Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Baballarët

| E merkure, 08.02.2012, 08:13 PM |


Resmi Osmani

 

Tregim

 

Baballarët

 

Fshati ynë ishte rrëzë kodrës,pas së cilës shtriheshin në varg malet. Ndën të rridhte lumi që në dimër harbohej e shkumëzonte sa të shtinte frikën, ndërsa në verë kthehej në një rrëke sa mezi pinin ujë gjëja e gjallë. Shtëpitë e rrethuara me kopshte ishin të zhytura në gjelbërimin e pemëve dhe pjergullave të qepura në lisa. Në vjeshtë zienim rakinë dhe vilnim arrat, ftonjtë dhe shegët, thanim fiqtë dhe hidhnim zahirenë per dimër.Toka e bukës ishte e pakët, më së shumti ca brezare të gjera të mbrojtura me mure guri, në fundin e ledheve ishin mbjellë erekët e hardhive. Po ishim të pasur në kullota që shtriheshin pllajave gjer lart në male,lulëzonte trifili e trëndelina. Begatia e fshatit tonë ishin bagëtia e imtë. Tufa jonë ishte me afro njëqind krerë. Me qengjat që shiteshin në qytet,leshin e deleve dhe bulmetin, sidomos djathin që ishte me nam në tërë krahinën, mbylleshin një pjesë e halleve dhe sigurohej bereqeti dhe gjithçka tjetër që i duhej një familjeje të madhe. Për tufën e deleve kujdeseshim të gjithë, ishim pesë vëllezër.Derisa dilnim nga shkolla me to merrej babai,pastaj shkonim dhe e ndërronim ne.

Krenaria e tufës sonë ishte dashi: madhështor, me brirë të spërdredhur,këmbë gjatë dhe leshi i dendur e i gjatë, i varej deri në tokë. Hundë krrut, me një blanë të zezë, që i niste nga sytë e bukur, deri  mbi buzë. Në qafë i varej këmbora, që thoshin se gjyshi e kishte blerë në Janinë. Tingulli i saj ish i veçantë dhe dallohej që larg, nga zilet dhe këmborët e tjera. Ai i printe kopesë, gjithmonë në krye. Ishte dash luftëtar, nuk linte tjetër t’i afrohej kopesë sonë. E kishim rritur që të vogël, e mësuam ogiç , na ndiqte pas, lozte me ne, hante bar nga dora jonë dhe lëpinte kripën. U rrit nga qengj në milor, e pastaj dash i vërtetë. U madhua e u zbukurua në sytë tanë ,u bë si pjesëtar i shtëpisë! Me të ne u mburreshim shoqërisë dhe barinjve të fshatit tonë dhe atyre rrotull dhe nami i tij e kaloi atë të fshatit dhe kur dilnim në meratë e malit, shumë nga barinjtë që kullosnin tufat e tyre, vinin dhe e shihnin. Ne mburreshim dhe lumturoheshim.

Atë ditë qershori,pasi ishte mbyllur shkolla për pushimet verore, me dhentë isha unë dhe im vëlla  Neshati. Tufat e tjera u larguan për të mrizuar edhe ne i mblodhëm tonat për t’i çuar në hije,poshtë lisave. Teksa po u grahnim,Neshati më pyeti i shqetësuar:

-Po dashi,ku është?

-Shiko se aty do të jetë.

Këmbora nuk dëgjohej dhe dashi nuk dukej midis tufës. Dashi nuk ishte. Sa s’na ra pika,po një mëndje na thoshte se mos kishte hyrë në ndonjë tufë se ishte koha që delet ndërzeheshin dhe ai çapkëni , i  ishte qepur ndonjë bejke.

Neshati,që ishte më i madh nga mua, më tha:

-Ti qëndro me dhentë se unë po dal të kërkoj.

Ashtu e bëmë.

