Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Cenollari: Cikël poetik për Kosovën

| E hene, 06.02.2012, 08:55 PM |


ILIR CENOLLARI

 

(Cikël poetik për Kosovën)

 

HYRJE

 

PERSHENDETJE PRISHTINE

 

Ulpiana e moçme, Ulpina me emër zane, Ulpiana e bukur, lozanjarja, shtat-hedhura, sokolesha, trimja, ballarta si ajo! Prishtina e sotme, çikë e drojtur, me një gëzim të përmbajtur, rrahur nga flladi i freskët i  rrafshnaltës gjelbëroshe, dehur nga aroma e tokës dhe lavdisë së moçme, kredhur në një vrullvrapimi atletik e elegant drejt Ardhmërisë. Udhëtoj nga Ulpina e dikurshme për te Prishtina e sotme, mbi dy mijë vjet rrugëtim i mundimshëm nëpër honet e historisë, nëpër baltinën e kohrave, nëpër baticë-zbaticat e shekujve, nëpër stuhitë e ditënetëve dardane…Sa e gjatë dhe e sa e shkurtër rruga, sa i gjatë dhe sa i shkurtër rrëgëtimi.

Tash mbushem me frymë, ndalem, vështroj përreth lëndinat e lulëzuara, që çelen si një zemër bujare, horizontet e gjera, agimin përflakës e perëndimin ngjyrë bozhur dhe them: “Ku kam qënë? Sa jam vonuar! Ku është gjyshi im? Stërgjyshi? Ku janë martirët? Amaneti i atit tim? Ku është shpirti i të parëve tanë? Nga dheu mbijnë si fidanë zëra të largët, nga hiri ngjallen zëra të tretur nga dhimbja e lotët e zizë, përzierë me rënkime, me ahe zemre, me bula djerse e njolla gjaku, zëra-tinguj, jehojnë tek unë, në shpirtin tim dhe çelin lulekuqe, bozhure, karafila, më mbulojnë me një mantel të gjelbër kosove, më thonë: je Kosovë!

Unë përgjigjem: Po, jam Kosovë, por a duket Tomori prej këtu? Dhe vë dorën si strehë mbi ballë e rrekem të sodis kreshtat e maleve të Shqipërisë, ballët e ndritura të Tomorit Hyjnor, pelegrinët e panumërt që ngjiten drejt majës së tij për të kundruar Ilirinë.

 

Prishtinë më 23. 08. 2010

 

 

PËRSHËNDETJE

 

Përshëndetje Kosovë! Përshëndetje Dardani!

Përshëndetje Tokë e Premtuar, përshëndetje Shqipëri,

përshëndetje mbreti Bato, përshëndetje Harmoni!

Përshëndetje martirë dhe ju dëshmorë për liri,

përshëndetje Niketë Dardani, këndoje për mua

himnin e shenjtë “Te deum laudamos”,

përshëndetje Isa Buletini dhe ti Hasan Prishtina,

përshëndetje Ibrahim Rugova, përshëndetje trima!

Përshëndetje Adem Jashari, përshëndetje Ali Podrimja!

Jam Iliri, biri i Kadmit, vij nga viset e Atintanisë

dhe të Tomorit Hyjnor, karrua është mbrujtur me mall,

rrotat e saj kuisin nga dhimbjet e plagëve shekullore;

sprapsuni horizonte gri, re të zeza, sprapsu prapësi.

Ani, jam i mpirë nga lumturia, mbi krye, në ballë,

vëmë një kurorë ari, mbretëreshë, nga floriri

i minierave të nëntokës kosovare të mbushur me thesare.

Përshëndetje Kosovë, përshëndetje Dardani,

përshëndetje rini! Përshëndetje Iliri!

 

17. 08. 2010

 

 

II. SHQIPËRI-KOSOVË

 

KOSOVA

(Në ditën e pavarësisë)

 

Sot s’mendoj dot,

s’mundem, s’dua,

sot vetëm ndjej,

ndjej thellë në deje

gjakun të ndizet

në zjarrin e lirisë,

gjakun të dallgëzojë

në flamurin e lirisë;

Sot s’mendoj, s’mundem,

mendimet janë fshehur

detit të ndjenjave,

buçimës së shpirtit,

sot mendimet shpërthejnë

qiellit të lirisë,

Kosovë,

qiellit të Shqipërisë.

