E enjte, 28.03.2024, 10:26 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Luftë akademikësh

E hene, 06.02.2012, 08:02 PM


Luftë akademikësh

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

Kohëve të fundit sikur është krijuar një klimë tjetër në Kodrën e Trimave. Vetëbesimi e ka rrëmbyer edhe heroinën tonë. Nëpër gazeta lagjja më e madhe në atdhe dhe më gjerë përmendet gjithnjë e më shumë, megjithëse nuk është fushatë zgjedhjesh, nuk janë afër as zgjedhjet partiake. Lulia ka hapur edhe një blogë në portalin elektronik, duke e zmadhuar edhe më Kodrën e Trimave me foto e debate për bukuritë e lagjes. Fansat e kundërshtarët u mërdhezen në Facebook, herë duke e lavdëruar për mendimet e guximshme, herë duke e sharë për vlerësimet plot blasfemi për partitë e për shtetin, për fenë e moralin. Ajo ka vendosur të japë mendime- margaritarë edhe për institucionet më të larta shkencore, pavarësisht se si do të reagojnë të tjerët. Është zevzeke e shpirt krenar. Nuk i bëhet vonë nëse e kundërshtojnë.

 

Pas mendimeve për art e letërsi, iu mbush mendja top: pse të mos bëjë vërejtje e të japë gjykime për Akademinë e Shkencave e të Arteve. Të gjithë flasin për të gjitha  institucionet shtetërore e joshtetërore; të gjithë hedhin gurë e dru mbi të gjithë; pse të mos merret me instanca të larta heroina jonë, kur ia thotë mendja që shumë gjëra do t’i bënte më mirë po të ishte në vend të tyre. Shkencën, qeverisjen, ekonominë, diplomacisë, historinë, madje edhe bashkimin kombëtar do ta bënte më shpejt se sa politikanët për të cilët thotë se, kur bie fjala për këtë çështje, si i zë ngushtë e fillojnë të belbëzojnë si nxënësit kur ia kanë frikën mësuesit, meqë s’e kanë mësuar mësimin, apo druhen që s’do t’u pëlqejë ajo që e thonë. Sidomos, belbëzojnë kur i pyesin për bashkimin kombëtar. Flasin me drojë, saqë duken fatkeq. Ndodh që shkretojnë nga zelli të duken të dëgjueshëm para bashkësisë ndërkombëtare. Ndonjëherë mendon: edhe po patën mundësi të fusin në një torishtë gjitha territoret etnike, do ta zvarrisnin këtë punë sikur të gjitha punët e tjera që i lënë t’u ngatërrohen nëpër këmbë. Pastaj dyshon.

 

- Si do ta bënin bashkimin, - më drejtohet mua, thuajse e kam në majë të gjuhës përgjigjen. Ajo e kthen përgjigjen me aq befasi sikurse e bëri edhe pyetjen: po u bashkuam, politikanët duhet t’i lëshojnë postet, sepse kërkohet përgjegjësi tjetër. Ndërkaq, s’ua merr mendja të bëhen të dytët a të tretët. Janë mësuar me  pushtet që të jenë gjithkund të parët, rrezik t’i zërë pleqëria e thellë nëpër poste.

 

Duke përsiatur zëshëm punët e Akademisë, të cilat filloi të m’i tregonte, pas një shëtitjeje rreth e rrotull, aty ku më së shumti i dhemb më pyeti befas: - Athua kanë projekt për bashkimin kombëtar?

 

Mbeta pa zë, m’u ngushtua fyti nga befasia, sepse s’më kishte shkuar mendja se Akademia duhej të merrej edhe me këto gjëra.

 

–Pse të mos merret, - m’u kthye Lulia, thuajse ma kishte lexuar mendimin, - se mos kanë punë më të mençme, - vazhdoi me të njëjtën gjakftohtësi. Prapë rrudha supet.

 

Mua m’i thotë gjërat pa teklif. Por nuk e rren mendja që është më e mençur se akademikët, të cilët i konsideron çehrengrysur si orakujt e Delfit. Sepse, për mençurinë e akademikëve as që i bëhet vonë, më kthehet me sytë mbërthyes. S’ka lexuar asgjë nga penda e tyre e mprehtë, s’ka se si t’i vlerësojë.

