E enjte, 28.03.2024, 06:36 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Defansiva e faktorit politik Shqiptar në Maqedoni

E marte, 07.02.2012, 07:58 PM


Defansiva e faktorit politik Shqiptar në Maqedoni

 

Nga Xhelal Zejneli

 

Strategjia e Gruevskit është: të shkaktojë defansivën e politikës shqiptare. Pra, në një anë i kemi: kërkesat e faktorit politik shqiptar; në anën tjetër i kemi vendimet nacionaliste maqedonase, me përmbajtje antishqiptare. Faktori politik shqiptar, i ballafaquar me vendimet nacionaliste të VMRO-së, tanimë ndodhet në dy fronte: e para, të realizojë kërkesat politike të shqiptarëve; e dyta, të mbrohet prej vendimeve nacionaliste maqedonase. I dobët për të luftuar në dy fronte, faktori politik shqiptar, tërhiqet nga njëri front – ai i realizimit të kërkesave të shqiptarëve dhe kalon në defansivë, për t’u mbrojtur nga vendimet nacionaliste, unitariste dhe monoetnike maqedonase. VMRO-ja, jo vetëm që nuk realizon asnjë kërkesë të shqiptarëve, por imponon vendime antishqiptare. Shqiptarët sot, nuk janë në situatë të kërkojnë apo të realizojnë të drejta, por ndodhen në një situatë kur duhet të mbrohen nga politika nacionaliste antishqiptare e VMRO-së. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar, ndodhet në defansivë, përkatësisht në mbrojtje. Por, kjo nuk përfundon me kaq. Faktori politik shqiptar, është i dobët, jo vetëm për luftë në dy fronte. Ai tregohet i dobët për të luftuar, madje edhe në një front të vetëm – në atë të mbrojtjes. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar sot, nuk është as në sulm, e as në mbrojtje. Ai qëndron pezull, pa peshë, pa ndikim dhe pa rol politik. Në frontin e parë, faktori politik shqiptar nuk ia del t’i realizojë kërkesat e shqiptarëve. Në të dytin – nuk ia del t’i refuzojë vendimet nacionaliste maqedonase. Nga kjo del se, faktori politik shqiptar sot, është i papërfillur. Relativizmi i peshës së faktorit politik shqiptar shkaktohet në shumë mënyra, si për shembull: duke shkaktuar ndër partitë politike shqiptare zënka të ashpra – jo për ideologji, por për pushtet, pa pushtet; duke dobësuar opozitën shqiptare, në të gjitha mënyrat; duke përfshirë në qeveri edhe partinë shqiptare – humbëse të zgjedhjeve; cilësdo parti shqiptare, që hyn në qeveri, të mos i realizohet asnjë kërkesë politike; për ta amortizuar dhe për ta asnjanësuar reagimin eventual të faktorit politik shqiptar, të pranohen - në mënyrë fiktive - vetëm ca kërkesa të tij, edhe atë vetëm në rrafshin kulturor; personat, ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar procese “gjyqësore”, të dënohen me dënime drakonike; duke marrë vendime antishqiptare dhe duke i imponuar ato, pa e përfillur faktorin politik shqiptar.

 

Në këtë mënyrë: faktori politik shqiptar, do të diskreditohet, do të komprometohet dhe do të degradohet; do të zhvlerësohen arritjet e luftës së 2001-shit; dhe do të rikthehet koha e para 2001-shit. Qëllimi i VMRO-së është: Të diskreditojë luftën e 2001-shit, ta komprometojë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe ta zhvlerësojë Marrëveshjen e Ohrit. Me këtë strategji të VMRO-së, faktori politik shqiptar në Maqedoni, jo vetëm që s’është në ofensivë, por s’është as në defansivë. VMRO-ja synon PPD-izimin e faktorit politik shqiptar.

 

Faktori politik shqiptar ndodhet në krizë të thellë. Si rrjedhojë, në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve vihen: organizmat e shoqërisë civile, mediumet, gazetarët, analistët politikë dhe inteligjencia shqiptare. Ndodh njëfarë homogjenizimi i shoqërisë shqiptare. Politikat e Gruevskit dhe të VMRO-së janë irracionale. Energjitë e shqiptarëve sot, nuk harxhohen për të realizuar kërkesa kombëtare, por për t’i refuzuar vendimet nacionaliste dhe arbitrare të VMRO-së. Shqiptarët janë vënë në pozicion mbrojtës. Politika e VMRO-së diskrediton edhe faktorin ndërkombëtar. Të huajt nuk duhet të rijnë duarkryq para këtij irracionalizmi dhe nacional-romantizmi të VMRO-së. Politika e VMRO-së prek edhe në ndërgjegjen e qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës. Edhe politika konstruktive e tyre në rajon, e ka një kufij, përtej të cilit nuk mund të shkohet.