 

17. 02. 2008

 

 

LIRIA

(Në kullën e Adem Jasharit në Prekaz-Drenicë)

 

Liria ka ngjyrë të kuqe,

ngjyrën e gjakut, e flamurit,

Liria ka zemrën e Adem Jasharit,

e Arbërisë,

Liria – mëkim e bekim

Mëmëdheu.

 

23. 07. 2011

 

 

BASHKIMI

 

Muri u shemb,

kufiri u shkel me këmbë;

Kosova Shqipërisë iu fut në gji,

u shkri,

me mall të valë

me mall të rrallë

si fëmijë…

Kosovë, Shqipëri

një vend,

shpirti ende dhemb.

 

***

 

Shqipëri-Kosovë

zemër e çarë më dysh,

shegë e pjekur tetori, thelpinjtë e kuq

zbulojnë gjinjtë e përndezur....

Mall i mbledhur nëpër vite,

shekuj, përpjekje, stuhi e rrebeshe

tash shpërthen fuqishëm,

magmë vullkanike,

shkrepëtimë diellore...

Shqipëri-Kosovë,

dy mushkri në trupin e atdheut,

dy qiej të kaltër.

 

01. 10. 2010

 

***

 

Avuj e ngrohtë të tokës kosovare

ngrihen lart e valëviten si flamuj të kuq,

aromat e trupit pjellor

qiellit endin pëlhura të mëndafshta.

Puhiza mbrëmësore shpështjell

afshe dashurie, fllade lirie…

Avuj, aroma, ngjyra,

një erë e lehtë i merr përpara,

i vërvit maleve të Shqipërisë,

kreshtave të Alpeve

ku formon re të trandafilta.

 

29. 09. 2010

 

 

III. KOSOVE

 

Kosova

 

djep lirie

kurorë lavdie…

 

Janar 2011

 

 

***

 

Kosovë,

brengë brengosëse,

brenga ime,

Kosovë,

brengë shekullore,

ha brinjët e kohës,

Kosovë,

brengë brengosëse,

plagë lëndonjëse,

plagë, plagë,

plagë.

 

26. 08. 2010

 

 

***

 

E rëndë jeta nën zgjedhë,

e rëndë jeta në robëri:

ajri i ngjethur e i rrallë

pemët të kërrusura,

dielli i zbehtë e i vrarë,

kokat mbuluar me shami të zeza,

e rëndë jeta nën zgjedhë,

varr, varr.

 

02. 09. 2010

 

 

KOSOVE

 

Kosovë,

gjithçka e jotja flet shqip,

vështrimi shqip,

gjuha shqip,

historia shqip,

dheu shqip,

drurët shqip,

bari shqip,

guri shqip.

Kosovë,

gjithçka e jotja flet shqip,

Kosovë.

 

29. 08. 2010

 

 

***

 

Mëngjes, mjegullirë,

Fushë – Kosovë, rrafshirë,

lart dielli ndrin,

llampadan flakërues….

 

13. 11. 2010

 

 

***

 

Hyjni dardane

me sy të erandshëm,

me sy të butë,

avujt e tokës ,

mbledh në bebëza,

flladet e bjeshkëve,

aromat e fushave,

ngjyrat e qiellit…

Hyjni dardane

me sy të butë,

ledhatonjës.

 

30. 06. 2011

 

 

***

 

Krijuesi kur pa

të përfunduar veprën e vet,

kur pa krijesën e ëndërruar,

për një çast iu drodh dora,

dalta i ra përtokë,

i çmeritur belbëzoi:

“U ngjallën hyjnitë dardane,

u ringjallë Dardania”!

 

10. 07. 2011

 

 

IV. NE PRISHTINE

 

Ulpianë e bukur

livadheve të blertë vallëzon si flutur,

s’guxon kush të të prek,

as nata, as shpata,

djalli tmerrohet nga mëkati,

dridhet nga fati.