 

Në habinë time m’u drejtua pa i bërë syri vërr:-  pse të mos jap mendime, kur secili flet për secilin dhe të gjithë flasin e japin mendime për qeverinë, partitë politike, për kryeministrinë, presidencën, bashkësinë ndërkombëtare, zyrat  e huaja, për politikën e Amerikës e të Britanisë së Madhe, madje edhe për Kinën, pa qenë atje asnjëherë dhe pa pasur informacione të dorës së parë. Dhe të gjithë ia qëllojnë, - ishte e sigurt ajo. - Prandaj, meqë të gjithë kanë të drejtë të flasin për gjëra të këtilla, - është kohë e demokracisë, - më thotë me mburrje, - thuajse unë do t’ia ndërpres fjalën, vendosi si një e një që bëjnë dy të japë një vlerësim për akademikët dhe për Akademinë. Megjithëse ma pranoi se ka dëgjuar që s’ka asnjë anëtar për be nga Kodra e Trimave. - Edhe nga Llapi e Gollaku, - më tha ajo, - ka fare pak anëtarë. S’patën interesim të hyjnë në Akademinë e  Shkencave e të Arteve, patën punë më të mençme - të merreshin me tregti dhe të grumbullonin pasuri.

 

Pastaj bashkëvendësit e saj janë natyrë dinamike sa t’i ngrysin ditët me durim stoik në zyrat e shpëlara të Akademisë, duke shfletuar libra të trashë për t’ua hequr pluhurin e shtresuar, meqë dyshon se askush nuk i lexon.

 

Sikurse flitej me siguri të pakundërshtueshme në kafe-çajtoret e Kodrës së Trimave - Akademinë e Shkencave e të Arteve e pushtuan me kohë gjakovarët dhe dhëndurët e gjakovarëve, sikurse shumicën e institucioneve autonomiste atëbotë. Ata e patën dikur pushtetin, jo llapjanët e drenicakët, prandaj mund të fusnin kë të donin në Akademi apo dhe të nxirrnin po ashtu kujt t’ia bënin me gisht. Kishte dëgjuar Lulia se në Akademi kishin futur edhe politikanë që s’kishin shkruar asnjë libër, as s’u vinte era akademikë (romanet ua patën shkruar të tjerët, që s’ishin në Akademi), ashtu sikurse kishte akademikë që s’kishin mbaruar universitet e lëre më të zbukuronin vitrinën me grada të larta akademike: magjistra, doktorë shkencash a profesorë.

 

Të hyje në Akademi, flitej në kafenetë e Kodrës së Trimave, lypeshin lidhje të forta e jo dije. Dijen e nxinin pasi të bëheshin anëtarë Akademie, sepse menjëherë i fusnin nëpër redaksi të monografive e të enciklopedive.  - Në Akademi, -  më tha ajo, - janë edhe ata që e patën mirë me gjakovarët e dhëndurët e gjakovarëve.

 

E thotë këtë gjë nga mllefi që i kanë diskriminuar jo vetëm lagjen e saj, më të madhën dhe më të varfrën në kryeqytet dhe në vend. Nuk i hiqet nga mendja as pse nga rrënjët e saj në Llap, pranuan pak mençurakë, ndërsa Llapi gëlon nga urtakët, ende të pazbuluar.  Megjithatë nuk kisha asnjë fakt për hamendjet e mia, e shihja me dyshim, sepse Lulisë nuk i kishte hije të bënte dallime krahinore, as të mbante anë. Nga ajo kërkohej të ishte e paanshme si lidere e bashkimit kombëtar, që pretendonte të bëhej në të ardhmen.

