Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Korniza e dashurisë dhe dritat e Dardanisë

| E marte, 07.02.2012, 08:58 PM |


Korniza e dashurisë dhe dritat e Dardanisë

 

Aftësia e Miradije Ramiqit për të kornizuar artistikisht botën, lartëson cakun e zgjedhur së bashku me petkun me të cilin ballafaqohet në çdo takim me Universin. Duke udhëtuar në përfytyrime, ajo tashmë ka përfituar përvojë dhe ka krijuar një bagazh të pregaditur, duke vënë në të besën që është shndërruar në pasion dhe drejtime e qëllime të shndërruara në principe. Në të dy rastet qeveris zëri i ndërgjegjes prej artisti dhe gruaje me identitet social dhe kombëtar. Mu për këtë, identiteti i saj nuk është ndonjë kostumografi secrete, por art i mirëfilltë.

 

Nga Baki Ymeri

 

Vëllimin “Hirësi përrallore”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (duke patur për redaktor Ibrahim Kadriun dhe reçensent Ramadan Musliun), autorja ua kushton prindërve të saj, për jetën, edukatën, moralin dhe etikën njerëzore që e jetuan dhe e kultivuan, duke e përcjellur atë në shpirtin e saj. Miradije Ramiqi derdh në këtë album poetik këngën me lotin e dhembjes dhe ëmbëlsinë e zjarrtë, si një pikturë lemeritëse me zemër të vrarë, duke ledhatuar qiellin e hënën me vetminë që e kemi të përbashkët, duke e përjetuar në heshtje dashurinë, me shkëlqim e buzëqeshje, me mesazhe paqe  dhe me vetëtimë që digjet me rrufenë. Autorja anashkalon errësirën duke u bërë dritë e syve tanë, duke e përkujtuar Parisim magjik dhe dimrin në Prishtinë, duke na ledhatuar me vargun e saj si një  dashuri e rrallë që rrugëton përmallshëm me vapën e diellit, duke vazhduar rrugëtimin e fatamorganave si një dashuri në përjetësi, duke e përkujtuar atdheun, antikën dardane dhe Kosovën e ditëve tona. Kjo aftësi për të kornizuar artistikisht botën, lartëson cakun e zgjedhur nga autorja, së bashku me petkun me të cilin ballafaqohet në çdo takim, me Universin. Duke udhëtuar në përfytyrime, ajo tashmë ka përfituar përvojë dhe ka krijuar një bagazh të pregaditur, duke vënë në të besën që është shndërruar në pasion dhe drejtime e qëllime të shndërruara në principe. Në të dy rastet qeveris,  ndërkaq, zëri i ndërgjegjes prej artisti dhe gruaje me identitet social dhe kombëtar. Mu për këtë, identiteti i saj nuk është ndonjë kostumografi sekrete por art i mirëfilltë, thekson Monika Mureshani në Bukuresht.

Sipas Miradijes, “dhimbja është aq e thellë/ plogështi zemre mbjellë/ nga afër e nga larg/ fjalë të ngrohta e të larta/ por asnjë nuk e peshonte/ feniksin e dashurisë të paqes/ i zoti me dëshirë të Zotit/ me zemër e shpirt/ atdheun atdhetarët/ me mendje të ndritur/ sakrificë për vetën/ dashuri për të tjerë.”  Paralelisht me Sabile Bashën që komunikon me Zemrën Shqiptare dhe Botën e bubullimave të botës, me Flora Brovinën e heshtur, me Edi Shukriun e arkeologjisë së nëntokës dardane, e me disa vlera tjera të botës femërore, Miradije Ramiqi shkëlqen si poete dhe piktore, duke na prurë dhimbje, pikëllim e dashuri, në Rugovë e Prishtinë, ditëve të janarit të ngarkuara me acar, me shpirtin në ankand dhe mallin e bardhë, të përshëndetjes shpirtërore, në sheshin me homazhe kur  Kosova dhe feniksi, rilindin nga zjarri, me miq e bashkëudhëtarë, të shndërruar në betim e në përkulje ndaj atdheut, “rrugës së vërtetës, në përcjellje të amanetit.”

“E kam njohur Zonjën e dashurisë dhe etjes për liri përmes rikëndimit të vargjeve të saj në gjuhën rumune, dhe e çmoj sidomos për simbolet e vjershërimit të saj, me aq mjeshtëri, guxim dhe shpirt të hapur, të shprehura në vëllimin Shpirt i përflakur. Janë sublime idetë e këtij libri që bën fjalë për fjalët e shpirtit të mbujtur me zjarrin e dashurisë. Miradije Ramiqi i përket gjeneratës së militantëve të ndezur me art dhe fjalë për qëndresën e progresit dhe harmonisë në skenën fatale dhe absurde dë kësaj bote spektakulare (spectaculum mundi). Mua nuk më mbetet tjetër të them përveç admirimit tim të sinqertë për personalitetin e saj polivalent, të cilën guxoj ta konsideroj si një hero lirik të ilirëve të lashtë. Pse? Ngase fati i një krijuesi shëmbëllen me fatin e udhëheqsit të shtetit. Po qe se nga vetitë e personalitetit të saj nuk mungon ndjenja e perspektivës, mu për shkak të këtij fakti, ajo do ta përfitojë një vend të merituar në historinë e letërsisë shqipe, e pasur dhe e bukur si një legjendë, thekson Marilena Lika nga Parisi.