Mëndjengritur, prita se mos kthehej Neshati me dashin për dore. Kur ra vapa, i nxora dhentë në kullotë. Neshati u kthye ndaj të perënduar të diellit, i lodhur e i dëshpëruar. Kishte shkuar tufë më tufë,kishte pyetur,ishte lutur,por i thanë se dashin nuk e kishin parë. Po ta kishin parë,ata e njihnin.

Nxora nga trasta një pagur me dhallë,djathë dhe një copë çyrek. Më kishte marrë uria,por prita që të kthehej  im vëlla. Ai nuk hëngri. Piu vetëm pak dhallë se i ishte tharë buza.

-Si i bëhet hallit, ku të vemi e të mbytemi nga babai?-thashë unë.

Neshati nuk fliste. Diç bluante në mëndje, por mua s’më tha gjë. Në mbrëmje vumë përpara tufën dhe u kthyem në shtëpi. Mbyllëm dhentë në shtrungë, por këmbët s’na bënin për të hyrë brenda. Babai na priste te porta. Kur u afrova, mua s’mu mbajtën lotët dhe u ngashëreva.

-Ç’është ky të qarë, me cilë keni bërë sherr?

Nuk iu përgjigja menjëherë. Nuk guxoja. I trëmbesha qortimeve. Në ndihmë më erdhi Neshati.

-Baba- i tha ai- Na ka humbur dashi.

Babai nuk foli . Ai fliste pak. Vetëm kur duhej, ndaj fjala e tij peshonte e zinte vend.

-Mos u mërzitni, do të jetë përzier me ndonjë tufë tjetër. Do ta gjejmë. Dashi s’është si gjilpëra që të humbasë në kashtë!

-E kërkova gjithë ditën , tufë më tufë. Askush nuk e kishte parë dhe nuk e gjeta dot.

-Hajdeni, hyni brenda, pa do ta gjejmë nesër,- tha babai.

Nga lodhja dhe mërzia, më zuri gjumi sa vura kokën në jastëk. Sa zbardhi dita, më doli gjumi. Zgjova dhe Neshatin. Me ne do të vinte dhe Petriti, vëllai i madh. Bëheshim tre. Tufa pa dashin përçor, na dukej e shkretë, si pa zot e pa bukuri. Vëllezërit shkuan të kërkonin, unë mbeta me tufën, tok me Balon që s’më ndahej. Pasi kërkuan gjithë ditën, vëllezërit u kthyen.

-Ku nuk kërkuam dhe ku nuk na shkoi mendja-tha Petriti- Përrenjve, shpellave e guvave, se mos gjenim ndonjë shenjë: një tufë lesh, ndonjë gjurmë gjaku po ta kish shqyer bisha, por asgjë, sikur ta ketë pirë dheu!

Kishte kaluar muaji dhe ne i kishim humbur shpresat, kur në pllajën e madhe të kullotës, fare në krye, pashë në tufën e një fshati fqinj,mes deleve, dashin tonë. S’u besova syve. Shquhej që aty tej  se ishte kërci gjatë, i lartë dhe gjoksgjerë me brirët e spërdredhur. E kishin qethur, ia kishin hequr këmborën dhe në shpinë i kishin bërë një shenjë  me bojë të kuqe, si gjithë deleve të tufës së tyre,që të mos ngatërroheshin. Shtanga nga habia dhe gëzimi sa m’u mbajt fryma. Iu afrova,e thirra me emër,më njohu dhe u afrua. Nuk më kishte harruar! U ula më gjunjë dhe e përqafova si të ishte robi i shtëpisë sonë, e putha te baliska dhe ndjeva erën e lerës së leshit. Ndërsa  ne po çmalleshim, u afruan tre barinj më të mëdhenj nga mua.

-Ore , torollak, ç’i bën dashit.

U ngrita dhe i pashë. Kishin mendje të keqe. Në duar shtrëngonin kërrabat. I njihja. Ishin djemtë e Myrto Selfos nga Guraziu.

