Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Kristaq Turtulli

| E marte, 07.02.2012, 07:27 PM |


Kristaq Turtulli

 

E DASHUR...

 

POEMTH

 

E dashur...

Sytë e tu kur shoh, sa herë,

Përgjatë tridhjetë vjetëve,

Tridhjetë meridianë të botës sonë,

I tërësishëm ndjehem në katër horizonte,

Të katra stinët mblidhen në një të vetme,

E plotë është Zemra ime.

 

Si një gogël mes yjeve

Hëna pulitën syrin e zbehtë,

Pastron sklepat me një kometë,

Xheloze shket si nuselale

në terr dhe shkon të flejë.

Dielli syrin nxjerr, ngroh dhe kreh qerpikë

Ne jetën jetojmë.

 

E dashur...

unë jam atje ku je ti

Dhe ti je atje ku jam unë,

në rrjedhën e trazuar të viteve moderne.

Në lëvizje dhe përpjekje është jeta jonë.

Si në tastierat e një pianoje,

Vërshojnë tingujt hapësirave të pafundme,

Në ngjitje dhe zbritje,

Në autostrada, rrugë dhe udhëkryqe.

Të larta janë notat e trenave të hekurta të javës,

Zhurmojnë tramvajet e rënda të ditës,

Trokojnë, avull nxjerrin prej vrapit kuajt e orëve.

Nota të buta, harmonike kanë dëshirat e paqme,

Të vendosura në sirtarin e komodinës

Pranë krehrit dhe pasqyrës.

 

I djersirë nxitoj dhe shtrydh pjalmin e kohës,

Më rëndon çanta prej romaneve të pashkruara.

Me vrasin gjumin personazhet grindavecë,

të qetë s’më lënë.

S’e humb toruan, më udhëheq e jotja dritë,

Kurmi yt i dredhur më dhuron qetësinë.

Unë jam dremitja, ti je ëndrra...

 

E dashur...

brenda syve të tu

Shpërthen blerimi, të çlodh freskia,

Të dehën aroma e luleve, të ngop dashuria.

Brendia

Misteri i madh e detit blu,

Zhytem dhe zbuloj mijëra korale,

Notoj tok me delfinët mes dallgëve,

nuk u shmangem uraganeve,

Shume prane eshte bregu i shpresës së mirë.

 

Kryet ngre, kap lartësitë,

Ngrihem mbi re,

Përfshij hapësirën qiellore,

Besoj se me ty Universi

Është një simfoni,

Jetën jetojmë

Unë dhe ti.

 

E dashur...

sa më thellë zhyteni

Brenda syve të mi,

Gjeni

Të parën fjalë që tu tha,

Dorën e ngrohtë që tu dha.

Gjithnjë e me tepër e kuptoni

Sa shumë të përket zemra ime.

Çiltërsia është burimore, kristalore,

Besa fisnike, burrërore.

I plotë ndjehem kur jam pranë teje

Dhe jetën jetojmë.

 

E dashur si reze  shkëlqimtare

Hyre në zemrën time,

Atë natë dimërore

Akulli shkruante të lashta hieroglifë,

Në rrugë, strehët e shtëpive

Dhe në labirintet e mendësive.

Hape çdo dritare,

Puthe çdo petale,

Shpejt u çelën sythe.

 

Ish e bukur magjepsje.

Buzëqeshe dhe agimet zgjove,

Gazmend më dhurove.

Zërat e breznive dëgjove.

Shungullimën e zvargur të shekujve.

Betimin e madh të të parëve;

Për gjuhë, komb dhe mëmëdhe.

Njëherësh shtëpinë e ëndërrimeve

atje gjete

Dhe rrugën e gjatë të vërtetësive.

 

E dashur...

Në sytë tanë,

Gëlon bota e tërë,

Shohim se çfarë ndodh nga njëri pol tek tjetri,

Prej vargmaleve Roki, të Kanadasë,

Në Alpet me borë të  Shqipërisë.

Përherë zgjuar qëndrojmë

Dhe jetën jetojmë.

 

30 janar 2012

 

 

NË ATË STOL PREJ DËRRASE…

 

Atje, në atë stol prej dërrase,

jetonte një njeri.

Stinët për të ishin mure dhe qielli çati.

Dimri i dërgonte dëborë, erë dhe shi.

I ngrirë,

i qëndronte mbi qerpik loti.

Pranvera naive i dhuronte fllad dhe këngë,

por nuk e ngrohte...

Vera, në netët shkëlqimtare

Me zemërgjerësi e mbështillte,

e çlodhte.

Nën kuvertën e yjeve,

me fshehtësi

me majat e buzëve, i dhuronte puthje.

Vjeshta finoke, si femër e pjellë, vithedalë

e mbulonte me fletë të arta,

E së bashku pëshpëritnin plot gjera të vjetra,

Në atë stol të thjeshte dërrase.

 

Në atë stol,

Midis lulishtes dhe rrugës së madhe.

Burri i pastrehë,

lahej dhe krihej në vesën mëngjesore,

Me ceremoni lidhte kravatën e ylberit,

I buzëqeshte rrezes së dritës

dhe ngrohej tek rrekëza e shpresës.

Por stinët e harruan një natë,

Nuk kishin kohë

Ishin të preokupuara me ballon e madhe.

E lanë vetëm.

Burri pa shtëpi,

Pa fjalë, pa mërzi.

Me kujdes palosi

Kravatën e vjetër të ylberit

Si jastëk e vuri

nën kokë

Dhe iku si të tjerët me erën.

Dërrasat e lagështa u drodhën, mërdhinë

Atje, në atë stol të thjeshtë...

 

Atje, në atë stol jetonte një njeri.

Dikush me pendesë një trëndafil vendosi

A ndoshta e flaku rastësisht aty.

Eh, aty,

Në atë stol të thjeshtë prej dërrase,

Midis lulishtes dhe rrugës së madhe....

 

 

Bisedë me intelektualin S. R

 

Poemth

 

Miku im flokëbardhë,

 

Cigaren e trashë ndizje tek rrufetë.

 

Flokët krihje me stuhitë,

 

Në Krishlindje shpërndaje kartolinat e dashurisë.

 

Shigjetat e hidhesive ta benë trupin plagë.

 

Shpejt harrove që përreth teje lëvrinin liliputë.

 

Falje dhe nenqeshje.

 

 

 

Miku im i thjeshtë, burrë i tre kontinenteve,

Në shpatullat e tua kacavireshin arinjtë e bardhë,

 

Flije tok ma balenat në shpellën e mirësisë

Dhe pikturoje netët polare.

 

Në metastazat e errësirës u pengove,

 

U preve

 

Në njërën prej kroseve

 

Në mesin e një autostrade

 

 

 

U drodhe dhe pëshpërite,vallë mos janë vërtet qelqe,

 

Fjalë të çartura, germa të tjetërsuara si tehe thike,

 

Prej çeliku të sertë litarë?

 

 

 

Të gënjeshtra të jenë këto rënkime

 

Që dergjen rrëpirave,

 

Të shpirtave,

 

Anës mezhdave?

 

Ju thoni se janë të vërteta, si mundet vallë,

 

Ne harkun e gjatë të një rruge?

 

Mjaft të lutem.U prapësove?

 

Oshtimat e krismave dhe të rënkimeve,

 

Ndehen në telat e tendosur të anktheve.

 

 

 

Mik, mos u dorëzo.

 

Panikun mposhte.

 

E keqe është loja e hijeve.

 

Nuk mund tu shmangesh pabesive,

 

Kur u afrohet tinëzisht Burrave

 

që janë në vrapim të ngutshëm të viteve.

 

Nën zë më pëshpërite:

 

A mundet tu shmangesh pabesive:

 

 

 

(‘Të miqve,

 

që thonë se të duan të mirën.’)

 

Si sot

 

dhe dje...

 

Dhe të kafshojnë tinzisht prapa veshëve.

 

 

 

Kapotën e rëndë krahëve hodhe,

 

Në shtegun e ylberit ece.

 

Vrull era përplasën dyer dhe dritare.

 

Akulli plasaritën asfalte.

 

Nëpër trotuare mjaullijnë mace.

 

Është klithmë e zvargur errësire.

 

Gatuar në kazanin e madh të shtrigave.

 

 

 

Mik im mos u dekurajo,

 

Mos u ligështo.

 

Vështirësitë dhe provat u shkojnë për shtat Burrave.

 

Na duhet të mësojmë,

 

Çfarë ndodh edhe këtu ku jemi,

 

Në kryqëzim të tinëzive.

 

Si shpërblim të mirësive.

 

Në mes të errësirës do lindë një dritë,

 

Do gjendet gjithnjë një shpresë

 

Edhe në shtegun më të ngushtë,

 

Të kësaj pështjellë të pakuptimte.

 

 

 

Mbushu me frymë,

 

Mos e lër trupin të mposhtet nga dëshpërimi,

 

Vrapin e viteve ndale,

 

të lutem plako.

 

Mos hezito,

 

Si lëvere të pistë trishtimin flake,

 

Ndryshe zemra mpaket, tkurret, bëhet oshafë,

 

Si një kambanë e vjetër kishe

 

e lenë ndanë një rruge.

 

Ku fëmijët do gërvishtin iniciale

 

dhe lypsarët do qeshin pas shpine.

 

Miku im fisnik. Dije

 

Kroset e autostradës takohen në një pikë,

 

për të gjithë,

 

Përderisa bota zvogëlohet dhe zvogelohet si një guackë veze.

 

Akujt polarë u shkrinë,

 

Në të tjera vise po shkojnë arinjtë e bardhë...

 

 

 

U lëkunde?

 

Prit,

 

Në skaj shkëndija e parë ndezi,

 

U çel fanari.

 

Lëri anijet të udhëhiqen e të shpëtohen prej shkëmbinjve

 

Dhe të ankorohen tek kepi i mirë si më parë.

 

Sykthjell?t vështro,

 

Po zgjohet guximi,

 

Errësira në luftë të përjetshme është me jetën,

 

Me tufën e lakuriqëve të natës anonimi

 

i keq ngeli.

 

 

 

Të lutem Mik kokën ngrije,

 

pa mëdyshje,

 

Flok?thinj?naja është vetëm magji.

 

Arinjtë e bardhë do vijnë përsëri.

 

Përkohshmëria është e neveritëshme.

 

Vitet mbetën tutje.

 

Nuk mund të jemi në fundin e një autostrade.

 

Jemi përsëri si më parë

 

Në fillimin e një rruge të gjatë.

 

U përflak horizonti

 

Së bashku me të vërtetën...

 

 

 

Toronto dhjetor 2011