 

Duke më shikuar me vërejtje dhe si e zënë në faj, me dozë dëshpërimi që më dukej më shumë i çastit, më tha: do të ndryshojnë raportet. - Kur të kenë grumbulluar pasuri, kur të kenë zënë të gjitha postet qeveritare e joqeveritare me vëllezër e me motra, me kushërinj e farefisni, atëherë trimat e Kodrës së Trimave do t’ia mësyjnë edhe Akademisë. Do ta bëjnë si Hanin e Dilit, - fliste ajo fitimtare, ndërsa sytë i shkëlqenin me një ndriçim farfuritës e të djallëzuar njëkohësisht.

 

- Do të shohësh se si do të gëlojë Akademia me bashkëvendësit e mi, - i shpërtheu hatërmbetja. Thuajse të jetë kjo punë e kryer, ende pa filluar?

 

Ajo pastaj filloi t’i zbërthente detajet: - Do t’i blejnë me pare pleqnarët e Akademisë, apo do t’ua fusin ujët nën rrogoz gjakovarëve e dhëndurëve të gjakovarëve, ashtu sikurse ua futën ujin nën rrogoz dukagjinasve në politikë, mbetet të shihet.

 

Lulia e kishte pikë në zemër edhe Institutin Albanologjik, ku po ashtu është bërë një taraf si në Akademi, ku nuk ka të pensionuar, vetëm vdekja i ndanë nga përpjekjet për kontribut kombëtar, e rrëfente me një lloj sarkazmi, që e kapa në ajër, në vend që të gëzohej pse shkencëtarët e Institutit kanë jetë të gjatë dhe s’prajnë së shkruari mbarë e mbrapshtë deri në frymën e fundit.

 

Më dyshimin që s’më hiqej nga fytyra, Lulia nxitoi të më tregonte se të njëjtën  pakënaqësi me akademikët e kanë edhe drenicakët, me të cilët bashkëvendësit e saj patën një koalicion qeveritar, kohë më parë. Nipat e Azem Galicës, e kanë lënë çiftelinë dhe i janë koptisur shkencës. Mbaruan fakultete e morën tituj shkencore në këto-dy-tre vjetet e fundit më shumë se që nxori shkolla fillore nxënës në periudhën e paraluftës në nahijen e tyre. Por gjakovarët dhe dhëndurët e tyre, u kanë dalë te dera dhe s’i lejojnë të hyjnë brenda me tituj akademikë e me një krah librash të shkruara e të lexuara. Durimi i nipave të Shotës ka kufij, prandaj shpërfillja që u bëhet vlerave të luftës do të ketë pasoja afatgjata për qetësinë në vend. Ndërkaq, llapjanët, në vend të solidarizoheshin me drenicakët që me tituj shkencorë mbetën te dera, çuditërisht dolën në mbrojtje të Akademisë. Shpresojnë të hyjnë pa dhunë në të, duke e pushtuar kalanë nga brenda me urti e durim. Nuk marrin yrysh me stupca në krah bashkëvendësit e Lulisë.

 

- Sulmet ndaj Akademisë së Shkencave e të Arteve filluan para ca kohësh, - më tregonte Lulia, - një herë nga Ministria e Arsimit që e kishte nën tutelë Akademinë dhe herën e dytë nga Instituti Albanologjik, ku ka pakënaqësi, sepse s’po fuzionohen të dyja institucionet në një dhe të bëhen me një tutor.

 

Se a do ta pushtojnë veç e veç apo në koalicion partiak, ende nuk e di Lulia, sepse tash njerëzit janë bërë më të kujdesshëm dhe më të zgjuar, nuk i përfolin gjërat. Kur të mbarojnë punë, atëherë do të dalin në një konferencë shtypi.

 

Ajo më tha se ndihej e dëshpëruar jo pse s’kishte asnjeri nga Kodra e Trimave në Akademi, as nuk i bëhej vonë për drenicakët e munguar, por sepse nuk dëgjoi të kenë bërë ndonjë elaborat për të mirën e shtetit: për ekonomi, drejtësi e diplomaci, m’u kthye për herë të dytë. Aty e kishte brengën.