 

Gjatë zbatimit të politikës nacionaliste, retrograde dhe anakronike, VMRO-ja shfrytëzon: dobësinë e faktorit politik shqiptar në Maqedoni; tolerancën e faktorit ndërkombëtar; dhe politikën konstruktive të qendrave politike shqiptare – Tiranës dhe Prishtinës. Për ta defokusuar vëmendjen e shqiptarëve prej kërkesave politike të tyre primordiale dhe historikisht të justifikueshme, VMRO-ja trillon probleme të paqena:

 

Njëherë lanson gënjeshtrën për prejardhjen etnike të Nënë Terezës dhe i shtyn shqiptarët që muaj të tërë të merren me këtë çështje. Pra të harxhojnë kohë dhe energji për çështje të trilluara. Pas kësaj, nacionalistët maqedonas, lansojnë një gënjeshtër tjetër – atë për prejardhjen etnike te nënës së Skënderbeut. Shqiptarët përsëri detyrohen të lënë mënjanë kërkesat e veta politike dhe me muaj të tërë do të merren me këtë gënjeshtër të radhës. Pasi të përfundojë efekti i këtij trillimi, pushtetarët e VMRO-së do t’i sulmojnë viset shqiptare, siç ishte rasti i Brodecit. Natyrshëm, përsëri shqiptarët do të duhet të merren një kohë të caktuar me çështjen e sipërthënë. Pasi të përfundojë ky sulm, do të pasojë procesi politik ndaj të arrestuarve, proces ky që do të përfundojë me dënime drakonike. Pasi të shqiptohen rreth 200 vjet burg, për shqiptarët do të riaktualizohet një çështje tjetër – ajo e Sopotit. Natyrshëm, shqiptarët do të merren edhe me tragjedinë e sopotasve të dënuar. Pasi të bjerrë vala e reagimeve për çështjet e lartpërmendura, prej qarqeve ksenofobike maqedonase, shqiptarëve do t’u imponohen preokupime të reja – preokupimet rreth enciklopedisë. Muaj të tërë, rreth këtij projekti antishqiptar, do të angazhohet, pothuajse i tërë populli shqiptar në Maqedoni.

 

Kësisoj arrihen disa objektiva të VMRO-së: vëmendja e shqiptarëve shpërqendrohet prej kërkesave politike, për t’u përqendruar në çështje të paqena apo të trilluara; gjatë kësaj loje, faktori politik shqiptar, me qëllim që të PPD-izohet, vihet jashtë loje, shpërfillet dhe diskreditohet para popullit të vet.

 

Pasi mbaron vala e reagimeve rreth enciklopedisë, VMRO-ja dhe Gruevski, të mbështetur edhe nga kuajt e Trojës – të inkorporuar në gjirin e faktorit politik shqiptar - lansojnë një vendim të tmerrshëm - mësimin e maqedonishtes nga nxënësit shqiptarë që në klasë të parë fillore. Edhe një herë, një popull i tërë, çohet në këmbë. Partia shqiptare, që është pjesë “e bashkëqeverisjes”, nuk ka asnjë ndikim për ta ndaluar të keqen, aty ku edhe buron – në organin ekzekutiv. Akoma pa u ulur tensionet rreth maqedonishtes, pason një tmerr, një terr dhe një ferr tjetër dantesk – Shkupi 2014. Kemi të bëjmë me sllavizimin e kryeqytetit, me mjetet financiare të përbashkëta – të shqiptarëve dhe të sllavo-maqedonasve. Kur mbaron vala e reagimeve ndaj projekteve sllave që shtrembërojnë historinë, pasojnë të ashtuquajturat dosje. Faktori politik shqiptar do të merret me dosjet muaj të tërë, do të harxhojë kohë dhe energji, partitë politike shqiptare do të kacafyten ndër vete. Kërkesat e shqiptarëve do të vazhdojnë të mbeten në plan të dytë. Sapo të harrohen dosjet, do të aktualizohet kisha në kalanë e Shkupit. Nuk ka asnjë dyshim se pas këtij projekti sllavo-bizantin, do të pasojë një tjetër vendim provokues. Tashmë, askush s’ka kohë të flasë për kërkesa politike. Politika shqiptare nuk është, as në ofensivë, as në defansivë. Ajo është jashtë loje. Në rolin e mbrojtësit janë vënë organizmat e shoqërisë civile. Sipas teorisë politike, dihet qartë se organizmat e shoqërisë civile dhe mediumet, kurrë nuk mund të paraqesin zëvendësim përkatës për faktorin politik. Por, zëvendësim akoma më i mirë është protesta e qetë mbarëpopullore, siç ishte ajo e studentëve rreth enciklopedisë. VMRO-ja është e vetëdijshme se nacionalizmi i saj i prish marrëdhëniet ndëretnike. Megjithatë, s’i bëhet vonë. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’perspektivë ka ky vend me marrëdhënie ndëretnike të çrregulluara?!