Libri Miradijes dinamizohet me disa piktura të bukura dhe strukturohet në disa cikle (Përjetësi në Paris, Dashuri për të tjerë, Dheshkronja, Tëhuajësim i vonuar, Hirësi përrallore, Shpalosje, Heshtja në mes). Nëse ka dy filozofë që nuk gabojnë, një nga këta është eksperienca, thekson Sami Frashëri, ndërsa Miradija përshëndet “djemtë e djemve të mi”, me “bukë e kripë/ për zemrën e bardhë/ fjalë në pergamenë”, në kornizë me dashuri përtej dhembjes “në portat e pikëllimit shpresë”. Është interesant, shkruan Monika Mureshani në monografinë “Kosova letrare”, se si ka arritur kjo autore ta rikonvertojë në mënyrë sublime gjendjen e përvuajtur në një totalitet të shpirtit të çrobëruar nga prangat e sundimit të huaj. Nga ky pikëshikim, poemat e saj janë filozofike e jo fetare, madje dhe mistike deri diku. Ekuivalenca në plan estetik do të ishte, terminologjikisht, psalmi poetik që deshifrohet nga vetë intuita e poetes. Ndërmjet trishtimit dhe shkëlqimit me përjetime intime dhe prekje universale/humane, Miradija impresionon me “psalmet plot ngjyra”, përmes sintagmave të koncentruara si një “klithje në kohë”.

Autorja përkujton  gjysh e stërgjysh që i “bënë nder sofrës/ me të lashtat antike/ për miqësi të re” dhe ardhmërinë tonë të largët dardane/ në pikturë të bardhë”, qëndisur me shkronja të arta: Kosovë Dardani/ me shekuj ndër troje/ mall e dashuri”. Përmes vëllimit “Hirësi përrallore”, Miradije Ramiqi dëshmon se din të krijojë vlera të reja, lirike e metaforike, meditative e filozofike, ku defilon klithja e heshtjes “me Oh-et e jetës”, me kohën “e kthyer në urë/ në rrasat e Hasit të Thatë” ku flasin hieroglifët e kësaj ane, ku prehet në qetësi emrin e Anton Pashkut, dhe kujtimi që thërret. Sipas eseistikës rumune, “ngjyra e preferuar e Miradije Ramiqit është e bardha, simbol i çiltrisë dhe sintezë që përmban krejt spektrin e ngjyrave. Kur rrezaton përreth teje me hijeshi dhe mirësi përmes fuqisë së mendimit,  errësira transformohet, bëhet e bardhë, ngase njeriu i mirë nuk rri në terr, por në dritë. Ideja e kornizës është vetë ajo aureolë drite që konturon një shëmbëlltyrë apo një peisazh që rritet në dritë, që ushqehet me dritë. Përfytyrimi i kornizës kaplon valenca speciale dhe konotacione transfigurimi në përmasa të transndriçimit të brendshëm që del në sipërfaqe nëpërmjet receptimit të kuptimeve dhe transmetimeve apo asociacioneve të ideve dhe përfytyrimeve, pra, të instrumenteve konotative stilistike të shfrytëzuara me artin e fjalës ku zëtërojnë epitetet dhe metaforat e kyçura në kornizën e dashurisë.”

 

Të jesh i mirë do të thotë të jesh në harmoni me vetveten

 

Shpirti ynë është ëndrra jonë më e mirë, thekson M. Jursenar, cituar nga Miradija në kuadrin e një poeme të qëndisur me shekujt e dashuritë dhe përplasjet e moshës, me muret e kalasë së Ulqinit, ku flenë e zgjohen të puthitur/ në kohë enigmatike/ pikturë e lashtë/ bukuri e trazuar/ me valët e detit” kur vjen e kthehet në kohë, arkeologjia e pazbuluar. Potpuri jete dhe potpuri frymëzimesh, dashuri e harruar dhe pritje në natë, thyerje shikimesh në ekstazë, përkëdhelje flokësh kur “shkrihen puthjet/ në buzë ëmbëlsi/ shprehet ndjenja/ pëshpëritje në nostalgji/ pritje e mall/ deri tek ti.”. Pason Dheshkronja me ofshamë shpirti deri në thembër, “kthimi yt, me mall e drithërim/ deri në antikë”. Dhe vjen shiu e malli në Arbëri, me ngrohtësinë e frymëmarrjes, me butësinë e pikave të shiut, “shpirti im pikturë e lagur/ përkëdheljet me ajrin/ ndjeshmërisht nëpër fytyrë e flokë/ valëve të detit kalëron/ dashuri mbjell në thellësi/.../ në pikturë të pakryer takohen/ trishtim e bukuri”, cep më cep të kësaj bote. Vargu i saj shndërrohet në një lashtësi të vizatuar në mur, në gurë të balsamuar, në figurë ku dhembja në shekujve e mbuloi shkronjën e parë, dashuri mbolli përtej vargu, që “ec e ec nëpër vite drite/ në mend t’i mbani këto shkronja/ deri në këlthitje.”

Në kontekstin e poezisë Shtegëtime Mirësie, Miradije Ramiqi na e përkujton Gonxhe Bojaxhiun përmes një maksime të O. Weildit: “Të jesh i mirë do të thotë të jesh në harmoni me vetveten.” Sipas saj, Të rrahurat e zemrave/ gjatë do të dëgjohen/ nga largësitë/ zërat në thellësi/ thyhen në kornizë/ në pëlhurë picture/ shpirtërohet ndjenja/ shtrihet në pafundësi/ në kohë e hapësirë/ ngjyrat dhe ndjenjat/ shkrihen në mallin për Ty/ në krahët e amshimit/ dashuria rritet për Ty/ kur shkon e vjen malli/ dhembja mbyllet në kornizë/ shtegtimet rritën në parakalim/ Ti jetë-vdekje/ Jetojmë me Ty”. Po ia japim përsëri fjalën Marilena Likës: “Ndjej se poezia e Miradijes, e modeluar sipas modeleve tredimensionale (historiografike, pikturale dhe erotike), e shkëput lëngun nga dheu i Pozharanit të saj dhe nga problematika e Arbërisë misterioze, Miradija e meriton një vend të veçantë në kujtesën e patrimonit kulturor të universit.” Ka edhe shumë poema tjera për një analizë të mirëfilltë kritike, por këtë po e lëmë për kritikët e kalibrit të lartë. Dikush mund të preket pse s’I kemi përmendur, gjë që dëshmon se të jetosh në mërgim, nuk don të thotë të jesh mosnjohës i vlerave të mirëfillta kosovare, por kjo don të thotë njohje e asaj që e njeh në bazë të dashamirëve me të cilët komunikon, e të cilët e kundrojnë me admirim ishkryeqendrën e kulturës shqiptare, Bukureshtin e të parëve tanë, për të cilët gjuha shqipe ishte një burim i pashtershëm energjishë.

 

BIOBIBLIOGRAFI

 

Miradije Ramiqi u lind më 11 shtator 1953, në Pozharan të Vitisë, ku kreu filloren, kurse normalen në Ferizaj e Gjilan. Studioi në Akademinë e arteve (pikturë), gjatë studimeve ishte anëtare e Pleqësisë së Fakultetit, njëherësh edhe anëtare e Senatit të Universiteti të Prishtinës, përfaqësuese e studentëve të Akademisë së Arteve. Ka përfaqësuar studentët e Kosovës në disa vende të hauaja dhe ka bërë specializimin  tremujor në Paris, në artet figurative. Më   vonë kreu studimet pasuniversitare në Prishtinë dhe mbrojti Temën e Magjistraturës ("Arti në udhëtim rreth rikuptimësisë së tij"). Jeton dhe punon në Prishtinë si kuadër universitare në Fakultetin e Arteve të Kosovës pranë Universitetit të Prishtinës. Autore e disa vëllimeve poetike dhe ekspozitash dhe shpërblimesh të panumërta letrare dhe artistike. Anëtare e një numri të konsideruar shoqatash kombëtare e ndërkombëtare për art, kulturë dhe letërsi. Ka në dorëshkrim disa vëllime me krijime që presin botimin. Është e përfshirë në disa antologji poetike në gjuhen shqipe dhe të përkthyera në disa gjuhë të huaja. Me veprat e saj ka nderuar personalitete të artit, shkencës e të kulturës, brenda dhe jashtë vendit. Vepra e saj artistike – letrare, vlerësohet lart edhe nga shumë kritikë të artit brenda dhe jashtë vendit. Poezia dhe piktura janë preokupimi i saj elementar. Është anëtare e rregullt e Shoqatës së Artistëve Figurativë dhe Aplikativë të Kosovës, e  Akdemisë Europiane të Arteve me seli në Bruksel, e Lidhjes së Shkrimtarëvë të Kosovës dhe Lidhjes së Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve Ndërkombëtarë ”PEGASI” Albania