 

- Apo, mbase, -  më tha ajo, - mund ta kenë bërë, por askush s’ua përfilli. S’përjashtohet mundësia ta mbajnë të fshehtë, në mënyrë që kur të vijë koha ta befasojnë Serbinë e ta lënë pa frymë Bashkësinë Ndërkombëtare. Dhe atëherë do ta shohin ata që i patën në thumb, ata që patën besim të pakët në ta, apo ata që mendojnë se kinse akademikët sorollaten kot e shpenzojnë lekët që ua jep shteti, ndërsa në mbrëmje kthehen në shtëpi për t’ua rrëfyer bëmat nipave të tyre.

 

Dhe, kur i zbrazi të gjitha observimet e veta për Akademinë, kur ia tha mendja që s’la gjë mangut, u përqendrua në rëndësinë që ka Akademia për një shtet e për një komb, për bëmat që mund të bëjë dhe për shumë gjëra të tjera, të cilat ajo i imagjinonte, sepse duket fantazonte sikur akademikët janë shpëtimtarët e kombit. Diçka kishte dëgjuar rrëshqitazi tash apo më herët për akademitë e shteteve të tjera të rajonit e të kontinentit, të cilat sikur e paskan bërë namin në shtetet e tyre, ndërsa në fakt e kishin bërë faqen e zezë me elaborate kundër nesh. Asaj nuk i vinin fjalët e duhura në gojë, sepse duket që dikur akademinë e mendonte si diçka mistike, të pakapshme, prandaj sot ndiente mllef më të theksuar, kur mediat dhe të tjerët ia shpaluan, që të mos themi ia zhveshën oreolin, në të cilën e mbështillte në mendjen e saj edhe heroina e Kodrës së Trimave.

 

Gjatë bisedës shpesh emocionohej, rrëqethej dhe e kaplonte një lloj deliri, sikur në Akademi është koka e kombit, aty rrinë të kërrusur shpëtimtarët e beftë sikurse NATO-ja më 1999 kur e dëboi Serbinë nga Kosova.

 

Përpiqesha t’i tregoja se Akademia e Shkencave dhe e Arteve, nuk është ajo që ia ka dhënë ajo në imagjinatë.

 

Prapë brengosej dhe nuk e kishte idenë se a kanë ndonjë projekt për atdheun e saj akademikët apo jo? Ua kanë ofruar qeveritarëve, apo ata s’i kanë përfillur? Fjalët e qeverisë e të opozitës s’i bënte mall fare, por kishte dëgjuar kohë më parë xixat që nxirrnin nëpër gazeta e televizione akademikët e të dy taborëve: ata që ishin brenda dhe e mbronin çerdhen e tyre dhe ata që kishin mbetur të dera dhe përpiqeshin me të gjitha mjetet demokratike e jodemokratike, revolucionare e jorevolucionare ta pushtonin edhe një herë kështjellën nga brenda. Më këtë luftë akademikësh u shqetësua heroina jonë, megjithëse deri atëherë s’kishte ide të qartë se çfarë bën Akademia, s’ka ide të qartë as tash e gjithë ditën, sikurse shumica e bashkëkombësve të saj, por kjo nuk e zbyth të merret me zorrët e mëlçinë e Akademisë e të akademikëve, sepse konsideron se në shtetin e pavarur e demokratik ka të drejtë secili të merret me secilin dhe të gjithë me të gjithë.

 

- Vetëm në këtë mënyrë,- më thotë ajo, -  do të ecën demokracia dhe do të zhvillohet mendimi i lirë.

 

Nuk i shkon nëpër mend se në këtë mënyrë shpesh bëhet pështjellim i tillë, saqë nuk e merr vesh qeni të zonë dhe nuk dihet kush han dhe kush qan! Por rrëmuja bën efekt, ndërsa Lulisë ia krijon iluzionin se duke i thënë të gjitha mendimet që i vlonin në kokë e duke manifestuar streset e frustrimet, e kreu detyrën patriotike - kombëtare ndaj atdheut.

 

Megjithatë synim kryesor e ka bashkimin kombëtar e jo institucionet lokale të atdheut që përpëlitet herë nga një klikë qeveritarësh të një lagjeje, herë nga klika e lagjes tjetër.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora