët dhe poezinë: “Ne poetët jemi erë e popullit; lindemi për të kaluar duke fryrë nëpër poret e tij dhe për t`ia shpënë sytë e ndjenjat drejt kulmesh më të bukura.

E sotmja, kjo e sotme pasioni, jete, vdekjeje na shtyn me një vrull të papërmbajtshëm mua, ty, dhe të tjerët drejt popullit. Dhe populli i pret poetët me vesh e shpirt ngrehur përfund çdo shekulli”.