Ulpianë e bukur,

qiellit të Kosovës rend si flutur.

 

27. 08. 2010

 

 

***

 

E qeshura rinore

derdhet rrugicave prishtinase,

rrëkezë e kristaltë bjeshke,

fërfëllizë e shndritshme diellore.

E qeshura rinore fshin

blozën e mureve të nxirë,

terrin e natës së gjatë…

 

25. 08. 2010

 

 

***

 

Pëllumba mbi çati:

 

gurë stralli, zaje gri,

 

pika loti.

 

 

***

 

Qyteti gdhihet kruspull nga acari,

i tulatur, i përfjetur, i përngjethur,

si iriq me gjemba të mprehtë,

me gjemba të ngrehur përpjetë…

 

Prishtinë më 21. 11. 2010

 

 

NDIZE ZJARRIN-POEZI

(Poetit Ali Podrimja)

 

Vëlla Ali,

ndize zjarrin në odën e miqve,

zjarrin-poezi,

flaka brambullitëse – flamur

kuq e zi.

Në Prishtinë bën ftohtë,

në Tiranë zagushi,

Xhevua flet me perënditë,

Fatosi në Kullën e Fjalës së Lirë

ngujuar rri...

Vëlla Ali,

atje ku është atdheu më je dhe ti,

ku është Trimi, Drini,

Guri, Burri,

Atje ku është Jeronimi

dhe hyjnori Naimi.

Lëre zjarrin të digjet

vëlla Ali,

zjarrin-poezi,

rrëmbeje flakën

e betejave pri,

flamur kuq e zi.

 

15. 01. 2012

 

 

***

(V. H.)

 

Përmes syve tuaj

shoh natën e bërë shoshë nga plumbat;

Përmes syve tuaj

shoh qelitë e ferrit në Had,

Përmes syve tuaj

shoh vështrimin e të rënëve në varr,

Përmes syve tuaj

shoh liqejtë e dhimbjes ngrirë në shpirt,

Përmes syve tuaj

shoh rrënjët e shtrira të lirisë,

mallin e ndezur lulebozhur.

Përmes syve tuaj

shoh pëllumbat e bardhë të shpresës

tek ngjiten lart në qiell.

Përmes syve tuaj

futem thellë në nëntokën e Kosovës.

 

27. 08. 2010

 

 

SHQIPTARI

D.F.

 

“Ai është shqiptar,

dhe kjo është e madhërishme”!

Se si m’u kujtua ky varg i një poeti të dëgjuar,

ndoshta si reagim ndaj lumit të kritikave

të derdhura në adresë të një djaloshi shqiptar,

ndoshta si mosaprovim i qortimeve të tilla.

Ndërsa dëgjoja kritikuesin fjalëshumë

mendoja se këtij djaloshi i falet gjithçka,

çdo e metë, çdo mangësi, çdo gabim,

ai është shqiptar, shqiptar i vërtetë,

dhe kjo është e madhërishme.

 

14. 12. 2010

 

 

KOHA IKEN SHPEJT

(Barletit, mikut tim nga Kosova)

 

Koha ikën shpejt

e s’ke kohë ta shohësh;

koha ikën shpejt,

ditët bien nga qielli si flokë bore,

të mëdha, të vogla, të lumtura,

të trishtuara, të frikura, guximtare,

e sa prekin tokën

shkrijnë, treten pa gjurmë,

ngre kokën lart,

mizëri ditësh duke zbritur,

mizëri flokësh të bardha bore,

kthen kokën mbrapa,

ditë të tretura, breza të shuar,

vazhda jete, tuma me varre,

male, fusha, lumenj, qytete, fshatra,

shtëpi, rrugë, godina, stadiume,

vepra të ngritura nga dora e njeriut,

gërmadha, qytetërime të humbura...

Koha e pa kohë s’lëviz,

e njëjta etje njerëzore për jetë,

e njëjta dëshirë për liri,

për dashuri.

 

Mars 2011

 

 

LAMTUMIRAT

 

Lamtumirat e mia kosovare,

përqafime ylberore,

përflakje diellore….

Kosovë, më je dukur

çdo herë e ndryshme,

çdo herë më e bukur!