-Është dashi ynë- u thashë,

Ata u gajasën së qeshuri, thanë mos shihja ëndrra me sy hapur, pastaj më shanë me ca fjalë të ndyra, më shtynë duke më kërcënuar me kërrabat e tyre.

-Ikë po nuk do që të ndërsejmë qentë që të të shqyejnë. Mos lakmo gjënë e tjetrit vetëm se të bëjnë sytë. Pashë  çpashë, nuk  ua dilja dot. Vura tufën përpara dhe u ktheva në shtëpi.

U rrëfeva gjithçka.

-Me hir apo pa hir, ne do të vemi ta marrim dashin-tha Petriti.

Thirrëm edhe djemtë e xhaxhait dhe u bëmë një çetë e vogël. Njeri nga djemtë e xhaxhait, Skënderi, mori edhe pushkën që e mbushi me fishekë. Ne të tjerët u armatosëm me sëpata dhe kosore dhe ashtu të trimëruar e të zemëruar u nisëm. Sapo kishim dalë nga porta, hasëm babanë, që me mushkën për kapistre, po kthehej nga mulliri,  ku kishte bluar një barrë misër.

Sa na pa, ngrysi vetullat kaleshe, që i kishte si driza dhe na pyeti:

-Për ku kështu,o trima?

-Gjetëm dashin. Është në tufën e Myrto  Selfos nga Guraziu. Nuk na e dhanë me të mirë,do shkojmë ta marrim me dhunë. Ta shohin se me cilin kanë të bëjnë!

-Budallenj- Tha babai- do shkoni të vriteni për një dash? Kthehuni në shtëpi! Asgjëkund nuk keni për të vajtur. Kaq ishte puna juaj. Mjaft që e dini ku është. Mbajeni mend: malli nuk duhet të hajë kokën, se po të kesh kokën, mallin dhe gjënë e ve prapë.

Ulëm kokat dhe u kthyem. Fjala e babait nuk bëhej dysh. Nuk e dinim se çfarë do të bënte, po një gjë me siguri do ta bënte.

Të nesërmen, me tufën në kullotë shkoi Petriti, ndërsa  unë qëndrova në shtëpi, që më vonë t’i çoja drekën në stan. Aty nga ora dhjetë, dëgjova të trokitura në portë dhe shkova të shihja kush ishte. Prapa portës qëndronte një burrë i bëshëm.

-Në shtëpi e ke babanë o trim?

I thashë po. Ai hyri pak si me droje dhe më porositi t’i thosha tim’eti se kishte ardhur Myrto Selfua nga Guraziu. Babai që kishte dëgjuar trokitjen e portës, doli nga shtëpia, u përshëndosh me mikun dhe e ftoi brenda.

-Rrimë më mirë jashtë se bën freskët- tha miku.

-Si të duash - i tha babai.

Nëna nxori dy postiqe dhe ata u ulën në sofat. Aty pranë u ula dhe vetë, po babai më hodhi një shikim të ashpër dhe unë u ngrita. U ula te pusi,nën hije të manit,ndonjë njëzet hapa më tej. I kisha përballë, i shihja mirë, por nuk dëgjoja dot bisedën që do të bënin. Më pas, nëna u çoi për të gostitur mikun dy kupa raki.

I kam  në sy si sot: të dy trupmëdhenj,  me lëvizje të ngadalta, të rëndë,    ngurtë  si  dy krepa të shkëputur nga shkëmbinjtë. Të veshur me setra e jelekë shajaku të zi, fanella të leshta, të bardha, këmishë mëngëgjera dhe mesin të shtrënguar me brez. Në kokë qylafë pellushi. Mustaqet e mëdha, të varura dhe vetullat e kërleshura, i bënin  hijerëndë, si të dalë nga përrallat. Lëvizjet i kishin të matura. Qëndronin  të mendua. Nderonin radhën e fjalës. E dija, që fjalët, para se ti flisnin i peshonin, i matnin me kutin e mençurisë e me shumë maturi, që të mos lëndonin njeri tjetrin. Babai, nxori nga xhepi i xhamadanit kutinë e duhanit dhe ja zgjati mikut. Ai e falënderoi me dorë në zemër dhe ngadalë,pa ngut, mbushi çibukun. Atë bëri dhe babai.Vuri eshkën mbi strall dhe i dha zjarr me shkëndijat e masatit. Ermirimi i e eshkës erdhi gjer tek mua. Thithën çibukët. Shtëllungat e tymit u mbuluan fytyrat dhe fjollat, u ngjitën përpjetë si ca fasha mjegulle. Tymosnin mendueshëm duhanin. Tymosnin, por mendjen kushedi ku e kishin dhe çfarë bluanin në ato kokat e thinjura. Ashtu të ngurtë, të heshtur, tymosën çibukët e parë. Pa fjalë. Miku, nxori kutinë e tij dhe ia zgjati babait. Pasi e falënderoi, edhe ai me dorë në zemër, mbushi çibukun. Nga çibukët, tymi delte fjolla-fjolla, spërdridhej dhe përhapej në erë. Ishte si një ritual i shenjtë, i kuvendit të dy burrave, që e nderojnë shumë sho-shoqin dhe vënë në bisedë, një kod të lashtë, të trashëguar brez pas brezi nga etërit e tyre.

I pari foli babai. Fjalët nuk arrija t’i dëgjoja. Fliste ngadalë, shtruar, qetësisht. Miku e dëgjonte fytyrë tendosur dhe herë pas here, tundte kokën në shenjë mirëkuptimi.  Nganjëherë, si i zënë ngushtë, ngrinte supet. Biseda, atje në sofatin e shtëpisë, nën strehë, nuk zgjati shumë. Pas babait tonë, miku, babai i djemve, barinj që kishin në tufën e tyre dashin tonë, foli  më pak . E dija, në mes tyre, në fjalët e thëna ishte në peshë nderi i burrit. Babai na thoshte se  po të të cenohej nderi, ishte si të të vrisnin, si të vdisje, se bëheshe gazi i botës,këtë një burrë nuk mund ta duronte. Ishte në peshë e vërteta, se një burrë nuk mund të gënjente dhe këto i vuloste  betimi në zot, që ishte i vërtetë dhe i rëndë si vdekja.

Në fund të bashkëbisedimit, kthyen kupat e rakisë,  tokën duart dhe u përqafuan. Babai e përcolli mikun siç e donte zakoni, jashtë portës, deri në krye të rrugicës dhe u kthye. Ishte si gjithmonë i vrejtur e hijerëndë. Vdisja nga kërshëria të dija se çfarë kishin biseduar, por nuk guxoja të pyesja. Vetë ai nuk na tha gjë.

Të nesërmen në mëngjes, nga porta e hapur, hyri njeri nga djemtë e Myrtos. Tërhiqte nga litari dashin që i shkonte pas, ai e dinte rrugën e shtëpisë. Dashin nuk na e dha neve. Kërkoi Babain. Kur ai erdhi, djali i tha:

-Ke të fala nga im’atë. Prura dashin e humbur- tha dhe  nga një trastë leshi, nxori këmborën e madhe dhe ia dha babait. Pa folur tjetër fjalë, i skuqur në fytyrë dhe i turpëruar nga zori iku me të shpejtë. Babai u soll me të si të mos kishte ndodhur gjë.

E përqafuam dhe e përkëdhelëm dashin si të ishte një nga pjesëtarët e shtëpisë, që kishte ikur prej kohësh. Na kishte munguar shumë.

Edhe tani që jam bërë vetë baba, e kujtoj shpesh këtë ndodhi, sa herë që kam për të marrë një vendim. Kështu i zgjidhnin punët mençurisht baballarët tanë.

Tiranë,më 07.04.2011.