 

VMRO-ja zbaton edhe një strategji tjetër antishqiptare:

 

I largon shqiptarët nga hapësira e interesit në shkallë qendrore, aty ku ballafaqohen interesat ndëretnikë dhe detyron ata të kacafyten në hapësirën brendashqiptare. Me këtë strategji arrihen shumë objektivë si më poshtë:

 

- e para, interesat maqedonase, në nivel shteti, mbeten të pacenuar;

 

- e dyta, shqiptarët të kacafyten në hapësirën etnike të vet, duke rrezikuar interesat e njëri-tjetrit, gjë që i acaron marrëdhëniet brendashqiptare. Rrjedhimisht, konflikti ndëretnik, zëvendësohet me atë brendashqiptar.

 

Ndërmjet dy bashkësive etnike në Maqedoni – shqiptarëve dhe maqedonasve mbizotëron një animozitet i thellë. Të rinjtë maqedonas janë të helmuar me antishqiptarizëm të paparë. Nëpër stadiume ata kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët, vdekje për shqiptarët. Thonë se shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur etj.

 

Ja absurditeti: serbët, në sallën sportive të Nishit, gjatë kampionatit evropian në hendboll, në prani të tifozëve maqedonas nxjerrin flamurin grek dhe bërtasin: “Maqedonia është Serbi”. Tifozët maqedonas ndërkaq, në vend që të mbrohen prej sulmeve nacionaliste antimaqedonase serbe, kalojnë në sulm ndaj shqiptarëve, ndaj të cilëve kërkojnë vdekje dhe dhoma gazi. Krejt kjo ndodh përkundër faktit se në sallën e sipërthënë nuk ka asnjë shqiptar dhe asnjë skuadër hendbollistike shqiptare nuk është e përfshirë në atë kampionat.

 

Që absurditeti të jetë akoma më i madh, në mesin e tifozëve antishqiptarë maqedonas, ndodhet edhe kryetari i shtetit Gjorgji Ivanov, i cili arriti të vijë në këtë post me votat e shqiptarëve.

 

Në anën tjetër, kryeministri i këtij vendi N. Gruevski deklaron: “Nuk kam dëgjuar që tifozët maqedonas të kenë brohoritur parulla antishqiptare”.

 

Për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni a nuk flet edhe fakti se në ekipet e vaterpolos, të basketbollit, të hendbollit etj. shqiptarët nuk figurojnë asgjëkund?!

 

Sporti në Maqedoni financohet edhe nga mjetet e shqiptarëve, për të qenë shqiptarët skajshmërisht të margjinalizuar nga sportet e sipërthëna si dhe për t’u atakuar nga brohoritjet antishqiptare të tifozëve maqedonas.

 

Reagimet e qarqeve politike, qofshin maqedonase, qofshin shqiptare, jo vetëm që janë të zbehta dhe anemike por mbeten përfundimisht në rrafshin retorik.

 

I duhet bërë një pyetje faktorit ndërkombëtar në Maqedoni: “Ç’po ndodh me angazhimin e tyre dydekadësh për ta bërë Maqedoninë shtet multietnik me një shoqëri multikulturore?!”

 

Parulla kryesore e Josip Broz Titos ka qenë vëllazërim-bashkimi i kombeve dhe i kombësive në RSFJ. Ai thoshte: “Ruajeni vëllazërim-bashkimin si bebëzën e syrit”.

 

Por, më 1991, u pa shpejt se kjo parullë e tij, nuk ishte veçse një retorikë e zbrazët. Si rrjedhojë, Jugosllavia e AVNOJ-it u shpartallua si kullë prej letre.

 

Multikultura e faktorit ndërkombëtar në Maqedoni, për shqiptarët nuk është asgjë më tepër se vëllazërim-bashkimi i kohës së Titos.

 

Nacionalizmi i skajshëm antishqiptar i VMRO-ve mund ta çojë Maqedoninë shtigjeve të Jugosllavisë së AVNOJ-it dhe të akademikëve serbë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora